BALANCUES PËR TOJOTA

Problemi më i vogël është vendosja e Merkos në listën e zezë të SHBA-së. Problemi më i madh është që të gjithë ne jemi në listën e zezë në vetë shtetin tonë.

1 Nuk është çudi fakti se, pasi kryetari i Strugës Ramis Merko u ndodh në listën e zezë të SHBA-së, u zbulua se kundër tij ka pasur gjashtë raste aktive me dyshime për krim të organizuar dhe korrupsion. Nuk është çudi as që disa prej hetimeve akoma nuk kanë filluar, por kanë ngecur në sirtarët e prokurorëve edhe pas 8 vjetësh. Por, çudi është se si erdhëm deri në gjendjen që prokurorët dhe gjykatëseit të paguhen me paratë e tatimpaguesve që operojnë në dy shtete, rrogat nga ne, ndërsa trajnimet dhe udhëtimet studimore nga SHBA, e prapë në fund Ramis Merko të përfundojë në listën e zezë? Çfarë mësuan prokurorët dhe gjykatësit në ato udhëtime studimore në Amerikë? Si t’i ruajnë lëndët kundër funksionarëve në sirtar?

E pse çuditet tani BDI-ja për atë se çfarë ka bërë kryetari i tyre nga Struga, kur një mori prokurorësh, gjykatësish, ekspertësh gjyqësorë dhe zyrtarësh publikë që e kanë mbrojtur kryetarin e Strugës, janë vënë në ato vende si kuadër i tyre partiak. Do të kërkuakan “hetim gjithpërfshirës”, do të kërkuakan veting të gjithëve. Of, of, ata të pagabueshmit, zemrat naive të moralshme….Si more, e kandiduat Merkon për kryetar duke pasur gjashtë padi aktive aktive për korrupsion dhe krim?

Pse çuditet tani Këshilli i prokurorëve publikë, që pas të vjelash do të dërgojë ekipe në Strugë për të hetuar se si ka ardhur puna deri te fshehja e padive kundër funksionarit të lartë të BDI-së. E ata të Këshillit gjyqësor as nuk çuditen, se dikush ua fsheh parashtresat nga Komisioni për antikorrupsion. Edhe kryeministri Kovaçevski do të çuditet se si Amerika ka parë kriminalitet në Stugë, e gjyqësia e këtushme nuk ka parë. Po, edhe VMRO-DPMNE-ja do të çuditet, edhe pse rasti më i vjetër kundër Merkos është nga viti 2015, e nuk çuditeshin kur në kohëne tyre kryetarja e Këshillit gjyqësor bënte lista të gjykatësve me sekretareshën e kryeministrit, sipas defterëve të ministreshës për punë të brendshme.

Edhe? Pse çuditet Prokuroria për përndjekje të krimit të organizuar se kush ka përgjegjësinë për të ngritur padi kundër të gjithë atyre nën mbrojtje të Merkos, prokurorë, gjykatës, politikanë, zyrtarë partiakë…Të gjithë ata njerëz kanë emër mbiemër. A do të ngrejë prokurori për përndjejke të krimit të organizuar padi për krim të organizuar kundër kolegëve të tij?

Kur ti shikon të gjithë rrjetin se si janë bërë dhe janë fshehur krimet për vetëm një kryetar, del se problemi më i vogël është vendosja e Merkos në listën e zezë të SHBA-së. Problemi më i madh është që të gjithë ne jemi në listën e zezë në vetë shtetin tonë. Na kanë vënë aty politikanët që i zgjedhim në zgjedhje, partitë që na i marrin mendtë me premtimet e tyre për luftë kundër korrupsionit, gjykatësit dhe prokurorët të cilët i paguajmë që të na sigurojnë drejtësi, policia nga e cila presim të na mbrojë nga kriminelët dhe dhunuesit.

Në listën e zezë janë jetët tona.

2 Merko, as që fshihej për atë që bënte dhe me të gjithë tallej, kështu e zbuluan edhe amerikanët. Le të mos kontrollojnë më shumë, të mos na shfaqet në listë të zezë edhe ndonjë figurë më e madhe se kryetari i Strugës. Ka dhe të tjerë që edhe na mashtrojnë, edhe na vjedhin, edhe na qeshin para fytyre, dhe të gjithë këtë arrin ta shohë dikush mijëra kilometra larg Maqedonisë. Por, nëse shfaqen edhe emrat e tyre, do të duhet të bjerë Qeveria, të ndryshohet Kushtetuta, të nisen negociata me BE-në, sot një vit do të ketë zgjedhje për parlamentin evropian, kush e di se çfarë fuqish do të fitojnë atje…
Ramis Merko e kishte atë nder dhe privilegj që amerikanët, si partner strategjik i Maqedonisë, ta zgjedhin mu emrin e tij dhe të dërgojnë një mesazh politik. Ky mesazh për BDI-në është shokues, pasi që nga koha kur ishin UÇK në 2001, lëvdoheshin për mbështetjen amerikane. Kjo mbështetje deri më sot u ka mbetur argument për atë se si ata janë të paprekshëm. Dhe kështu është. Këtu, funksionarët e BDI-së me të vërtetë janë të paprekshëm.

Të paktën, të shpresojmë se ky do të shërbejë si shkatërrim i mitit të mbështetjes së pakushtëzuar amerikane ndaj BDI-së. Kush e di, ndoshta me këtë sebep, nga tani, përskaj falmurit amerikan, BDI do të ketë edhe ndonjë flamur maqedonas për të valuar.

3 Para njëfarë kohe më ndaloi policia për një farë shkelje komunikacioni, e pranova fajin, policat e sjelljshëm, tejet të sjellshëm, ishin dy, dygjuhësorë, më shkruanin të dhëna dhe më pyetën për përkatësinë etnike.
Unë u përgjigja: “Tojota*””.

“Por zotëri, nuk më kuptuat, nuk ju pyeta për veturën, ju pyeta çfarë jeni?”.

“Si, çfarë jam? Jam Tojota. Shkruani Tojota. Ashtu ndihem sot”. Edhe pse, e vërteta është që sa here që ndonjë zyrtar shtetëror më pyet se cila është përkatësia ime etnike, unë u përgjigjem Tojota.

Nejse, kaloi njëfarë kohe dhe Ministria e drejtësisë miratoi rregullore që në librat amë të të lindurve që shkruhet përkatësia etnike. E falenderoj Qeverinë që tani, kur të nxjerr certifikatën, do të mundem më në fund të regjistrohem si tojotas.

E pastaj, meqenëse në Drejtori do të ketë të regjistruar në grupin etnik Tojota, do t’i duhet dhe Ministrisë për shoqëri informatike që në balancuesin e punësimeve në bazë etnike, të shtojë dhe një kolonë – tojotas. Çfarë? Nëse jam tojotas nuk do të kem qasje në shërbim publik? Do të duhet të shkruhem si maqedonas. Apo shqiptar, vllah, rom…E kur shteti të dyshojnë në pastërtinë time etnike, në vend që ta shfuqizojë balancuesin, do të miratojë rregullore të re. Imagjinoni! Maqedonasit e kanë keqpërdorur balancuesin e janë shkruar si shqiptarë që të punësohen në administratën shtetërore.

E kush i jep të drejtëin shtetit të të pyesë se si ndihesh kur aplikon për punë?

Një drejtor një institucioni shkencor-hulumtures, dhe atë shumë profesional dhe i ndjeshëm, ka marrë kërcënim nga Avokati i popullit se do të paguajë dënim sepse nuk ka dashur të shtojë të dhëna në lidhje me atë se sa nga të punësuarit janë maqedonas, shqiptarë, vllahë, serbë, romë, bullgarë, boshnjakë, kroatë, malazezë, kinezë, tojotas.. Ai është përgjigjur: “Të gjithë të punësuarit janë qytetarë të Republikës së Maqedonisë së Veriut, të gjithë janë inxhinierë, disa prej tyre janë doktorë shkence dhe magjistra, e juve nëse nuk ju vjen turp, shkoni dhe pyitini vetë, se mua më vjen turp!.

Dhe ashtu është. Është turp dhe është bullallëk, një prej shumë budallallëqeve me të cilat pëballemi në Maqedoni. E çfarë nëse ti ndryshon mendim gjatë jetës? Çfarë nëse prindërit kanë origjinë të ndryshme etnike? Si vërtetohet origjina etnike për t’u regjistruar në shkollë apo për të konkurruar për punë? Ai që e ka shpikur këtë me siguri ka pasur shkollë, por nuk e di se me çfarë mendje ka imponuar këtë lloj diskriminimi klasik.

E drejta për vetëpërcaktim është e padiskutueshme. A nuk po ia vërtetojmë këtë BE-së kur luftojmë kundër vetos bullgare, e cila na e mohon atë të drejtë? Por, të mund t’i vërtetosh shtetit se cilës etni i përket për të fituar një punë, për të jetuar në paqe, ky po që është një nacizëm klasik.

Dhe nuk e di se pse për këtë askush nuk ka ngritur procedurë pasa Gjykatës kushtetuese. Me shumë siguri sepse gjyqësia nuk do t’i sigurojë 78 përqind rrogë më të madhe.

4 Qytetarët e qytezës gjermane Shvangau në Bavari, në referendum vendosën se duan që kështjella lokale Nojshvajnshtajn të bëhet pjesë e trashëgimisë botërore të UNESKO-s, në mbështetje të qeverisë për ta bindur komisionin e UNESKO-s për rëndësinë e madhe të kështjellave mbretërore të Bavarisë, si përmendore të një rëndësie botërore.
Komisioni i UNESKO-s që në vitin 1979 ka qenë i bindur se Ohri dhe Liqeni i Ohrit kanë  rëndësinë e një vlere botërore. Por nëse do të ishte bërë një referuendum, qytetarët e Ohrit dhe të Strugës do të kishin votuar që UNESKO të mos e mbrojë më. Sepse nuk i lejon të ngrenë kate në breg.
Nuk i lejon të vënë klima dhe panele solare mbi qeramidet në bërthamën e lashtë të qytetit. Nuk i lejon të futen në liqen me konstuksione metalike…

“UNESKO-ja do të na vdesë”.

“Edhe ne duhet të jetojmë disi”.

Kështu ankohen qytetarët e Ohrit. Sepse në atë bukuri natyrore, në atë qytetërim shekullor, në atë multienicitet, multikonfesionalitet, në atë hisoti unike, atë udhëkryq të qytetërimeve, atë trashëgimi kulturore, ata kanë vendosur të përfitojnë mu nga dhe vetëm nga platformat metalike në liqen, bekatonkat në plazh dhe lundureset që janë të ndalura në liqenet e Zvicrës apo Austrisë sepse shkaktojnë ndotje të madhe dhe prandaj i shesin këtu si mbeturina.

Të shkretët banorë të qindra qyteteve në botë të mbrojtura nga UNESKO! Vdesin nga varfëria.

*Teksti nuk është sponsoruar nga industria automobilistike, por pasqyron një ndjenjë personale.

 

Përktheu: Fjolla Zllatku

 

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира