1 Mund ta imagjinoj Nikolla Gruevskin dhe shoqërinë e tij patriotike të ulur diku duke bërë shaka me Katica Janevën. Thonë – e shihni këtë, na paska zënë për do 800.000 euro. He, he, he… vetëm 800.000 euro. Çka me 800.000 euro? Më pak se një milion.
Kur në vetëm një blerje të pajisjeve të përgjimit kanë arritur të rrisin çmimin për 800,000 euro, mund vetëm ta imagjinojme se çka ka në “Shkupi 2014”. Dhe në autostradat. Në autobusët kinez. Në autobusët ukrainas. Në gazsjellësin. Në kompjuterët për çdo fëmijë. Në kopshtin e parajsës. Në rrotën panoramike. Dhe për “punët e vogla të mbaruara”. Ju kujtohet sa ishte çmimi i parë për teatrin për shembull?
Dyshohen për 800.000 euro. Kjo për ata është sikur t’i kenë kapur duke vjedhur çamçakëz në vetëshërbim.
2 Por, përalla e vjedhësve të çamçakëzëve ka diçka më tepër se ato 800.000 euro të imëta? Shumë më me rëndësi edhe në krahasim me gjithë atë që ka mundur të bëhet për ato 800.000 euro.
Përalla është si një skenar i një filmi të keq, që e dini se si do përfundojë që në minutat e para. Vjedhësit e çamçakëzëve do të përfundojnë në gjykatat “svarovski”, tek gjyqtari që rastësisht e ka zgjedhur kompjuteri, por paraprakisht ka qenë i shënuar në defterin e Gordana Jankullovskës dhe është testuar se “nuk do të ndryshojë anën”.
Ndërsa filmi rjedh kështu: Me paratë tona kanë blerë disa pajisje që të na ndjekn në çdo mënyrë të mundur. Mirë që na kanë ndjekur ne, por kanë ndjekur edhe njëri tjetrin. Në këtë drejtim, kanë arritur të fitojnë do 800.000 euro nga paratë tona. Veç kësaj, kanë shpenzuar edhe do para të imëta, diku 300.000 euro nga paratë tona për të mirëmbajtur diçka që nuk ka qenë për t’u mirëmbajtur.
Më pas, është vetëvrarë dëshmitari i cili me paratë tona ka blerë pajisjet për ata. Epo ja që ndodhin aksidente. Plus, një nga pronarët e firmave është njëfarë zëvendësi, ndihmësi, dikush në Ministrinë e brendshme. Por, edhe anëtar i Këshillit drejtues të Telekomit. Kompani kjo klientët e të cilës përgjohen. Dhe kompania ku është vendosur ndonjë program për të ndjekur komunikimin në internet.
Dhe pas gjithë asaj që e dëgjuam, dhe besa edhe e pamë, ende nuk ju vijnë mend? Ende nuk jeni të vetëdijshëm për planin djallëzor që ka bërë Gruevski me shoqërinë e tij patriotike? Ende mendoni se ai e do Maqedoninë më së shumti? Më shumë se ju? Dhe se ai mendon për ju?
Ç’farë bën ai? Ditën kur PSP publikon hetimin e rastit “Thesari”, lideri i VMRO-DPMNE na thotë se do na blejë autobusë që do t’i ngjajnë tramvajit. Është lider i partisë. Me çfarë do na i blejë? Me siguri kanë gjetur ndonjë Kërpaç që do t’i importojë autobusët me paret tona.
Ditën kur gjykata paralajmëroi se do ta gjykojë më 21 nëntor për porositjen e shpullave dhe nxitjen e dhunës, Gruevski shpalli se do t’i rrisë pensionet për 670 denarë. Dhe kjo ndodh vetëm një ditë pasiqë Banka botërore paralajmëroi se fondi pensional do të shembet, sepse në mot 45% të parave për pensionet do të duhet të mbulohen nga buxheti. Nga buxheti i cili mbushet me para të huazuara nga eurobondet. Dhe kush e mbush atë? Nga 21.000 punësimet e reja, 18.700 janë të subvencionuara nga i njëjti buxhet. Ja se si Gruevski me paratë tona blen vota. Dhe nuk është madje as kryeministër. Është thjesht lider partie.
Me rëndësi është që tani të jepen pensione për 11 euro më të larta. Dy-tri ditë para zgjedhjeve. Që ai të shpëtojë. Pas tij, nuk ka nevojë madje që njerëzit as të marrin pensione.
Nëse janë mirënjohës për 11 euro që do t’ua japë nga paratë tona para zgjedhjeve, atëherë le t’ia falin edhe ato 800.000 euro nga vetëshërbimi. Veç kësaj, mos të harrojmë. Edhe ato 11 euro janë para të siguruara me kredi, sepse paratë që i kishim na i harxhuan. Për të na përgjuar.
Nuk kanë blerë ata me paratë tona lodra elektronike supermoderne. Ata kanë blerë kontrollin mbi ne.
3 Sillvana Boneva më parë ka qenë deputete, ndërsa tani është anëtare e Komisionit Shtetëror Zgjedhor. Gjithë kohën ka punë të ëndrrave. Udhëton dhe fiton. Si deputete, për dy vjet për kosto transporti ka marrë 39.000 euro. Ndërsa si anëtare e KSHZ-së, për 6 muaj nga shtëpia në punë ka udhëtuar për 12 mijë euro.
Vërtet ka vuajtur gruaja shumë rrugëve. Ja që Sillvana na doli femra më e shtrenjtë e shëtitur në shtet.
Por ç’farë nëse KSHZ vendos të kursejë dhe fillon t’i mbajë seancat në Strumicë? Vallë Boneva do të thoshte se jeton në Shkup?
4 Kanë mundur ta përgjojnë gjithë shtetin, por prokuroria e Zvrlevskit nuk ka arritur ta dekodojë celularin e Kosta Kërpaç. Kanë mundur ta ndjekin komunikimin e të gjithëve, si ajo barsoleta që thotë – “Në cilin mail ta dërgoj? Në cilin të duash” – por gjykata nuk ka mundur t’i lexojë të dhënat e USB-së të PSP-së.
Gjithato para që i shpenzuan në lodra elektronike, dhe sërish kanë problem me elektronikën.
Ja që nuk është radha e parë që kanë ndonjë problem me celularët. Së paku Kërpaçit ia gjetën telefonin. Po Nikolla Mlladenovit? Telefoni u zhduk, ndërsa deklaruan se trupin ia kishin gjetur duke ndjekur sinjalin e telefonit.
Epo ja që ndodhin aksidente.
5 Epo mirë, ka ende të tillë që nuk i intereson politika? Sepse të gjithë janë njësoj? Ashtu?
6 Këto ditë ranë dhjetë gjoba për qytetarët që gatuanin ajvar në hapësirë publike. Nga Qyteti i Shkupit thonë se dënojnë sipas Ligjit për pastërti publike. Dënimet janë pesëdhjetë euro.
Mos u mërzitni fare. Dy pensionistë në familje, pak kursim – dhe ja që do e paguani gjobën.
Kush thotë se shteti i së drejtës nuk funksionon? Kërkonit drejtësi? Ja që – ka drejtësi nuk ka ajvar!
Përktheu: Fjolla Zllatku