1VMRO-DPMNE-ja dalngadalë po fiton në betejën për t’i dekurajuar të papërcaktuarit nga dalja në zgjedhje. Me zhurmën e saj të madhe arrin që t’ua uzurpojë hapësirën kundërshtarëve politikë. Nuk kemi të bëjmë me debat, polemikë, përballje qëndrimesh, apo oferta partiake…Kemi të bëjmë vetëm me marrëzi. Sa më shumë marrëzi, aq më shumë qejf për ta. Si pasojë e dyftyrësisë në fushatë, tashmë mund të dallohet plogështia te votuesi i zakonshëm. Ai fik televizorin dhe thotë me vete: “Të gjithë janë të njëjtë.” Mua më çudit këmbëngulja me të cilën Hristijan Mickoski shtiret se nuk është i këtyre viseve. Si të ishte një lider i një partie të re, e jo të asaj që me plot kuptimin e fjalës, e shkatërroi shtetin. Na merr kohën së koti duke shpjeguar gjëra për të cilat një njeri normal tashmë ka krijuar bindjen e vet. Vallë, a duhet përsëri nga e para të hapim temën e vrasjes së Martin Neshkoskit? E për më tepër, kush po e hap? Vetë ata që e vranë fëmijën, e më pas nervozoheshin se pse nuk mundeshkan të fshehin as edhe një vrasje. E tani, meqenëse nuk janë nga këto vise, pyesin LSDM-në për Martin Neshkoskin.
Sa i paftyrë duhet të jesh që të pyesësh se deri ku është rasti i Nikolla Mlladenovit? Dhe kush pyet? Lideri i partisë, e cila ndërsa ishte në pushtet, e shtyu hulumtimin për aksidentin që ndodhi mes dy rretheve zgjedhore në vitin 2013, në zgjedhjet lokale kur VMRO-DPMNE-ja e shpërnguli gjithë Pustecin në Shkup që të përfundonte me vjedhjen “Shkupi 2014”, atëherë kur zhdukeshin fletëvotimet dhe “ciganët i tërhiqnin për veshësh.”
E tani, ata do ta kthejnë dinjitetin e qytetarëve sepse paskëshin qenë të përbuzur. Çfarë do të thotë përbuzje? Anëtarësimi në NATO? Nuk ishte përbuzje endja nëpër korridoret e Brukselit dhe Uashingtonit dhe dhëniet e deklaratave në rrugë para hotelit? Por është përbuzje kur flamuri maqedonas valon sëbashku me 29 flamuj të tjerë në NATO. Dhe është përbuzje kur përfaqësuesi i shtetit tonë ulet në një tavolinë me 29 shtete të organizatës më të fuqishme ushtarake dhe politike të botës. Dhe imagjinoni, VMRO-ja është ajo që inicon debatin!?
Por, ky është qëllimi i gjithë zhurmës së VMRO-DPMNE-së. Të thuhen marrëzira. Të derdhet helm. Të ulet niveli i debatimit sikur të flitej për një zënkë personale. Të gënjejnë pa pikë turpi. Të krijohet përshtypja se mënyra e tyre jonormale e drejtimit të fushatës është diçka normale. Ata nuk funksionojnë sipas logjikës se ne kemi harruar se si kanë qeverisur në kohën e tyre, por se ajo që kanë bërë gjatë atyre 11 vjetëve ka qenë gjë normale. Dhe tani, na ofrojnë një kthim te normaliteti i vjetër.
2A e ndjeni të njëjtin presion si para çdo zgjedhjeje që për 11 vjet i organizonte VMRO-DPMNE-ja? Kush duhet ta sjellë listën sot dhe të garantojë për minimum 10, 30, 50 votues për partinë qeverisëse? Kujt i janë kërcënuar se do të humbasë punën në administratë të shtetit nëse nuk sjell mjaftueshëm votues të sigurtë? Kujt i janë kërcënuar se nuk do t’ia mjekojnë fëmijën? Sot, mëkati më i madh që përmend Komisioni për antikorrupsion ëshë se disa funksionarë kanë përdorur veturat e zyrtare për qëllime partiake. Harruam se pushteti lokal i VMRO-së i çonte autobusat e qytetit në protestë te LSDM-ja. Harruam atë kryetarin e Komisionit të Antikrrupsionit që nuk guxonte t’i përmendë fjalët VMRO dhe Gruesvski. Harruam se ne nuk guxonim as t’i parashtronim pyetje Komisionit. Dhe se mediat me paratë tona u shndërruan në “lajme kurton”.
Në cilin normalitet na ftojnë të kthehemi? Në normalitetin ku gjatë periudhës parazgjedhore do të “na hidhnin në hendek me gjithë grate dhe fëmijët”?
3Para katër vjetësh kërkonim një normalitet normal. Një shtet i cili nuk do të robërohet nga partia qeverisëse dhe ku do të sundojë drejtësi joselektive.
Zhgënjimi më i madh i LSDM-së nuk vjen nga ajo që dëgjojmë në bisedat që kanë regjistruar shokët e Zoran Zaevit, ndërkohë që ai ka qenë i ulur me ta në kafene.
Zhgënjimi më i madh është se drejtësia që të gjithë e kemi këruar nuk erdhi. Për më tepër që shoqërohen me kriminelë, krimet e të cilëve i dëgjuam në bombat në 2015, dhe për të cilët thanë se do të ketë denim gjyqësor, e madje edhe numërator të parave të kthyera nga ato që i kanë vjedhur.
Por kjo është e vështirë, vërtetë. Nuk mund të zgjidhet brenda natës sistemi gjyqësor që u robërua nga një shoqëri kriminele që sundonte shtetin. Sidomos nëse synojmë për reformë sistematikë dhe jo një reformë me defter. Instalime të tilla vazhdojnë të jenë shumë të fuqishme dhe aktive.
Mirëpo, nëse kjo gjë mirëkuptohet, atëherë zhgënjimi i të papërcaktuarve, i atyre qytetarëve që nuk i përkasin asnjë partie dhe që tani e kanë më të thjeshtë të gjejnë justifikim se pse të mos votojnë në 15 korrik, është akoma më i madh pasi LSDM-ja nuk ka hequr dorë nga politika që praktikonte VMRO-DPMNE-ja, që me çdo lloj kushti te vinte njerëz të partisë në vendet e drejtorëve, qofshin ata dhe më të paaftët e dynjasë. Këtë model, që edhe pse VMRO-ja nuk e shpiku, por e perfeksionoi, LSDM-ja tani po e trashëgon me kënaqësi.
Zhgënjimi është po aq më i madh për faktin se Zoran Zaevi kishte guximin të bëjë një gjest historik për ta bërë këtë shtet anëtare të NATO-s, por nuk mblodhi fuqinë që t’i ndryshojë anëtarët e partisë kur u bë e qartë se janë të paaftë dhe të korruptuar.
Partia është kryesorja. Institucionet janë të robëruara. Akoma vazhdon mentaliteti “Kë kemi tonin andej? Apo “Ky është shumë i mirë, por s’është i yni”. Akoma përdoret parulla e VMRO-DPMNE-së – “Ne dhamë.” Po me paratë e kujt jepnit, vallë? Nga ku i ndani ato subvencione apo tendera? Me cilat para shpikni vende pune për rroga shteti? Ato janë paratë tona që ne jua kemi dhënë që t’i menaxhoni, pasi kemi menduar se do t’i menaxhonit më mirë se sa Gruevski dhe se qasje do të kishin të gjithë në mënyrë të barabartë dhe joselektive, sipas vlerës dhe profesionalizmit.
Sa nuk dola mendsh kur një nga korrespondentët më tha se madje edhe mjekët dhe infermieret, që po i shpërngulin në Shkup që të ndihmojnë në klinikën infektive dhe spitalin “8 Shtatori” drejtori i ka përzgjedhur sipas parimit 50-50. Dy nga LSDM-ja, dy nga VMRO-DPMNE-ja. Kështu, siç në filllim të krizës së koronës VMRO-DPMNE-ja u lëvdua se po vë në dispozicion dy ekipe profesioniste prej “mjekëve të tyre”. Më erdhi turp nga ajo që dëgjova dhe pranoj se aq shumë u zhgënjeva, sa që vendosa të mos e publikoj.
Për çfarë “s’ka drejtësi, s’ka paqe” flasim, kur tani, pas të gjitha marrëzive që kemi dëgjuar, dhe i kemi ndjerë nga koha e Gruevskit, po kuptojmë se nëse partia vendos ta mbulojë krimin, atëherë nuk do të ketë drejtësi. Ndërsa ti, si apartiak asnjëherë nuk do të mbërrish deri te drejtësia apo te vendi që të përket sipas profesionit.
Zaevi i mbledhjeve parazgjedhore thotë “Mundemi”. Hallall i qoftë. Vërtetoi se mundi të nga bëjë anëtare të NATO-s, të zgjidhë një problem tridekadësh dhe se mund të jemi fqinj më të mirë, njerëz më të hapur, pa paragjykime ndaj dallimeve…Jemi të lirë. Mua nuk më shqetëson aq shumë fakti se njëherë flet broçkulla në kafe e pastaj kërkon falje, sa që më shqetëson eksperienca se secili prej nesh të paktën një herë është përballuar me idenë se partia e mund qytetarin. Dhe se ashtu siç interesi partiak e mund drejtësinë, edhe interesi i partisë e mund interesin publik.
Nëse me të vërtetë mundemi, atëherë vërtetojeni me vepra. Dhe premtoni se nëse fitoni, me të vërtetë do ta departizoni shtetin. Përndryshe më kot i keni negocimet me BE-në.
Përktheu: Fjolla Zllatku