KALIBRIM TERMOMETRASH

Me këta liderë fetarë që kemi, them më mirë që besimtarët të fillojnë të komunikojnë me zotin pa ndërmjetës. Që kur ndërmjetësit thonë: varja shëndetit, të marrim paratë, me siguri edhe Zoti thotë me vete: Zoti i ruajttë.

KALIBRIM TERMOMETRASH

1Çfarë? Përsëri çuditemi me deklaratat e liderëve fetarë? Kryesuesi i Bashkësisë fetare islame, reisi Sulejman Rexhepi u kërcënua se do t’i tërheqë mbrapsht thirrjet drejt besimtarëve, që të mos shkojnë në xhami gjatë agjërimit të ramazanit, nëse shteti nuk u jep para, pasi Ramazani dhe Bajrami për ta përbëkan burimin kryesor të financimit. Që t’i dalë në krah reisit, edhe episkopi  Timotej deklaroi se edhe Kisha ortodokse maqedonase fiton pothuajse gjysmën e të ardhurave gjatë Pashkëve. Megjithëse, ky i dyti nuk u kërcënua.
Po kujt mendon se i kërcënohet Sulejman Rexhepi? Shtetit? Apo besimtarëve, vetes, nënave, fëmijëve? Për më tepër, shantazhimi i reisit që kërkonte para me kërcënim bioterrorizmi po na vjen mu në prag të festës më të madhe myslimane – Ramazan Bajrami, esenca e së cilës është pikërisht bujaria, solidariteti, shpengimi, mëshira, ndihma e të varfërve…pra, të bëhesh një njeri më i mirë.
Edhe esenca e Pashkëve është po e tillë. Të bëhesh njeri më i mirë.

Të dy bashkësitë fetare kërkojnë para nga shteti, por nuk paguajnë tatime, e ndërkohë kanë prona gjigante. Për liderët fetarë është e rëndësishme që të mos humbin para. Po shëndeti? Po jetët? Apo këto kanë pak rëndësi. Janë çështje e Zotit.

Me këta liderë fetarë që kemi, them është më mirë që besimtarët të fillojnë të komunikojnë me zotin pa ndërmjetës. Që kur ndërmjetësit thonë: varja shëndetit, të marrim paratë, me siguri edhe Zoti thotë me vete: Zoti i ruajttë.

2Ndërsa qëndrojmë të mbyllur në shtëpi pa leje për të dalë, dikush gatuan, dikush mëson gjuhë të reja, dikush ushtron, e dikush tjetër loz letra apo domino, dikush pastron, e dikush tjetër rregullon foto dhe rroba të vjetra…Ndërsa unë gjej miq të vjetër, kontakte të vjetra, njerëz me të cilët s’kam folur prej vitesh…Dhe ja kështu, para një jave nga Australia më kontaktoi një mjeke, e cila pikërisht para 30 vjetëve sapo kishte përfunduar fakultetin e mjekësisë. Vinte te ne në shtëpi që t’i jepte terapi tim ati që vuante nga një sëmundje e rëndë. Para 20 vjetësh ishte shpërngulur, ishte bërë profesoreshë në Fakultetin e mjekësisë në Perth dhe mjeke e imunologjisë dhe virusologjisë.

Opa! Specialiteti më i kërkuar aktualisht. Përnjëherë ky kontakt kalon në listën e prioriteteve mes miqve të këtushëm që kanë të bëjnë me mjekësi dhe farmaci. E meqë nuk më jepet për gatim e ushtrime, u fokusova në shkencat medicinale. Mblodha studime klinike nga profesoresha e Australisë e zura të lexoj e të krahasoj…

Në matematikën e gjimnazit  nuk i arrita algoritmet, por tani kam mësuar se çfarë janë ato si dhe se çfarë është rritja eksponenciale. Sa i përket biologjisë, ndonjëherë diçka edhe ma priste. Por kur bëhej fjalë për kiminë? Uh, ky ishte një horror i vërtetë! Mirë ama në gjithë këtë mesele pandemike, fillova të mësoj e të kuptoj diferencën mes DNK-së RNK-së, se çfarë është PCR, monoksid azoti, komorbiditetet, saturacioni dhe suspektimi. I kuptoj të gjitha pa përkthim fare!

Unë jam gazetar i vjetër profesionist me algoritëm për kontrollim serioz të fakteve, apo e thënë në gjuhën moderne – fakt çeking. Unë nuk mbështetem vetëm në një burim. Po, unë e dëgjoj Filipçen në konferencë shtypi, por ndërmjet shfaqjes së tij pasdite dhe konferencës së shtypit të Trampit natën vonë, bëj “fakt çeking” në më tepër burime. Marr në telefon të gjithë mjekët që njoh. Pastaj i krahasoj të dhënat e tyre me të gjithë farmacistët që njoh. Mbrëmë, për shembull, mund të them se mbajta një kurs telefonik për respiratorë dhe trajtim intensiv.

