1 Maturanti Toni Sali vdiq në moshën 19 vjeçare. Dhjetë vjet luftoi me shtetin që të merrte numër amë. Drejtoria për udhëheqjen me librat amë nuk i jepte as certifikatë lindjeje. Nuk ia pranonte babanë biologjik dhe e kushtëzonte që t’ia shkruajnë si prind një shtetas të huaj, që nuk e kishte baba. Pastaj i kërkonin që ta shfuqizonte atë kujdestari sepse – ashtu janë ligjet. Dhe Toni, meqë nuk kishte numër anë, nuk mund të kishte as mjek amë. As ndihmë sociale. As llogari bankare. Familjen e kishte të varfër e kështu nuk ka mundur të shfrytëzojë as spitalet private. Tani – Toni vdiq. Nuk e dihet nga se. Ai nuk është më. Dhe është sikur të mos kishte ekzistuar asnjëherë. I mbetën vetëm pesat e dëftesave, për shkak se, megjithatë, dikujt në këtë shtet i është kujtuar se në bazë të Konventës për të drejtat e fëmijës, Toni mund të regjistrohet në shkollë edhe pse nuk ka numër amë. Gjithçka shkon sipas ligjit në këtë shtet ku krijohen numra amë për qytetarë joekzistentë, ku jepen nga disa karta identiteti për adresa të ndryshme për të njëjtët persona që t’i shfrytëzojnë për vjedhje votash në zgjedhje, ku nxiren pasaporta falso për kriminelë vetëm për para, por jo – pikërisht për Tonin e Shutkës i cili ishte një nxënës i shkëlqyer i cili merrte çmime të ndryshme dhe ishte i varfër, askush nuk këtë shtet nuk arriti të gjejë zgjidhje.
Si do të jetojnë, vallë, me vdekjen e Tonit të gjithë ata zyrtarë që për 15 vjet me radhë e kanë maltretuar fëmijën dhe prindërit e tij me imtësira, duke i çuar nga një sportel te tjetri, nga një institucion në një tjetër duke i bindur se – ashtu janë ligjet, e ligjet si të tilla, duhen respektuar?
Në fund, na doli se rasti i Tonit paska qenë një gabim sistemik i institucioneve. Për dy-tri ditë, do ta harrojmë. Institucionet s’kanë shpirt. Por, në ato institucione punojnë njerëz me emër dhe mbiemër. A kanë këta njerëz shpirt? Apo kanë vetëm librezë partiake?
2 Kur “SAKAMDAKAZAM.MK” filloi të shkruante për rastin e një fëmije që nuk ka numër amë, Toni ka pasur 17 vjet. Deri më atëherë, prindërit e tij për 15 vjet me radhë janë përpjekur që t’ia mundësojnë realizimin e të drejtave të tij nëpërmjet institucioneve. Gjatë katër viteve të fundit, me rastin në fjalë merret dhe Avokati i popullit. Tonit nuk mundi t’i ndihmojë as avokatja e cila e përfaqësonte falas e as Ministria e drejtësisë. Rasti ka ngecur në Drejtorinë e librave amë.
Dhe çfarë mbetet tani? Që Gjykata për të drejtat e njeriut në Strasburg ta dënojë shtetin tonë, edhe pse kjo nuk do të kishte aspak vlerë për prindërit të cilët tashmë kanë humbur djalin e tyre?
Çdo gjë humb kuptimin kur ndodh të vdes një fëmijë për shkak të neglizhimit buroktatik. Për shkak se dikush që ne e paguajmë atje nuk e aktivizon mendjen kur shkon në punë. E jo vetëm që nuk e bën këtë, por edhe nuk i bëhet fare vonë për asgjë.
3 Nëse do të shihnim “perspektivën evropiane” nga perspektiva e familjes së Tonit, “optimizmi i moderuar” rreth shpresës se Bullgaria do ta tërheqë veton për BE-në sepse presidenti Rumen Radev nuk e ka ofenduar presidentin Stevo Pendarovski ndërkohë që kanë udhëtuar me avion bullgar drejt Romës, bëhet krejtësisht i pakuptimtë.
Ashtu sikurse bëhet i pakuptimtë edhe diskutimi mbi atë se në ç’mënyrë ka vendosur shteti të shprehë mirënjohjen ndaj Serbisë për dhurimin e vaksinave kundër kovid-19, kur ne kishim jashtëzakonisht nevojë të madhe që të paktën t’i mbronim personat mjekësore që ndodhen në vijën e parë të betejës kundër kovid-19.
Shteti që është i pakualifikuar të na vendosë mënyrë elektronike për pagesat rrugore në Maqedoninë perëndimore, do të shprehë mirënjohje, në mënyrë që në vend që t’i stimulojë serbët të shkojnë në Ohër dhe Prespë, t’i lëshojë pa para për në Greqi.
4 Duhej të dilnin fotografitë e mbulesave të thurura të penisëve në profilet e Fejsbuk grupeve që drejtojnë protestën kundër librave të digjitalizuar, që të zbulohet se këta persona nuk kanë problem vetëm me digjitalizimin. Ata u kundërvihen shkollave rreth arsimit seksual dhe kërkojnë që të largohen temat e barazisë gjinore dhe inkluvizitetit, pasi pikërisht për shkak të këtij lloj arsimimi, vajzat do të duhet të mbajnë mbulesa për penisë. Nga iu tek kjo gjë? Por duket mjaft e tmerrshme që të frikësohen.
Plus, kërkojnë edhe kthimin e arsimit fetar në programin shkollor. Mbetet vetëm të kërkojnë që vajzat dhe djemtë të shkollohen në shkolla të ndryshme. Atëherë do të mund të kalojmë bukur mirë në shekullin 19. Tamam në kohë që të mund të marrim hapat e nevojshëm pët negociatat me Bullgarinë.
Përktheu: Fjolla Zllatku