1 Çdo seancë e Këshillit gjyqësor ngjason me një episod të ndonjë seriali dhe bëhet gjithmonë e më joshëse, me perspektivën pozitive se, kur të mbarojë ky sezon, përjetimet e personazheve kryesore do të vazhdojmë t’i shohim edhe në sezonin e ardhshëm. Nuk ka fund seriali “Të gjitha rrugët çojnë drejt Këshillit gjyqësor”. Personazhet e saj, një herë janë në rolin e gjykatësve, kundër të cilëve ngrihen parashtresa për shkarkim, e në episodin e ardhshëm po të njëjtët gjykatës bëhen anëtarë të Këshillit gjyqësor.
Në vend të dy anëtarëve të Këshillit gjyqësor, të cilët dorëzuan dorëheqje, janë paraqitur tre kandidatë. Për njërin prej tyre, në po këtë Këshill gjyqësor ka iniciativë për shkarkim nga pozita e gjykatësit. Ndërsa për tjetrin, në Këshillin gjyqësor ka mbërritur shkresë nga prokurorët me dëshmi për një palë të dëmtuar në një proces ku bartës ka qenë ai.
Por kjo nuk është e gjitha. Në këtë episod na shfaqet një personazh i tretë – anëtare e Këshillit gjyqësor e cila e mban në sirtar lëndën kundër njërit prej gjykatësve, mjaftueshëm gjatë që të arrijë koha kur po ky gjykatës të mund të bëhet anëtar i Këshillit gjyqësor. Po kjo anëtare e Këshillit gjyqësor, në po të njëjtin episod, është futur në mbledhje me viber, por kur ka ardhur në rend pika për shkarkimin e gjykatësit që e ka mbajtur lëndën kundër Mijallkovit rreth përgjimit masiv të paligjshëm mjaftueshëm gjatë, sa ajo të vjetërohet, viberi i është fikur. Pas kësaj e kanë kërkuar edhe në linjë të hapur, me celular të zakonshëm kur, si për bela, është humbur rrjeti. Pikërisht në këtë moment. As Internet, as telefon, linjë e vdekur, parapaguesi nuk është i qasshëm. Alo, alo… në fund – alo, budallo!
Ashtu është. Budallenj jemi ne që akoma besojmë se atyre do t’u vijë turp për atë që po bëjnë. Nëse do ta kishim parë këtë gjë në një serial, do të thoshim me vete – heej, ky skenaristi e ka tepruar pak me historinë. Por, ky nuk është film. Të mos pasurit turp është një predispozitë e natyrshme që të jenë në atë vend.
Ne çuditemi se si nuk u vjen turp se çfarë ka thënë ambasadori i hollandez apo se çfarë ka thënë ambasadori austiak. Atyre nuk u vjen turp prej nesh, ne që i paguajmë, e do t’u vika turp prej tatimpaguesve të huaj. Turp të na vijë neve që presim prej tyre t’u vijë turp.
2 Disfata më e madhe e LSDM-së është kur deputetët e VMRO-DPMNE-së në pyetjet e deputetëve në Kuvend e pyesin kryeministrin Dimitar Kovaçevski se pse nuk ndërmerr asgjë kundër BDI-së dhe kur kërcënohen se kur ata të vijnë në pushtet do t’i arrestojnë kriminelët e pushtetit të tanishëm.
Vallë, ky Ali Ahmeti, nipi i të cilit tani blen qendra tregtare nëpër Shkup në moshën 25 vjeçe, nuk është po ai Ali Ahmeti me të cilin qeveriste Gruevski: Eeeeej, VMRO-ja të të akuzojë për krim! Çfarë arriti të shohë LSDM-ja!? Ajo parti që 11 vjet me po atë BDI, e vodhi shtetin deri në komunën më të vogël, i robëroi institucionet shtetërore, përgjoi ilegalisht mijëra qytetarë dhe në fund dhunshëm e sulmoi Kuvendin dhe asnjëherë nuk kërkoi falje, tani t’i kërcënohet LSDM-së se kur të mbërrijë në pushtet, do t’i arrestojë.
Veç kësaj, do të shfaqet Artan Grubi në television, dhe në kontekst të vendosjes së Ramis Merkos në listen e zezë të SHBA-së për shkak të korrupsionit, do të thotë: “Komisioni për antikorrupsion nuk bën. Nuk kanë asnjë rast të suksesshëm dhe shpresoj se në përbërjen e re do të jenë më të suksesshëm”.
Ky nuk është cinizëm. Është mu ai lloj i situatës kur ti çuditesh se si bashkëbiseduesit nuk i vjen turp për atë që po të thotë e ai të sheh në sy e të thotë: Alo, budalla!
Njësoj si kur qeveria na merr për budallenj kur thotë se “institucionet duhet të veprojnë në rastin e kryetarit të Strugës Ramis Merko dhe me nipin e Ali Ahmetit Dritonin”.
Cilat institucione? Ato janë përzierje të dajave, axhallarëve, vëllezërve, motrave, djemve dhe vajzave, nuseve, dhëndrave…Kush në Këshill gjyqësor, kush në Gjykatën e Lartë, kush në Prokurori, kush në Akademinë e gjykatëve, kush si ndërmarrës, kur ka pasur ide për biznes…Nuk e di se kë ka vëlla, kë ka motër…Thjesht dihet se në cilin defter partiak është gjendur në ato institucione.
3 Nuk është fare e rëndësishme se për çfarë teme u organizua protesta e Kishës. Siç protestuan kundër ligjeve për barazi gjinore dhe evidentim amë, mund të kishin protestuar edhe për mbjelljen e specave dhe domateve. Por, e rëndësishme është që u krijua një klimë shoqërore,ku i jepet legjitimitet një institucioni fetar në një shtet laik, që të debatojë se kush mundet dhe kush nuk mundet të ketë të drejta në një shtet demokratik. Veç kësaj,bën propagandë për jotolerancë dhe urrejte.
Nuk do të më çudiste nëse kjo do të kishte ndodhur në kohën kur në pushtet ishte VMRO-DPMNE-ja. Por, po ndodh gjatë qeverisjes së një koalicioni të së majtës. Së pari, i mundësuan kishës të uzurponte parcela shtetërore që të ndërtojë ndërtesa banimi dhe të shesë banesa. E tani, do të na bëjnë dhe politikë, e do t’i dëgjojmë priftërinjtë se si të jetojmë në një shtet laik. Hoxhallarë dhe priftërinjë do të na shkruajnë ligjet. Le të na e ndryshojnë dhe Kushtetutën. Qeveria e së majtës nga kisha ka bërë faktor politik.
Që kur LSDM-ja është në pushtet përpiqet t’i zhgënjejë ata që i ndihmuan ta largojë Gruvskin në ato kushte të tmerrshme të 2016-ës. Këta janë njerëzit të cilët besonin në progres, në drejtësi dhe çlirim të shtetit nga partitë dhe se me LSDM-në të paktën “ajo ligësi nuk do të përsëritej”. Dhe pasi asnjë nga premtimet për qeverisje të mire nuk e mbajtën, u mbeti vetëm edhe të na ofrojnë besimin në Zot. Pse? Nga populizmi i pastër. Vazhdimisht i refuzojnë votuesit potencialë në mënyrë që t’i bëjnë për vete ata që, as të çmendur, nuk do t’i votonin.
Por, më e tmerrshme është që rrezikohen themelet e shtetit laik.
Përktheu: Fjolla Zllatku