Më duhet të lëvdohem se kam përparuar. E kam kaluar moti fazën e matjes së temperaturës ditë për ditë. E nëse nuk isha i kënaqur nga rezultati i termometrit me zhivë, e matja edhe me termometrin elektronik. Pastaj e matja njëkohësisht me të dy dhe vërtetova, në këtë studimin tim klinik, se nuk tregonin temperaturën e njëjtë. E kur iu ktheva konferencave të Venkost, kuptova se unë në fakt paskam qenë duke bërë kalibrim të instrumenteve për matje të temperaturës. Paskam praktikuar metodën e njëjtë për të vërtetuar rezultatin, ashtu siç Instituti i shëndetit publik duhet t’i vërtetojë rezultatet nga testimet koronavirusit në laboratorët privatë. Vetëm se unë nuk kam vendosur se cilin nga termometrat do ta kem termometër referues!

3Veç kësaj, një mik nga ata mjekët me të cilët flas të paktën një herë në ditë për koronën, më të filluar t’i flisja me fjalë latine, ma ktheu: Sa budalla që je, pse nuk shikon filma, shko lexo ndonjë libër.
Çfarë librash thua more? Ku kam kohë për libra unë, kur jam para përgatitjes për provim? Ku kam durim të shikoj një film? Maksimumi i përqëndrimit që kam është të shoh seritë nga 20-30 minuta. Por, edhe aty si për bela, ndodhin ca skena nëpër spitale. Po ndryshove kanal, nuk gjen një që të mos ketë ndonjë debat me epidemiologë a infektologë, që shëtisin me maska.

Disa të tjerë më thonë: Nuk ke pse ndjek situatën! Si të mos e ndjek? Çfarë të bëj nëse nuk ndjek? Të rri në shpi gjithë ditën. Ore, do të fillojë të më flasë kauçi: Ik mër çou, bëj ndonjë punë!

Si mund të bëjmë sikur nuk po na ndodh kjo që po na ndodh? Si mund të aktrojmë një jetë normale. Të bëkam ushtrime fizike në shtëpi. Unë me zor ushtroj edhe në kohë normale, e le më tani në këtë situatë. Një ditë u zgjova herët e pashë gruan si qëndron me kokë teposhtë. Ushtronte joga. Ndërkohë që jashtë po ndodh një pandemi.

Punojmë nga shtëpia. Eh kjo, shumë stresuese. Nuk mund të gjesh njeri kur të duhet. Kush ka fjetur. Kush është nisur deri në dyqan, kush ka bërë dush, kujt ia kanë marrë kompjuterin fëmijët…Kështu ti as nuk i sheh, e nuk ke të paktën as me kë të zihesh e të ndërrosh një hidhërim a inat.

Fëmijët mësojnë nga shtëpia. I shikoj. E vënë alarmin në ora 1,se në ora 2 kanë orë kimi.

Po ju flas për një jetë karantine në një banesë me tinejxherë. Pa qen. Të jetoja në shtëpi ndoshta do të mund të bëja diçka më shumë, të zbukuroja garazhin apo të kositja barin. Tani shikoj të gjitha oborret, janë pastruar e janë zbukuruar me lule. Në kohë të lirë, kur nuk mësoj për provimin tim, gjej kënaqësi në ngacmimin e fëmijëve të mi në mes të orës së mësimit me pyetje të këtij soji: “Pse nuk e ke rregulluar krevatin? Ç’i ke këta çorapë nëpër dhomë?…Që t’ua kthej dhe unë. Të shohim se si është kur je në mes të një mbledhjeje online apo të një bisede pune e të dëgjosh britmat: Babiiiiii, pse është internet kaq i dobët? Ana mi ka ngrënë biskotat! Kurse ky mua më ka ngrënë çipsin!

4Në fund të ditës, kur i krahasoj kurbat epidemiologjike të Organizatës botërore të shëndetit, them me vete: Është karantinë, por është privilegj që akoma edhe në karantinë të mund të shtrihesh në krevatin tënd e jo në atë të spitalit. Është privilegj të punosh nga shtëpia. Mjekët dhe infermierët nuk kanë asnjërën nga këto dy privilegje. Policët nuk punojnë nga shtëpia. As ushtarët dhe zjarrfikësit. Arkëtaret e supermarketeve shkojnë në shtëpi vetëm pasi ne kemi blerë ushqime si për dy apo tre fundjava të vazhduara. Mbledhësit e mbeturinave vazhdojnë të na i mbledhin mbeturinat e shtëpive tona.
E pastaj kthehem pas në kohë dhe kujtoj se vetëm para një muaji në redaksinë tonë zhvillonim një debat të nxehtë mbi atë se si “nuk ka asgjë më të tmerrshme se sa të mos ketë pasaporta…”

Përktheu: Fjolla Zllatku

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира