1 А munden, vallë, deputetët e kësaj përbërje të Kuvendit t’i votojnë ndrsyhimet kushtetuese dhe bullgarët të hyjnë në Preambulë, por ndryshimet të vlejnë nga dita kur Bullgaria ta pranojë të drejtën e Maqedonisë për vetëpërcaktim? A do të kishte qenë ky një problem për BE-në? Nëse po, pse? Pse e drejta për vetëpërcaktim është çështje diskutimi në shekullin 21?
Ja, edhe kryeministri Dimitar Kovaçevski më në fund i bëri thirrje Bullgarisë që të fillojë t’i zbatojë të drejtat e maqedonasve që ndihen të tillë. Shyqyr. Edhe ai të kërkojë diçka nga Bullgaria dhe të mos ketë frikë se do t’i bëjnë vërejtje nga Brukseli dhe Uashingtoni. Ja, kjo deklaratë le të jetë pikënisje rreth të cilës do të mblidhen edhe qeveria edhe opozita.
Të paktën për këtë mund të bien dakord.
Të lusim dikë nga të huajt, që do vijnë në vizita për të na bindur se sa mirë do ta kemi pas ndryshimit të Kushtetutës, t’i mbyllin Kovaçevskin dhe Mickoskin disa ditë në ndonjë lokacion të panjohur dhe të debatojnë mbi temën: BE. Ne vend që të fajësojnë njeri-tjetrin se kush është për BE, e kush jo, se kjo nuk është fare temë, le të ulen që të diskutojnë: Tani, ç’bëjmë? Çfarë mundemi, krahas propozimit francez, të bëjmë për të mirën e shtetit, çfarë mund të kërkojmë si garancë, cilët janë miqtë tanë me të cilët do të punojmë, nga cilët duhet të mbohemi…Por ta shohin interesin e qytetarëve, jo interesin e partive të tyre. E kur do të dalin që aty, të dalin me një qëndrim të përbashkët: Ne nga BE-ja e kërkojmë këtë këtë këtë, nuk do të pranojmë këtë këtë këtë.
E kur në dhjetor përsëri të vijë ministresha gjermane e punëve të jashtme Analena Berbok, të mos i duhet të shkojë në mënyrë të veçantë te Kovaçevski dhe Mickovski, a thua se po takohet me liderë të shteteve të ndryshme, por në një vend t’i marrë të gjitha përgjigjet. E, kur në emër të BE-së, një ministër gjerman do të premtojë se nuk do ta lërë Maqedoninë në baltë nëse zbatohen ndryshimet kushtetuese, siç premtoi tani, le t’i kërkojnë që këtë ta hedhë në letër e t’ia dërgojë Brukselit. Personalisht, pas asaj që na bënë me Bullgarinë, unë jo vetëm që nuk besoj në deklarata, por nuk besoj as në garanca të shkruara nga BE-ja, por le të qëndrojë si deklaratë unilaterale e Gjermanisë në arkivat e tyre, ashtu siç qëndron dhe deklarata unilaterale e Bullgarisë se nuk ekziston gjuha maqedonase.
Në fund të fundit, le të bëjnë dhe 26 shtetet e tjera të BE-së deklaratë unilaterale se e pranojnë popullin dhe gjuhën maqedonase. As kjo nuk është ndonjë garancë se ndonjëherë do të hyjmë në BE, por duke ditur se kemi të bëjmë me një fqinj armiqësor, nuk bëjnë keq disa letra garance për popullin maqedonas që ndihet i përçmuar.
2 Ministri për punë të jashtme Bujar Osmani është më mirë që të pushojë se dhëni deklarata me temë: Bullgaria dhe BE. E dimë se “Maqedonia ka ndërmarrë detyrime që duhet t’i plotësojë për anëtarësi në BE”, falë asaj që edhe ai mori pjesë në krijimin e propozimit të famshëm. Por nuk na mashtron kur na thotë “këtë herë kjo varet vetëm prej nesh”. Këto përralla evropiane le t’ua tergojë bashkëpartiakëve në Çair. E për më tepër, që t’i bëjë lajka Analenës, deklaroi edhe se “Gjermania, në çdo përpjekje për ta bilaterizuar procesin, reagon e para me atë se kjo nuk është mirë për procesin”.
Faleminderit edhe Gjerminisë që e mbështet Maqedoninë. Edhe kancelarja e kaluar Angela Merkel para referendumit për emrin erdhi në Shkup dhe fliste në mënyrë të ngjashme siç sot flasin Olaf Sholc dhe Analena Berbok, por edhe ndërsa ishte kryesues i Bashkimit Evropian nuk arriti ta parandalonte veton bullgare. Berlini nuk flet në emër të Sofjes. Bullgarët u kapën fort pas mospranimit dypalësh që Maqedonia të mos marrë ligjitimitet evropian, kurse Bujari na thotë “varet prej nesh, nuk ka qenë i bilaterizuar problemi”. Domethënë, ne nuk kemi problem me Bullgarinë, kemi problem me BE-në.
Hesht Bujar. Në vend të shpikësh arsyetime për BE-në për bullgarizimin e procesit të zgjerimit, shko edhe njëherë në Sofje, të shohësh se si është qytetari i Ohrit Hristijan Pendikov i klubit që mban emrin e carit bullgar të kohës së okupimit fashist të Maqedonisë. Si ministër i punëve të jashtme të Maqedonisë të interesonte se si është me shëndet. Tani, si kryesues i OSBE-së kontrollo nëse është futur në listën e votuesve nga Sofja dhe nëse i janë siguruar të drejtat e votës në zgjedhjet bullgare në 2 prill. Në Ohër nuk është paraqitur për të votuar.
Mirë që BE-së i bëri bela, por pse qeveria jonë duhet ta arsyetojë!? Mirë që na shërbyen me ushqim që mban erë, por na detyruan edhe ta hamë, se tjetër më të mirë nuk do paskemi. Mirë që na duhet ta hamë përlakun që mban erë, por tani duhet edhe të bëjmë lëvdata: “sa i mirë ky ushqim evropian, çfarë specialiteti që na kanë përgatitur”.
3 Ndryshimet kushtetuese nuk janë operacion i thjeshtë matematikor për mbledhjen e 80 votave. Ndoshta deputetët edhe do të binden që të votojnë. Me biseda, me negociata, me shtypje, me blerje, me shpërblim, me kërcënime, me çlirim nga përndjekja penale, me vende ambasadoriale…E kemi parë këtë më parë. Dhe kemi parë se sa parimor janë politikanët e vendit tonë.
Problemi është se si të bindet opinioni publik se ato ndryshime kushtetuese do të sjellin një të mirë për të gjithë. Me çfarë fytyre LSDM-ja dhe BDI-ja qeverisëse do të dalin para nesh dhe do të na thonë se me ndryshimet kushtetuese do ta kemi më mirë, ndërkohë të shohin në sy, vjedhin nga ti dhe të përqeshin? Me çfarë fytyre VMRO-DPMNE-ja do të na bindë se me ta është më mirë, kur vjedhin në nivel lokal, e për robërimin e 11 vjeçarit as nuk kërkuan falje, as nuk u mbrojtën.
Vetëm edhe bullgarët të hyjnë në Kushtetutë dhe menjëherë do të ndryshojë mënyra e qeverisjes. Me liderët e njëjtë, partitë e njëjta dhe të njejtën mënyrë të pandershme të ushtrimit të pushtetit.
4 Nga të gjitha arsyet e mira që mund t’i numëronte Analena Berbok se pse duhet të bën ndryshime kushtetuese sa më shpejt, ajo e gjeti më të duhurën. Tha: “ndryshimet kushtetuese duhet t’i bëni nëse nuk doni që t’ju largohen të rinjtë”.
A thua se të rinjtë largohen nga Maqedonia për shkak se bullgarët nuk janë në Preambulë.
5 “Ne nuk jemi tren, por jemi uragan. Mos i dilni para uraganit, do t’ju shkelë”, tha Ali Ahmeti në tubimin evropian të BDI-së në Çair.
Po atë ditë, nga hekurudhat e Maqedonisë erdhi dekret se në hekurudhat Shkup-Veles, shpejtësia e trenave kurfizohet në maksimumi 20 km në orë.
Shpejto ngadalë. Në rrugën për BE.
Përktheu: Fjolla Zllatku