1 Shkupi mbeti pa transport publik për herë të parë në historinë e tij, e siç ka nisur puna, mund të mbetet edhe pa ujë. Kryetari i Sindikatës Darko Dimovski u kërcënua: “Mos lejoni që të viheni në situatë si mbrëmë kur nuk kishit transport publik e të mos keni as ujë për të pirë”. Unë nuk do ta merrja joseriozisht atë kërcënim, siç e morën shumica – e si jo, do të mbetkemi pa ujë! Kur është në pyetje Koalicioni “Për një Shkup modern” i Danella Arsovskës dhe VMRO-DPMNE-së, nuk është aspak e çuditshme që në këtë kryeqytet modern, për të cili premtonin transport falas dhe e lanë pa asnjë lloj transporti, nesër të zgjohemi edhe pa ujë.
Ndërkohë që VMRO-DPMNE-ja dhe Danella Arskovka nuk na e fshehin se po zihen për para, Shkupi po shkatërrohet. Një vërtetim i asaj se sa brutale është ajo luftë për para është që kryetarja, që e ka për punë të sigurojë komunikacion të papenguar dhe lëvizje të qytetatëve, ishte vetë ajo që e bllokoi qytetin. I la autobusat e NTP-së në Ilindenska para Qeverisë, që ta bllokojnë komunikacionin edhe pse një ditë para Këshilli i qytetit gjeti para për rrogat e shoferëve që bënin grevë.
Drejtoria e Qytetit të Shkupit e bllokoi qytetin e Shkupit! Kjo nuk ka pikë logjike.
Tani, nga Koalicioni “Për Shkupin modern” mund të presim që kryetarja dhe VMRO-DPMNE-ja të konkurrojnë se cila ndërmarrje publike do ta dëmtojë më shumë qytetin.
Pse të mungojë vetëm uji? Pse edhe mbeturinat të mos mblidhen nga kontejnerët? Po edhe zjarrfikësit mund të thonë si shoferët e NTP-së: Le të ketë zjarr, nuk do të dalim për t’i fikur. Le t’i parkojë Danella cisternat zjarrfikëse para Qeverisë. Le të digjet! VRMO-DPMNE-ja dhe Danella do të luajnë “Pikolomini për Shkupin modern”.
E LSDM-ja le të bëjë sehir. Dhe le të ankohet për VMRO-DPMNE-në. Mos dhashtë Zoti të provojnë ta çbllokojnë, apo të përfundojnë ndonjë punë? E le t’u thonë shkupjanëve, që kanë votuar për Danellën – ja ku e keni, kur nuk e donit Petren.
Por sehiri po bëhet i padurueshëm.
2 Ndërkohë që komunikacioni në Shkup ishte i bllokuar dhe shoferët e NTP-së kërkonin rroga, në Këshillin e Qytetit të Shkupit, këshilltarët e VMRO-DPMNE-së, LSDM-së dhe kryetarja Arsovska, pesë orë debatonin për “duart në mjaltë” dhe për atë se “kush sa i paaftë është dhe sa ka vjedhur” dhe se kryesuesi Trajko Sllaveski ka kërkuar veturë zyrtare me shofer dhe I-phone-in më të ri. Në mes të atij debati e pamë se si kryetarja e menaxhoi krizën. Në vend që të negociojë me njerëzit e sindikatës e të kërkojë para që të paguajë rroga, ajo kërkon mënyrë se si t’ia bllokojë pullën kryesuesit të Këshillit Trajko Sllaveski, me të cilën ia ka fikur mikrofonin ndërkohë që fliste në foltore. Dhe ia ka dalë. Pulla e Trajkos me të vërtetë ishte joaktive. Por edhe ai u tregua erbap dhe ia mori mikrofonin. Fët!
Se mos kujtoni se dikush në Këshillin e Qytetit të Shkupit atë ditë ka menduar për qytetarët që humbën nga fitimi se nuk mund të arrinin në punë, për nxënësit dhe studentët që nuk mundën të shkojnë në ligjerata, apo për të sëmurët që kishin caktuar kontrolle?
Kjo gjë ma kujtoi atë shakanë e vjetër bullgare për astronautin e parë bullgar që e kanë lëshuar në hapësirë bashkë me qenin Lajka. Kur i ka pyetur se çfarë duhet të bëjë, i kanë thënë: Ushqeje qenin, mos prek pullën. (Нарани кучета, не пипај копчета.)
Epo, deri në këtë pikë erdhi Koalicioni “Për Shkupin modern” i VMRO-DPMNE-së dhe Danella Arskovskës. Ushqeji qentë. Jepu qasje te paratë. Dhe mos i prek pullat.
3 Hiq nuk më intereson se sipas cilit sistem është pranuar në punë në administratë publike, zyrtari apo zyrtarja që e ka gabuar flamurin në Kabinetin e ministrit për punë të jashtme Bujar Osmani, e në vend të flamurit slloven, në vizitën e ministreshës sllovene të punëve të jashtme Tanja Fajon, e kanë vënë flamurin e Sllovakisë. Nuk më intereson fare nëse ministri e ka dënuar zyrtarin shtetëror që e ka gabuar flamurin. Nuk e besoj. A keni dëgjuar ndonjëherë që dikush nga administrata publike të jetë dënuar nëse ka bërë gabim? A mundet, vallë, atyre t’u ulet rroga ashtu si të punësuarve në firmat private? Nuk mund të zgjatë as 5 ditë – direkt dalin në greva, e bllokojnë qytetin. Çfarë sistemi merite përdorin në MPJ? Sistemi i meritës që vlen vetëm për administratën publike. Për më tepër që, ky sistem meritor është fleksibil nëse hyjnë me kuotë nga balancuesi i përkatësisë proporcionale etnike. E mirë de, e kanë gabuar flamurin, por të paktën Bujari e dinte se me cilën ministreshë po takohet. Madje, i ka goditur dy flamuj – at të sallës së konferencave të shtypit dhe nga salla e mbledhjeve ishin të saktë. Vetëm atë të Kabinetit e kishin gabuar. Epo, nuk është e thënë që të gjithë të kenë qenë të mirë në gjeografi. Por, këta mesa duket në atë kohë as nuk i paskan kryer detyrat me “Gjej dallimin te këto dy foto.”
Jam i sigurt se në MPJ ndërkohë që kanë pirë kafe janë ankuar se sa të vështirë dhe me përgjegjësi e kanë punën. Nesër, oboboo, ditën e kemi lëmsh. Kemi shumë punë, ama shumë, shumë…Kush e di se sa do të mbesim në punë. Do të vijë një lloj ministreshe, sa të zënë që do të jemi. Sllovakia, Sllovenia, njësoj është. Si Iraku ashtu dhe Irani. Edhe Austria edhe Australia. Po edhe Zvicra dhe Suedia.
4 E megjithatë, nuk është gjithçka kaq e pashpresë kur në mënyrë të pandalur shkojmë drejt objektivit tonë – anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Duhet vetëm të ndiqni profilin e FB të zëvendës kryeministrit për eurointegrime Bojan Mariçiq: “Vazhdojmë me mbledhjen shpjeguese të skriningut. Vazhdojmë me reformat në kapituj të ndryshëm. Si një Qeveri e dedikuar për krijimin e një klime të volitshme dhe atraktive për investime dhe udhëheqjes së një biznesi, zhvillojmë disa korniza strategjike”.
Por, kjo nuk është e gjitha. Shkupjanët fituan parno. Qeveria po i radhit sukseset në të gjitha fushat.
Më vjen keq se pavarësisht kësaj furtune prej mossuksesesh mjaft i pa vënë re kaloi lajmi se “porcioni i ngrohtë kthehet në REK Manastir, mensa do të punojë sërish”.
REK është ndërtuar në 1980, ka filluar të prodhojë rrymë në 1982, nga pavarësia e deri më tani nuk është bërë asnjë investim në energjetikë të rëndësisë që ka REK, ndërsa qeveria u lëvdua se është hapur sërish mensa që ka punuar edhe në atë kohë.
Eeee, ku ishim e ku erdhëm. Pas 31 vjetëve shtet i pavarur, as gjellën që na e gatoi Tito nuk e ngrohim dot.
Përktheu: Fjolla Zllatku