1 Filloi fushata e qeverisë prej 350.000 eurove “E ardhmja evropiane më afër se kurrë”, ndërsa unë akoma nuk arrita të shkoj në ndonjë tubim që t’i kuptoj përfundmisht “reformat që do të sigurojnë zhvillim të mëtejshëm të shtetit sipas standardeve evropiane dhe ndërtim të një të ardhmeje evropiane”. Veçanërisht nuk do të kisha mundur ta humb panel diskutimin në të cilin do të flitet për “përpjekjet e dedikuara të Qeverisë drejt integrimit evropian dhe përmirësimit të jetës së qytetarëve sipas standardeve evropiane”. Shumë më intereson se çfarë do të thonë për dedikimin me temë “mosdënim dhe korrupsion” sipas standardeve evropiane. Se ne nuk e shohim se çfarë do ndodh, e duhet të na e thonë me fushatë. Kishim shumë kohë më parë një fushatë “Nuk pranoj rryshfet”.
Se mos neve na duhet bindje për BE? Ne që mbetëm këtu, që 30 vjet kemi ndërtuar këtë shtet duke ëndërruar për BE-në, tani Qeveria me billborde dhe publikime në Facebook dhe Instagram do të na bindë se në BE është bukur. Dhe me dikutime paneli në të cilat Bojan Mariçiqi do të debatojë me Bujar Osmanin.
Po lexoja me kujdes komunikatën qeveritare për domethënien e kësaj fushate, por askund nuk pashë se përmenden bullgarët në Kushtetutë. Si e kanë pëzgjedhur atëherë emrin e fushatës “E ardhmja evropiane më afër se kurrë”? Si “më afër”? Më afër se kur, kur ka vetëm një kusht që të fillosh negociata me BE-në. Të ndryshosh kushtetutën. Nëse Qeveria ka marrë përgjegjësinë që ta ndërrojë Kushtetutën dhe nuk ia ka dale, atëherë BE-ja është gjithashtu larg edhe tani, si kurrë më parë.
E tani, për mossuksesin e Qeverisë që ta përmbushë përgjegjësinëqë e pranoi me propozimin francez pa e menduar nëse është i realizueshëm apo jo, neve do të na kërkojë edhe 350.000 euro të tjera.
Se deri më tash nuk na bindi dot me tubimet “Ne jemi Evropë” që kushtonin 80.000 euro. Si të na dënojnë se kemi qenë budallenj që kemi mbetur këtu. Se me të vërtetë kemi besuar se BE-në kemi mundur ta bëjmë në shtëpi, e jo pafundësisht të na përbuzin edhe BE-ja, edhe qeveria jonë, në emër të ndonjë të ardhmeje të imagjinuar.
2 Presidenti Stevo Pendarovski në fjalimin e sivjetshëm para Kuvendit deputetëve u tha “fill pas zgjedhjeve të bëjmë një pastrim si te gjykatësit ashtu edhe te prokurorët, por para së gjithash te ne – politikanët. Dhe për secilin që nuk ka arsyetim të logjikshëm se si ka mundur me rrogë shteti të bëhe milioner, duhet menjëherë të vijojë jo vetëm dorëheqje, por edhe procedurë penale”.
Pse pas zgjedhjeve? Pse jo tani? Dhe pse jo deri më tani?
Po pas zgjedhjeve, cilët prokurorë dhe gjykatës do t’i përndjekin politikanët? Këta të njëjtët? Pas zgjedhjeve do të importojnë integritet nga BE-ja, që deri më tani u mungonte, e do të fillojnë të gjykojnë në bazë të ligjit dhe të drejtës.
Mirë tingëllon kjo që thotë presidenti Stevo Pendarovski. Edhe pse edhe ai u ndihmoi politikanëve të korruptuar që të mos përgjigjen për krimet dhe më lehtë të tërhiqen, duke nënshkruar ndryshimet e Kodit penal për uljen e dënimeve dhe vjetërimin më të shpejtë të veprave.
Kjo që na e thotë presidenti është njësoj si kur një njeriu të sëmurë rëndë dikush t’i thotë se sa e keqe është sëmundja e tij. Por ama, bashkëndjen. A thua se ne nuk e dimë se sa i tmerrshëm është korrupsioni që po na e ha shtetin, e duhej që presidenti ta thoshte këtë në fjalimin e vitit në Kuvend.
Të themi të drejtën, Pendarovski deri më tani ka treguar se në mënyrë të ndershme e shpenzon buxhetin presidencial. Por shembulli i tij personal, e sidomos fjala e tij si shef i shtetit, nuk ka nodnjë ndikim kush e di se sa të madh mbi koalicionin qeveritar. Sa kuptim ka ajo që e thotë Pendarovski në koalicionin qeveritar të LSDM-së dhe BDI-së kandidat i të cilëve ai ishte?
Tridhjet vjet kemi qeveri lokale dhe qendrore të cilat nuk mendojnë se korrupsioni është i dëmshëm. Kjo gjë është kaq e normalizuar saqë është bërë karakteristikë mentale e votuesve. Korrupsioni nuk u pengon.
Kemi Qeveri që nuk i merr parasysh kërkesat e Komisionit për antikorrupsion për shkarkimin e funksonarëve të korruptuar dhe as raportet e Entit shtetëror të revizionit të cilat vërtetojnë se ekziston kriminalitet. E pse do ta merrte parasysh fjalën e presidentit, kur askush nuk mund t’u bëjë asgjë?
3 Nga aq shumë bukuri në kryeqytet, shkupjanët e këqinj u kapën për bredhin e kryetares Danella Arsovska. Bredh i shtrembër, i pastolisur, serbët paskan qeshur me ne, por edhe kroatët.
Budallallëqe. Lini bredhin. A nuk e shihni sa i rregulluar është qyteti. Jetojmë në Shkupin modern, siç na premtonte kryetarja të cilën VMRO-DPMNE-ja e shiti si candidate të pavarur dhe menaxherja më e mirë në botë. Por shyqyr, gruaja doli e mire. Transporti publik funksionon në mënyrë të përkryer, urat janë lëshuar, trafiku i komunikacionit është zhbërë, qyteti është i pastër, më i pastër se kurrë më parë, ndërtimi i stacionit pastrues në Vardar nuk ndalon, edhe ndërtimi në Momin Potok është para mbarimit…Për pak do të mbërrinin edhe 250 autobusët që i blinte bashkë me Hristijan Mickoskin për transport publik falas. Të mos ishin “manipulimet, senzacionalizmi dhe spekulimet e partive politike që për 30 vjet me radhë e mjelin Maqedoninë”. Edhe kafshët në kopshtin zoologjik vdesin nga jeta e stresuar të traumatizuara nga “vjedhja e 30 vjetëve privatizim dhe përjashtimit të mijëra njerëzve nga puna”.
Do të fotografohet kryetarja për here të 100-të nga Maqedonia dhe shtetet e tjera ku shkon për “udhëtime sutdimore”, ku e mësojnë se çfarë është qeverisje e mirë, transparenca dhe llogaridhënia për shpenzimin e parave shtetërore.E kur do të kthehet në shtëpi do të ankohet te ambasadat e huaja se si të gjithë janë kundër saj se është grua, e pavarur, e suksesshmë e do të kërcënohet me padi “nëse nuk e tërhiqni tekstin në afat prej 48 orëve”. Suksesi i saj t’i vret kaq shumë sytë, saqë flet vetë për vete dhe nuk ka nevojë që kryetarja të parqitet para gazetarëve. Lëri anësh mediat, por nuk paraqitet as në seancat e Këshillit të Qytetit të Shkupit, ku jo vetëm që nuk u përgjigjet pyetjeve të këshillit, por nuk sheh nevojën për t’i mbrojtur as projektet e saja që duhet t’ia votojnë.
Përse të mos i besojmë kur na thotë se ka pasur thirrje publike për shpenzim të 30.000 eurove për stolisje të Shkupit, edhe pse thirrja nuk gjendet askund? Kush tha se thirrja publike nukmund të jetë sekrete? Ndoshta Danella ka dërguar lajmëtarë me daulle që të thërrasin nëpër Shkup: Dëgjoni. Dëgjoni, do të stoliset Shkupi, kam vendosur 20.000 euro të harxhoj, kush dëshiron të stolisë dhe të bëjë festa nëpër shesh le të paraqitet!”. Nëse askund nuk ndodhet i publikuar prokurimi publik dhe se kush e ka fituar tenderin, mesiguri vetë i ka paguar zbukurimet. Sepse nëse kanë paguar të tjerë, do të mendojnë njerëzit se është rryshfet, ose mos o zot ndonjë reket. Si të mos i besojmë fjalës, kur ditë për ditë na vërteton se me sa sukses e menaxhon Qytetin. Siç në mënyrë të suksesshme i drejtonte bizneset private në sallën “Rasadnik”.
Danella Arskovska është vetëm në gjysmën e mandatit, e tashmë mund ta shohim përfitimin më të madh nga qeverisja e saj. U ka dhënë një skemë të gjitha qeverive të ardhshme se si mund të sundojë me sukses me mashtrim, ankesa dhe injorim të publikut dhe institucioneve.
VMRO-DPMNE e shkretoi që e shkretoi Shkupin. Por unë për LSDM-në e kam fjalën. Vallë sa i dëshpëruar duhet të jesh si parti në pushtet, të besosh se Danella do t’ia punojë VMRO-së së Mickoskit dhe do t’i marrë vota në zgjedhje? Ja që gjetën me kë të bëjnë ujdi.
Përktheu: Fjolla Zllatku