1 Kur në korrik të 2017 Zoran Zaev u bë kryeministër me premtimin: “Kjo ligësi asnjëherë nuk do të përsëritet”, koalicioni qeveritar, i udhëhequr prej LSDM-së fitoi mandat nga qyetetarët që të kryente vetëm tri gjëra:
- Zbulim i krimeve
- Dënim i atyre që kanë bërë zullume
- Kthim i parave të vjedhura të popullit
Mbetën në pikën e parë. Vetëm krimet i zbulan. Dy pikat e tjera i harruan.
E? Çfarë mund të konstatojmë pas gjashtë vjetëve në qeveri të LSDM-së dhe BDI-së? Se ata në fakt, gjithmonë kanë ëndërruar të jenë Nikolla Gruevski dhe Sasho Mijallkov.
Vetëm që e ndryshuan Kodin penal që të mos duhet të shkojnë në burg. Nëse i zënë duke vjedhur, veprat t’u vjetërohen shpejt, e të mos duhet as letrat e njoftimit t’i ndërrojnë për të shërbyer dënimin në Strugë. Ose larg qoftë t’ju duhet të ikin larg nga shteti i tyre e të shkruajnë statuse fejsbuku nga ndonjë shtet i huaj. Të mos mund t’i harxhojnë paratë e vjedhura në vendin e tyre.
E nëse nuk është e domosdoshme, Amerika të mos i vërë në listën e zezë.
2 Presidenti Stevo Pendarovski në një intervistë për TV 21 tha se disa gjykatës me qëllim i kanë fshehur lëndët, e kështu është vjetëruar edhe lënda për përgjimin e paligjshëm të mijëra qytetarëve kundër shefit të atëhershëm DSK-së Sasho Mijallkov. U ankua se edhe ai është një nga të përgjuarit dhe pyeti: “Ajo lëndë kthehet tri herë me radhë në gjykim të parë. Pse nuk ka mbaruar deri më tani?”
Pendarovski po bën vitin e fundit të mandatit dhe akoma jep deklarata si të ishte një qytetar i thjeshtë të cilit i është bërë padrejtësi, e që nëse do të ishte më i ri, do ta braktiste këtë moti këtë shtet. Harron se, ndryshe nga qytetari Pendarovski, presidenti Pendarovski mund të mos e kishte nënshkruar ligjin me të cilin u lejua vjetërimi i shumë krimeve, duke përfshirë këtu edhe përgjimin e paligjshëm të telefonit të tij. Vallë, tani e mori vesh se gjykatësit i fshehin lëndët, pasi e nënshkroi ligjin?
Dikush e shtyn gjykimin, dikush e kthen atë në gjykim të sërishëm, Këshilli gjyqësor nuk diskuton mbi askënd, Qeveria propozon ligj, deputetët e votojnë ligjin…Ç’të bëhet? U duhet lehtësuar jeta kriminelëve të elitave politike, andaj ndihmon kush të mundet – prokurorë, hulumtues, gjykatës, Këshilli gjyqësor, Këshilli i prokurorëve publikë, Qeveria, deputetët….Ja edhe presidenti zgjodhi t’ua lehtësojë jetën.
Qytetari Pendarovski le të mos shqetësohet fare se për tri vjet me radhë e kanë përgjuar dhe se nuk do të ketë zgjidhje gjyqësore për përgjimin e paligjshëm, jo vetëm për të, por edhe për mijëra bashkëqytetarë të tij. A thua se nuk ka ndodhur gjë.
Ja, unë fare nuk shqetësohem që më duhej të shkoja dhe të dëshmoja dy herë për faktin se më kanë përgjuar për dy vjet e gjysmë. Tani të paktën jam rehat, nuk do të më thërrasin për herë të tretë, e ndërkohë kam harruar se sa dëmshpërblim kërkova herën e parë kur dëshmova. Turp, çfarë do të mendojnë për mua të akuzuarit?
Ore, le të vazhdojë jeta.
3 Me mahnitje u pranua deklarata e ambasadorit holandez Dirk Jan Kop se në Maqedoni nuk ka vullnet politik për reforma dhe pyeti: “Ku shkojnë paratë e tatimpaguesve tanë?” Se, të gjithë këtë pyesim, të gjithë këtë mendojmë, por ja që ambasadorit i ka ardhur në majë të hundës.
Ambasadori holandez u prit me duartrokitje sepse pyeti diçka e cila është pyetja më logjike që mund të bëjë një zyratar holandez, i cili paguhet nga tatimpaguesit holandezë. Ai është dërguar në Maqdoni që t’i mbrojë interesat e Mbretërisë së Holandës. Dhe nuk ka asgjë të çuditshme te fakti se ka pyetur se ku shkojnë paratë e tatimpaguesve holandezë.
Kur ka ndodhur, vallë, që në Maqedoni dikujt t’i duartrokitet sepse ka pyetur: Ku janë paratë e tatimpaguesve maqedonas? Ato para janë shumë herë më tepër se paratë e të gjithë donatorëve të huaj bashkë. Të gjithë ne ndajmë për buxhetin maqedonas çdo ditë, shumë më tepër se donatorët e huaj, por nuk kemi ambasador maqedonas në Maqedoni, të cilit do t’i vijë në majë të hudës e të pyesë: Ku janë paratë tona?
Si mundet që neve të mos na vijë në majë të hundës?
Nëse pyet dikë nga qeveria, qoftë në nivel shtetëror apo lokal: Ku janë paratë e mia?, jo vetëm që nuk do të duartrokitesh, por edhe do të qeshin me ty. Do të të akuzojnë se dikush po të paguan të bësh pyetje të tilla, se ti dëshiron ta kthesh Gruevskin, se i ke lakmi ngaqë kanë para dhe privilegje, se je qaraman, pa eksperiencë, provokues…E jo vetëm ata të qeverisë, por në përgjithësi të gjithë qytetarët, do të të shohin a thua se po pyet budallallëqe.
Jo shumë kohë më parë më ndodhi që kur pyeta se kush e përdor avionin e qeverisë dhe për çfarë asye; sa shpesh fluturon ai, një zyrtar shtetëror mu përgjigj: Lehtë është të kritikosh, shko, fito në zgjedhje, pastaj kritiko! Mbeta. Nuk dija si t’i përgjigjesha një paftyrësie të tij nga një njeri të cilin e paguaj vetë.
Ambasadori holandez tha se me paratë holandeze tashmë tre herë është ngritur vetëdija për projekte të ndryshme, me plane aksionare në dy pjesë dhe trajnime në katër pjesë. Por qytetari maqedonas akoma nuk është vetëdijësuar se me paratë e tij paguhen të gjithë funksionarët shtetërorë dhe zyrtarët shtetërore. Dhe se ata njerëz janë zyrtarët tanë. Ka ardhur dikush nga Holanda të pyesë se ku janë paratë e tij, ndërsa ne këtu nuk pyesim se ku janë paratë tona.
Si mund të zhduket korrupsioni, kur askujt nga ne që japim votën tonë në zgjedhje, nuk na pengon?
4 Kryemininstri Dimitar Kovaçevski lajmëroi se për një apo dy javë do të jetë gati materiali punues për vendimin ligjor me të cilin do të korrigjohen “në një nivel më të pranueshëm” rrogat e funksionarëve, që tashmë për shtatë muaj me radhë janë rritur për 78 përqind, me vendimin e Gjykatës kushtetuese.
Nëse Qeverisë iu deshën shtatë muaj të hapë diskutim pë një nga hapat më të këqinj që ka marrë në çdo aspekt, edhe politik, edhe ekonomik, edhe moral, atëherë do të duhet të kalojnë shtatë vjet që të gjendjet një zgjidhje “e pranueshme dhe e qëndrueshme” për rrogat e funksionarëve. Tamam deri në vitin 2030, kur do të hymë në BE.
Përketheu: Fjolla Zllatku