ALI ANALIZIRA  

a:1:{s:11:"td_subtitle";s:44:"Dotëbëniburg–Ќесилежите

    1 Kështu pra. Të jeni të qetë. Nuk do të ketë federalizmi. Nuk do të ketë kantonizim. Do të ketë vetëm dashuri besnike mes Nikolla Gruevskit dhe Ali Ahmetit. Duke pasur parasysh se Gruevski në 11 dhjetor doli pak më erbap nga partneri shumëvjeçar. E me përrallat e tmerrshme të federalizmit dhe kantonizimit bleu pak më tepër kohë, në mënyrë që të harronin votuesit e tij arsyen për të cilën u themelua Prokuroria Speciale Publike. Demek, nga e keqja paska për të pasur edhe më keq. Kurse votuesit e Ali Ahmetit e dënuan liderin e BDI-së, sepse ai i ndihmon Gruevskit të shpëtojë nga ajo që mund ta gjejë në rast se Prokuroria Speciale Publike vazhdon të kryejë detyrën e vet pa pengesa nga qeveria.

    E tani, Aliu analizon se me kë do të bëjë Qeveri. Do t’i pyetka votuesit. Ali analizira.

    Cilët votues bre, Ali? Ata  63.000 që i humbe sepse për dhjetë vjet ishe ujdisur me Gruevskin, e kur dëgjuam se ç’keni bërë bashkë, në telefonatat e përgjuara, kërkoni mënyrë si të shpëtoni bashkë? Epo, luftën për shpëtim nga burgu, Aliu që analizon do ta mbështjellë prapë në ndonjë përrallë për NATO-n dhe BE-në, siç ka bërë tërë këto 15 vjet. Kësaj here do t’i vërë në pako me kordele demek, si disa reforma sipas Pribesë.

    Aliu analizon sepse e vërteta është dashur të zbulohet. Edhe drejtësi është dashur të ketë. Edhe për “Monstrën” dhe për “Lagjen e trimave” dhe për shumë çështje të tjera…Aliu analizon sepse na qenka në pyetje siguria e Maqedonisë. Sepse na qenka i mërzitur për shtetin e drejtë dhe të drejtat e shqiptarëve.

    Po kush të ndali, mër Ali, së zbuluari të vërtetën? Kush të pengoi që të formosh shtet të drejtë në- jo 10, po 15 vjetët e fundit? Ministrat e tu të drejtësisë që e kontrollojnë gjyqësinë? Kush e cenon sigurinë e Maqedonisë? Komandantët e tu të UÇK-së, ish ministra të mbrojtjes? Kush të pengoi, Ali, ta integrosh Maqedoninë në BE, jo vetëm me shqiptarët e tu, po me gjithë maqedonasit? Ministrat dhe zëvendës kryeministrat e tu për eurointegrim? Kush të pengoi ta bësh Maqedoninë, jo vetëm për shqiptarët e tu, po edhe për maqedonasit, shtet më të pasur? Ministrat e tu të ekonomisë, drejtorët e ndërmarrjeve të ndryshme publike, kryetarët e komunave…

    Epo Ali, meqë ti manipulon me drejtësinë për “Monstrën” dhe “Lagjen e trimave”, duhet të dish që drejtësia do të fitojë edhe për atë se kush ka përgjuar. Edhe për tenderët. Edhe për gurin që vjen prej afër. Por, ti ke frikë nga e vërteta. Andaj edhe deri tani e vërteta nuk ka dalë. Andaj ti vazhdon t’i japësh alibi Gruevskit se pa të nuk mund të vazhdojë mandati i PSP-së. E ti, demek, do të doje, por ja që – s’mundet.

    2 Dhe kështu, BDI-ja në fillim kishte Marrëveshje të majit. E pastaj, Gruevski u shpiku proklamim të Vitit të Ri për shpëtim të maqedonasve nga shqiptarët. Që ta shpëtojë ai veten dhe njerëzit e tij. Kurse pastaj BDI-ja i shpiku kundërproklamim. Që ta shpëtojë veten dhe njerëzit e saj. E kundërproklamimit ia vunë emrin “Platforma”. E, që të duket më dramatike, e publikuan në Krishtlindje.

    More, nuk e keni ju as për shqiptarët as për maqedonasit. E as me për interesat e votuesve tuaj. Madje as kështu, kur jeni të ndarë etnikisht. E as nuk ju bëhet vonë se a do t’i keni partnerët të LSDM-së apo të VMRO-DPMNE-së. Me këtë platformë të krishtlindjes treguat se ju intereson vetëm pushteti. Dhe që BDI-ja, që t’i fshehë krimet e deritanishme, është e gatshme ta ndajë kulaçin e pushtetit me Besën dhe me Aleancën e Shqiptarëve. Dhe se atë pangopësi për pushtet tani e shesin si interesa të shqiptarëve. Dhe që edhe liderëve, me dallimet e tyre politike gjoja të pazgjidhshme prej periudhës parazgjedhore, nuk do t’u bënte keq të ndanin ndonjë tender të vogël.

    Platforma e tyre nuk është platformë e shqiptarëve. Platforma e tyre është platformë për partitë. Kurse shteti do të vazhdojë të funksionojë në bazë të parimit “banda jonë – banda juaj”. Duke pasur parasysh se në bandën tonë tani do të hyjnë edhe Besa dhe Aleanca. Ja, kjo është esenca e “Platformës”.

    3 Vallë, nëse do të kishte dygjuhësi, më shumë të punësuar shqiptarë në sektorin publik dhe më shumë para në komunat me shumicë shqiptare, apo edhe sikur të kërkonim falje për ndonjë gjenocid, a do të dënohet pirja e cigares në kafet e Gostivarit, apo të jepen llogari fiskale në rrugën plastikave në Shkup, e të ketë ajër e ujë të pastër në Tetovë? A do të mundet secili që nuk paguan rrymën në Haraçinë të mund të shkyçet pa iu shkelur të drejtat e njeriut?

    Kujt i shisni pallavra tani për dygjuhësinë? E dimë të gjithë që dygjuhësia është realitet. Nga kufjet në Parlament e deri te shënimet në dy gjuhë në autobusë, me të cilët i dërgojnë anëtarët e GDOM-it të protestojnë kundër dygjuhësisë.

    Çfarë debatesh do të hapë tani Ali Ahmeti pas 15 vjetësh në pushtet? Për flamurin, për stemën dhe për himnin. Sepse pas atij debati ,shumë më lehtë do të mund të jetohet në një shtet në të cilin nuk hapet asnjë debat për vjedhjen e funksionarëve. Debat për përgjim të paligjshëm dhe thyerje masive të të drejtave të njeriut. Për korrupsion dhe llogari të fshehta në destinacione romantike. Për shtet të drejtë në të cilin korrupsioni është legal, kurse vjedhja e funksionarëve kalon pa dënim.

    Për çfarë gjenocidi kundër shqiptarëve duhet të kërkojë falje Parlamenti? E kush do t’iu kërkojë falje qytetarëve të eksodit të të rinjve në 15 vjetët e fundit, ndërkohë që BDI-ja sundonte me sukses? Kush do t’iu kërkojë falje qytetarëve me paratë e së cilëve, gjoja sipas marrëveshjes kornizë, paguhen kuadro të vëna në listat e BDI-së, që rrinë në shtëpi dhe marrin rrogë se kështu ndjehen të barabartë?

    Veçanërisht zhgënjyes është fakti që madje edhe intelektuale të njohur, përveç disave, e pranuan platformën e Krishtlindjes me miratim dhe ia analizojnë urtësitë për integrimet euroatlantike Aliut, në vend që t’i shutojnë e t’iu thonë: “More, mërsh hajdutë. Burg do të bëni! – Ќе си лежите.

    4 Në shekullin 21, në Maqedoninë euroatlantike në janar, ra borë. Gjysma e shtetit u nda. As etnikisht, as partiakisht. Por, si pasojë e institucioneve jofunksionale. Gjysma e kryeqytetit mbeti pa ngrohje. Gjysmat e qyteteve dhe fshatrave të Maqedonisë ngelën pa ujë. Ndotja e ajrit në pothuajse të gjitha qytetet më të mëdha është deri më 10 herë më e lartë nga normalja.

    Por, hajde të mos politizojmë. Të analizojmë.

    5 Njeriu i parë i pastrehë që vdiq nga të ftohtët në Maqedoni, u gjend në Aerodrom. Në komunën me 13 kisha.

    E rëndësishme është që KOM-i bëri donacione për fushatën zgjedhore të VMRO-DPMNE-së.

    6 Po për PSP-në, keni dëgjuar diçka? Kaloi fushata parazgjedhore, iu thanë të mos përzihen. Zgjedhjet kaluan. Edhe Viti i Ri dhe Krishtlindjet kaluan. Edhe monedhat i rrotulluam.  Edhe gripin e kaluam. Ja edhe Vasilicën do ta kalojmë. Çfarë presin Katica dhe njerëzit e saj? Ta shohin kush do ta kapë kryqin?
    Koha kalon. Ja ku erdhi marsi. Tik, tak, tik, tak, tik, tak…

    Përktheu: Fjolla Zllatku

     

     

    Симнете ја мобилната апликација

    ©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира