KTHE VAJIN

Ky është shteti. Një ndërtim i madh pa leje. Dhe gjëja më e frikshme është se kjo nuk i pengon askujt. Edhe nëse na pengon, kujt t'i ankohemi, kur nuk u pengon as atyre që i paguajmë për t'u shqetësuar.

KTHE VAJIN

1 A beson dikush se do të zbardhet shkaku i zjarrit në zonën e ish-fabrikës së mobilieve “Treska” në komunën Qendër të Shkupit? A beson dikush se do të ketë një hetim për shkakun e zjarrit? Edhe nëse do të bëhet një hetim, edhe nëse do të zbulohet ndonjë arsye banale, a do ta besojë ndokush se zjarri nuk u ndez për të ulur vlerën e tregut të parcelave në të cilat do të ndërtohen ndërtesa? Një spital i tërë në Tetovë u dogj, u dogjën 14 persona, kështu që hetimi përfundoi me kabllon si i dyshuar kryesor për zjarrin dhe tani duhet të presim hetim për zjarrin pa viktima në tokën ndërtimore super atraktive në qendër të qytetit. Nuk jemi aq naivë.

Askush nuk u beson institucioneve. As në atyre në pronë të shtetit as atyre të komunave. Kur flasim për tërbimin urban, tashmë duhet të ndryshojmë terminologjinë. Ata që kryetarët e komunave i quajnë “investitorë” nuk janë investitorë. Investitori sjell përparim. Investitori nuk do të shkaktonte zjarr në mes të kryeqytetit, nga i cili, për fat, vetëm na mori frymën. Dhe ne duhet të ndalojmë së pyeturi “si nuk kanë turp!?”. Turp!? Kushdo që mendon se një ndërtues do të hiqte dorë nga miliona fitim sepse duhet t’i vijë turp për këtë, nuk është në rregull me kokën. Pse dikush do të hiqte dorë nga fitimi kur nuk ka kush ta ndëshkojë? As me forcën e ligjit, as me forcën e elektoratit. Sepse këdo që ta votojnë qytetarët, e kanë njësoj. Qeveria shoqërohet vetëm me ata të cilëve mund t’u marrë para për vete. Ata aktrojnë sikur mbrojnë interesin publik në zgjedhje. Dhe sapo vijnë në pushtet mbrojnë vetëm interesat e të ashtuquajturve investitorë.

Kudo në vendet që i shohim si model,  ka pronë private. Dhe kudo mbrohet kapitali privat. Dhe kudo ka afaristë që merren me ndërtim. Megjithatë, në ato vende shteti nuk bën plane urbanistike sipas dëshirës së  ndërtuesve. Komunat vendosin se çfarë do të ketë në zona të caktuara, por jo sipas tekave të ndërtuesve, por sipas interesit publik. Dhe sigurisht, në ato vende ndërtuesit nuk janë të varfër vetëm sepse qytetarët kanë  cilësi të mirë të jetës.

2 Pikërisht tre vjet më parë, në fillim të muajit prill 2019, në komunën e Karposhit shpërtheu një zjarr i madh, ku deponia e egër buzë Vardarit u dogj në afërsi të objekteve të banimit, një pikë karburanti, tre spitaleve dhe një hoteli luksoz. Ishte i fundit nga një seri zjarresh që shpërthyen në të gjithë vendin atë pranverë, duke djegur pyje, kallamishte përgjatë liqeneve, parqe kombëtare, deponi, fusha … Atëherë hetimi tregoi se deponisë në Shkup i ishte vënë zjarri qëllimisht, sepse zjarri ishte shfaqur në gjashtë vende njëkohësisht. Ministri i Brendshëm Oliver Spasovski një ditë pas zjarrit deklaroi: “Kemi tregues serioz se zjarret janë vënë për arsye politike dhe nëse e vërtetojmë këtë, atëherë bëhet fjalë për akte të rënda terrorizmi që po i bëhen shtetit“.

Dhe çfarë ndodhi me terroristët? Asgjë. Ata vetëm e zgjeruan biznesin. Nga djegia e një deponie ilegale në mes të qytetit, ata kaluan në djegien e ndërtesave të braktisura, gjithashtu në mes të qytetit.

3 Po të mos ishte i ndjeri Denis Tot hendbollist, plus një shtetas i huaj, nuk do të zbulohej se klubi i natës në parkun e qytetit në Shkup, para të cilit u vra, punonte ilegalisht për shkak se kishte ndalim për punë, dy muaj më parë. Por klubi kishte vazhduar punën, pasi kur inspektorët kishin shkuar për të dorëzuar ndalimin në shkurt, nuk kishin gjetur njeri në godinë. Në ndërkohë, kishte qenë inspekcioni i DAP-it, e kishin gjobitur për mos lëshim të faturave fiskale, madje nuk i është lejuar as të punojë.

Tragjedia është se nuk ka asgjë të pazakontë në këtë zbulim. Ndërsa askush nuk u habit kur u zbulua se autobusi në të cilin u dogjën 45 pasagjerë në aksident në Bullgari ka kaluar njëqind herë kufirin pa licencë. Ashtu si nuk qe një zbulim sensacional se pronari i stacionit të kontrollit teknik të autobusit në të cilin humbën jetën 22 pasagjerë në afërsi të Llaskarcës është edhe pronar i kompanisë së transportit në pronësi të autobusit. Askush nuk habitet që ende nuk ka një vendim gjykate për aksidentin.

Dhe pse do të habiteshin që një diskotekë funksiononte pa licencë, në një shtet ku teatri shtetëror i sapondërtuar në Veles kishte punuar shtatë vjet, me shfaqje, punonjës dhe publik, ndërsa nuk ishte bërë pranimi teknik dhe nuk ishte lëshuar leja për përdorim? Kush duhet ta kontrollojë atë, kur gjysma e administratës publike punon në objektet e “Shkupit 2014” që ende nuk kanë pranim teknik?

Ky është shteti.   Një ndërtim i madh pa leje.   Dhe gjëja më e frikshme është se kjo nuk i pengon askujt.   Edhe nëse na pengon, kujt t’i ankohemi, kur nuk u pengon as atyre që i paguajmë për t’u shqetësuar.

4 Pse flasim nëse një diskotekë në qendër të kryeqytetit në vend ka apo nuk ka  leje për punë, kur vendi nuk ka as Gjykatë Kushtetuese. Pranohet se ka një Gjykatë Kushtetuese që duhet të ketë nëntë gjyqtarë kushtetues, por nuk është funksionale sepse janë vetëm pesë. Dhe përsëri, kjo nuk i pengon askujt. Edhe sikur të na pengonte, çfarë mund të bëjmë, kur deputetëve në Kuvend nuk u pengon që ne i kemi votuar të bëjnë punën e tyre, ndër të tjera, të zgjedhin gjyqtarët kushtetues për të plotësuar përbërjen e Gjykatës Kushtetuese.

Nëse dikujt i kujtohet të vendosë një diktaturë nesër, nuk do të ketë Gjykatë Kushtetuese që do të vendosë nëse ajo është kushtetuese apo jo. Dhe kjo nuk i pengon askujt.

5 Qeveria hapi kutinë e Pandorës së masave popullsite jo-tregtare, fillimisht me një ditë jopune të dielën, më pas me pagën minimale, më pas me kufizimin e marzhave për karburantet dhe të ushqimeve bazë dhe arritën deri te vendimi i  Ministrisë së Ekonomisë se mund të blihet vetëm një shishe vaj gatimi në ditë. Vallë qeveria mendon të na regjistrojë kur të shkojmë në dyqan për të blerë vaj. Vallë a do duhet të arka të lëmë të dhënat e kartës së identitetit kur të arrijmë kuotën prej një shishe, në mënyrë që të mos shkojmë në një dyqan tjetër, apo të kthehemi në turnin e dytë?

Ministria e Ekonomisë “kërkon shitësit që në rast se një blerës kërkon të blejë sasi më të madhe vaj luledielli gjatë ditës, të njoftojnë menjëherë Inspektoratin Shtetëror të Tregut”. Si? Ata do të dërgojnë inspektorë për të kontrolluar kuzhinat tona në shtëpi, ose do të na ndjekin rrugëve sapo të dalim nga dyqani – kthe vajin, tani do të të shkruaj një gjobë.

Gjithsesi, mund të jemi të sigurt se Inspektorati i Tregut do të jetë po aq efektiv sa ka qenë me mbylljen e diskotekës përballë së cilës ndodhi vrasja ndërkohë që kishte ndalesë për punë. Inspektorët do të reagojnë vetëm nëse, Zoti na ruajt, dikush vritet pranë rafteve për vajin e gatimit. Më pas do të njoftojnë se vrasja nuk ka lidhje me veprimin e tyre.

6 Presidenti bullgar Rumen Radev në një bisedë telefonike me presidentin gjerman Frank-Walter Steinmeier tha se është në interes të stabilitetit të Evropës së bashkuar që çdo vend kandidat për në BE të respektojë vlerat evropiane që lidhen me të drejtat e qytetarëve të tij.

Pra, ata që duan të jenë anëtarë të BE-së, siç është Maqedonia, duhet të respektojnë vlerat evropiane për qytetarët e tyre joevropianë, dhe ata që janë tashmë anëtarë të BE-së, si Bullgaria, të mos respektojnë vlerat evropiane për qytetarët evropianë.

Dhe stabiliteti i një Evrope të bashkuar nuk varet nga Bullgaria evropiane që bllokon zgjerimin me veto sepse nuk njeh popullin dhe gjuhën e shtetit fqinj, por nga Maqedonia joevropiane e cila duhet të pranojë se maqedonasit janë bullgarë, gjuha maqedonase është bullgare. dhe duhet të bie dakord që të përfshijë 3500 bullgarë në Kushtetutë sipas diktatit të Bullgarisë Evropiane. Sepse është vlerë evropiane t’u thuash vendeve të tjera sovrane se çfarë duhet të shkruajnë në Kushtetutë dhe të mos respektojnë të drejtat e qytetarëve të tyre siç janë maqedonasit, të cilët nuk lejohen të kenë shoqata në një shtet anëtar të BE-së.

Kryeministri i Bullgarisë Kiril Petkov vjen në Manastir për të vizituar një shoqatë të bullgarëve, sepse Maqedonia është shtet evropian dhe mundëson bashkim të lirë të qytetarëve të saj. Kryeministri Dimitar Kovaçevski nuk mund të shkojë në Bullgari për të vizituar një shoqatë të maqedonasve, sepse Bullgaria si shtet evropian nuk i lejon shoqatat e maqedonasve. Edhe pse janë 12 vendime të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Përktheu: Fjolla Zllatku

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира