BULLGARIA ARMIQËSORE

Dhe çfarë mund të konkludojmë pas Samitit të paqëllimtë të BE-së në Slloveni? Se Bullgarinë e kemi armik, ndërsa Bashkimit Evropian nuk i bëhet fare vonë për këtë.

1 Vallë, Zoran Zaevi ende beson se me përqafimet e tij do t’i bindë politikanët bullgarë ta ngrenë veton për fillimin e negocimeve me BE-në? Imagjinoni, mbërritëm deri aty që të shihnim se si ai deklaron se kushtet që presidenti bullgar Rumen Radev i ka thënë në Samitin e BE-së të Ballkanit Perëndimor në Slloveni janë ofenduese për maqedonasit.
Shyqyr më në fund iu tek, se më parë shkrihej me ato fjalë të ëmbla për “vëllezërit”, “miqtë” dhe fqinjët, nxirrte teza për ngjashmërinë e gjuhës, çfarë rrënjësh paska pasur, kërkonte histori të përbashkët, do ta fshinte fjalën “fashistë bullgarë” nga përmendoret e viktimave të okupatorit fashist bullgar…Iu desh të merrte rolin e linguistit, historianit dhe ruajtësit të varreve dhe pllakave të përmendoreve, që t’i kujtohet se ajo që bullgarët kërkojnë është ofenduese.
Vetëm kjo mund të jetë përfitim nga Samiti në Bërdo-Kranj të Sllovenisë, ku Bashkimi Evropian solli konkluzionet e njëjta si në Samitin e Selanikut në Porto Karas para 18 vjetësh. Se edhe Zaevi, pas të gjitha nënçmimeve që vetë i duroi gjatë një viti e gjysmë të kaluar nga bllokimi bullgar dhe pas të gjitha gjërave që shkaktoi te shteti i vet, më në fund u ofendua. Hiqej si i verbër për dy vjet e tani përnjëherësh – Hej, ore, ky po më ofendon. Me një mik si Bullgaria, dushmanë të mos kërkojmë fare.

Vetëm, nuk e di se pse akoma lëvdohet duke thënë se ndoshta procesi do të zhbllokohet pas zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare në Bullgari në 14 nëntor. Kushdo që të vijë për president, kushdo që të formojë qeveri- njëlloj do të jetë. Kjo ndarje masovike e pasaportave bullgare maqedonasve, për të cilën Radevi thotë se janë bullgarë të diskriminuar në Maqedoni, nuk ishte vetëm për mbledhje të ryshfeteve për bashkëpartiakët e Karakaçanovit. Shteti bullgar nuk i ndan aq kollaj pasaportat e tij për qytetarët maqedonas që kërkojnë punë në BE. Kjo është një politikë bullgare e cila tek tani do të fillojë t’i shkaktojë dëme Maqedonisë. Dhe këtë gjë presidenti bullgar Radev qartësisht e lajmëroi para partnerëve të tij evropianë në Slloveni.

Në fakt, Radevi, me kërkimin për bullgarizimin e Maqedonisë tha qartësisht se Bullgaria është armiku më i madh i Maqedonisë. As një thërrimë nga miqësia të cilën e pretendojnë nuk e kanë treguar gjatë dy viteve të fundit. E ndërkohë kemi nënshkruar Marrëveshje për miqësi. Ata e shkelën marrëveshjen dhe u shpallën vetë për armiqë. Krijuan edhe një gjeneratë që do të vuajë nga urrejtja. E sa më shpejt maja e shtetit ta kuptojë faktin se kemi të bëjmë me një armik, aq më shpejtë do të konsolidohemi se lajkatimi nuk paska qenë një strategji e mirë. As për jashtë, e sa për këtu – aspak. Pasi këtu nuk bëhet fjalë për karrierën politike të Zaevit, por për mbijetesën e shtetit.

2 Çfarë tjetër mund të jetë, nëse jo armiqësi, që të shpikësh argumente idioteske për dikë, ta malltretosh e t’ia nxish jetën dhe këtë ta bësh në mënyrën më të hapur e më të paftyrë? Kush, në mes të Evropës në dekadën e tretë të shekullit 21, do të mund të kishte imagjinuar se dikush do të të thotë: Ti nuk ekziston dhe nuk do të ekzistosh përderisa unë jam anëtar i BE-së? Dhe për më tepër, nga ana e BE-së në shekullin 21 vazhdon përgjigja e njëjtë si në shekullin 19 – Ata ndodhen në perandorinë tonë, ndërsa ju – jo.

Dhe çfarë mund të konkludojmë pas Samitit të paqëllimtë të BE-së në Slloveni? Se Bullgarinë e kemi armik, ndërsa Bashkimit Evropian nuk i bëhet fare vonë për këtë.

Jo se shteteve të BE-së u pengon se gjashtë shtetet e Ballkanit janë si një gropë e zezë në mes të Evropës, me rrezik të përditshëm për jostabilitetin e kufijve të tyre. Por, momentalisht nuk i pengon. Me sa duket, do të duhet të na dhembë shumë këtu, në rajon, që edhe atyre të fillojë t’u pengojë. Mos dhashtë Zoti të përsëritet ajo histori ballkanike.

Bullgarët janë kapur për të kaluarën tonë sepse nuk mund të përballojnë të kaluarën e tyre. Dhe derisa kjo Bullgari evropiane nuk ftillohet nga ëndrra e Bullgarisë sanstefanike të vitit 1878, ne nuk do të mund të realizojmë ëndrrën tonë të Bashkimit Evropian. Por nga ëndrrat nuk jeton njeri. Duhet gjetur një zgjidhje.

3 Të hënën është 11 tetori. Do të shënojmë 80 vjet nga fillimi i luftës antifashiste. Do të debatojmë nëse duhet të fshijmë “okupator fashist bullgar” nga përmendoret e viktimave të fashizmit. Që të hyjmë në BE.

4 Rezultatet e para nga hetimi i zjarrit në spitalin modular të Tetovës bënë të ditur se arsyeja e tragjedisë, ku humbën jetën 14 njerëz ka qenë kontakti i kabullit të defibrilatorit i lidhur me një kabull vazhdues. Andaj edhe kryeministri Zaev nuk i pranoi dorëheqjet e ministrit të shëndetësisë Venko Filipçe dhe Ilir Hasani. Se, fajin e ka kabulli.
A thua se, kabulli është lidhur vetë për defibrilatorin. A thua se nuk ka rregulla se si të përdoret ky defibrilator, sidomos nëse pacienti është lidhur me sjellës të oksigjenit. A thua se nuk dihet se përdorimi i kabullit vazhdues është rrezik për aparate më të vogla.

Por, pse po diskutojmë për rregulla dhe protokolle, kur në këtë Kovid qendër për të sëmurit janë përkujdesur familjarët. Në departamentin infektiv, në mes të pandemisë, ka hyrë kush ka dashur, e ne diskutojmë në mënyrë akademike për sigurinë e kabullit vazhdues.

Pse po diskutojmë për rregulla e protokolle, kur drejtori i spitalit Florin Besimi në mënyrë të paligjshme ka qenë drejtor i ngarkuar me detyrë për 11 vjet. Askush deri më tani nuk ka thënë se si mund të jetë dikush drejtor i ngarkuar me detyrë për plot 11 vjet, po qoftë edhe të ketë qenë nga BDI, apo vëlla i ministrit të financave.

Filipçe dhe Hasani nuk janë fajtorë për zjarrin, sepse ata nuk e kanë sjellë kabullin vazhdues në spitalin e Tetovës. Por, nuk mund të ikin nga përgjegjësia e udhëheqjes së politikave në shëndetin publik, që çoi deri në këtë tragjedi. Andaj, Zaevi duhej t’ua kishte pranuar dorëheqjet.

Përktheu: Fjolla Zllatku

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира