1 Qeveria e rriti rrogën minimale të punëtorëve. Tani duhet ta rritë edhe atë të jopunëtorëve. Nga Sindikata e punëtorëve shtetërorë dhe publikë të ministrive, nga Qeveria, Kuvendi dhe një mori agjencish të njohura dhe të panjohura u kërcënuan se do të organizojnë protesta, ngaqë mund të ndodhë që disa prej anëtarëve të tyre në rritjen e fundit të rrogës minimale prej 18.000 të kenë një rrogë paksa më të madhe nga ajo që kanë tani, gjë e cila në sy të tyre do të kishte qenë “nënvlerësim dhe përbuzje”.
Nuk bëhet fjalë për arsimtarë, mjekë, policë, ushtarë që paguhen nga buxheti, por për atë ushtri gjigande të referentëve, ndihmësve, këshilltarëве të ndihmësve, shoferëve, sekretareshave, të rinj e të moshuar me vende pune të shpikura, që me vite të tëra rekrutohen nga partitë, ashtu siç secila vjen në pushtet. Gjithkund ku janë futur, e kanë bërë këtë gjë në bazë partiake apo etnike, e gjithmonë kur ke nevojë për ta, nuk janë aty. Për ta qenka përbuzje të kenë rrogë më të lartë se rroga minimale e punëtorëve. Ndërsa nuk është përbuzje që punëtorët me rrogën e tyre minimale të fitojnë edhe për rrogat e administratës publike.
Aq të privilegjuar e konsiderojnë veten pa asnjë pikë turpi, sa që as nuk përpiqen të fshihen, dhe lejojnë që Sindikata t’i thotë fjalët “përbuzje” dhe “nënvlerësim” ngase nuk ua kanë rritur rrogën punëtorëve nga të cilët ata fitojnë rrogën. Kanë marrë fuqi. Kanë një histori me përpjekje. Kush e di se sa valle kanë hedhur nëpër netët e komitave, sa pllakate kanë ngjitur, në sa tubime kanë valuar flamuj, sa orë kanë derdhur duke ndejtur para kompjuterit të zhytur në rrjetet sociale, kush e di se sa para u kanë dhënë pushtetarëve lokalë partiakë. Dhe tani partitë nevojitet ta mirëmbajnë këta votues. Kjo nuk është administratë publike. Këta janë votues publikë. Dhe administrata është një administratë partiake e cila na hiqet si administratë publike. Demek, janë në shërbim të qytetarëve, kur në të vërtetë janë në shërbim të partisë që i ka punësuar.
Qytetarët – e pashërbyer. I lusnin që të paraqiten në punë, gjatë kohës së pandemisë, nuk shkonin në punë, e u pa se shtetet dhe komunat funksionokan edhe pa ta. E më pas nga e gjithë ajo e ndejtur në shpi i shfrytëzuan edhe pushimet, e madje kërkuan t’u japin edhe K-15. Askënd nuk mund ta përjashtojnë nga puna për mospunë, ndërsa edhe ata që i përjashtuan, gjykata i ktheu, e madje ua kompensoi rrogat e papaguara. Gjithçka që bëhet në këtë shtet bëhet në mënyrë që ata të jenë të kënaqur, në mënyrë që të votojnë.
Do të jepen subvencione pafund pasi duhet të votohet. Kjo është motoja e çdo qeverie të deritanishme.
2 Për mirëmbajtjen e makinerisë votuese nuk përdoren vetëm paratë dhe një qasje të privilegjuar drejt tenderëve shtetërorë. Se ku kanë shkuar paratë nga pagat minimale të punëtorëve duket edhe nga shembulli i Tetovës. Atje, krahas 300 të punësuarve të rregullt në administratën komunale, kryetarja e mëparshme Teuta Arifi ka angazhuar edhe 544 të tjerë me honorar. Imagjinoni, deri në atë pikë nuk kanë punuar në mënyrë të rregullt punëtorët, sa është dashur të angazhohen edhe këta të tjerët me honorar.
Mirë ama, kryetari i ri Bilall Kasami ka zbuluar se vetëm në vitin 2021, prej 554 personave me honorar, 224 nuk kanë bërë asnjë punë. Për më tepër që, sipas listave të pagesës, doli në pah se shumë pak maqedonas kanë pasur se çka të ofrojnë për Tetovën multietnike, e se Teuta nuk ka vepruar edhe kaq sipas Badenterit dhe përfaqësimit të drejtë në pagesën e honorareve. Ama prandaj ka paguar dikë që jeton jashtë shtetit. Dhe është normale se ata nuk mund ta kryejnë punën për honorarin që kanë marrë. Imagjino që çdo ditë të duhet të vish nga Zvicra.
Në atë qytet ku nuk ka ujë për pirje, që po mbytet prej mbeturinave dhe smogut, ku nuk funksionon as parkingu e as komunikacioni normal rrugor, për qeverinë lokale të BDI-së kanë qenë më të rëndësishme honoraret e njerëzve që do t’i sjellin vota, e andaj këtë besnikëri partiake e kanë blerë me 900.000 euro për honorare nga buxheti i komunës. Ndërkohë, qeveria qendrore i transferonte para Tetovës për të ulur nivelin e borxheve. E këtë gjë nuk e bëjnë komandantët e BDI-së. Këtë e bën ana intelektuale, njerëzit e arsimuar si Teuta Arifi, e cila kishte ambicie të bëhej ambasadore në Uashington. E nëse nuk bëhet, koalicioni mund të prishet. E për më tepër Kasamit i konvenon që të merret më pak me të, e më shumë me Tetovën. Po ajo, që nuk merrej me Tetovën ndërkohë që ishte kryetare?
Kasami tani kërkon prej atyre që nuk kanë punuar t’i kthejnë paratë. Në mënyrë shumë entuziaste. Ata nuk mund t’i përjashtojnë të punësuarit që nuk vijnë në punë, e le më personat që marrin honorar e që as nuk jetojnë këtu, t’i detyrojnë që t’i kthejnë paratë.
3 Maqedonia nga grupi i shteteve me “regjim hibrid” sivjet përparoi në “demokracinë me mangësi” në Indeksin e demokracive të grupit hulumtues të “Ekonomist”. Sipas pesë kritereve përmes të cilave kryhet rangimi, në katër fusha mban notë mbi atë mesataren 6.03, dhe vetëm në fushën “kulturë politike” nota është shumë më e ulët – 3.13.
E për ç’kulturë politike të flasim kur, për shembull, lideri i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski në një postim të vetëm në Fejsbuk, dhe madje në një fjali të vetme mund të arrijë të ofendojë tre njerëz? Ashtu siç bëri pas nënshkrimit të marrëveshjes për rrogë minimale dhe mospranimit të LSDM-së në Kuvend që të sjellë deklaratë për Goce Dellçevin: “çfarë turpi, sipas matricës të pronarit të vërtetë të Kovaçevskit, Zoran Zaev, ne mënyrë spektakolare u arrit marrëveshja me shërbëtorin e sindikatës në lidhje me rrogën minimale”.
Një gjë është të mos jesh dakord me dikë, e diçka komplet tjetër është të mos kesh kulturë. Kanë ata në parti edhe të tjerë që dinë të thonë se nuk janë dakord, por janë të thjeshtë. Ja ku e kanë Timço Mucunskin, Gordana Siljanovskën, Sasho Klekovskin…janë të VMRO-së, por flasin në mënyrë të kulturuar. E jo – ti je idiot, kriminel, mafioz, narkoman, piun, shërbëtor , budalla – dhe duhet ta varrim në mes të sheshit.
Nga lideri duhet të vijë dhe hapi i parë. Nuk kemi të bëjmë me bote anonime partiake. Nuk flasim për ofendime në rrjetet sociale. Flasim për liderin e partisë më të madhe opozitare. Por Mickoski bëri që fjalimi i jokulturuar të jetë normë. Dhe kjo gjë përçohet përmes komunikatave partiake, konferencave të shtypit, deklaratave të zëdhënësve. Nuk e di se si jetojnë me kaq shumë urrejtje dhe mllef. Ndërkohë që Dimitar Apasievi i Levicës vetëm sa mbindërton atë që Mickoski bën normalisht. E ajo që është më tragjike është se të dy janë profesorë universitarë.
Nuk janë as këta të LSDM-së diçka më të kulturuar sipas asaj se si duken komunikatat partiake, edhe pse në shfaqjet publike, funksionarët e tyre megjithëkëtë mbajnë një nivel. Veçse të mos shkojnë pas populizmit të thjeshtë të Mickoskit dhe Apasievi,t, ashtu si shkuan pas PR thjeshtak të Gruevskit që lëvdonte arritjet e Qeverisë. Ashtu si kur qeveria tani rritjen e pagës minimale e promovon me një të kthyer nga Gjermania i cili thotë se 18.000 janë më se mjaftueshëm për një jetë të mirë.
4 Pas katër vitesh dhe në gjykimin e tretë të përsëritur të lëndës së PSP “Titanik”, disa nga kulmi i VMRO-DPMNE-së së atëhershme, siç ishin Gordana Jankullovska, Martin Protugjer dhe Mile Janakieski pranuan fajin se kanë marrë pjesë në mashtrime në zgjedhje dhe u kërkuan falje atyre që janë ndier të fyer nga ajo që kanë dëgjuar në bisedat e përgjuara.
Mickoski mund të helmohet sa të dojë në paraqitjet e tija publike. Por, nuk mund të ketë fytyrën të akuzojë për krime dhe qeverisje mafioze derisa nuk kërkon falje për krimet dhe mafiozllëqet e partisë së tij. E gjithë ajo ndotje e hapësirës publike që e bën në deklaratat e përditshme nuk do ta mbulojë faktin se partia e tij ka vjedhur në zgjedhje dhe e ka vjedhur shtetin. Ndërkohë lideri i braktisi e iku në Budapest që t’i shpëtojë gjykimit për vjedhje.
5 Kryeministri Dimitar Kovaçevski i ka raportuar kryeministrit bullgar Kiril Petkov mbi rastin me vitrinën e thyer të kioskës për qirinj dhe lule në varrezat e Manastirit, pronë e sekretarit të shoqatës bullgare “Vanço Mihajllov”. Gruaja e tij e mëparshme ia ka thyer xhamin, e ai është paraqitur në konsullatin bullgar që të ankohet dhe, ndarja e keqe e bashkëshortëve u bë çështje ndërkombëtare.
Mirë që Kovaçevski ia ka shpjeguar dramën Petkovit, përndryshe për pak do të kishim pasur edhe një pengesë tjetër për fillimin e negociatave me BE-në. Por, tashmë kur Petkovi ka pyetur se çfarë po bëjmë me xhamin e bullgarit nga Manastiri, Kovaçevski ka mundur ta pyesë: Po çfarë bën Bullgaria, anëtare e BE-së, me 16 gjykimet nga Gjykata evropiane në Strasburg për të drejtën e një minoriteti maqedonas në lidhje me regjistrimin e shoqatave të tyre? Apo kjo gjë nuk pyetet, se Petkovi tha se temën e minoriteteve maqedonase në Bullgari as që dëshiron ta diskutojë. Ndërkohë që ne pranojmë diskutime për çfarëdolloj gjëje.
Nuk e di se deri ku do të shkojmë me shkatërrimin e dinjtietit tonë në çështjen me Bullgarinë. Kur kanë folur dy kryeministrat, mbase Kovaçevski i është arsyetuar Petkovit – ja tani ne u futëm në aksion dhe zbuluam se kush e ka thyer xhamin – ka mbledhur guximin dhe e ka pyetur: Po ju çfarë do të ndërmerrni në lidhje me shkeljen e të drejtave njerëzore në shtetin tuaj – anëtar të BE-së?
Ç’periudhë e ndjeshme që erdhi në rrugën drejt BE-së, nuk guxon as ta shohësh fytyrëngrysur dikë që ndjehet si bullgar. Direkt mund të të paraqesë në konsullat. Direkt Petkovi i paraqitet Kovaçevskit.
Përktheu: Fjolla Zllatku