ATË OLIVERI

Një pyetje e re në pyetësorin epidemiologjik:  A keni qenë në për kungim në apo në xhami?

ATË OLIVERI

1Është e pakëndshme për mua kur dëgjoj ministrin e shëndetësisë Venko Filipçe duke apeluar drejt besimtarëve për ngadalësimin e infektimit me KOVID-19 duke shpresuar se liderët fetarë do t’i respektojnë masat e Qeverisë në gjendje të jashtëzakonshme. Filipçja është pjesë e pushtetit ekzekutiv.  Dhe atë në kushte të një situate të jashtëzakonshme botërore. Pse duhet të apelojë?  Pse duhet të lutet?  Apo të shpresojë?

Nëse do të kishte qenë puna për apel dhe lutje, atëherë pse kemi kufizime të lëvizjes dhe orë policore?  Pse duhej që të mbylleshin shkollat dhe çerdhet me urdhër? Kur kishim mundur thjesht t’i lusnim fëmijët që të mos shkojnë në shkollë dhe të shpresojmë se ata që do të shkojnë, të paktën nuk do ta shpërndajnë virusin? Po kafet dhe restorantet, përse nuk punojnë?  Pse nuk u bënë thirrje qytetarëve që të përmbahen nga dëshira për të shkuar në kafe, nëse kjo na qenka mënyra për të luftuar pandeminë?  Gjithashtu, Qeveria nuk i luti qytetarët që të mos shkojnë në pyje e parqe. Ua ndaloi. Pse? Për t’u dhënë njerëzve më shumë kohë që të mund të shkojnë në kishë dhe xhami?

Kjo puna e kishave dhe kungimit të Pashkëve është më keq se ajo e drejtoreshës së Klinikës së lëkurës, që çoi në karantinë 200 njerëz. Filipçja atëherë thoshte se ishte shumë i zhgënjyer që kolegët e tij kishin vepruar në këtë mënyrë.  E pas një procedure të shkurtër e shkarkoi drejtoreshën.  Nuk i kërkoi gjë e as nuk e luti që të mos sillet në mënyrë të papërgjegjshme.

Po tani, a nuk është zhgënjyer nga Qeveria e tij?  A nuk është i zhgënjyer nga kryeministri Oliver Spasovski që deklaroi besimin si të drejtën e vetme të pacenueshme? A nuk është ai i zhgënjyer me ministrat e tjerë që heshtën dhe nuk kërkuan mbylljen e kishave dhe xhamive? Kush do t’i shkarkojë ata?

2Është me të vërtetë zhgënjyes fakti se Qeveria ka shkuar vetë kundër masave për të ngadalësuar përhapjen e infeksionit. Për herë të parë që nga pavarësimi, madje edhe duke u krahasuar me shtete shumë më të pasura se ne, pata ndjesinë se dikush kishte marrë seriozisht këtë punë dhe po merrej me problemin profesionalisht. Besoja se dikush e dinte se çfarë po bënte se edhe ne kishim ekspertë për situata të këtilla.

Dhe çfarë ka bërë Qeveria në të cilën teknikisht na udhëheqin tre partitë më të mëdha në vend, LSDM, VMRO-DPMNE dhe BDI? Për shkak të oportunizmit të kulluar politik, këto parti vendosën të mos mbyllnin kishat dhe xhamitë, ashtu siç më parë kishin mbyllur shkolla, muze, biznese private, palestra, kafene, parqe. Gjithçka që ka bërë qeveria, e gjithë puna e punonjësve të shëndetësisë, policisë, ushtrisë dhe në fund të fundit gjithçka që kemi bërë në përpjekje për t’u përshtatur në mënyrë të disiplinuar me gjendjen e jashtëzakonshme, do të jetë e kotë nëse infeksioni shpërthen në 10 ditët e ardhshme dhe nëse rritet numri i të vdekurve.

Ministri Filipçe është personazhi i gjendjes së jashtëzakonshme, jo Atë Oliver apo Hoxhë Osmani. Është ai që u bën ballë ditë për ditë pyetjeve të pakëndshme nëpër konferencat e shtypit. Mbi të vishet mllefi për çdo personi të vdekur, për çdo rezultat pozitiv, për të gjitha radhët para supermarketeve dhe bankave, për mjekë dhe infermierët ë infektuar, për tenderët e dështuar dhe dërgesat humanitare që nuk mbërrijnë në kohë, për lëvizjen e kufizuar të qenve shtëpiakë…Nesër, nëse përkeqësohet gjendja për shkak të politizimit të partive që kanë përfaqësuesit e tyre në qeverinë teknike, përsëri Filipçja do të jetë fajtori kryesor.

Pra, në vend që të lutet në mënyrë patetike dhe t’u bëjë apel liderëve fetarë që të mos përhapin me dashje infeksionin, le t’i shpjegojë Oliverit se një gjë është besimi dhe tjetër gjë është shkenca. Dhe aktualishisht e gjithë bota lufton kundër sëmundjes me anë të shkencës. Prandaj, duhet të mbyllen kishat dhe xhamitë, ashtu siç është mbyllur gjithçka tjetër, ashtu siç edhe ne rrimë të mbyllur në shtëpi.  E pastaj le të thërrasë edhe Zoran Zaevin, por edhe Ali Ahmetin dhe Hristijan Mickoskin, të cilët po drejtojnë një fushatë përmes ministrave të tyre në qeverinë teknike. Sepse ata vendosën të shkojë kurban çdo gjë e ndërtuar deri në këtë moment.

3Një tregues më i qartë për atë se si politika e shkatërroi gjithë ekspertizën, është rasti i Kumanovës. Kryetari i Kumanovës Maksim Dimitrievski bashkë me gjysmën e shtabit të krizës ka rezultuar pozitiv me koronavirus. Pas dy ditësh, ai thërriti në mbledhje në Komunë kryeministrin dhe gjysmën e qeverisë, pa u treguar se ishin testuar. Dhe hop, ja ku dolën – të gjithë pozitivë. Një mashtrim tipik LSDM-ik.  Nga njëra anë kumanovari Oliver Spasovski, e nga tjetra kumanovari tjetër Maksim Dimitrieski.  Kërkova karantinë, e ti s’ma dhe.  Epo, na! Rrini tani të gjithë në shtëpi në vetëizolim.   Gazetarët që mund të kem infektuar ndërkohë që kam dhënë deklarata pa maskë janë dëm kolateral i mashtrimeve brendapartiake.

Oliver Spasovski, Bujar Osmani dhe Venko Filipçe dje duhej të shkonin në një seancë të Këshillit të sigurimit te presidenti Stevo Pendarovski. Nëse rezultati i testimit të Maksimit do të ishte vonuar vetëm pesëmbëdhjetë minuta, tani në izolim do të ishin edhe Pendarovski, Talat Xhaferi dhe Radmilla Sheqerinska. Lojtar i fortë paska qenë Maksimi.

Qeveria ndalon lëvizjen në grupe prej më shumë se dy personave, por për Kumanovë janë nisur pesë veta bashkë – kryeministri, zv. kryeministri, ministri i arsimit dhe ministri i shëndetësisë, plus edhe kryetari i Komisionit për sëmundje infektive. Të gjithë e hëngrën karremin e Maksimit.  Bujar Osmani vendosi të shkojë, sepse sigurisht, ai është koordinatori i çdo gjëje në shtet, plus që kishte kohë pa bërë një fotosesion në Kumanovë.  Kështu që mori me vete edhe ministrin e arsimit Arbër Ademin. Por një zv. kryeministër i BDI-së sigurisht nuk mund të shkojë vetë, nëse nuk shkon edhe kryeministri nga LSDM-ja Oliver Spasovski.  Për më tepër që ai është dhe kumanovar. Poashtu, nuk është e drejtë që të shkojë një ministër i arsimit, pa qenë i shoqëruar nga ministri i shëndetësisë.  Kështu, edhe Filipçja hyri nën protokollin shëndetësor dhe shkoi në izolim.  Ndërsa kryetari i Komisionit për sëmundje infektive, Zharko Karagjozovski, me siguri ka shkuar që të thyejë monotoninë e të pasurit vetëm ministra në terren.

Pra, ishin pesë.  Kur shkonin për Dibër, ishin shtatë.  Pesë prej tyre nga Qeveria – kryeministri, zv. kryeministri dhe e gjithë kryesia e MPB, ministri nga VMRO-DPMNE Naqe Çulev, zv. ministri plotësues nga LSDM Slavjanka Petrovska dhe zëvendësuesi i rregullt nga BDI-ja Agim Nuhiu. Ata nuk shkojnë të na mbrojnë nga KOVID-19. Ata mbrohen nga njëri-tjetri.

4Në pyetësorin epidemiologjik duhet shtuar një pyetje të re:  Keni qenë në një kishë për kungim apo në xhami? Në fillim kjo ishte një shaka, por tani është  bërë e domosdoshme Sepse nuk është shaka kur episkopi Timotej, i cili është zëdhënësi i Kryepeshkopatës së Ohrit thotë në deklaratën e tij se: “luga dhe kungimi nuk kontribuojnë në përhapjen e koronavirusit. Le të mos afrohet ai që ka frikë nga kungimi. ”

Pse besimtarëve që shkojnë në kungim nuk u jepet të plotësojnë një formular dhe të nënshkruajnë se pas kungimit do të shkojnë në izolim 14-ditësh? Le t’i hapë kisha edhe manastiret e saj për karantinë.  Nga kungimi, direkt në autobus për manastir.  Edhe kjo është një e drejtë zgjedhjeje.  Ashtu siç shteti lejon daljen jashtë shtetit, por ama ju detyron të nënshkruani se nuk duhet të ktheheni për tre muaj. Demokracia nuk nënkupton vetëm të pasurit të drejta.  Ka edhe detyrime.

Kisha mund të thotë atë që dëshiron. Edhe Timotej, i cili javën e kaluar tha se kishat nxjerrin gjysmën e të ardhurave të tyre gjatë Pashkëve, mund të thotë ç’të dojë, madje edhe se kungimi me të njëjtën lugë është gjë e shëndetshme.  Por shteti është ai që e ka për detyrë të kujdeset për shëndetin publik. Andaj është një marrëzi e vërtetë që Qeveria e lejoi kishën dhe nesër do të lejojë edhe xhaminë që të jenë ato që vendosin se si do të luftojmë kundër kësaj pandemie.

Si përfundim, çfarë kemi?  Një hoxhë i cili për të fituar para thotë se do t’u bëjë thirrje besimtarëve që të përhapin masivisht koronavirusin nëpër xhami, një peshkop që thotë haptas se për para nuk beson në koronavirus dhe një ministër shëndetësie si dhe një mjek që apelon, lutet e shpreson.  Të vdesësh nga e të qeshurat!…Nëse fillimisht nuk ke vdekur nga të qarat për këtë tragjedi që na pret.

Përktheu: Fjolla Zllatku

 

 

 

 

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира