1 E gjithë ngecja me zgjerimin e e BE-së e shkaktuar nga vetoja bullgare për Maqedoninë, u përbledh me së miri nga vetëm një fjali e zëvendës kryetares Ilijana Jotova: “Kur kemi të bëjmë me shtypje, kjo shtypje le të jetë për shtetin që dëshiron të hyjë në BE, e jo për shtetin që për kaq shumë vite është pjesë e Bashkësisë”. Bravo! Sa bukur që ua plasi në fytyrë partnerëve. Sa shumë që i shkon një zëvendës kryetareje të shtetit, i cili në Luftën e dytë botërore ishte në koalicion me Hitlerin, politika e të cilit udhëhiqej sipas parimit të racës ariane. Shtatëdhjetë vjet më vonë, një zëvendës kryetare bullgare deklaron se ekzistojnë disa “mbinjerëz” dhe disa “nënnjerëz” të cilëve në shekullin 21 duhet t’u bëhet shtypje që të heqin dorë nga identiteti i tyre për t’u bërë bashkë me “mbinjerëzit”.
E pastaj, deklarata e kryeministrit Dimitar Kovaçevski se “integrimi ynë evropian ka zbritur në nivelin e të folurit për historinë, që praktikisht të gjitha shtetet e Bashkimit Evropian shoh se e justifikojnë”, paska qenë jodiplmatike dhe jo e mirëmenduar.
Mbase deklarata e kryeministrit tingëllon jodiplmatike, por kështu është. Ndoshta shtetet e tjera të BE-së nuk e miratojnë raportin e Bullgarisë ndaj Maqedonisë, por ne, në dy vitet e fundit nuk kemi dëgjuar një deklaratë të qartë nga asnjë lider të ndonjë shteti anëtar të BE-së mbi faktin se kjo gjë që po bën Bullgaria është diçka e palejueshme për vlerat evropiane. Përkundrazi. Sërish e kthyen në fjalor atë frazë greke të golgotës për çështjen e emrit – “negociata për vendim bashkërisht të pranueshëm”.
Fajin s’e ka Bullgaria, jo. Bashkimi evropian e legjitimon pikërisht atë që zëvendës kryetarja e thotë. Atë se fakti që një shtet është anëtare e BE-së i jep të drejtë për ta kundërshtuar ekzistencën e një gjuhe dhe një kombi. Nëse nuk je anëtar i BE-së të duhet të negociosh nëse ekziston apo jo. Dhe në “negocimet për një vendim bashkërisht të pranueshëm”, të vërtetosh se ekzston.
E si të mos mendojë dikush se “të gjitha shtetet e BE-së e justifikojnë sjelljen e Bullgarisë”, kur presidenti i Bullgarisë Rumen Radev, në Berlin, pas takimeve me presidentin gjerman Frank Valter Shtajnmaer dhe kryeministrin Olaf Sholv deklaron se “pozita e Sofjes ka gjetur mirëkuptimin e bashkëbiseduesve gjermanë”. Çfarë do të thotë kjo gjë? Se në BE do të ndalojnë maqedonasit dhe gjuhën maqedonase në bazë të kërkesës së një – shteti anëtar të BE-së, shkaku se ata janë brenda, kurse ne jashtë. Dhe kjo gjë do të jetë legjitime.
2 Pushteti fashist bullgar në Luftën e dytë botërore pati sukses në çrrënjosjen e hebrenjve maqedonas, por jo edhe në konvertimin e maqedonasve në bullgarë nga 1941 deri në 1943. Tani pushteti evropian bullgar dëshiron ta përmirësojë këtë mossukses historik e shpreson se në konvertimin e maqedonasve në bullgarë do ta ndihmojnë 26 shtetet e Bashkimit Evropian.
Por në shekullin 21, kjo punë nuk shkon kështu. Imagjino nesër të vijnë e të më zbarkojnë një kamion të tërë me dëshmi se si paraardhësit e mi kanë qenë bullgarë, se mbiemrat e tyre kanë qenë bullgarë, se kanë shkruar me shkronja bullgare. Kjo nuk do ta ndryshojë faktin se jam maqedonas, se shkruaj në guhën maqedonase, me drejtshkrim maqedonas, me shkronja cirilike të alfabetit maqedonas.
Bullgaria edhe tani na është një shtet armiqësor. Andaj nuk e di se pse harxhojmë kohën me një armik i cili përditë e vërteton këtë gjë me anë të kërkesës së një “vendimi bashkërisht të pranueshëm” në lidhje me atë se a jemi maqedonas dhe a e flasim gjuhën maqedonase. Ky është thelbi i çështjes.
Nuk mund të dish se kush është më jonormal. Bullgarët që kërkojnë nga maqedonasit t’ua vërtetojnë ekzistencën e tyre, apo maqedonasit që hyjnë në procesin për të vërtetuar se ekzistojnë.
Mirë, ne që humbim kohën, tashmë jemi mësuar me pritjet. Maqedonia është e përjetshme. Mirëpo, nuk mund të kuptoj se me çfarë e humbin kohën 26 shtetet e tjera – anëtare të BE-së, të pjekura demokratisht, 65 vjet pas themelimit të Bashkësisë Ekonomike Evropiane dhe 29 vjet pas mbindërtimit të saj në Bashkimin Evropian, në një kohë kur edhe disa prej liderëve të tyre pas agresionit të Putinit mbi Ukrainën, kuptojnë se çështja për stabilitetin e Ballkanit perëndimor është dhe çështje për sigurinë e Bashkimit Evropian. Nuk mund të besoj se madje edhe priftërinjtë serbë patën një këndvështrim më të arsyeshëm për të konkluduar mbi nevojën e një stabiliteti rajonal, më shumë se sa një politikë oficiale shtetërore bullgare.
Ja ku jemi, o njerëz. Këtu, jemi maqedonas, flasim gjuhën maqedonase, shkruajmë libra në gjuhën maqedonase, kemi media në gjuhën maqedonase, këndojmë në maqedonisht, aktrojmë nëpër teatro në maqedonisht, bëjmë filma në maqedonisht…Dhe nuk dua të kem t’i vërtetoj asnjeriu se ekzistoj. Është palidhje. Mos ma humbni kohën me budallallëqe.
Në shekullin 21 vetëm Putinit iu tek t’u vërtetojë ukrainasve se janë rusë dhe se gjuha ukrainase është ruse.
3 Fakti që kryetarja e Shkupit Danella Arsovka tashmë për shtatë muaj që kur është në funksion refuzon të përgjigjet në pyetjet e gazetarëve është shumë e rrezikshme. Është e rrezikshme edhe fakti që nuk erdhi në seancën për t’iu përgjigjur pyetjeve të këshilltarëve. Nuk e kam të qartë se si kryesuesi i Këshillit Trajko Sllaveski dhe këshilltarët ia lejojnë këtë gjë. Por më e rrezikshmja nga këto gjë është që me anë të kësaj sjelljeje ajo shfuqizon praktika të qytetëruara jo vetëm të një komunikimi të kulturuar, por edhe të një sjelljeje të përgjegjshme dhe transparente të një zyrtari shtetëror. Ajo nuk mund të çojë inat me gazetarët dhe askush të mos e dijë se çfarë punon, përveçse kur ajo vetë do të vendosë se çfarë të thotë se ku ta thotë këtë gjë.
Asnjë kryetar i Shkupit nuk është sjellë kështu deri më tani. E për më tepër, kur të zgjedhë se ku të shfaqet dhe të hiqet si viktimë se “e kanë sulmuar” dhe “ia kanë prishur ditën”. Por ne nuk komunikojmë me të për probleme personale. Komunikojmë në emër të qytetarëve të kryeqytetit të shtetit – të të gjithë atyreve që e kanë votuar dhe që nuk e kanë votuar.
Ndërsa, edhe më e rrezikshme se tashmë ikja e rrezikshme nga përgjigjet e një zyrtari publik është që sjellja e saj komentohet me përqeshje. Nuk është aspak gjë për të qeshur kur dikush harxhon paratë e shtetit dhe thotë “mundem”. Të përqeshësh sjelljen e saj është ta normalizosh atë. E praktikat e këqija, nëse normlaizohen, lehtësisht bëhen shprehi.
4 Ministreshë e transfmormimit dixhital në Qeverinë e re sllovene do të jetë Emilija Stojmenova Duh, e cila nga Vinica është shpërngulur në Maribor në 2002 për ta vazhduar dhe përfunduar gjimnazin matematikor.
Drejtoreshë e ekipit për reforma të administratës publike në Kabinetin e kryeministres së Serbisë Ana Bërnabiq është Marta Arsovska-Tomovska, ish ministreshë për shoqërinë informatike dhe aministratën publike.
Dy elektroinxhinere nga Maqedonia do të punojnë në dixhitalizimin e shërbimeve publike të dy shteteve të rajonit. Më shumë dixhitalizim, administratë më efikase. Më shumë dixhitalizim, transparencë më e madhe. Më shumë dixhitalizim, më pak administratë. Më shumë dixhitalizm, më pak korrupsion.
Ndërkohë neve këtu shërbimet shtetërore ende na kërkojnë vula në fletëpagesa bankare. Ti kryen punën online dhe pastaj pret në sportel që atyre t’u mbarojë pauza që të përfundosh atë që tashmë është përfunduar. E tani do të presim që të përfundojë edhe greva e zyrtarëve të librave amë, sepse përndryshe do të radikalizoheshkan. Ata që për një vit kanë nxjerrë më shumë se 20.000 dokumente me të dhëna të gabuara personale.
Kush e di se edhe sa qindra e mijëra Emilija dhe Marta janë larguar për t’i përmirësuar kushtet e jetës për qytetarët e shteteve të tjera. Të kishin mbetur këtu, jo vetëm që nuk do t’u ishte lejuar që të bëjnë sistem të dixhitalizuar, i cili do të ulte edhe numrin e administratës, do ta ulte mundësinë e gabimit dhe do ta ulte korrupsionin, por akoma tani do të ishin duke humbur kohën me ne në ndonjë korridor të paajërosur, duke pritur në mënyrë të përbuzur para derës së kyçur ku shkruan “Kthehem menjëherë”.
Sllovenia e ka Emilijën, Serbia e ka Martën, ndërsa ne e zgjodhëm Danellën. Secili zgjedh sipas nevojës.
Përktheu: Fjolla Zllatku