NJË JONORMALITET I RI

Maqedonia është shteti i vetëm në botë ku mbrojtja e shëndetit publik në kohë pandemie është gjë jokushtetuese.

NJË JONORMALITET I RI

1Më urgjentja, në Komisionin për sëmundje infektive duhet të përfshihen së paku dy gjykatës kushtetues, që t’u tregojnë mirë e mirë atyre epidemiologëve, infektologëve, farmakologëve dhe mjekëve të tjerë specialistë se si të shpëtojmë nga kjo pandemi. Që kur gjykatësit kushtetues e hoqën masën për kufizim të lëvizjes së qytetarëve më të moshuar dhe tinejxherëve, është e radhës që ministri i shëndetësisë Venko Filipçe të thotë: “Më falni që deshëm t’jua ruajmë shëndetin. Herën tjetër nuk do të përpiqemi”.

Masa parashihte ndalimin e përzierjes së të rinjve, që janë transmetues të virusit dhe më të moshuarve, që janë më të cënueshmit nga virsi. Ajo u soll mbi bazat e disa studimeve shkencore, hulumtimeve dhe praktikës. Nuk u soll përshkak se dikush i urren 67 vjeçarët. Përkundrazi, masa kishte synim mbrojtjen e tyre. Mirë ama, gjykatësit kushtetues e hoqën këtë masë sepse sipas tyre, në këtë mënyrë, qytetarët më të moshuar po diskriminoheshin.

E gjithë bota është bllokuar. Të gjithë jemi të diskriminuar. Fëmijtë diskriminohen se nuk shkojnë në shkollë, nuset ngaqë nuk mund të hedhin buqetën e dasmës, më të afërmit sepse nuk mund të shkojnë në varrimin e njeriut të ndjerë, ata me fëmijë mbi 10 vjeç janë diskriminuar në krahasim me ata që kanë fëmijë nën 10 vjeç se nuk janë çliruar nga puna, të sëmurët nga sëmundje të tjera janë diskriminuar në krahasim me të sëmurit nga COVID-19, se nuk i pranojnë në spital, të infektuarit me mbështetje oksigjeni janë diskriminuar në krahasim me ata në respiratorë, për të cilët shteti harxhon rrymë. Me kapacitetin intelektual që kanë treguar deri më tani, besoj se gjykatësit kushtetues me siguri do të kenë një mendim profesional në lidhje me protokollet e mjekimit. Si kanë filluar të merren me çështjet shëndetësore me kaq pasion, ndoshta do të heqin edhe masa të tjera të mbrojtjes shëndetësore.

Kështu pra, Maqedonia është shteti i vetëm në botë ku mbrojtja e shëndetit publik në kohë pandemie është gjë jokushtetuese.

2Ky është vetëm një aspekt nga jeta, që nënkuptohet me anë të termit më të ri “normalitet i ri”. Demek, po kthehemi në gjendje normale por ky normalitet është ndryshe, është i ri. Për çfarë “normaliteti” flasim në shtet ku me Kushtetutë është ndaluar mbrojtja e shëndetit publik? Ç’është normale në një shtet ku drejtori i Inspektoratit shtetëror të tregut apelon që kafet të mos jenë hapur “të paktën gjatë orës policore”? Ç’është normale në shtet ku në fazën e parë të masave më të liruara, gjëja e parë është hapja e bastoreve? Mos është normale, vallë, që gëzohemi se Greqia do t’i hapë plazhet, ndërsa te ne, e gjithë administrata shtetërore rri në shtëpi? Te cili normalitet të kthehemi?

Ç’është normale në një shtet ku opozita ngre zërin për barin e mbjellë në parcelën e sheshit kryesor në kryeqytet, të cilin ata, ndërsa ishin në pushtet, e kanë shitur ilegalisht për një ndërtesë baroku fallco dhe disa shkallë spanjolle gjithashtu fallco? Ç’është normale nëse askush prej tyre nuk është në burg për krimet që kanë bërë përgjatë 11 vjetëve që kishin pushtetin?

Vallë, të jetë normale që pronarët e kafeve të kërkojnë që shpenzimet për mjetet e dezinfektimit, maskat dhe dorezat të jenë në kurriz të shtetit, kurse kryeministri t’u drejtohet duke u thënë “heshtni ore, ju sidoqoftë i fshihni tatimet”?

Me të vërtetë nuk e kam të qartë se si do të kthehemi në një normalitet të ri? Kur kemi qenë normalë, që të kthehemi diku ku kemi qenë më parë? Në të vërtetë, do të kthehemi në një jonormalitet të ri.

3Një pjesë e këtij jonormaliteti të ri janë edhe mbledhjet te presidenti të ashtuquajtura në mënyrë pompoze “takime liderësh”. Mbledhje e krerëve. Disa përfaqësues të bashkësive duke shitur mend mbi epideminë, shumë të shqetësuar për shëndetin e qytetarëve, që në gojë kanë data zgjedhjesh. Dy përfaqësues të një fisi, e katër-pesë nga fisi tjetër, duke pasur parasysh intereset komplekse të të dytit. Kurse, presidenti Stevo Pendarovski përpiqet të jetë njëfarë ndërmjetësuesi. Duket sikur ky institucion “takim liderësh” është më i fortë se Kushtetuta apo ligji.
Pendarovski me të vërtetë duhet të jetë mërzitur shumë nga të mos pasurit se me se të merret përderisa ka ftuar edhe anëtarët e Komisionit shtetëror të zgjedhjeve (KSHZ) në vilën e tij në Vodno. U paska kërkuar mendim nëse shteti është apo jo i gatshëm për zgjedhje. Çfarë kërkon presidenti të kërkojë mendim nga një organ i zakonshëm teknik që duhet vetëm të zbatojë ligjin dhe të merret me organizimin e zgjedhjeve? Për më tepër i ka lutur që mendimin t’ia dërgojnë të nesëmen meqenëse atë ditë nuk kanë pasur. E quajnë veten profesionisë, ekspertë, por te kreu i shtetit janë nisur pa mendim. Ku i kanë lanë trutë, vallë, kur janë nisur për Vodno? Ç’kanë pritur? Të pijnë nga një kafe? Apo vetëm të matin sa e kanë temperaturën?

Drejtori i KSHZ Oliver Derkovski thotë se u nevojiten 45-60 ditë për ta pastruar listën zgjedhore. Po, me se kalonin kohën anëtarët e KSHZ dhe shërbimet profesionale nga data 18 mars deri më sot? Bënin pite në shtëpi dhe lusnin Gjykatën kushtetuese që të mos ua ulë rrogën? Sa njerëz vdiqën nga 18 marsi deri më tani? Sa njerëz mbushën 18 vjet?

Vërtetë presidenti u jep shumë rëndësi. Që kur ky organ i thjeshtë burokratik është bërë faktor politik? Nga bombat dëgjuam se kujt i bindej Derkovski. Ky nuk është “një normalitet i ri”, por është normaliteti shumë i njohur i partizimit.

4Për shkak të lëshimeve të shërbimeve parlamentare dhe kryetarit të parlamentit Talat Xhaferi, gjykata kushtetuese e shfuqizoi Ligjin për antidiskriminim. Që kur presidenti Gjorge Ivanov refuzoi që ta nënshkruante Ligjin, sipas Kushtetutës, nevojitet që të votohet përsëri me shumicë absolute prej 61 deputetëve, ndërkohë që ligji është sjellë me shumicë të thjeshtë.

Ky ligj ishte kushti që Hollanda të bjerë dakord për fillim të negociatave të Maqedonisë me BE. Sjellja e Ligjit u festua si një hap revolucionar drejt realizimit të të drejtave të njeriut. Procesi i tij u zhvillua nën vëzhgimin e hollë të bashkësisë ndërkombëtare. Ministrat fotografoheshin, ambasadorët e lëvdonin, shkohej në marsh politik.

Po tani? Shhhhh! Ligji nuk vlen. Nuk ka ligj. Nuk ka Parlament që ta votojë. Nuk e dimë se kur të do të kemi zgjedhje. Shteti pret të negociojë me BE pa Ligjin për mbrojtje nga diskriminimi, që ishte një prej kushteve themelore për t’i nisur negociatat në fillim.

Nuk më intereson fare nëse Bullgaria kërcënohet se do ta bllokojë fillimin e negocimeve, por sigurisht që më shqetëson nëse tani del në skenë Hollanda. Atëherë po që do të kemi bllokadë. E më shumë se kjo më shqetësojnë këto lëshime të çuditshme të Parlamentit. Me shqetëson se shërbimet e Parlamentit, puna e të cilëve është t’i kenë nën kujdes proceset ligjore nuk kanë bërë punën e tyre siç duhet dhe kanë lejuar që të sillet një ligj, i cili do të bjerë në Gjykatën kushtetuese.

A ekziston një dënim për lëshime të këtilla? A mban dikush përgjegjësi? Me siguri që shërbimet tani e shfrytëzojnë pushimin e vjetshëm. S’kanë faj. Janë lodhur. Vjet kanë punuar shumë.

E ja, pra. Kjo është gjendja e normalitetit ku na duhet të kthehemi.

Përktheu: Fjolla Zllatku

 

 

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира