1O ju, kriminelë të vegjël – bashkohuni. Vetëdijësohuni në këtë vit të ri. Formoni ndonjë grup esnafësh që do t’jua mbrojë interesat. Siç thotë Zaevi, lideri i LSDM-së: “Njerëzit e jetojnë lirinë” Dhe e jetojnë me të vërtetë. Vetëm ju, kriminelët e vegjël, vjedhësit dhe mbajtësit e dy gramëve marihuanë, veç ju mbetët në burg. A e shikoni se si Këshilli gjyqësor përkujdeset për të vetët e dyshuar për krime? Gjykatësi Zoran Teofillovski, i cili veç kësaj është dhe anëtar i Këshillit gjyqësor, i dyshuar për privatizim jolegal dhe legalizim të pronës shtetërore në Tetovë, fillimisht arratisej për ditë të tëra nga policia, pastaj u paraqit vetë në polici, por vetëm që t’ia merrnin imunitetin e të mos i lejonin të shkonte në paraburgimin. Flasim për një gjykatës që dyshohet se ka dëmtuar Buxhetin për 860.000 euro.
Po ky Këshill gjyqësor në maj të vitit të kaluar, gjithashtu i mori imunitetin gjykatësit administrativ Mustafa Shahini, por nuk i lejoi paraburgim. Ai është dyshuar për keqpërdorime me denacionalizim dhe ka dëmtuar shtetin për 200.000 euro.
Siç duket, gjykatësit mund të vjedhin prona, por nuk guxojnë të shkojnë në paraburgim, kurse ata që vjedhin rrugëve dhe nëpër shtëpi, jo vetëm që të shkojnë në paraburgim, por e hanë edhe burgun. Pse? Vetëm sepse nuk kanë kolegë, profesionistë me përvojë që t’i përfaqësojnë e t’i shpëtojnë nga drejtësia.
Pse për shembull, ekzistojnë tri oda, dy sindikate, por vetëm një këshill gjyqësor? Le të bëhet të paktën edhe një tjetër. Ka ardhur koha që edhe kriminelët e vegjël të kenë një profesionist që t’i shpëtojë nga burgu, ashtu siç e kanë ata të mëdhenjtë.
2 Prisni. Nuk e dimë akoma se çfarë është i gatshëm të bëjë lideri i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski, kur në fushatën ende të panisur të zgjedhjeve propozoi një kolonel ushtrie për ministër të punëve të brendshme. Për më tepër këmbëngulte me këtë vendim, ndonëse e dinte shumë mirë se ishte jokushtetues. E kështu e ktheu avazin e vjetër: Ç’rëndësi ka nëse është sipas kushtetutës apo jo, kur Zaevi ka frikë nga profesionistët? Ç’rëndësi ka nëse shkelet Kushtetuta, kur Kushtetuta gjithsesi është bërë për t’u shkelur? Thotë se Zaevi ka frikë nga profesionistët dhe prandaj kapet për interpretimet e kushtetutës. Deri në momentin e fundit nuk deshi të tërhiqej nga historia e kolonelit Dragan Kovaçki, profesionistin e vërtetuar, e që të mbante tensionin thërriti dhe një konferencë shtypi ku lajmëroi se deri në mbrëmje do të shpallte një kandidat tjetër. Dhe gjeti një zbulues. Sërish nga ushtria.
Kur vjen një propozim i tillë për ministër të punëve të brendshme nga partia e cila inicoi sulmin e Parlamentit më 27 prill 2017, nuk mund të mbajmë shpresë për diçka më të mirë. Madje, këtu nuk bëhet fjalë për një kolonel dosido, por për një njeri të afërt të ish presidentit të republikës Gjorge Ivanov, i cili si një komandant i lartë, sipas dëshmive të pjesëmarrësve të gjykuar në sulmin e Parlamentit, ka planifikuar të shpallë një gjendje të jashtëzakonshme. Edhe pse kjo nuk është për t’u diskutuar. Shkurt – Kushtetuta nuk lejon një person me uniformë të jetë ministër i punëve të brendshme. Pikë. Në një shtet normal një diskutim i tillë as që do të hapej. Pasi as nuk do të bëhej një propozim të tillë.
Për më tepër që në botë kemi një numër të madh të shembujve të suksesshëm të profesionistëve të lartë të ushtrisë që janë marrë me politikë. Për shembull, koloneli Moamer el Gadafi në Libi. Shembuj kolonelësh të suksesshëm mund të gjejmë edhe në shtetet fqinje dhe atë jo shumë kohë më parë. Kolonelët Patakos, Papadhopulos dhe Makarezos në Greqi, të cilët në vitin 1967 me një sulm luftëtar e morën qeverinë dhe e rrëzuan Kushtetutën. Sunduan deri në 1974. Madje kjo periudhë e historisë së Greqisë njihet si “Regjimi i kolonelëve”. Apo, e thënë thjesht – hunta.
Platforma që propozoi Mickoski që para zgjedhjeve ishte shkelje e Kushtetutës. A thua për çfarë “rinovimi të Maqedonisë” na duhet të shpresojmë nga kjo VMRO-DPMNE deri në zgjedhje? E sidomos pas zgjedhjeve, nëse eventualisht fitojnë.
Të zhgënjyerit nga parulla “Të gjithë janë të njëjtë” me siguri e kanë një përgjigje.
3 Koordinatori i grupit të deputetëve të VMRO-DPMNE-së Nikolla Micevski kërkoi që Zaevi të arsyetonte dorëheqjen e tij nga funksioni i kryeministrit para zgjedhjes së qeverisë teknike dhe zgjedhjeve të parakohshme. Kërkesa e Micevskit për të arsyetuar dorëheqjen është identike me historinë e kolonelit profesionit. Le të diskutojmë mbi profesionalizmin, që të harrojmë faktin se jemi duke e shkelur Kushtetutën.
Përse Parlamenti debaton për dorëheqje të Zaevit dhe pse i duheshka atij të arsyetohet për atë, kur në mënyrë që të ketë Qeveri teknike para zgjedhjeve, kryeministri duhet medoemos të japë dorëheqje?
Deputeti Micevski e shfrytëzoi këtë kërkesë për ta parë Zaevin në Parlament vetëm që të përdorte edhe njëherë mantrën partiake se “Maqedonia dhe populli i saj përfundimisht do të çlirohen nga qeveria më e paaftë, më e korruptuar dhe më kriminele deri më tani”. Ore, këta të VMRO-DPMNE-së vazhdimisht na bëjnë të harrojmë se “qeveria më e korruptuar dhe më kriminele” ka rënë para tri vjetëve. E mu për arsye se ka nga ata që këtë e kanë harruar, VMRO-DPMNE-ja arrin të shfaqet sot si një parti normale opozitare, e jo si një shoqatë kriminele që ka rrëmbyer shtetin me një lider të arratisur që komandon nga larg me para të vjedhura. Shteti vazhdon të jetë nën kthetrat e instalimeve të VMRO-DPMNE-së në gjyqësi dhe prokurori, si dhe në administratën shtetërore duke nisur nga komunat e deri te Gjykata kushtetuese, që mesiguri i kanë filluar që tani pushimet për fushatën partiake.
Përktheu: Fjolla Zllatku