1 Kini pak optimizëm, bre. Ku është zv. kryeministri Bujar Osmani, të dalë edhe njëherë të na urojë për “nivelin e lartë të disiplinës, vetëdijes qytetare dhe vetësakrificës”, siç na u drejtua para tre katër ditësh? Ku është kryeministri Oliver Spasovski të na inkurajojë edhe njëherë me deklaratën e tij të ashpër, por ama të drejtë se “nuk ka askush dhe asgjë më të fortë e shteti, as funksionar, as lider fetar, as institucion”?
Ç’janë këto ankesa në konferencat e shtypit për rritjen e numrit të të infektuarve nga koronavirusi? Ç’është ky zhgënjim nga vetëdija e ulët e qytetarëve për shkak se nuk i kanë respektuar masat për mbrojtje? Ç’farë deshte të thotë ministri i shëndetësisë Venko Filipçe, vetëm tre ditë pasi Qeveria i liroi masat? Se institucionet shtetërore nuk kanë kontroll? Dhe se Oliveri nuk ka të drejtë kur thotë se nuk ka asgjë dhe askush më i fortë se shteti. Epo, ka. Më të fortë janë priftërinjtë, hoxhat dhe pronarët e kafeve.
Në cilin planet jeton drejtori i Inspeksionit të tregut Stojko Paunovski, kur befasohet se njerëzit përqafohen njëri me tjetrin e hipin mbi tavolina nëpër kafe? Vetëm një ditë para asaj u thanë, si pronarëve, ashtu edhe mysafirëve, se për 10 ditët e ardhshme, nuk do t’i dënojnë, por do t’i edukojnë se si të respektojnë protokollin. E ç’të bëjnë njerëzit e paedukuar?
Besa, nuk e di edhe se ç’është ky edukim i veçantë nëse dikujt i thua se me mosrespektimin e masave të mbrojtjes je duke bërë veprën penale “Mosrespektimi i masave në kohë epidemie”. Është e njëjta gjë sikur vjedhësve t’u thuash se për 10 ditë nuk do t’ju dënoj, por do t’ju edukoj. Pasi, vjedhja nuk është gjë e mirë. Cili është ai shtet që i apelon ndërgjegjes së vjedhësve?
Qeveria mendon se me faktin se do të apelojë ndaj ndërgjegjes së qytetarëve dhe me atë se do të tregojë zhgënjim, e ka mbaruar punën e saj. Se institucionet deri më tani kanë bërë gjithçka që është dashur, e nga tani e tutje qytetarët mbajnë vetë përgjegjësinë. A ka këtu ndonjë mekanizëm institucional që do të bëjë qytetarin të jetë më o përgjegjshëm kundrejt shtetit? Asesi nuk mund ta bëjnë ministrin e punëve të jashtme t’i japë urdhër policisë që t’i kontrollojë ata që janë në izolim, e këtej habiten se familjarët e të vdekurve nga COVID-19, refuzojnë të bashkëpunojnë me epidemioogët. Nga njëra anë, kryeministri bën kompromise me liderët fetarë për mbledhitë e mëdha, kurse ministri i punëve të brendshme bën sabotazh me mosdënim dhe për vallet e hedhura nëpër rrugë gjatë orës policore pret paraqitje zyrtare, ndërsa nga ana tjetër çuditen se 300 kafe kanë punuar gjatë kohës kur është dashur të jenë të mbyllura, nga të cilat disa kanë qenë të hapur madje edhe gjatë orës policore.
E tani pyesin veten mos ndoshta duhet të blejnë kran special për ngritjen e vetëdijes së qytetarëve. Se si ngrihet vetëdija dhe si edukohen qytetarët me përgjegjshmëri, kur tashmë dihet. Me anë të mosdënimit joselektiv. Nëse policëve do t’u vareshin rrogat nga numri i të dënuarve për mosmbajtjen e maskave dhe ikje nga izolimi, nuk do të kishte nevojë as për orë policore.
2 Me sa duket vetëm kryetari i Strugës Ramiz Merko ka kontakt me realitetin. Prandaj edhe nuk habitet kur nuk respektohen masat. Ai përshtatet me situatën në terren. Nuk dëshiron ta ndalojë ndërtimin illegal të bregut të Liqenit të Ohrit. Dhe “hiç nuk i intereson” se disa OJQ janë ngritur peshë. Ashtu si nuk respektohet ligji për parkim të ndaluar në trotuare, për pirje duhani në ambient të mbyllur, për ndërtime ilegale, për uzurpimin e hapësirave publike, për prerjen ilegale të pyllit, për deponitë e paligjshme….
E njëjta gjë vlen edhe për masat kundër epidemisë. Nuk mund t’i bëj që të mbajnë maska, nuk mund t’i bëj që të mos dalin gjatë orës policore, nuk mund t’i ndaj grupet më të mëdha se dy vetë, nuk mund t’i mbyll kafet, nuk mund t’ua ndaloj që të kenë darka iftari, nuk mund ta bëj policinë që ta kryej detyrën e saj, nuk mund të zihem me BDI-në , se do t’më duhen për zgjedhje…Hajde të shkruajmë një protokoll, sa të ketë diçka, të ketë disa rregulla, dy persona në tavolinë, dy metra largësi, nga tri anët e hapur….Se, apo jemi shtet me institucione?…E pastaj, nëse nuk mund të sigurojmë respektimin e masave – s’na bëhet vonë, si Merko.
Ministri Venko Filipçe fillimisht ishte i zhgënjyer nga mjekja që ka shkruar e sëmurë në punë. Pastaj u zhgënjyer edhe nga litia strugane, pastaj nga policia, pastaj nga darkat e iftarit të cilat në mënyrë politikisht korrekte i quajti “festa familjare”, e në fund u zhgënjye edhe nga pronarët e kafeve…
Pyes veten sa të zhgënjyer janë ata që kanë mbajtur rregullar për të qëndruar në shtëpi, që mbajnë maska, që nuk bëjnë grupe më tepër se dy vetë, që hoqën dorë nga zakonet e festive popullore dhe fetare, nga varrime, nga dasmat, nga pagëzimet….Sa janë zhgënjyer ata që donuan nga TVSH-ja e tyre për fondin e COVID-19? Sa të zhgënjyer janë kolegët e ministrit, mjeket, infermierët e departamenteve infektive, të qendrave të kovidit, të Ndihmës së shpejtë…?
Përse vallë, zhgënjimi i qeverisë duhet të jetë më i rëndësishëm se sa e zhgënjimeve tona individuale? Siç do të thoshte Merko – hiç s’më bëhet vënë se janë zhgënjyer. Unë jam shqetësuar se shteti nuk mund t’i zbatojë masat për mbrojtje të shëndetit dhe i revoltuar kur lexoj se Bujar Osmani, vetëm tre ditë pasi në mënyrë triumfuese shpalli lirimin e masave, konstaton se numri i të infektuarve dhe i të vdekurve po rritet dhe se “ato nuk janë vetëm numra dhe statistika, por janë prindërit, fëmijët, motrat, vëllezërit dhe fqijtë tanë të cilët vdesin me dhimbje në gjoksin e tyre dhe me frymëmarrje të rënduar para syve tanë”. Dhe pyet: Cilat argumente të tjera duhet t’i besojmë?” Si, cilat argumente? Na duhen argumente me të cilat të drejtat fetare u vendosën para mbrojtjes së shtetit dhe ju nuk dënonit.
3 Nuk ka të bëjë me masat, por me mosrespektimin e masave dhe me mosdënimin. Dhe nuk jam nga ata që kërkojnë një rreptësi më të madhe të masave. Vetëm kërkoj logjikë në vendimet e Qeverisë. Nuk e kuptoj se si nga një orë dyditore policore në javë, të enjten mbërritëm te hipja mbi tavolina në kafe? Si nga rekomandimet ndaj bashkëqytetarëve më të moshuar “rri në shtëpi, mos lëviz, se je në kategori të cenueshme”, arritëm deri te autobusat papagesë për pensionerët, që të mund të shëtisin treg më treg? Prandaj duhet të kemi zgjedhje. Dhe nuk ka se ç’të mendohet më. Edhe sa kohë do të mund të durojmë kështu, me një Qeveri teknike në të cilën sektori i punëve të brendshme e ka minuar sektorin e shëndetësisë? Edhe se do të durojmë në këtë qeveri ku VMRO-DPMNE-ja bën çdo gjë që ta ndërlikojë situatën e zgjedhjeve që ato të jenë sa më vonë të jetë e mundur, ndërsa LSDM dhe BDI se cila më shumë do t’i sharmojë votuesit? Edhe sa kohë do të durojmë që të mos keni një qeveri e cila nuk e kontrollon Parlamentin?
Në fund të fundit deri kur do të jetojmë me gjendjen e jashtëzakonshme?
Mickoski ka gjetur “kanalin e komunikimit” me Zaevin. Partitë kanë kaluar nga ideologjia në epidemiologji. Qeveria ka kaluar nga algoritmi në protokolle. Qytetarët kanë kaluar nga protokollet në edukim. Kurse shteti në mënyrë të suksesshme menaxhon krizën në atë mënyrë që nga “mjekësia e bazuar në dëshmi”, kaloi në një praktikë të bazuar në “s’më bëhet vonë”.
Përktheu: Fjolla Zllatku