IDILI BULLGAR

Nuk e kuptoj se pse bullgarët kanë nevojë të na bëhen armiqtë më të mëdhenj pikërisht tani, pas një periudhe të mundimshme 30 vjeçare me grekët. Vetëm në rast se, sigurisht, planifikojnë të mbajnë kontinuitetin nga lufta e dytë botërore, kur bullgarët i kishim armiq më të mëdhenj se sa gjermanët.

1 Imagjinoni sikur të ishit një punëtor i ndonjë drejtorie të Ballkanit në Ministrinë e punëve të jashtme në Hagë, Berlin, Kopenhagen, Madrid, Vilnius…dhe të bie detyra që të lexosh Memorandumin që Bullgaria ua ka dërguar shteteve anëtare të BE. Thua me vete: Ç’paskan shkruar këta të Sofjes? Të nevojitet një ekspert i Ballkanit perëndimor për ta zbërthyer. Si mundet që Bullgaria të ketë nënshkruar marrëveshje për marrëdhënie të mira me fqinj joekzistues, me popull joekzistues dhe gjuhë joekzistuese? Për më tepër, meqenëse janë në BE, e demek, i respektojnë vlerat evropiane, kanë theksuar se “kurrë nuk e kanë kontestuar të drejtën e vetëidentifikimit të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë Veriore”, por thelbësore, mbi të gjitha, është që ata të mbeten më të mëdhenjtë, më të rëndësishmit, më të fuqishmit. Kurse ata me të cilët kanë nënshkruar marrëveshjen e miqësisë mund të flasin në ç’gjuhë t’u ketë qejfi, por ne kërkojmë që të mos thuhet se kjo është gjuha maqedonase, përveçse kur diçka e tillë nevojitet të thuhet me shkrim.

Ç’është ky pasion për të mbisunduar atë që është më i dobët? Ç’është ky egoizëm? E njëjta gjë si në rastin kur me zor ngjitesh në autobusin e qytetit e thua: “Mjeshtër, mbylle derën dhe vazhdo!”. Ata që mbetën në stacion duke pritur, le të vazhdojnë të presin. Ne që hipëm do t’u tregojmë gishtin e mesëm nga dritarja.

Të mëdhenj, të fuqishëm, e për ta ne qenkemi të tmerrshëm. I paskan lënë gojëhapur evropianët kur u kanë thanë me shkrim se “arkivat dëshmojnë për ekzekutimin e më shumë se 20.000 njerëzve mes viteve 1944 dhe 1946, të cilët identifikoheshin si bullgarë dhe përfaqësonin elitën politike dhe intelektuale në RMV. Më shumë se 100.000 bullgarë qenkan vrarë, burgosur, përndjekur apo dërguar në kampe përqëndrimi.”

Na rraftë pika!..Ne paskemi dërguar 100.000 bullgarë në kampet e përqëndrimit!? Paskemi rrahur 20.000? Paskemi zhdukur elitën!? Epo të kish pasur një elitë kaq të madhe në periudhën 1944-1946 në këto troje, sot nuk do të ishim këtu ku jemi.

Më habit se si bullgarët kanë harruar të lëvdohen se gjatë kohës së luftës së dytë botërore nuk kanë deportuar 10.000 hebrenj të kampin fashist të përqëndrimit Treblinka, por i kanë evakuuar në vagonë mallrash që t’i shpëtojnë nga еksploatimi i disa njerëzve në të ardhmen, që dashkan të quhen maqedonas, të çlirohen nga pushtetit fashist bullgar e të krijojnë shtetin e tyre të pavarur.

Nuk e kam të qartë se si duan të jemi miq, por sillen armiqësisht, duke na ofenduar – nuk ekzistoni, s’ju bën gjuha, ju nuk duhet të keni shtet…Ne na paska shpikur Tito! Ndërkohë, askund nuk e përmendën se Tito, si fitimtar, më i madh dhe më i fuqishëm se ta, në vitin 1947 Bullgarisë ia fali 25 milionë dollarët, që duhej t’ia paguante Jugosllavisë për dëmet e luftës, si bashkëpunëtore e Gjermanisë fashiste. Por jo! Tito edhe gjuhën na e paska shpikur!

Mendoj se duhet të jesh me të vërtetë i marrë që të duash një mik të këtillë. Por, jemi shek. 21. Nëse fillojmë të kapemi për të këqijat që dikush, dikur i ka bërë Maqedonisë dhe popullit nga të gjitha ushtritë e qeveritë që kaluan nëpër këto troje, atëherë miqësia me bullgarët do të jetë e pamundur. Synimi është të mos lejojmë që e kaluara të na e rrezikojë të ardhmen. Ndërsa Bullgarët pikërisht këtë po bëjnë – po na rrezikojnë të ardhmen. Nuk e kuptoj se pse Bullgarët kanë nevojë të na bëhen armiqtë më të mëdhenj pikërisht tani, pas një periudhe të mundimshme 30 vjeçare me grekët. Vetëm në rast se, sigurisht, planifikojnë të mbajnë kontinuitetin nga lufta e dytë botërore, kur bullgarët i kishim armiq më të mëdhenj se sa gjermanët.

2 Sipas të njëjtit drejtim filloi të punojë edhe Artan Grubi, që kur u ul në vendin e ministrit – si të kthesh mikun në armik. Kryeministër Turjela i parë! Me shumë gjasa me misionin që të arrijë të kthejë edhe maqedonasit më liberalë në maqedonas nacionalistë. Gjërat që thotë mbi subvencionimin shtetëror të vendeve të punës për bashkësitë etnike në sektorin privat nuk janë budallallëk i zakonshëm. Kjo është një temë e cila duhet debatuar tri ditë, edhe pse as ai nuk e di vetë se si do ta realizonte këtë. Për më tepër, as qeveria nuk ka menduar gjë e as me kompanitë nuk është biseduar. E rëndësishmja është se kjo gjë ka qenë pjesë e programit parazgjedhor të BDI. E, BDI-ja, çfarë thotë, edhe e realizon.
E pastaj, në këtë mesele u përfshi edhe kryeministri Zoran Zaevi, duke ia hedhur me stilin e tij kryeministrit të parë për provokime etnike. Fillimisht thoshte: Jetë për të tërë. Më pas – një shoqëri për të tërë. Bukë për të tërë. E më në fund doli te – subvencione për të tërë. Tani mbetet vetëm të merret vesh qeveria nëse të subvencionuarit në baza etnike do të duhet apo jo të shkojnë në punë në firmat private. Apo 10 vitet e para do të jenë të liruar, siç janë liruar në administratën shtetërore. Se përndryshe, i bie që përsëri të diskriminohen. Përse të duhet të shkojnë në punë, kur 1.300 të kornizës nuk shkojnë në punë qe 10 vjet, e sërish marrin rrogë?

3 Ministri i mjedisit Naser Nuredini deklaroi se djegia e deponive është vepër penale dhe u bëri thirrje komunave që ta parandalojnë këtë dukuri, kurse policisë dhe prokurorisë që të ngrenë procedura.
OK. Ministrin e kemi disi tepër entuziast. Ne presim qe 30 vjet që komunat, prokuroria e policia të fillojnë procedurat. Mirëpo tani, meqë e tha ai, atyre do t’i vijë turp e do t’ia fillojnë punës me të vërtetë.

Është e qartë se Naseri nuk është rritur e as ka jetuar së këtejmi, që kur habitet nga vetë fakti se ekzistojnë deponi të paligjshme në zemër të qytetit, e jo më që dikush edhe i ndez ato. Për më tepër dhe tronditet se si askush nuk i dënon për kryerjen e një vepre penale.

Sa për ne, qytetarët, është tejet normal fakti që në vende të banuara të ketë plot deponi. Vetëm paksa na dhemb kur ato ndizen. Për më tepër, nuk është ndonjë dramë e madhe nëse deponia digjet për një ditë. Idili ynë shqetësohet vetëm atëherë kur të ketë kaluar katër-pesë ditëshi. Deri atëherë, gjithçka është në rregull, gjë normale. Është normale për ne të ketë deponi në mes të ndërtesave të banuara, përballë qendrave sportive, pranë tre spitaleve dhe një hoteli luksoz, 2 km larg qendrës së kryeqytetit tonë. Por, nuk është aq normale vetëm në rastet kur deponia digjet. Dhe është normale për ne të tregojmë empati ndaj të gjithë kryetarëve të komunave kur ankohen se si nuk mund t’ia dalin me “qytetarë të pandërgjegjshëm” dhe “piromanë”. Duhet të tregohemi mirëkuptues kur na arsyetohen se si deponia mbushet në ora pesë të mëngjesit ditën e diel dhe këta nuk i kapin dot se ora 5 është shumë herët dhe e diela është ditë pushimi. Ne duhet të kemi durim, të presim deri sa qytetarët e pandërgjegjshëm të ndërgjegjësohen dhe të fillojnë të shkarkojnë mbeturinat në orar pune, atëherë kur kryetarëve të komunave dhe policisë u konvenon.

Përktheu: Fjolla Zllatku

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира