1 U gëzova shumë me fitoren e kombëtares së futbollit të Maqedonisë kundër Italisë. Unë jam ende në humor të mirë. Edhe fotografisë, kur e pashë ministrin e drejtësisë Nikolla Tupançevski, në shoqërinë e kryetarit të gjykatës në Kavadar Llazar Nanev dhe prokurores së lartë publike Fatime Fetai, nuk i kushtova rëndësi. Ndonëse, kjo është dalja e parë më e dukshme publike e ministrit të drejtësisë që nga zgjedhja e Qeverisë së Kovaçevskit.
Pastaj mu kujtua. Më habiti pak kombinimi i ministrit të drejtësisë, prokurorit të lartë publik dhe kryetarit të gjykatës sëbashku në futboll, e për më tepër në Palermo të Italisë. Jo se nuk mund të përballojnë një biletë futbolli dhe një udhëtim në Itali, por pyes veten, a u gjendën rastësisht në të njëjtën lozhë, a shoqërohen me njëri-tjetrin privatisht, mos ka pasur në Palermo ndonjë punëtori të BE-së për sundimin e ligjit, për luftën kundër korrupsionit dhe reformat gjyqësore, për llogaridhënie dhe qeverisje të mirë… Ose, thjesht, kanë zënë lidhje në Federatën e futbollit të Maqedonisë. Ndërkohë që të tre janë njerëz me ndikim. Asgjë në jetë nuk është falas.
Por edhe sikur të kishin shkuar privatisht, a kanë marrë, vallë, pushime, a kanë hapur pushim mjekësor, a u kanë miratuar mungesën e papaguar, a i kanë deleguar përgjegjësitë e tyre për periudhën kur nuk kanë qenë në punë…. Imagjinoni sikur të deshin tani të shkojnë edhe në Portugali, e ndërkohë t’i kenë shpenzuar të gjitha ditët e lira.
Ditën kur Ministri i drejtësisë valëviste flamurin maqedonas në Palermo, në Shkup kishte një lloj Konferencë ndërkombëtare gjyqësore në të cilën ambasadorja e SHBA-së Kate Burns, duke cituar një sondazh të Eurothink, tha se “vetëm 8% e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut kanë besim te gjyqësia dhe prokuroria”. Tupançevski nuk ka humbur asgjë të rëndësishme prej faktit se nuk ka mundur të jetë i pranishëm në atë konferencë. Ambasadori amerikan nuk ka zbuluar asgjë të re që nuk e dinte më parë.
Edhe pse, të them të drejtën, duket pak konfuze që 8% e qytetarëve besojnë në gjyqësi. Mos kanë bërë ndonjë gabim me anketimin? Si mund të jenë kaq shumë?
2 Gëzimi është i madh, por ajo që më mërzit është kur shoh adoleshentë në rrugë se si festojnë fitoren sportive të Maqedonisë duke bërtitur: “Maqedoni e pastër” dhe “Vetëm shiptari i vdekur është shiptar i mirë”. Disa prej tyre kishin veshur dresa dhe dukserë të Xhani Alijoskit dhe Arian Ademit.
Cila është ajo matricë mendore në mendjen e këtyre të rinjve, që në momente ekzaltimi të urojnë vdekjen e dikujt që i ka bërë të lumtur? E për më tepër, nga ky gëzimi kaq i madh, kanë veshur dhe emrin e tij. Edhe rruga po t’i kishte edukuar, nuk do t’i kishte edukuar që të gëzohen kështu për suksesin e shtetit të tyre.
3 Me një grant prej 300,000 dollarë nga një organizatë filantropike amerikane do të konzervohet Pallati teodosian në Zonën arkeologjike të Stobit. Disa njerëz që kanë jetuar këtu, që në shekullin e katërt kanë arritur të ndërtojnë një pallat për perandorin romak. Ndërsa ne, shtatëmbëdhjetë shekuj më vonë, nuk mund të mbrojmë atë që ndërtuan të parët tanë. Epo amerikanët do të na paguajnë.
Ç’është e drejta, amerikanët i detyrohen vetes të kryejnë punën e tyre. Në vitin 2003, filluan gërmimet arkeologjike në Forumin Romak në Stobi me para nga buxheti amerikan. Tani le të vazhdojnë aty ku e lanë.
Nga fondi i ambasadorit amerikan për ruajtjen e trashëgimisë kulturore, deri më tani janë investuar 1,4 milionë dollarë në 15 projekte në Maqedoni. Me paratë e taksapaguesve amerikanë u restauruan afresket dhe objekti i kompleksit të manastirit dhe kishës “Sveti Bogorodica Perivlepta” në Ohër, u mbrojtën afresket e hershme të krishtera dhe pagëzimorja e Bazilikës Episkopale në Stobi, dorëshkrimet sllave dhe greke të shek.9 dhe 10 në Ohër, është adaptuar hamami turk në Tetovë në Galerinë ncionale, është konzervuar fasada e Xhamisë së larme në Tetovë, janë mbrojtur gjetjet arkeologjike në Heraklea, është konzervuar manastiri “Sveta Bogorodica” nga shekulli 11 nga Veljusa dhe Çifte hamami në çarshinë e vjetër të Shkupit.
Pse e bëjnë këtë? Epo dihet. Sepse janë imperialistë që duan të dominojnë botën. Sepse duan të na shpërfytyrojnë. Të na e marrin emrin dhe identitetin tonë maqedonas. Kanë shkuar deri në atë pikë, saqë në vitin 2004 kanë rinovuar çatinë dhe muret e “Sveti Spas” në Shkup, kishën në oborrin e së cilës është varri i Goce Dellçev. Sepse atëherë KOM nuk ka pasur 30.000 dollarë për t’i dhënë. Kursente për të ndërtuar apartamente brenda shumëkatsheve.
Por jo. Ne do ta lartësojmë Putinin, sepse ai ishte mbrojtësi i ortodoksisë. Ndërsa kisha ruse nuk e njeh kishën maqedonase. Siç nuk e njeh as kishën e Ukrainës, sepse nuk i njeh ukrainasit si të gjallë.
Bëhet fjalë për të njëjtën matricë mendore si fëmijët që e quajnë veten “Maqedonia e pastër”, ndërsa veshin bluza me emrin e Ademit. Ukraina është fajtore për agresionin që Rusia ka kryer kundër saj.
Kësaj punë i thonë të ëndërrosh për jetë në perëndim, e ndërkohë ta duartrokasësh Rusinë. Të luash llotarinë për të shkuar në Amerikë, të regjistrohesh në listën e pritjes për vizë pune për në Gjermani, të shpikësh një origjinë bullgare për të marrë pasaportë bullgare, të jetosh në demokraci si Britania, Holanda, Suedia, Norvegjia, dhe në të njëjtën kohë ta admirosh Putinin dhe dorën e tij të fortë. Ta paraqesësh Rusinë si një mburojë të majtë kundër imperializmit perëndimor, e ndërkohë t’i admirosh oligarkët rusë që mbajnë pasurinë kombëtare të naftës dhe gazit si luks vetëm për fëmijët e tyre që jetojnë në Perëndim.
Diagnozë komplekse.
4 Në debatin e organizuar nga Ambasada gjermane në Shkup, Suzane Shuc, drejtoresha e Ballkanit perëndimor në Ministrinë e punëve të jashtme në Gjermani tha se në kontekstin e agresionit rus në Ukrainë “ky është momenti që shtetet e Ballkanit perëndimor të vijojnë me reformat, por edhe me të vërtetë të zgjedhin se në cilën anë qëndrojnë”.
“A jeni për BE, apo jeni për Rusinë, kundër BE-së?”, pyeti ajo.
Kjo pyetje nuk vlen për ne në Maqedoni. Ne kemi vendosur. Tashmë jemi anëtare të NATO-s dhe e dimë se ku i përkasim. Ne kemi dashur të jemi pjesë e BE-së për tridhjetë vjet.
Pyetja është nëse BE-ja ka vendosur. A jeni pro anëtarësimit të Maqedonisë dhe Ballkanit Perëndimor në BE? Apo do të na lini në duart e Rusisë?
Përktheu: Fjolla Zllatku