TENDERI I KA FAJET

Bravo për qeverinë që dëshiron ta identifikojmë me kafexhinj të papërgjegjshëm.

1 Për herë të parë, gjimnazet më të mëdha të Shkupit, për të cilat vjet njerëzit ziheshin për t’u regjistruar, nuk janë mbushur në afatin e parë të regjistrimit.
E me ç’ti mbajmë fëmijët në Maqedoni? Me fjalimet e Dimitar Kovaçevskit se vetëm Kushtetutën duhet ta ndryshojmë dhe gjithçka do të jetë më mirë. Me mesazhet në fejsbuk të Bojan Mariçiqit nga Brukseli se ka qenë në skrining, por tani veç edhe bullgarët të hyjnë në Preambulë dhe gjithçka do të rregullohet. Me paqekrijuesin Bujar Osmani, kryesuesin e OSBE-së, të cilit më parë do t’i funksionojë t’i pajtojë Serbinë dhe Kosovën sesa Sllupçanin me EVN-në. Me liderin e opozitës Hristijan Mickoski, i cili për akuzat për vjedhjen e përmasave të paimagjunueshme që e bëri partia e tij me “Shkupi 2014”, tha se kanë qenë defokusim për mohimin e identitetit maqedonas.

Jo ore. Fëmijët duan jetë më të mirë tani. Nuk duan më t’i dëgjojnë historitë e trishta të prindërve dhe gjysheve e gjyshërve se si dikush u ka vjedhur gjysmë oborri, se si e kanë humbur shëndetin duke u zvarritur nëpër gjyqe, por drejtësi nuk kanë parë. Fëmijët dëshirojnë që, kur të shkojnë në shkollë apo në fakultet të dinë se për sa minuta do t’u vijë autobusi, duan libra shkollorë, duan profesorë me integritet, e jo shërbëtorë partiakë. Dhe kur të mbarojnë punën, nuk duan nënçmim të prindërve të tyre me kërcënime partiake – do të ta punësojmë fëmijën në shërbim të shtetit, por e gjithë familja të votojë për ne.

Fëmijët duan jetë tani. Jo – pasi t’i shtojmë bullgarët në Kushtetutë. Sepse e dinë se edhe pas ndryshimit të Kushtetutës, edhe pas fillimit të vërtetë të negociatave me BE-në, sërish jeta do t’u varet nga banditët lokalë me vetura të vjedhura luksoze, që na shesin pallavra se si qenkan kremi i shoqërisë. Do të të shkelin në vija këmbësore dhe prapë ti do të jesh fajtori.

2 Edhe unë kërkoj në pamje të parë punë të thjeshta. Nuk dua që askush të më malltretojë me ndërtime të paligjshme. Dua rrugë të pastra dhe bar të kositur pranë rrugëve. Dua të vozis përgjatë Partizanskës pa ndalëse nga kullerat e parkuar në korsinë e tretë. Dua që kur të shkoj në “Ohridsko letro” të mos kem frikë nëse do të më vrasin në Debarcë, jo si partizanët në Luftën e dytë botërore, por, me qetësisht, në mënyrën e NATO-s dhe Evropës, në atë rrugë të mallkuar 50 kilometrëshe të ndërtuar nga miliarda eurot tona, e cila ndërtohet tashmë 10 vjet dhe nuk ka shpresë se do të mbarojë. As rrugë të re nuk po ndërtojnë, por as të vjetrën nuk po e përmirësojnë. Nuk dua që qentë të më hanë në shesh në kryeqytetin e shtetit. Dua të shkoj në “Manaki” në Manastir si një zotëri, të hyp në tren, aty të kaloj mirë, të marr një pije dhe të kthehem në shtëpi në mënyrë të sigurtë dhe të pushuar, pa u përndjekur me kamionat e Pletvarit nëpër rrugën që ka bërë Tito. Dua që kur të shkoj për skijim në Kodrën e Diellit të më japin llogari fiskale për parkim. Dua që “në tokën e diellit dhe domateve më të mira në botë” të ha perime të shëndetshme, e jo të vjela nga pishinat e acidit në minierat e BDI-VMRO-LSDM-së. Dua, që nëse jam me diabet, terapia të më vijë në kohë, e jo ministri i shëndetësisë të ma ngrejë sheqerin sepse “ka faj tenderi”. Turp të ketë tenderi. Nuk dua që paqja ime të prishet nga disa kafexhinj që shkelin ligjet, nga uzurpimi i hapësirës publike, deri te muzika shumë e lartë pas orarit të punës, me të cilën torturojnë lagje të tëra, e askush nuk mund t’u bëjë asgjë, sepse ata që duhet të dënojnë janë myshterinj të blerë.
Madje, LSDM-ja kështu dhe e nisi qeverisjen, me ndryshimin e ligjit për ndalim të duhanpirjes, që t’u mundësojë kafexhinjve t’i uzurpojnë trotoaret me ndërtime të paligjshme të cilat maskohen si tarraca, dhe përfundoi me pronarë lokalesh të arrestuar për tregti dhe makina të vjedhura. Bravo për qeverinë që dëshiron ta identifikojmë me kafexhinj të papërgjegjshëm.

Por, jo. Hajde ta ndryshojmë Kushtetutën, e fondet evropiane do të vijnë. Do të vijnë që të mundet edhe ata t’i vjedhin. T’u kurdisin tendera njëri-tjetrit. Edhe deri tash vinin, dhe nga analfabetizmi nuk dinin t’i shfrytëzojnë. E ata që janë analfabetë ua japin njerëzve të tyre.
Kur ua thua gjithë këtë, mund edhe të hidhërohen. Je ti fajtor që kërkon një jetë normale, e jo ata që këtë gjë ta bëjnë të pamundur.

Nuk dua t’i dëgjoj më as Kovaçevskin, as Osmanin, as Mariçiqin se sa bukur do ta kemi kur ta ndryshojmë Kushtetutën. Mickoski nga ana tjetër, që për shtatë vjet nuk mblodhi guximin as të kërkojë falje për të keqen që e bëri partia e tij, çfarëdo që të thotë do të jetë e pavlerë. Edhe me këtë Kushtetutë, askush nuk i ndalon politikanët që të na sigurojnë jetë më të mirë. As pushtetit qendror të LSDM-së dhe BDI-së e as pushteteve lokale të VMRO-DPMNE-së. Përkundrazi. Këtë e prisnim prej tyre. Ne i zgjedhim dhe i paguajmë për këtë. Kush i ndalon tani që të na bëjnë jetën më të mirë?

3 Ja për shembull, kush i ndalon banorët e Sllupçanit që prej sot të fillojnë të paguajnë rrymë? E gjithë Qeveria e lut Sllupçanin të paguajë rrymë. Ekipe të tëra të EVN-së hynë në fshat që të rregullojnë një defekt të shkaktuar për shkak të vjedhjes së rrymës me garancë të ministrit të ekonomisë Kreshnik Bekteshi dhe kryetarit të Likovës Erkan Arifi. Pse nevojitet një ministër dhe kryetar i BDI-së si garancë për ekipet e EVN-së, se nuk do të rrihen? Vallë, deri më tani, këta politikanët e BDI-së paskan qenë garancë e banorëve – mos u shqetësoni, mos paguani rrymë, ne ju garantojmë se askush nuk mund t’ju bëjë asgjë.
Prisni tani. Kjo është vetëm faza e parë e negociatave të paqes mes EVN-së dhe Sllupçanit – vetëm që të hiqet defekti. Në fazën e dytë, kur EVN-ja do të duhet t’i ndryshojë matësit e rrymës, ndoshta do të duhet të thërriten edhe paqekrijuesit e OKB-së. E nga ana tjetër, kur banorët do të duhet të detyrohen të paguajnë rrymë, me shumë siguri do të organizohet edhe një konferencë paqeje, me ndërmjetësues në Oslo, të mos jetë as Shkupi, as Vjena. Sepse i diskrimojnë dhe i bëjnë që të paguajnë rrymë vetëm sepse janë shqiptarë.

Kur e valojnë flamurin shqiptar në Maqedoni, a e dinë se në Shqipëri duhet të paguhet rryma? Në cilin shtet të NATO-s, të mospaguarit e rrymës bëhet çështje e të drejtave njerëzore? Në cilin shtet të NATO-s ministri i garanton firmës austriake se mund të hyjë që të rregullojë një  defekt, të cilin e kanë shkaktuar po ata të cilët i kanë dhënë garancë ministrit se nuk do t’i rrahin ekipet që vijnë për t’ia rregulluar defektin?

4 Të punësuar në administratën shtetërore marrin pushime të papaguara prej tri muajve dhe largohen në punë sezonale në Kroaci, e këtu vendi i punës u mbetet i zbrazët. Ministri i shoqërisë informatike dhe administrates Azir Aliu thotë se “kjo shfaqje është e keqe dhe në një periudhë afatgjatë, meqenëse këta njerëz largohen, krijojnë kontakte atje, marrin oferta për një punë tjetër edhe mund t’i humbim edhe të punësuarit në sektorin publik”.
Bashkëndjej me shqetësimin e ministrit se do të humbim të punësuar në sektorin publik.
Nuk jemi shqetësuar aq shumë që kemi mbetur pa mjekë, pa inxhinierë, pa mjeshtra dhe polica, arsimimin e të cilëve po e pagujmë shtrenjtë nga djepi deri në diplomim, sa jemi shqetësuar që dikush që nuk mund ta gjesh për të të dhënë një vulë në sportel, atje do të dallohet si një radhitës i shezloneve dhe si pastruese. Ne këtu nuk mund të marrim shërbimin e duhur sepse shkojnë në kurbet në llogarinë tonë. Kush do të punojë në vendin e tyre, nëse ata nuk i gjen dot për katër muaj me radhë? Apo, janë kaq të shumtë sa që nuk ndihet mungesa e tyre. Ashtu siç nuk ndjehej as në kohën e krizës së kovidit kur punonin nga shtëpia.

Siç komentoi një lexues i yni për këtë temë: Kjo administratë publike është një taksirat i madh për qytetarët.

Megjithatë, ka përparim të madh nga viti 2017 kur ministri Damjan Mançevski i luste administratorët që rrinin në shtëpi, e merrnin rrogë, që të vinin në punë.

Por pse duhet të shqetësohemi ne? Partitë le të shqetësohen se do të mbesin pa administratë publike. Ata i kanë votuesit e sigurtë.

5 BE-ja i ka propozuar Qeverisë të dërgojë një mision vlerësues për punën e Këshillit gjyqësor. Kurse Këshilli gjyqësor me një komunikatë pa pikën e turpit e përshëndeti vendimin e BE-së.
Çfarë do të vlerësojë misioni evropian në Këshillin gjyqësor? E vetmja gjë që mund të vlerësohet aty është paturpërsia e anëtarëve të Këshillit gjyqësor.

 

Përktheu: Fjolla Zllatku

 

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира