1 Vaj medeti për paratë që japin amerikanët për luftën kundër korrupsionit në Maqedoni. Në radhën e granteve, këto 10,3 milionët e fundit që jep USAID për zhvillim të shteteve, thanë se gjysma do të shkojnë për luftën kundër korrupsionit. Ambasadorja amerikane Kejt Bërns tha se “me padurim presin të shohin se në ç’mënyrë do të kthehet ky investim”.
Epo, do të presin më shumë nga ç’shpesojnë. Lufta kundër korrupsionit ka rënë në nivelin e 127 trajnimeve për kod etik të funksionarëve të sapozgjedhur dhe testeve të integritetit, me zv. kryeministrin Artan Grubi që thotë se “fjala përqindje nuk mund t’i referohet provizionit, por realizimit të luftës kundër korrupsionit”. Nuk besoj se edhe vetë Grubi beson në atë që thotë. Vetëm nëse e ka ndërmend të bëjë shaka.
Gërkovska nuk mund të organizojë aq trajnime dhe teste për integritet, e as të zbatojë gjë prej tyre. Sepse e dimë se si pozicionohen funksionarët. Kjo partokrati në shoqëri tashmë është aq e normalizuar, sa askush nuk aktron se nuk është ashtu, e aq më pak të turpërohet. Hapërsia për rezistencë jashtëpartiake, po madje edhe në sport apo estradë është ngushtuar aq shumë, saqë një jetë jashtë partisë është thjesht joekzistente.
Faleminderit amerikanëve që japin para që të na bëjnë një shoqëri normale demokratike, por as këto 10 milionë nuk do ta ndryshojnë mënyrën e të menduarit të shumicës prej qytetarëve. Kjo praktikë e klientelizmit dhe subjektivizmit partiak apo detyrimit që të jepet diçka që të kryhet një punë është kaq e rrënjosur, saqë e vështirë të ndryshojë vetëm me trajnime, teste dhe fushata të paguara mediatike kundër korrupsionit. Artan Grubi mund të recitojë poezi sa të dojë, por proza flet ndryshe.
2 Amerikanët qe tridhjetë vjet presin që të shohin rezultat edhe në gjyqësi. Po atë ditë që publikuan se japin 10 milionë dollarë të reja për zhvillim të demokracisë, Bordi drejtues i Akademisë për gjykatës dhe prokurorë e rrëzoi konkursion për drejtor. Anëtarët, thjesht, nuk votuan për kandidatët dhe nuk thanë se pse nuk kanë votuar.
Sa e sa gjykatës dhe prokurorë për tridhjet vjet shkonin në qëndrime studiomore në Amerikë. Miliona dollarë të tatimpaguesve amerikanë u harxhuan që t’ua ngrenë kapacitetin gjykatësve dhe prokurorëve maqedonas, demek t’i edukojnë për ligj dhe drejtësi. Por këtu ligji dhe drejtësia nuk funksionojnë ashtu. Gjykatësit dhe prokurorët maqedonas e dinë se kur do të kthehen në shtëpi nuk do t’u nevojitet ajo që kanë mësuar në Amerikë. Thjesht, e dinë se ku do të kthehen. Sepse e dinë si zbatohet ky mësim në praktikë. E dinë se si janë zgjedhur për gjykatës dhe prokurorë. E dinë se si u bënë shefat shefa. E në bazë të kësaj dijenie lokale, e dinë edhe se kujt duhet t’i shërbejnë.
Për më tepër që, atë histori për ligjin dhe të drejtën e pamë gjatë këtyre pesë-gjatë viteve, në përditshmëri, duke ndjekur kërdinë e proceseve gjyqësore me përgjimin e paligjshëm dhe formimin e Prokurorisë speciale. Ne jemi kampionë. Ne mund t’u mbajmë leksion amerikanëve se si nuk zbatohet e drejta. Duke nisur nga ajo se si shtyhen proceset gjyqësore deri në pafundësi, me jurorët te pesnionuar dhe avokatë që kanë nevojë për përkthyes, me udhëtimet e pafundme të gjykimeve nga Gjykata themelore deri te ajo e Apelit e te Supremja dhe mbrapsht, e se si u jepet mundësia për të zgjedhur të gjykuarve se kush në cilin burg dëshiron të qëndrojë e sa do t’i kushtojë pansioni i plotë.
3 Kjo është pak a shumë e njëjta gjë si në rastin kur ndryshimet globale klimatike janë fajtori kryesor kur nuk duan të zbulojnë korrupsionin pas ndërtimeve kaotike. Një rreshje shiu prej as gjysmë ore në kryeqytet tregoi se sa gënjeshtër e madhe është termi “insvestitor” në ndërtimtari, interesat e të cilëve i mbron çdo qeveri lokale por edhe shtetërore nga 1991 e deri më tani. Pasojat e “investimeve” të tyre i ndjejmë çdo ditë me uljen e cilësisë së jetës, por këtë radhë i ndjemë në mënyrë brutale me vërshime pasojat nga çifti i “investitorëve” me çdo qeveri lokale.
Kryetari i Qendrës Goran Gerasimovski thotë se “qytet pa ndërtim është një qytet e vdekur”. Ka të drejtë kryetari, edhe pse nuk u shpreh siç duhet. Një qytet me një ndërtim të korruptuar është qytet i vdekur. E puna e tij si kryetar është që të mos e vrasë qytetin. Puna e tij është të sigurojë që planet urbanistike të sillen ekskluzivisht për intersin publik dhe për përmirësim të cilësisë së jetës. Nëse ndërtohet vetëm për interesin e “investitorëve” dhe të atyre që ua miratojnë ndërtimin, pa u mërzitur për atë se kush do të jetojë në ato “investime” të tyre, kryetari do të jetë ai i cili qytetin do ta bëjë qytet të vdekur. Apo, le të mos jemi aq të vrazhdë e të themi se do të bëjë një qytet kaotik me qytetarë nervozë dhe të pakënaqur.
Andaj, jam dakord me kryetarët se është e rëndësishme të ndërtohet. Askush nuk është kundër ndërtimit. Por jo ndërtim atë formë që dikush të mbushet me para dhe t’ia mbathë, ndërsa të gjithë ne të mbytemi nga ca rreshje shiu.
4 Më 30 gusht presidenti Stevo Pendarovski i pranoi letrat akredituese të ambasadoreshës së re të Urkainës Larisa Dir. Një shtet i cili për gjashtë muaj është në luftë pasi u sulmua në mënyrë brutale nga Rusia, gjen kohën që të riemërojë ambasador në një shtet shumë të vogël dhe jo aq të rëndësishëm si Maqedonia. E nga ana tjetër, Maqedonia, shtet-anëtar i NATO-s, kandidat për anëtar në BE, e cila jeton në liri dhe demokraci, qe katër-pesë vjet nuk mund të emërojë ambasadorë në qendrat e mëdha botërore. Ngaqë edhe diplomacia ka rënë në nivelin e tregëtisë politike.
5 Nuk e di se si ka nisur viti shkollor në Ukrainë. Te ne në 1 shtator shteti ende nuk ka shtypur libra për fëmijët. Njësoj siç në 10 qershor nuk kishte shtypur dëftesat.
Qeverinë “s’e lun topi”. Po hajt! Të na rrojnë fëmijët.
Përktheu: Fjolla Zllatku