2+2=5

Akoma edhe listat pаrtiake për punësim në institucionet shtetërore bëhen me përkushtim më të madh sesa që është bërë planifikimi i blerjes së vaksinave

1 Tek ne asnjë punë nuk mund të mbarohet pa dramë. E madje, drama duhet të jetë dramë etnike. E kështu, i tillë duhet të jetë edhe regjistrimi i popullsisë që duhet të realizohet në prill. Gjithçka duhet të jetë me fantazi katastrofale, me tradhti të shtetit, me funde të botës. E që ta parandalojë këtë gjë, VMRO-DPMNE-ja do ta mobilizojë anëtarësimin që të nënshkruajë për shfuqizimin e Ligjit për regjistrim. Ndërsa BDI, nëpërmjet deputetit Arbër Ademi u kërcënua se nuk do t’i pranojë rezultatet e regjistrimit nëse del se shqiptarët janë nën 20 përqind.

Gjithkund nëpër botë regjistrimi i popullsisë është një operacion i rregullt statistikor për numërimin real të gjithçkaje që ndodhet në shtet, që të mund të kryhen planifikime për zhvillim. Vetëm te ne regjistrimi kuptohet si operacion ekskluzivisht për numërimin e maqedonasve dhe shqiptarëve.

E nëse është kështu, atëherë le të mos e bëjmë fare regjistrimin. Nëse presidenti Stevo Pendarovski dhe kryeministri Zoran Zaev thonë se askush nuk ka për qëllim të cënojë të drejtat e fituara të shqiptarëve, nëse BDI thotë se nuk do të pranojë nëse shqiptarët dalin mbi 25 përqind, atëherë, le të ulen e të bëjnë hesapin. Nëse tashmë me regjistrimin janë fokusuar te nevoja etnike, e jo reale e numërimit, atëherë se paku të mos harxhojmë para. Le të jenë 22,5 përqind.

Si nuk u shqetësua askush për të thënë se nuk do t’i pranojë rezultatet nëse del se, për shembull, ka më pak çerdhe, shkolla dhe spitale sesa duhet të ketë sipas numrit të banorëve sipas moshës? Si nuk u kërcënua askush se do ta shfuqizojë regjistrimin nëse del se numri i zyrtarëve komunalë është shumë më i madh në raport me qytetarët që jetojnë aty? Si nuk u shqetësua askush se pa të dhëna të regjistrimit të shtetit nuk mund ta planifikojë zhvillimin? Por, kujt i intereson për planet e shtetit? Është më e rëndësishme që partia të planifikojë se sa kuadro mund të punësojë në llogari të shtetit nëse fiton në zgjedhje.

Regjistrimi është operacion i thjeshtë matematikor. Dy plus dy bëjnë katër. Dhe është me të vërtetë për t’u habitur se pse rezultati i numërimit në fund duhet patjetër të noterizohet me dy nënshkrime – një maqedonas dhe një shqiptar. Çfarë do të thotë kjo? Se njëri mund të mos nënshkruajë nëse dy plus dy bëjnë katër, ndërsa llogaria partiake dhe etnike është dashur të tregojë se janë pesë!?

Nikolla Gruevski dhe Ali Ahmeti ishn të dyshuar nga PSP se në vitin 2011 janë marrë vesh të ndërpresin regjistrimin dhe e kanë dëmtuar shtetin për 14 milionë euro. Por, meqënëse me ligjin e ri bombat tashmë nuk vlejnë, për shkak të mospasjes së dëshmisë, hetimi u ndërpre dhe u mbyll. Ja ku e ka shansin Ali Ahmeti që ta përsërisë veprën.

2 Vaksina për kovid-19 akoma nuk kemi. Dhe nuk dihet se kur dhe ku do të fillojë vaksinimi te ne. Na doli se edhe këto pak vaksina që na ofroi Serbia, nuk mund t’i sjellim.
Nuk marr vesh nga procedurat e sjelljes së mjekimeve në shtet, as nga çështjet se kur duhet të regjistruar apo se si shkon regjistrimi, as se çfarë do të thotë një import me intervenim, as nëse duhet të blihen me prokurorim publik apo me marrëveshje direkte, as se çfarë është MALMED, as se nga cila parti është drejtori i MALMED, as nëse kemi përfaqësi të kompanisë farmaceutike këtu, apo jo. As nëse duhet të ndryshohet ligji, ose jo…E pse të duhet t’i dijë një qytetar mesatar të gjitha këto gjëra? Është fakt se vaksina nuk ka, madje as për një fillim simbolik të vaksinimit.

Nëse do të duhej në mënyrë urgjente të gjendej një vend drejtori për anëtar të BDI-së dhe të ndryshohet me kuadër të LSDM-së apo anasjelltas, kjo do të ishte një punë e përfunduar, do të ishin duke u prerë torta në zyrë. Akoma edhe listat pаrtiake për punësim në institucionet shtetërore bëhen me përkushtim më të madh sesa që është bërë planifikimi i blerjes së vaksinave. Nuk mundet që tani të shohim se nevojiten ndryshime në ligj, ndërsa për vaksinat të flasim nga marsi i vitit të kaluar.

Le të flasim drejt. E kam të qartë se gjithandej në Evropë kanë probleme me vaksinimin. Por, ndryshe nga ne, nuk kanë problem me ligjet dhe institucionet e veta. Ata kanë problem me “Fajzer”. Ndërsa ne kemi problem me veten tonë.

3 Duke e njohur tabiatin e elitave partiake, me mosbesim i pranoj edhe lajmërimet e komunës Aerodrom, e cila nëntë muaj para zgjedhjeve lokale lajmëron një seri projektesh që do të jenë me flamur evropian.
Kryetari Zllatko Marin, në vitin e fundit të mandatit të tij lajmëroi edhe se do të formohet një ndërmarrje publike për projekte zhvillimore të një rëndësie lokale, që të mund të realizohen projektet.

Nga të gjitha projektet e shpallura, për këtë, besoj se me siguri do të realizohet. Ç’emër të mirë që i kanë dhënë! Ndërmarrja publike për lulëzimin e një mijë luleve. Një ndërmarrje e re publike – punësime të reja. Aerodromi do të lulëzojë. Vetëm të sigurojmë rrogë shteti për edhe ndonjë tjetër kuadër të vërtetuar partiak.

4 Edhe kryetari i Komunës së Sarajit Blerim Bexheti, në muajt e fundit të mandatit doli me projektin për zonë të lirë turistike në liqenin e Treskës. Kompleksi Liqeni i Teskës u ndërtua me kontributet dashamirëse të qytetarëve të Shkupit të viteve 1970. Ishte me të gjitha tertipet – liqen, pishina të vogla, plazh, kabina ndërrimi, magazinë për varka të vogla, restorant, dushe…Plus gjithçka e dizajnuar sipas standardeve botërore. Për fat të keq, ashtu siç kanë ndodhur me shumë objekte të tjera nga ajo kohë edhe ky kompleks nga shpallja e pavarësisë së shtetit ishte krejtësisht i braktisur.

Bexheti është i njohur sipas asaj se kërcënohej se do të shpallte referendum se a do t’i legalizojë platformat e rrejshme në një krahinë të mbrojtur të Matkës. Kështu që, ky projekt për një zonë të lirë turistike, me siguri do të jetë më i lirë. Lirisht le të ndërtojë ai që do. Do të ketë hotele. Gjoja do të shkojnë të bëjnë pushime në Liqenin e Treskës. Do të bëjnë ndërtesa banimi dhe qendra tregtare pranë liqenit dhe lumit në mes të natyrës.

Është pikëlluese të shohësh se si ajo që u braktis si një kompleks urban tani do të shkatërrohet si natyrë. E më pikëlluesja nga të gjitha është se këtë shkatërrim po na e prezantojnë si zhvillim.

Përktheu: Fjolla Zllatku

 

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира