PASTRIM MORRASH

Nëse nuk i vendosni të korruptuarit në listën tuaj të zezë, atëherë ne do t'i vendosim në tonën.

1 Nëse fillimisht Angela Merkel dhe tani Joe Biden dhe Emanuel Macron nuk arrijnë të heqin veton e Bullgarisë për fillimin e bisedimeve të pranimit të Maqedonisë në Bashkimin Evropian, atëherë unë me të vërtetë nuk e di se çfarë pritje kemi nga BE. Është e qartë se këmbëngulja e Bullgarisë për t’i bërë maqedonasit bullgarë tashmë po bëhet një problem i sigurisë për Evropën dhe Amerikën, që kur presidenti i SHBA fillon të lëshojë urdhra ekzekutivë për të mbrojtur interesat amerikane në Ballkanin Perëndimor dhe administrata e tij ka rinovuar listat e saj të zeza, nëpërmjet të cilave i dënon të plotfuqishmit e këtushëm.

Çfarë do të thotë kur një president i SHBA ju vë në urdhër ekzekutiv?

Kjo do të thotë se:  Mosrespektimi i marrëveshjeve që i kemi sponsorizuar ne dhe nivelet e larta të korrupsionit janë në kundërshtim me interesat kombëtare amerikane. Dhe kur tashmë kemi investuar kohë, energji dhe para për tridhjetë vjet, nuk lejojmë që ato që investimet tona të dështojnë për shkak të nacionalistëve dhe politikanëve të korruptuar.

Kjo do të thotë se:  Në vitin 1993, së bashku me Britaninë e Madhe, ne luftuam që t’ju pranonim në Kombet e Bashkuara, pasi Evropa kishte hequr dorë nga ju dhe tha se nuk do t’ju njihte kurrë nëse keni fjalën Maqedoni në emrin tuaj. Në 1995, ne i bëmë ballë embargos greke sepse shkarkuam drithërat amerikanë për ju në Selanik. Në vitin 2004 ne vendosëm t’ju thërrasim me emrin kushtetues të Republikës së Maqedonisë kur të gjithë ju thirrnin FYROM, gjë e cila ju ofendonte. Në vitin 2001 ju shpëtuam nga një luftë e gjatë civile. Në vitin 2018, ju pajtuam me Greqinë. Më në fund, ju pranuam në NATO si Maqedonia e Veriut, si maqedonas me gjuhë maqedonase, sepse ndryshe nga BE, ne i përmbushim premtimet tona. Ju jeni bërë partnerët tanë strategjikë, jeni ulur në të njëjtën tryezë me ne dhe zëri juaj ka peshë të barabartë.  Dhe tani, kur shohim se BE është e paaftë të merret me Bullgarinë, dhe edhe nëse filloni negociatat kush e di se ne ç’mënyrë tjetër do të tallen me ju, mërzitemi kur shohim se nuk keni filluar të kërkoni miq dhe partnerë të tjerë, andaj vendosëm të themi: “Mjaft!”.

Dhe kaq – nga analiza e urdhrit ekzekutiv të presidentit Biden.

2 Përveç mbrojtjes së interesave gjeostrategjikë, amerikanët po përpiqen të na bëjnë një shoqëri demokratike normale. Me një qeveri të përgjegjshme dhe një opozitë të përgjegjshme. Sepse çdo qeveri, sado e mirë, përkeqësohet nëse nuk ka opozitë të fortë.  Në fund të fundit, ata e panë vetë me Trump-in se sa e tmerrshme është kur ekzison një ndarje drastike në shoqëri.

Më intereson vërtet se çfarë thonë përfaqësuesit e opozitës VMRO-DPMNE në ambasadën amerikane kur askush nuk i sheh? Vallë, edhe aty thonë se marrëveshja e Prespës është në kundërshtim me interesat kombëtare maqedonase? Vallë edhe atje flasin për severxhanë, nordistanë, për platforma tiranike, mallkojnë tradhtarët, flasin për përmbysjen e Marrëveshjes së Prespës përmes Gjykatës Kushtetuese apo për burgosjen e Nikola Dimitrov, vizatojnë skema për të treguar se marrëveshja ka qenë asimetrike dhe se kur ata të vijnë në qeveri do të rishikojnë dhe rivendosin shekujt- emrin shekullor…

Besa, ata tani kanë filluar t’i referohen vullnetit të qytetarëve. E pamë vullnetin e vetëm atyre që dolën në referendum. Hristijan Mickoski nuk kishte guximin të thërriste për bojkot, por fshihej pas llogarive anonime në twitter.  Ata as nuk e dinë se sa prej nesh janë, sepse nuk lejuan as të bëhej regjistrimi.

Nga ana tjetër, çfarë ofroi Mickoski gjatë këtyre katër vjetëve përveç të ankesave, bllokimit të Parlamentit, bllokimit të udhëkryqeve, ofendimeve për “severxhanët” dhe konferencave për shtyp rreth “mafias në pushtet”? Me thënë të drejtën, kishte dhe një sulm serioz ndaj Parlamentit dhe disa protesta për t’i liruar sulmuesit. Nga një parti normale evropiane që shet veten si e djathtë konservatore, prisni që ta tërheqë vëmendjen tuaj me politikat e taksave, debatet e sigurisë dhe mbrojtjes, dhe jo të valojë flamuj me diellin e Kutleshit? Unë dua që opozita të më ofrojë zgjidhje, jo bllokada. Mickoski gjatë gjithë kohës thotë se:  “Nuk dua këtë, nuk dua atë …”, dhe kur e pyesin “Na thuaj çfarë do”, ai përgjigjet: “Pse, ore! Ty të ta them, or severxhan?!” Më vonë, nëse Zaevi vendos të tërhiqet nga politika, Mickoski nuk do të ketë asgjë për të thënë, sepse nuk pamë se kishte diçka për të ofruar.

Nëse ai do të donte të bëhej një udhëheqës i vërtetë i VMRO-DPMNE-së, do të ishte bërë i tillë brenda katër vjetëve. Të mos jesh në gjendje të restaurosh partinë tënde brenda katër vjetëve do të thotë se ajo nuk ka aspak rëndësi për ty. Për ty ka rëndësi që të rikthehet lideri nga Budapesti, ai lider që iku e të braktisi të hutuar që të bllokosh rrugët në shi. Për më tepër, një udhëheqës i vërtetë nuk fshihet pas vullnetit të qytetarëve. Një udhëheqës i vërtetë u thotë qytetarëve se çfarë do të ishte më e mirë për ta. Shikon përtej kufijve të njësive elektorale.

Në fund të fundit, është mjaft legjitime që si parti politike të vendoset në program rishikimi i Marrëveshjes së Prespës dhe kthimin e emrit të vjetër kushtetues Republika e Maqedonisë. Dhe jo të fshihesh pas flluskave boshe se “ti e respekton vullnetin e qytetarëve”. E si jo.  Ata respektojnë vullnetin e atij atje, nga Budapesti.

3 Prandaj, për mua është thjesht e pabesueshme se si LSDM arriti të frikësohet se do t’i humbë zgjedhjet. Sa i pa talentuar duhet të jesh për të qeverisur në mënyrë që të vish në një gjendje që të të mundë ky version i VMRO-DPMNE-së?  Me asgjë.  Duke bërtitur “Ua”.

Kryetari i Komunës së Qendrës, Sasa Bogdanoviç, katër muaj para zgjedhjeve lokale, në fillim të fushatës “Më e mira për komunën tonë” doli një mëngjes dhe vendosi të presë 13 pemë. Ku? Në mes të komunës ku ata shpresojnë më së shumti për fitore dhe madje e konsiderojnë atë të sigurt. Në komunën ku lindën rojet e parkut kur Koce Trajanovski preu 47 pemë brenda një nate. Në komunën ku për herë të parë u krijua një model në të cilin organizatat e shoqërisë civile ishin të përfshira në qeverisjen lokale. Aty ku qytetarët janë më të zëshmit, ku kërkojnë analiza, rebelohen kundër planeve urbane, ku masin çdo fjalë. Kryetari i bashkisë doli një mëngjes dhe i vuri flakën vetes!

Pse i shndërrojnë në armiq ata njerëz të cilët ua munduar fitoren në fillim?  Për LSDM-në me siguri nuk do të votojnë ata me flamujt e Kutleshit.  Nuk do të votojnë as klientët e Gruevskit, të cilët janë futur nëpër shërbimet publike në pritje të K-15. Ama fitorja e LSDM-së varet nga votuesit që kryeministri Zaev i quan ankues.  Nga ata që numërojnë pemët, gropat, që ankohen se ka dy muaj që nuk ka targa të makinave, ndërkohë Oliver Spasovski i bind se ka, nga ata që nuk duan të komplikojnë jetën e tyre e të marrin dy herë rrugën për Nish dhe Beograd e të duhet të presin pafund në kufi, ku bie sistemi i leximit të dokumenteve, nga ata që fotografojnë mbeturinat përgjatë rrugëve dhe rrënojat e hedhura në male, nga ata që kërkojnë të ketë gjoba për parkim në një zonat kombësore…

Ankues të tillë i duhen LSDM-së.  Që nuk do ta duartrokasin qeverinë për çdo vrimë të mbyllur në rrugë. Që nuk do t’i kujtojë politikanët se kur hynë në politikë duhet të kenë qenë të vetëdijshëm se ndodhen aty në mënyrë që të sigurojnë shërbim më të mirë dhe kushte më të mira jetese për qytetarët. E jo që të sigurojnë jetë më të mirë vetëm për veten e tyre.

4 Sipas urdhrit të Biden, përveç marrëveshjeve të Ohrit dhe Prespës, askund nuk thuhet nëse pjesa në lidhje me korrupsionin i referohet qeverisë apo opozitës. Pra, nëse do të isha në vendin e LSDM-së, së pari do të shikoja listat e brendshme. Në atë listën e zezë që administrata amerikane mori urdhrin për të azhurnuar dhe zgjeruar, ndodhet tashmë një person që ishte këshilltar i Zaev. Dhe një partner i koalicionit. Le t’i kontrollojë mirë e mirë emrat dhe kompanitë që vendos në listat e bashkëpunëtorëve Zaevi. Le të bëjë një krehje të mirë. Le të marrë nga ai krehëri me dhëmbë të shpeshtë, për pastrimin e morrave. Jo nga ata për model të ri flokësh.  Sepse – mesazhi i partnerit strategjik është:  Nëse nuk i vendosni të korruptuarit në listën tuaj të zezë, atëherë ne do t’i vendosim në tonën.

5 Në fund të fundit, përsëri BDI do të jenë fituesit më të mëdhenj. Ata përpiqen të zbardhin faqet e tyre me atë që tani është në modë – do të bëhen parti e gjelbër. Iu kthyen parimeve burimore. Në pyll. Këtë herë ata supozohet të mbrojnë pyllin, sepse me ndërtimet, deponitë dhe prerjet ilegale, ata vetëm sa paskan testuar nëse pylli mund t’i rezistojë idesë së tyre të ekologjisë dhe braktisjes së nacionalizmit.

Ali Ahmeti me mençuri heshti rreth urdhrit të Biden. Edhe deri më tani ata kanë pasur kandidatë të tyre që ndodhen lart në listë. Lënë hapësirë për të mos u habitur, se mos ndodh që të shohin ndonjë emër të ri të njohur.

Përktheu: Fjolla Zllatku

 

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира