1 Më erdhi në majë të hundës nga Parlamenti e nga partitë që na kanë detyruar të votojmë për këta emra nëpër listat zgjedhore. Urgjenisht integroni listat e hapura të deputetëve. Por këso detyrimesh mos na bëni më. Përveç gjithë pabesisë që e kemi në institucionet, na mungonte vetëm edhe kjo shfaqje e fundit e Parlamentit, ku opozita tallet me institucionin më të lartë të shtetit. E madje për një temë aq të ndjeshme sa ç’është ndihma financiare për firmat. Me mijëra qytetarë presin rrogat e tyre, ndërsa deputetët me muaj të tërë shtyhen se cili do të mashtrojë në mirë kundërshtarët. Me rëndësi, do të marrin para për mëditjet dhe shpenzimet rrugore, kurse për ata mijëra qytetarë dhe qytetare që presin për votimin e ndihmës nga shteti, nuk u bëhet fare vonë. Le të vdesin në mes të pandemisë.
Ne e dinim se deputetët janë të paaftë dhe ca të bindur që nuk mendojnë me kokë të tyre. Mirëpo tani e pamë edhe se sa të pamëshirshëm dhe çnjerëzorë mund të jenë.
Deputetët e VMRO-së le të pushojnë së aktruari se gjoja ndjekin parime dhe procedurë. Nuk ka asnjë procedurë që mund ta zëvendësojë ndershmërinë dhe njerëzinë.
2 Pas procedurave fshihet edhe qeveria, sa herë që ajo nuk dëshiron të kryejë një punë. Vallë, kujt ia shesin përrallat për atë se qe katër vjet nuk mund ta ndryshojnë një Plan të detajuar urbanistik dhe ta përshtasin me Planin të përgjitshëm urbanistik në qendër të kryeqytetit të shtetit, siç është rendi, ndërkohë që LSDM-ja ka pushtetin si në nivel central, ashtu edhe në atë lokal të qytetit të Shkupit dhe Komunës Qendër? Gjithçka është e mundur, nëse është e duhur. Ne e ndryshuam emrin e shtetit, votuam ndryshime në Kushtetutë, ndërsa ata qe katër vjet nuk mund t’i përshtasin planet njëri me tjetrin. E madje për diçka për të cilën ata vetë për 10 vjet thonë se është e keqe dhe e paligjshme. Hanin edhe qytek nga VMRO-DPMNE-ja kur sillej ky plan, për të cilin tani hiqen si të pafuqishëm për ta ndryshuar. I fituan zgjedhjet pasi qytetarët i besonin premtimit se do t’i ndryshojnë politikat urbanistike të Nikolla Gruevskit.
Nuk po flasim nëse parkingu në “Holidej In” në qendër të Shkupit duhet të ndërtohet apo jo dhe se çfarë duhet ndërtuar. Nuk flasim as për atë nëse kullat e projektuara janë të bukura apo të shëmtuara. Nuk po flasim as për atë nëse investitori, të cilit mu ky pushtet i LSDM-së ia shiti tokën e shtetit, ka apo jo të drejtë të ndërtojë ç’të dojë. Është absolutisht e parëndësishme se çfarë ka për të thënë investitori. Ai kujdeset për interesin e tij. Por, kush përkujdeset për interesin e shtetit? Shtetit? Qyteti i Shkupit? Komuna Qendër?
Katër vjet pas fitores në zgjedhjet lokale, kuptojmë se LSDM-ja ka investuar zero përpjekje për t’i ndryshuar politikat urbanistike të VMRO-DPMNE-së dhe për të treguar shqetësim për të mirën e përgjitshme. Vetë i sabotuan premtimet e tyre.
Pushteti i mëparshëm komunal paska sjellë plan të paligjshëm. Pushteti aktual central ka dhënë leje që parcela të zmadhohet dhe e ka shitur tokën shtetërore. Pushteti i tanishëm komunal hiqet se është jokompetent për ta parandaluar një gjë të tillë. Gjykata kushtetuese shfuqizon moratoriumin për ndërtim, të vendosur si një përpjekje e dëshpëruar e qytetarëve që të përmirësohet të paktën diçka. Me të vërtetë kanë humbur kontakt me realitetin, në qoftë se kërkojnë simpati nga ne ndërsa hiqen si të pafuqishëm, e në të njëjtën kohë kërkojnë vota në zgjedhjet lokale. Për çfarë t’i votojmë? Për faktin se e shitën interesin publik?
Po ne nuk votojmë dikë që më pas të na justifikohet se është i pafuqishëm dhe jokompetent. Harruan se këta të LSDM-së dhe votuesit nga Qendra në vitin 2017 dilnin për votim në tre rrethe dhe ua ndalnin liftat. Ua shpërngulnin Pustecin, e tani askush nuk u thotë- ne falni, nuk kemi fuqinë ta ndryshojmë politikën, për të cilën ju dolët tri herë për ta ndryshuar. Ky teatër që tani e bëjnë kryetari i Qendrës Sasha Bogdanoviq dhe ministri i ndërtimit Bllagoj Boçvarovski, në shfaqjen me emër: “Nuk jemi kompetent, gjithçka është sipas Kushtetutës dhe ligjit”, u bë i famshëm ngaqë bëhet fjalë për Qendrën, e kryeqytetit. Po kush e di se ç’bëhet nëpër komunat dhe fshatrat ku njerëzit nuk ka kush t’i dëgjojë e nuk kanë as se ku të ankohen.
Tek njerëzit është shtresuar shumë pabesi dhe revoltë. Është normale – kur mashtrohen disa herë – pushojnë së pasuri besim. Kur u thonë – do të ketë rrugë nëntokësore që të zgjidhet problemi i trafikut – ata nuk besojnë. A nuk duhej të kishte rrugë nëntokësore edhe përgjatë Vardarit? E nuk e bënë. Edhe në këtë rast mbroheshin intereset e kompanisë private, e jo të qytetarëve. Kur u thonë se do ta mbrojnë bregun e Ohrit siç kërkon UNESKO – nuk besojnë. Qeshnin kur Mile Janakieski sillte rërë deti e kur Nikolla Gruevski propozonte parmakë, ndërsa tani nuk mund të rrënohet dot as edhe një tarracë ilegale e kafenesë. Komuna hiqet si e pafuqishme, kurse shteti si jokompetent.
Një gjë është të jesh i paaftë, e një gjë krejtësisht tjetër është të bëhesh sikur nuk e di se nuk mund të mbrosh të mirën e përgjitshme, ndërkohë që ti ke pushtetin, të zgjedhur në zgjedhje demokratike. Andaj, nuk kam as edhe një thërrime simpati për ankesat e qeverisë për atë se sa të pafuqishëm janë. Nëse janë të pafuqishëm, le të japin dorëheqje.
3 Të na kishte dëgjuar Zaevi para dy vjetësh, kur mediat filluan të publikojnë dokumente për krimet e sekretarit gjeneral të atëhershëm të Qeverisë, e deri pasa disa ditëve, sekretari i çdo gjëje Dragi Rashkovski, më e pakta që mund të bënte ishte ta pushonte nga funksioni. Ndërsa ai e mbronte. Dhe akoma e mbron.
Për Rashkovskin ka hetim dhe paraburgim shtëpiak. Por tani nuk do të digjet vetëm Rashkovski. Tani do të digjet edhe partia.
4 Zoran Zaevi bëri të qartë se posedon kapacitet demokratik shumë më të madh se sa Nikolla Gruevski. Të paktën ne që mbajmë mend, e ndjejmë këtë gjë. Por, ç’të duhet ai kapacitet demokratik, tolerim i absurdit, kombinim i paaftësisë dhe i demonstrimit të pafuqisë.
Pushteti gjithnjë kalon nëpët disa faza para se t’i zhgënjejë ata që i kishin besim kur i votuan. Në fillim, mendojnë se mund të bëjnë gjithçka, premtojnë gjithçka dhe i mban entuziazmi për ndryshim. Pastaj, vijnë te faza ku përballen me çështje të komplikura ligjore dhe një administratë të partizuar e cila është e paaftë, ndonjëherë e korruptuar, e ndonjëherë nuk dëshiron që të zgjidhë. Dhe – vjen faza kur lideri do të mbështetet te lajkatarët, te ushtarët partiakë dhe te medikorët që thonë: Ashtu, shef. Bravo, shef. Je më i miri, shef.”
E tani jemi në fazën – kur qeveria tashmë është dehur nga bukuritë e qeverisjes dhe nga mbifuqia –sa që nuk i bëhet fare vonë se çfarë mendon publiku. Por hiqet sikur i bëhet vonë. Andaj, shkruan fraza NGO-sh në Facebook për atë se si do ta kufizojnë drekën e funksionarëve në 1.500 denarë dhe do t’i numërojnë gotat e ujit me 10 punësime të reja për “krijimin e masave sistemike për parandalimin dhe çrrënjosjen e korrupsionit”.
Sa për mua, më mirë e kanë të bëjnë sikur u bëhet vonë, se sa të fillojnë të shkaktojnë represion siç bënte VMRO-DPMNE-ja. Kjo është faza – nëse nuk je me mua, nuk do të jesh më. Ja, kaq të ulta i kemi pritshmëritë.
Çdo qeveri rrëzohet atëherë kur fillon të mendojë se votuesit e saj janë budallenj. Qeveria e LSDM-së tani është në këtë fazë – lëri njerëzit le të dërdëllisin.
Përktheu: Fjolla Zllatku