1 Kush pyet për “Behtel-Enka”? Kur pyesim se si do të shpenzohen një miliard e treqind milionë euro për ndërtimin e katër sektorëve të autostradës në shtetin tonë, tema e bisedës nuk është kompania ndërtimore, por Qeveria jonë, e cila duhet të paguajë për ndërtimin. Tema e bisedës nuk është as Amerika.“Behtel-Enka” është kompani private. Mund të ishte dhe “Koka kola”, “Tesla” apo “Amazon”. Neve nuk na intereson biznesi i kompanive private. Ne kemi pyetje që është shumë me mend. Si të harxhohen paratë tona? Dhe nuk janë pak para? Aq na intereson. Sidomos që Qeveria na thotë se marrëveshja me kompaninë private ndërtimore është sekret, e ne duam që të mësojmë se si me fshehtësi do ta mbrojë interesin publik. Nuk e di se çfarë është këtu e paqartë. Më kot qeveria i lëshon “korrierët”, të cilët ndaj çdo pyetjeje se si harxhohen paratë e paguesve tatimorë lëshojnë mesazhe: “Mos u zini me Amerikën!”. Çfarë? Të mos na hidhërohet kompania amerikane e të mos dojë t’i marrë ato 1,3 miliardë euro!?
Jo ore. Nuk ju hidhërojmë me Amerikën. Ju hidhëroheni me ne. Askush nuk e konsteston partneritetin strategjik të SHBA-ve. Por, ne nuk ju kemi zgjedhur që t’i mbroni interesat amerikane. Ju kemi zgjedhur që t’i mbroni interesat e qytetarëve dhe shtetit maqedonas. Nuk e di se çfarë ka këtu të paqartë.
Mënyra me të cilën qeveria e drejton gjithë procedurën vetëm sa prodhon pabesi më të madhe ndaj institucioneve të shtetit, ku edhe kështu siç është situata, pak veta besojnë. Ja, tani shpikën edhe se marrëveshja që përmban klauzula të fshehta mund të shihet vetëm nga deputetët që kanë certifikata sigurie. Vallë, do të cenohet siguria nëse kuptohet se sa do të jetë provizioni? Dhe se kush do ta marrë.
Dihet se në Kuvend do të sillen ligjet që i ka kërkuar “Behtel-Enka”. Besoj se rrugët do të ndërtohen. Nga kjo do të përfitojnë të gjithë qytetarët. Por, do të mbetet fshehtësi se cilët qytetarë do të përfitojnë më shumë se të tjerë. Qeveria edhe deri më tani nuk ka treguar se e meriton që t’i besohet. E mu ai Uashington, me të cilët tani i kërcënohen atyre që kanë dyshime se Qeveria në mënyrë jotransparente i harxhon paratë e paguesve tatimore, u bën lista politikanëve të korruptuar dhe çdo ditë i kujton se sa nuk bëjnë për përballimin e korrupsionit dhe mosdënimin e krimit të profilit të lartë.
Nuk e dimë nëse gjithçka është e pastër, sepse thonë se është sekret. Por perceptimi i publikut është se diçka po ziejnë. Dhe krahas kësaj, fshihen pa pikë turpi pas Amerikës.
2 Gjithçka filloi diku rreth viti 2000, në fillim të shekulit 21, kur politikanët filluan të fotografohen në kisha dhe xhami gjatë kohës së shërbimeve fetare, por nuk jepnin deklarata. Ashtu siç po hynim në mijëvjeçarin e ri, u bë shumë e rëndësishme se çfarë kanë për të deklaruar politikanët për lindjen e Krishtit, për ringjalljen, për bajramet, darkat e iftarit, agjërimin dhe për ngjarje të tjera hyjnore. A thua se besimtarët nuk e dinë këtë dhe presin që ministrat dhe kryetarët e komunave t’u thonë se sa e rëndësishme është një ditë e caktuar dhe se duhet të kenë qetësi dhe paqe. E nëse, mos dhëntë Zoti, një sekretar gjeneral i ndonjë partie, harron të urojë Pashkët apo Bajramin, a thua se kjo festë nuk ka ndodhur, atëherë nuk do të ketë as qetësi dhe as paqe.
Dhe kështu, në këtë shtet sekular e kemi pritur ditën kur zjarrin hyjnor nga Jerusalemi për Pashkët e solli ministri për punë të brendshme Oliver Spasovski dhe ministrja e kulturës Biseda Kostadinovska-Stojçevska, të dy nga LSDM-ja e së majtës. Kurse kryeministri i qeverisë të së majtës Dimitar Kovaçevski u mundua deri në aeroport që ta presë zjarrin, i cili ateroi nga Tel Aviv me avion qeveritar. Dhe këtë e paraqiti si ngjarje historike.
Çfarë do të jetë ndryshimi i ardhshëm i Kushtetutës? Do ta fshijmë nenin ku shteti është i ndarë nga feja? Kur politikanët tashmë u thonë besimtarëve se si të festojnë festa fetare, atëherë le të na tregojnë priftërinjtë dhe hoxhat se si të jetojmë.
3 Sipas raportit më të ri të UNICEF, Maqedonia është në vendin e dytë të botës sipas numrit të fëmijëve të pavaksinuar me asnjë lloj vaksine. E, kjo po që është mrekulli. Ku kemi qenë, e deri kur kemi mbërritur. Mrekulli më e madhe se mrekullia e zjarrit hynor të së Shtunës së Madhe.
4 Rasti me ansteziologun tetovar, që i ka incizuar pacientët me telefon dhe që në mënyrë vulgare ka komentuar në rrjete sociale, për kush e di të satën herë na tregoi se si politikanët na i rrezikojnë jetët. Komisioni i Fakultetit të mjekësisë në Shkup, i cili dy herë ka refuzuar që mjekut t’ia nostrifikojë secializimin që e ka mbaruar në Prishtinë, është ankuar se kanë pasur shtypje të madhe politike për ta nënshkruar. Shumë më intereson nëse ai që është paraqitur nga partia, a do të kishte zënë lidhje në spital që mu ky mjek t’ia dozojë anestezionin? Apo t’ia fotografojë vajzën në TikTok?
Para gjysmë viti, me thirrjet nga partia, janë përpjekur të zgjedhin edhe kontrollorë të fluturimit. E kuptoj, ndikime, miqësi, familjarë, blerje…Por, nëse janë të rëndësishëm në parti, nuk do të thotë se duhet edhe të na vrasin. Mund t’u japin një zyrë që t’i gabojnë certifikatat, të paktën kjo nuk është rrezik për jetë. Nëse kaq shumë i kanë pasur borxh partisë, pse nuk iu kanë shpikur një vend drejtorial, t’i jepnin jë shofer, një sekretareshë, le të thyjnë qafën.
Maqedonia është e vogël. Njihemi. Kush çfarë ka mësuar, kush sa mundet. Ja, për shembull, kolegët e anesteziologut-tiktoker, mendoni se nuk kanë ditur asgjë për të? Se në Spitalin e Tetovës nuk kanë mundur as ta dënojnë se nuk ka ekzistuar institucioni i komisionit disiplinor.
Shkokan njerëzit jashtë shtetit!? Vallë, rastësisht shkojnë!? Sigurisht që shkojnë, mu për shkak të rasteve të këtilla. Çfarë u ofron ti për t’u kthyer? Investime të Tajvanit në zona? Të blejnë banesë mbi tubacionin në Lisiçe apo në “napolitankat” në Treskë?
Apo në kullat e Holiday Inn-it në tokën e KOM-it, korporatës më të madhe ndërtimore të shtetit dhe konkurrues serioz i “Behtel i Enka”. Dhe rregullisht të paguajnë tatime dhe kontribute, apo të mos pyesin se çfarë do të fitojnë për ato para.
Të rinjtë shkokan për studime në Slloveni, ndërsa këtë vit do të punojnë në Kroaci. Mjekët dhe motrat medicinale presin rend për Gjermani. Kompjuterxhinjtë janë tashmë në Holandë.
Ore, nga kjo partokraci do të vijë fundi i botës.
5 Mu gjatë këtyre ditëve, por para 6 vjetëve në 2017, një javë para sulmit të organizuar të Kuvendit, kam shkruar për rastin e një gjinekologu që i ka gënjyer gratë se janë shtatzëna, ndërsa kolegët e tij kanë heshtur. Mjeku ka ndryshuar disa spitale private dhe në fund ka përfunduar në klinikën shtetërore. Të gjithë e kanë ditur se gënjen, por në fund dolën fajtore gratë që i kanë besuar.
Në 2017, me këtë rast kam shkruar: “Këtu bëhet fjalë për një gjendje psikopatologjike të shpirit të shoqërisë. Jetojmë në një shtet ku pacienti ka faj se i beson mjekut, e jo ku në faj është mjeku që në mënyrë të vetëdijshme e gënjen pacientin”.
Ato ishin ditët kur fajtor nuk ishte presidenti Gjorge Ivanov që në mënyrë të vetëdijshme e shkelte Kushtetutën, por fajtorë ishim ne që i thoshim se po e shkel. Nuk ishin fjatorë politikanët kur qeveria e koalicionit të Gruevskit të VMRO-DPMNE-BDI-së që na kanë vjedhur në mënyrë të vetëdijshme për 11 vjet, por ishim ne që kërkonim të shkojnë në burg që të na i kthejnë paratë që na i kanë vjedhur.
Gjashtë vjet më pas doli se nuk janë fajtorë as ata që kanë urdhëruar përgjimin e paligjshëm, por jemi ne që i kemi dëgjuar regjistrimet. Dhe nuk janë fajtorë ata që kanë premtuar se do të sjellin drejtësi dhe paqe dhe se ajo ligësi nuk do të përsëritet, por jemi ne që i paralajmërojmë se kjo ligësi, ja ku ka filluar të përsëritet.
Në vitin 2017 kam shkruar se “dhuna, thjeshtësia dhe mosdënimi mbeten masa e jetëve tona”.
Çfarë ka ndryshuar që atëherë?
Përktheu: Fjolla Zllatku