• прочитај на македонски
  • LUFTË E FTOHTË

    Nëse derdhet gjak, përgjegjësia do të jetë e Gruevskit dhe e VMRO-DPMNE-së

    11858

    1E kishim shumë të mërzitshme këto dy vjet e gjysmë, e tani patëm pak emocion në jetët tona të mërzitshme.

    Ja, si për fillim, VMRO-DPMNE-ja nga kundërprotestat u kthye drejt protestave. Kur i sheh, nuk mund të dish se në protestat e kujt ke ardhur. Ata flasin se paska media të cilave ua kanë mbyllur gojën dhe për shoqërinë e Oruellit ku të gjithë janë të kontrolluar. Dhe duartrokasin “hajdutë, hajdutë!”. Madje u dëgjua edhe  “No pasaran”. Përderisa nuk u pranohet fitorja, do të fillojnë të thërrasin edhe “nuk ka drejtësi, nuk ka paqe”.  Të mendojë dikush se ka qenë LSDM-ja që ka qeverisur për mbi 10 vjet dhe i ka bërë torturë elitës së VMRO-së. Dhe që me zor i ka çuar ndjekësit e  VMRO-së në autobusë që të ngrijnë në protesta në Shkup.
    Me zjarr, mallkime dhe raki të ngrohur duan ta bëjnë Komisionin shtetëror zgjedhor të thotë se nuk ka pasur parregullsi në zgjedhje. Madje edhe Qoseton e thërrisnin për ndihmë, t’i shpëtojë nga terrori i LSDM-së. “Qoseto është gjallë”, duartrokisnin. Kurse Valentina Bozhinovska, kryetare e Komisionit të bashkësive fetare, me krenarinë e një fetareje të vërtetë thërriti “Kjo është nata thikave!”.

    Ashtu pra, na paska qenë e krishterë therja e njerëzve. Sidomos e atyre që nuk mendojnë njësoj. Çfarë do të thotë kjo natë e thikave? Që do të shkojnë derë më derë, do të kërkojnë se kush ka votuar për LSDM-në dhe do t’ia ngulin thikën? Pse? Ngaqë nuk kanë fituar 63 deputetë, siç premtoi lideri i tyre? Ngaqë lufta tani bëhet që të jenë fitues vetëm me një ose dy deputetë më tepër? Ngaqë 460,000 njerëzit që kanë votuar për ta janë popull, kurse 700.000 që nuk kanë votuar për VMRO-DPMNE-në janë përbindësha? Sepse 700.00 njerëz u kanë hipur mbi kokë të 460.000-ve? E këtë nuk e durojnë dot më.

    2 Të jemi të sinqertë, kjo që po ndodh tani para KSHZ-së nuk është diçka që nuk e dinim për VMRO-në. Madje prej vjet filluam ta dëgjojmë. Si ishte ajo: “Po sikur të bëjmë luftë?”. Apo ajo tjetra “me gjithë gruan dhe fëmijët në hendek”. Apo ai konstatimi që duhet të vriten nja dhjetë veta në shtet dhe gjithçka do të ishte super. Dhe atë – “të shfarosen”. “Me dinamit – mos ta zgjasim shumë”.

    Dhe e gjithë kjo po ndodh njëkohësisht kur lideri i këtyre që kërcënohen me thika, Nikolla Gruevski, u ul në karrigen gjykuese për shkak se ka nxitur dhunë pas përfundimit të zgjedhjeve lokale të 2013. Atëherë, qytetarët e pakënaqur e sulmonin Komunën e Qendrës, sepse nuk u kishte lejuar të ndërtojnë një kishë. Tash e sulmojnë Komisionin shtetëror zgjedhor, sepse do t’ia vjedhë fitoren minimale. Atëherë, brenda me telefon ishte Daniella Rangellova. Tani në telefon është Sillvana Boneva.

    Kurse Gruevski prapë dëshiron të jetë kryeministër.

    3Dhe tani, vjen radha e Gruevskit, bashkë me BDI-në, që të na shpëtojë nga federalizimi dhe nga dygjuhësia me të cilën e frikësoi trupin e tij votues. Do të na shpëtojë në të njëjtën mënyrë siç na ka shpëtuar 10 vjetët e kaluara. Me përgjime, me korrupsion dhe tenderë të ndrequr për njerëzit e tij. Me partnerin e njëjtë për të cilin këta me thika këndojnë këngë patriotike: “Le ta marrin vesh shqiptarët e mallkuar”, ndërsa e mbrojnë fitoren me zjarr dhe gjumë nëpër autobusë dhe spitale.

    Në fund të fundit, historia është shumë e thjeshtë. Gruevski është kapur se si ka përgjuar, ka vjedhur, dhe ka porositur akte dhune. Dhe 460.000 njerëzve ky fakt nuk u pengon. 700.000 njerëzve u pengon. Kush e di se sa të dëshpëruar janë pjesa më e madhe e atyre 460.000 njerëzve, të cilët për thërrimet që ua hedh elita e VMRO-së janë të gatshëm të flenë në autobusë dhe t’i mbrojnë bundat e atyre që kërcënohen me thika dhe flenë në të ngrohtë në banesa. Sepse ato thërrime për ta do të thonë jetë. Kurse vota e tyre për elitën e VMRO-së do të thotë shpëtim nga burgu.

    4Maqedonia prej kohësh jeton në një gjendje të luftës së ftohtë qytetare. Kjo qeveri në krye me VMRO-DPMNE-në, në vend që ta nxjerrë më të mirën, arriti të nxjerrë më të keqen nga njeriu. Ta frikësojë dhe ta kthejë kundër secilit, ta bëjë të ketë zili  lumturinë e tjetrit dhe t’ia ushqejë dembelizmin si pasojë e bindjes ndaj partisë. Dhe tërë këtë e bën me paratë tona. Luftën e ftohtë qytetare e filluan Gruevski dhe VMRO-DPMNE-ja. Por, ai tani kërcënohet se durimit të vet i ka ardhur fundi.  Dhe nëse Gruevski dhe VMRO-DPMNE-ja nuk pushojnë së kërcënuari me thika, vija është shumë e hollë kur lufta e ftohtë qyetatare të bëhet e nxehtë. Nëse derdhet gjak, përgjegjësia do të jetë e Gruevskit dhe e VMRO-DPMNE-së. Sepse do të nisin edhe një luftë tjetër vëllavrasëse në Maqedoni. Sepse 460.000 votuesit e tyre, të cilët deri dje i  frikësonte me shqiptarët e mallkuar, tani i frikëson me maqedonasit e mallkuar, që nuk kanë votuar për të.

    5Në gjykimin e parë të Gruevskit, si i akuzuar për porositje të akteve të dhunës në Komunën Qendër dhe shuplakave për kryetarin Andrej Zhernovski, gjykatësja Tatjana Mihajllova nuk i pranoi “bombat” si material dëshmues, sepse përgjimi paska qenë thyerje e të drejtave njerëzore.

    Shumë bukur paska vënë re gjykatësja. Mihajllova tani është kryetare e përkohshme e gjyqit. Pasi që thotë se përgjimet kanë qenë thyerje të të drejtave njerëzore, ja ku është shansi që bashkë me Katicën të zbulojë se kush ka përgjuar dhe kush i ka thyer të drejtat e njeriut. Jo vetëm t’i zbulojë. Por edhe t’i gjykojë.

    Sepse pikërisht përgjimet dhe thyerja e të drejtave të njeriut i shkaktuan këto zgjedhje të parakohshme.

    Përktheu: Fjolla Zllatku