1 Qeveria na thotë: “Është sekret se si do t’i shpenzojmë paratë tuaja. E nëse e zbuloni sekretin, do të shpenzojmë edhe më shumë prej parave tuaja”.
Andaj, ende pa ia nisur punëve ndërtimore, mund të parashikohet me siguri se katër sektorët e autostradës që do t’i ndërtojë konzorciumi amerikano-turk “Behmel-Enka”, do të kushtojnë më shumë se 1,3 miliardë euro. Se sa, nuk e dimë.
Nuk është se qeveria nuk ka kontakt me realitetin. Ata kanë kontakt me realitetin e tyre. Në atë realitet atje, ne duhet të jemi të bindur se ata i mbrojnë interesat tanë, sepse kanë nënshkruar një klauzulë sekrete, për të cilën, nëse na e zbulojnë, do të duhet të paguajmë më shumë. Në realitetin e tyre, nuk ka rëndësi se a bëhet fjalë për dënime apo shpenzime shtesë, kur gjithsesi nuk i paguajnë nga buxheti familjar.
Problemi nuk është në korporatën “Behtel-Enka”. Kur bëhet fjalë për një korporatë private, nuk ka ideologji, e as komb. Ideologjia e vetme është – paraja. Pse është çudi që një firmë private të dojë të fitojë sa më tepër? Pse është çudi që një firmë private ta shohë vetëm interesin e saj? Është çudi kur shteti nuk e mbron interesin e tij, por mbron interesat e korrupsionit.
Si në kohërat e Ljupço Gerorgievskit nga fundi i të 1990-ave dhe e shitjes së rafinerisë “Okta”. Deputetët votuan për marrëveshje që nuk e kanë parë, sepse u shpall e besueshme. E pastaj paguanim shuma milionëshe për dënime. Tani jemi në situatë të ngjashme. Deputetët duhet të votojnë ndryshim të nëntë ligjeve, sepse Qeveria ka nënshkruar një marrëveshje të atillë, e ata nuk e dinë se çfarë përmban kjo marrëveshje. Nëse nuk votojnë, shteti do të paguajë dënime.
Si ka shkuar, vallë, muhabeti me përfaqësuesit e “Behtel-Enkës”? Nuk ka problem, Kuvendi është i yni. Do t’ua japim ligjet deputetëve të premten, të hënën do t’i kenë votuar. Edhe ashtu nuk lexojnë asgjë, dhe votojnë ashtu siç u themi ne. Qoftë ky edhe ligj, të cilin Gjykata kushtetuese para disa muajve e ka shpallur si jokushtetues. Nuk e besoni se do të votojnë siç do t’u themi? Të vëmë bast! Me sa? Le të vëmë bast me 53 milionë euro. Mos është shumë!? S’ka gjë. Sidoqoftë ato para nuk do t’i nxjerrim nga xhepi. Edhe po e humbëm bastin, do t’jua paguajmë nga buxheti. E disi dhe dikujt do t’ia ktheni.
Arsyeja se pse Qeveria ka nënshkruar marrëveshje, sipas të cilës duhet t’i ndryshojë ligjet që t’i shkojë për shtat një firme private, është sepse firma konsultante që ua ka negociuar në atë mënyrë kushtet e ndërtimit të rrugëve, ka përvojë në prodhimin e brekëve. Dhe logjika kryesore në fushën e mbrojtjes së interesit publik për ta ka qenë: Peshku nuk zihet me bythë të thatë. E Qeveria këtë logjikë e ka pranuar, por edhe e ka zhvilluar. Peshku nuk zihet me bythë të zbuluar.
2 Qeveria na thotë: Mos na pyesni për para. Ne shohim drejt së ardhmes. Ore, ju shikoni vetëm xhepat tuaj dhe shikoni që para se të rrëzoheni nga qeveria, të mblidhni sa më tepër.
Ne tashmë nuk kemi asnjë dilemë rreth asaj se çfarë e ardhme na pret me këtë qeveri LSDM dhe BDI. Ndodhemi në tunel. Por, ajo dritë që e shohim në fund të tunelit, nuk është dalje. Është drita e trenit VMROLEVICA që vjen nga drejtimi i kundërt i korsisë së njëjtë dhe që do të na bllokojë në tunelin e njëjtë. Ekziston edhe një korsi tjetër, paralele, e cila, gjoja se shkon drejt BE-së, por edhe ajo dritë nuk është drita e ndezur e të ardhmes evropiane, por është drita e trenit që vjen nga Bullgaria me një fuqi aq të madhe, sa dëshiron të na shkelë.
Cilëndo rrugë që të marrim, kemi ngecur në tunel. Ndërsa drita gjithnjë e më tepër afrohet.
3 Me zhgënjim të madh i shikoj se si njerëzit e njëjtë që protestonin fuqishëm kundër diskreditimit të atyre që mendojnë ndryshe nga ana e VMRO-së dhe që luftonin kundër kësaj, tani bëjnë të njëjtën gjë. Kaluan vetëm 6-7 vjet nga kohërat kur korrierët e VMRO-së na shënonin me rrathë të kuq, e erdhëm në kohën kur LSDM-ja rrjetin e saj të korrierëve e përdor për diskreditimin dhe nënvlerësimin e secilit që mendon ndryshe nga partia. Henez do të vijnë lajmet në ballina. Jo vetëm që i gjetën, por i studiuan mirë dhe i zbatojnë në praktikë defterët e Martin Protogjerit dhe Ilija Dimovskit, e me shpejtësi marramendëse i tëhuajëzojnë njerëzit, që në Revolucionin e larmë u besonin se ai keqtrajtim i qeverisjes së pandersheme të VMRO-DOMNE-së nuk do të përsëritet. Të kishin luftuar për “nuk ka drejtësi, nuk ka paqe” me zjarrin e njëjtë me të cilin luftojnë kundër këtyre që ua vënë në pah gabimet, nuk do të kishin ardhur në situatën që të krijojnë armiq kaq shpejt prej atyre që kanë besuar se i ndajnë vlerat e përbashkëta.
Që kur e sollën partinë në atë gjendje, jo jelekë të kuq, por as breza të kuq për shpëtim nuk u ndihmojnë. E besa, as ne nuk na ndihmojnë, duke marrë parasysh zgjedhjen që na ngelet.
4 Revizori shtetëror ka vërtetuar se Komuna e Haraçinës nuk mban regjistër të pronës së palëvizshme, nuk jep vendime për tatim të pronës, nuk ka të ardhura në bazë të tatimit komunal të firmës, nuk ka të ardhura nga rregullimi i tokës ndërtimore…Mbi të gjitha këto, kryetari ka marrë 3.000 euro avans nga arka komunale të cilat nuk i ka kthyer, këshilltarëve u janë paguar 30.000 euro edhe pse nuk ka evidencë nëse kanë ardhur apo jo në seancat e Këshillit, e brenda një viti janë harxhuar 10.000 euro për dreka dhe kokteje.
Mesiguri, në këtë mënyrë pushteti lokal i Haraçinës i dërgon mesazh Qeverisë që të vazhdojë me praktikat e vendosura nga Zoran Zaevi, ashtu si kur nga buxheti shtetëror i vitit 2020 u transferoi gjysëm milion euro, që t’i kishin për çdo rast. Para tona nuk mbledhim, do t’i harxhojmë tuajat.
Ja edhe një mundësi për zv. kryeministrin Artan Grubi. Përkrah të gjitha funksioneve koordinative që i ka në Qeveri, le ta caktojnë edhe për mbeldhjen e parave për Haraçinën. Мeqë në procedurën e Kuvendit janë ligjet për “Behtel-Enkën”, Qeveria le të shtojë në paket edhe një ligj. Për çdo denar të mbledhur në Haracinë, komunës t’i paguhet një euro nga buxheti. Jepu para për qetësi në shtëpi. Leks specialis për Haraçinën.
Përktheu: Fjolla Zllatku