1 Nuk ka pse të harxhohen fjalë dhe të ankohemi për gjendjen me gjyqësorin. Pamë se në Këshillin gjyqësor, organi më i lartë që zgjedh dhe shkarkon gjykatës, zëvendës-kryetari vetë shpiku procedurë për shkarkimin e kryetares. Mirë që shpiku procedurë e cila nuk ka lidhje me ligjin, por fitoi edhe gjashtë vota nga kolegët e Këshillit që kjo procedurë të zbatohet. Pas kësaj ndodhie, tashmë nuk ka nevojë për analiza të thella të gjendjeve në gjyqësor, debate për reforma dhe premtime në rrugën drejt BE-së. Nuk ka se pse të bisedohet për atë se kush fut hundët në vendimet gjyqësore – LSDM, BDI dhe VMRO-DPMNE. Gjithçka është e qartë: në mënyrë të bashkuar penguan shkarkimin e gjykatësit të apelit Enver Bexheti, i cili mjaft gjatë e ka mbajtur në sirtar rastin e profilit të lartë të drejtorit të mëparshëm të shërbimit sekret Sasho Mijallkov, për t’i mundësuar vjetërimin e veprës. Bëhet fjalë për rastin e PSP-së të atëhershme “Target-Fortesa” për përgjimin e paligjshëm të mijëra qytetarëve. Ky është rasti nga ku dolën të gjitha rastet e tjera dhe nga ku doli dhe robërimi i shtetit, por askush nuk do të përgjigjet për këtë gjë.
Por, kjo nuk është e gjtiha. Po i njëjti gjykatës duhet të zgjidhet gjykatës në Gjykatën Supreme. Me siguri edhe atje do të ketë raste për vjetërim. Por, pa merak. Këshilli gjyqësor, ky këshill gjyqësor, do ta mbikqyrë.
Por, kjo nuk është e gjitha. Po atë ditë, Këshilli për prokurorë publikë ia dha Këshillit etik prokuroren Lençe Ristoska, e cila deklaroi se Këshilli i prokurorëve publikë është burim i tregtisë me ndikim. Do të vërtetojnë nëse ajo ka shkelur kodin etik sepse ka zbuluar sa u kanë thënë kandidatëve për prokurorë – paraqituni, do t’ju zgjedhim, jeni tanët.
Kur organet më të larta nuk e respektojnë drejtësinë, kur për Këshillin gjyqësor nuk vlen as ligji, as procedura, ndërsa Këshilli i prokurorëve dënon atëherë kur tregohet se ekziston korrupsion, a ia vlen fare të flitet për një gjyqësi dhe prokurori të pavarur, e le më, për reforma në gjyqësor?
Ministri i drejtësisë Krenar Lloga komunikoi se “shpreson dhe dëshiron që të tejkalohet e gjithë situata”. Gjykata supreme komunikoi se “e ndjek me vëmendje situatën dhe e inkurajon Këshillin gjyqësor që ta tejkalojë situatën”. A thua se bëhet fjalë për film vizatimor. I përplas duart e thua: “Situatë, tejkalohu!” dhe hop- situata tejkalohet.
Publiku u trondit nga gjendja, ndërsa gjykatësit dhe prokurorët heshtin. Më mirë të fshihen deri sa të qetësohet situata. Ngaqë edhe ata e dinë se nga cili defter rrjedhin dhe se kush u ka thënë – konkurroni, do t’ju pranojmë.
2 Gjithë kësaj i parapriu letra e ambasadores amerikane Anxhela Ageler deri te Qeveria, ku ka thënë se është “e shqetësuar dhe e zhgënjyer për shkak të numrit të madh të lëndëve të profilit të lartë të cilat Gjykata e Apelit i ka kthyer në procedurën e shkallës së parë për gjykim të sërishëm” dhe se “kalimi i tyre para-mbrapa, mes Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës Themelore, vetëm sa e zvogëlon edhe më tepër besimin tashmë të ulët që publiku ka te gjyqet”.
Pas kësaj letre, gjykatësit nga Gjykata e Apelit janë mbledhur dhe kanë vendosur të përgjigjen se nuk kanë mjaft gjykatës. Me shumë siguri, gjykatësit janë të zënë me raste të vjedhjes së qebapave, e nuk mund të arrijnë t’i shqyrtojnë rastet kur janë gjykuar politikanë dhe biznesmenë. E përkthyer në gjuhën e theshtë: pa merak, ka ende raste për vjetërim.
Ambasadorja amerikane në letër ka vënë në pah se SHBA deri më tani kanë investuar 560 milionë dollarë për trajnime të shumicës së gjykatësve dhe prokurorëve të Maqedonisë.
Nuk është se gjykatësit dhe prokurorët kanë mësuar diçka nga ato trajnime. E as se nuk i dinë ligjet dhe procedurat në Maqedoni. Në fakt, këtë e dëshmojnë më të miri kur duhet të shfuqizojnë aktgjykime dhe t’i vjetërojnë lëndët. Por, nëse ndonjë gjykatës apo prokuror nuk ka integritet, si profesionist, e mbi të gjitha si njeri, qoftë edhe nëse i dërgojnë njëqind herë në Amerikë ëdhe iu paguajnë njëqind trajnime, kot e kanë.
Pas këtij zbulimi të lidhjes gjyqtaro-politike, ndoshta është koha që të kthehemi përsëri te ideja e kryeministrit të mëparshëm Zoran Zaev, për rizgjedhje gjenerale dhe të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët të shkojnë në shtëpi. Në fakt, në fillim të mandatit atij ia shpifte ideja se gjyqtarët mund t’i bënin lajka, por pastaj ai vetë merrte pjesë në sabotimin e idesë së rizgjedhjes. Andaj, tatimpaguesit amerikanë, por edhe ata holandezë, britanikë, zviceranë, gjermanë, francezë, italianë dhe të gjithë të tjerët që ua paguajnë trajnimet gjyqtarëve dhe prokurorëve tanë, e kanë më lirë të paguajnë ndonjë komision ndërkombëtar konkursi që do t’i rizgjedhë gjyqtarët dhe prokurorët publikë, në vend që këtë ta bëjnë gjyqtarët dhe këshillet prokuroriale lokale. Sepse sa për këto të tanishmet, ndoshta vendi i tyre është në gjyq. Ama jo si gjyqtarë dhe prokurorë – por në tavolinën e akuzës.
3 Sa i përket letrës së ambasadores amerikane, një gazetare e pyeti kryeministrin Dimitar Kovaçevski: Deri kur do të na tolerojë bashkësia ndërkombëtare?
Pse duhet të na tolerojë bashkësia ndërkombëtare? Që kur qeveria nuk ndjen shtypje, pse t’i interesojë bashkësisë ndërkombëtare nëse dikush vjedh dhe se kush është ky. Nga jashtë do të na bëjnë presion që ta ndryshojmë Kushtetutën, nëse duhet edhe njëqind herë, që të sigurojnë stabilitet rajonal, që ata të mos kenë kokëdhembje. Po brenda ç’bëjmë? Siç keni zgjedhur, ashtu do të jetoni.
Prandaj, nuk është çështja se deri kur do të na tolerojë bashkësia ndërkombëtare. Por, se deri kur ne do të durojmë që ata të cilët i zgjedhim dhe i paguajmë për të qeverisur në mënyrë të ndershme, kur vijnë në pushtet – të mos vjedhin. Mirë që vjedhin, po na bëjnë dhe budallenj. Na qeshin në fytyrë – po ju vjedhim, por për të mirën tuaj.
Përktheu: Fjolla Zllatku