RADEVI DHE PIKOLOMINI

“Vizitoje Rusinë, para se Rusia të të vizitojë ty”.

1 Kush dëshiron të hedhë bast se kusht shtesë për fillim të negocimeve me BE-në do të jetë që të pushojmë së krahasuari sjelljen e Bullgarisë ndaj Maqedonisë me atë të Rusisë ndaj Ukrainës? Herët a vonë, deri në Samitin e ardhshëm të BE-së, edhe kjo do të bëhet bençmark. Shyqyr, edhe Kovaçevskit i plasi filmi nga Bullgaria. Mesa duket, duke u përballur vetë me ofendimet e zëvendës kryetares të Bullgarisë Ilijana Jotova në Samitin e Këshillit të Evropës në Rejkjavik, nuk duroi pa thënë: “Diskursi që e shfrytëzon Bullgaria kundër Maqedonisë së Veriut, për fat të keq, është shumë i ngjashëm me diskursin që Federata ruse e përdor kundër Ukrainës”.

E si kështu? Çfarë ndryshoi, që Kovaçevski të japë deklarata të këtilla entievropiane dhe ta hidhërojë Bullgarinë? Sa për atë, retorika e Bullgarisë ndaj Maqedonisë ka 70 vjet që është e njëjta, kurse tri vjetët e fundit, që kur u vu vetoja – ende më shumë.

Mosni. Nuk është mirë që Bullgaria të krahasohet me Rusinë. Nuk është mirë për rrugën evropiane.

Nuk është mirë kur Putini thotë se gjuha ukrainase nuk ekziston, por se ajo është ruse. E është mirë kur politika zyrtare bullgare thotë se gjuha maqedonase është bullgare.

Nuk është mirë kur Putini thotë se ukrainasit janë komb i shpikur. Ndërsa është mirë kur politika zyrtare bullgare thotë se maqedonasit janë komb i shpikur.

Nuk është mirë as kur Putini thotë se Ukraina si shtet është shpikje e komunizmit. E është mirë kur politika zyrtare bullgare thotë se Maqedonia si shtet është shpikje e Titos.

Nuk është mirë kur Putini thotë se historia ukrainase është histori rusie. Por, është mirë kur politika zyrtare bullgare thotë se historia maqedonase është histori bullgare.

Nuk është mirë kur në Dumën Ruse deputetët thërrasin “Ukraina është Rusi”. Por, nuk ishte shumë mirë, kur në qershor 2022 në kuvendin bullgar një grup deputetësh mbanin postera “Maqedonia është Bullgari”. Kjo e dyta ishte shumë evropiane.

Dhe – cili është dallimi? Bullgaria është në BE, ndërsa Rusia jo. Por, gjithçka në kohën e vet. Ashtu siç thoshte një slogan reklame të aerokompanisë ruse “Aeroflot” nga fundi i viteve 1980 – “Vizitoje Rusinë, para se Rusia të të vizitojë ty”. “

2 Qe tridhjetë vjet ëndërrojmë për BE-në, tridhjet vjet flasim për BE-në, tridhjetë vjet flasim për ca vlera evropiane dhe çfarë pamë nga praktikimi i atyre vlerave? Se BE-ja ka shkruar se është bashkësi vlerash, por në realitet bazohet në bllokime dhe dhunime.
Tri vjet kaluan, e asnjëherë nuk dëgjuam qoftë edhe një deklaratë dashamirëse nga ana e Sofjes. Vetëm ofendime, vetëm zhvlerësim, vetëm kërcënime me dhunë. Tri vjet kaluan, e nuk ia dolën të bëjnë zgjedhje të hajrit, të formojnë Qeveri, por kishin punë më të mençur – që të votonin njëqind rezoluta dhe deklarata për Maqedoninë…Se është shantazh i vogël kur dikush nuk të pranon si komb dhe nuk ta pranon as gjuhën, e për më tepër çdo ditë dëgjojmë dhe kërcënime të tjera, nga politikanët më margjinalë e deri te presidenti i shtetit.

Që kur juve në BE ju intereson se si ndihem dhe se në ç’gjuhe amtare flas? A nuk është ndjenja e të ndjerit ashtu siç dëshiron dikush vlera bazore që ju në BE e kultivoni? Atëherë, pse është antievropiane kur them se Bashkimi Evropian i shkel vlerat evropiane sipas mendjes së Bullgarisë? Çfarë ka antievropiane këtu nëse ti thua se një shtet i BE-së i kërcënohet një shteti më të vogël fqinj me kërkesën për të hequr dorë nga vetja me shpresën se ndonjëherë do të mund të bëhet pjesë e bashkësisë?

Ore, më falni, prisni pak, por Bullgaria neve na frikëson çdo ditë. Ajo sillet në mënyrë armiqësore. Një shtet i BE-së na kërcënohet duke përdorur solidaritetin dhe forcën e BE-së. Domethënë, na kërcënohet e gjithë BE-ja.

3 Ndërkohë që Bullgaria na godet me bokse çdo ditë, shtetet tjera evropiane dërgojnë diplomatë dhe politikanë që të na vënë pupla rreth plagëve të goditjeve, që të mos na dhembë shumë kur të biem për toke.
I fundit në seri ishte deputeti gjerman për Ballkanin perëndimor Manuel Saracin, i cili në intervistë për “360 gradë” deklaroi se nuk duhet humbur kohë dhe se “nëse nuk ka ndryshime kushtetuese këtë verë, atëherë e ardhmja juaj do të jetë e paqartë”.

Hajde atëherë, le të shpejtojmë. Të heqim dorë nga pushimet dhe plazhet dhe këtë verë t’i vëmë bullgarët në Kushtetutë. Pse jo, të heqim dorë edhe nga planet e tjera të jetës. Sepse, e ardhmja do të jetë për ne e paqartë. Deri më tash ka qenë tejet e qartë, 30 vjet rrugës për BE.

Çfarë do të ndodh? A do të kemi luftë? A do të zihemi vetë apo dikush do të na sulmojë? Rusia do të vendosë raketa në territorin tonë? Çizmja bullgare do të vijë të na shkelë për herë të tretë?

Kur kancelarja gjermane Angela Merkel erdhi në Ditën e pavarësisë më 8 shtator 2018, të na bindë që të votojmë për referendumin për ndryshim të emrit, kryeministri Zoran Zaev tha: “Vizita e Merkelit është garanci për hyrjen e Maqedonisë në BE dhe NATO. Do t’ia kthejmë me një referendum të suksesshëm, i cili do ta sigurojë ardhmërinë evropiane dhe euroatlantike të Maqedonisë”.

Epo, ja që nuk paskësh qenë garancë. U bëmë anëtare e NATO-s, por e ardhmja evopriane akoma mbetet e paqartë. Pa shpresë që të duket më e qartë më vonë.

Në qershor të vitit të kaluar erdhi dhe kancelari i ri gjerman Olaf Sholc. Në mars të këtij viti erdhi ministrja gjermane e punëve të jashtme Analena Berbok. Shumë gjëra të bukura na thanë. Edhe për Maqedoninë edhe për maqedonasit edhe për gjuhën maqedonase edhe për fqinjësinë dhe miqësinë edhe për BE-në. Por, më kot.

Në fakt, kam përshtypjen se kushdo që të vijë nga BE-ja dhe çfarëdo që të thotë – është më kot. Nga liderët evropianë, ne u besojmë vetëm fjalëve të Radevit. Gjithçka që ai tha, u realizua.

4 Në vend të dy urave, Shkupi mbeti me një më pak. Por, kjo nuk është e gjitha. Qyteti është para bankrotimit, ndërsa transporti publik është më keq se asnjëherë tjetër, trafiku në rrugët e qytetit të Shkupit bëhet gjithmonë e më i padurueshëm, ndërsa kryetarja Danella Arsovska për kaosin i akuzon VMRO-DPMNE-në dhe LSDM-në.
LSDM-ja e akuzon VMRO-DPMNE-në, kandidatja e së cilës për kryetare ishte Danella, këshilltarët e LSDM-së kërkojnë seancë të jashtëzakonshme, VMRO-DPMNE-ja nuk cakton seancë sepse pret propozim nga kryetarja, ndërsa ajo, as atëherë kur ka seancë, nuk vjen për t’iu përgjigjur pyetjeve. Të gjithë ankohen se nuk mund të gjejnë mënyrë se si të komunikojnë me të, a thua se ura që u dogj dhe u hoq nga përdorimi, do të fillojë të punojë vetvetiu nëse ata vazhdojnë së akuzuari njëri-tjetrin. Gjithashtu, edhe transporti publik dhe arka e zbarzur janë çështje të tjera të cilat do të zgjidhen vetvetiu.

Partitë rrinë e shikojnë hallet e qytetarëve dhe presin Danellën që ta heqë llumin  më të madh. Ndërkohë, qytetarët që presin të nevrikosur në stacionet e autobusave, derisa shtyhen brenda tyre, apo vohonen për në punë nga trafiku, nuk e kanë fare me rëndësi se me cilin është ajo, me VMRO-në, me LSDM-në apo me BDI-në,

Ata të cilët e krahasojnë kryetaren nga VMRO-DPMNE-ja ma Pikolominin nuk janë korrektë. Pikolomini e ka ndezur Shkupin vetëm për një ditë – dhe ka mbaruar punë. Nëse për një vit Danella ia ka dalë që ta shkatërrojë kaq shumë qytetin, kush e di se ç’na pret në tre vitet e ardhshme.

 

Përktheu: Fjolla Zllatku

 

 

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира