Siç filloi, jo dhe në mënyrë aq optimiste, ashtu dhe mbaroi viti 2023. Me po të njëjtat lajme që dëshmojnë për katastrofën në gjyqësi, drejtësi, për mosdënimin, korrupsionin, për balancuesin e punësimeve që sheh etninë në vend të profesionalizmit…
Por hajde, le të mos mendojmë se 2024 do të jetë më e keqe. Është vit zgedhjesh, mbase mund të jetë dhe më i mirë.
Këto janë fragmente nga ajo çfarë kam dashur të them gjatë vitit 2023.
Ju uroj gëzim gjatë festave dhe shumë shëndet këtë vit të ri.
13 janar
Vendosa të bëj një eksperiment social. Do të ngre një najllon të improvizuar në mes të sheshit Maqedonia në Shkup. Në një pjesë të tij do të shes rroba. Në anën tjetër do të shërbej pije, e ndoshta do ta ndez dhe një skarë. Normalisht që duhani do të lejohet, sepse bëhet fjalë për një terracë të mbyllur nga të gjitha anët. Edhe veturën do ta parkoj mu pranë objektit komercial. E kam për shkarkim malli. Mund të vozis kur të më teket në zonën e këmbësorëve, pse t’i bie në qafë biznesit tim për shkak të disa këmbësorëve jokreativë? Edhe muzikë do të vë. Le të buçasë, le të dihet kush është kryesori. Të paktën aty nuk kam komshinj, nëse askush nuk ua mat decibelat në tarracat e najllonit në mes të vendbanimit me mijëra banorë, mesiguri as mua nuk do të ma masin në mes të Sheshit. Hec aty, shif punën tënde, mos ma prish biznesin.
Vetëm pushka më mungon që t’i rrah qentë që u shkojnë pas myshterinjve nëpër shesh, por unë jam një qytetar i ndërgjegjshëm dhe i respektoj ligjet. A nuk është te ne “Gjithçka sipas ligjit, shef”.
A mendoni se do të vijë dikush që të më heqë? Të më dënojë? Ndoshta, ndonjëherë. Por prit, njëherë duhet të bien dakord se nën cilën komunë bie – Qyteti i Shkupit apo Komuna Qendër. E kur do ta vërtetojnë kompetencën, do të duhet parë nëse kanë inspektorë, a janë në pushim mjekësor apo jo, a i ka zënë gripi, e nëse jo, me siguri i kanë bashkuar festat e fundvitit me pushimin dimëror. E pastaj, cilin inspeksion të ma dërgojnë? Ndoshta atë të tregtisë, ndoshta do të gjejnë inspektor për mjedisin jetësor, se mblidhen shumë mbeturina, e nuk dua të paguaj për një kontejner të veçantë, ose ndoshta për oxhakun e skarës, bën pak tym, por i vjen era e mirë, nuk do t’i numërojmë tani grimcat PM. Ndoshta do të vijë dhe inspeksioni se do të vë edhe disa karrige që objekti të duket all inclusive….Në këtë shtet nuk mund të bësh as edhe një biznes. Të mbysin inspeksionet.
Policave do t’u jap ndonjë kafe, lëng, të pijnë që të marrin veten, të ngrohen…Nuk ka paraqitje, nuk kanë ç’të interevenojnë, se ata intervenojnë vetëm me paraqitje. Pas një kohe të caktuar, ndoshta edhe do të vijë ndonjë inspeksion dhe do të të japë zgjidhjen që të largohesh vetë. Ndërsa ti thua, jo ore, ejani ju të më hiqni. E ata të thonë – tani nuk kemi tender për firmë që bën heqjet. E pastaj hapin tender, më pas presin afat ankese për tenderin. E pastaj tender të ri. E afat të ri. E me ty negociojnë: Ore ti, po punon në mënyrë joligjore, hajde largohu vetë këtë të premte.
Nëse jo, tjetrin. E pastaj, kur do t’i kaloj të gjitha afatet, ndoshta edhe do t‘i lus në Komunë – hajde le të kalojë sezoni i lirimeve, e do t’i mbyll të gjithë. Dhe ashtu, e çon biznesin deri në prill, maj. Ndoshta do të ketë edhe zgjedhje, dhe qeveri të re. Dhe ndërkohë që qeveria konsolidohet me politikë të re, unë bëhem kompani me traditë.
E kështu funksionon sistemi ynë në nivelin bazor. Domethënë, nuk flasim për politikë të lartë, për ndryshime të kushtetutës, për korrupsion të përmasave të mëdha, për gjykata apeli që ruajnë gjykimet në sirtarë, e pastaj për shpërblim bëhen gjykatës supremë. Jo. Flasim për punë bazike, për të drejtë të hapësirës publike, për të drejtë të rrugëve dhe trotuareve të qasshme, për të drejtë të parkingut të rregulluar, për të drejtë të frymëmarrjes. Kjo është përditshmëria jonë. Të nxihet jeta me punë që mund të funksionojnë në mënyrë të thjeshtë, por që nuk funksionojnë.
Ata që ti i paguan që të t’i mundësojnë kërkesat bazike të jetesës normale nuk e bëjnë atë. Nuk mund të besoj se janë thjesht të paaftë. Më shumë do të thosha se është paaftësi dhe papërgjegjshmëri e kombinuar me korrupsion. Që në fund të ditës prapë nga çon tek -paratë.
27 janar
Maqedonia deri më tani ndërton me sukses marrëdhëniet ndërnacionale dhe si parim nuk do të duhej ta kishte problem që të futen edhe bullgarët në Kushtetutë, ashtu siç do të shtohen edhe kroatët dhe malazezët. Por, problemet që na i bën Bullgaria nuk do të pushojnë me ndryshimin e Preambulës. Ngaqë Bullgaria thjesht nuk do as ta shohë Maqedoninë, e sidomos nuk dëshiron ta shohë të barabartë me të në BE.
BE-së dhe SHBA-së me siguri kjo nuk u është ende e qartë. Por, me gjithë dramën që bëri Sofja pas incidentit të kafenesë me rrahjen e sekretarit të klubi bullgar që u emërua sipas carit – okupator fashist në Luftën e dytë botëore, shpresoj se kjo gjë i bëhet më e qartë qeverisë. Edhe dhjetë herë po ta ndryshonim Kushtetutën dhe gjithë bullgarët t’i radhisnim me emër dhe mbiemër në Preambulë, Bullgaria nuk do të pushojë së frenuari përparimin tonë drejt BE-së. Me këtë dijeni duhet jetuar dhe duhet kërkuar çare. Të ndryshohet strategjia për anëtarësim në BE. Sepse nënvlerësimet që i durojmë nga Bullgaria nuk kanë fund.
Sa mendjelehtë që dolëm. Propozimi francez nuk është dhe aq i mirë, por i mirë është, hajde të shpejtojmë se BE-së i shpejtohet. Hajde, kjo është më e mira që mund ta fitojmë, propozimi i ardhshëm do të jetë më i keq. Hajde, të mos e ndajnë Shqipërinë. Hajde, luftë në Ukrainë, shpejt, shpejt, prano ç’të jetë, po edhe sikur kjo gjë të shkaktojë destabilizim të brendshëm.
Dhe tani – kjo është e gjitha.
Jam lodhur nga debatimi mbi çështjen: A kemi alternativë? Jo. Nuk kemi. Qëllimi ynë është BE-ja. Dhe nuk është çështja nëse kemi alternativë. Por se si të mbërrijmë deri te qëllimi. Ngaqë, me sa duket kjo rrugë që e ka zgjedhur qeveria nuk ka rezultat. Duhet ndryshuar qasja. Duhet të kërkojmë vazhdimisht ndihmë nga miqtë e vërtetë. Dhe duhen shfrytëzuar të gjitha mendjet tona, e jo secili që do të kritikojë këtë qasje joserioze të akuzohet se është antievropian. Sidoqoftë, alternativa nuk mund të jetë nënçmim i vetes.
Që tani duket se edhe pas ndryshimit të Kushtetutës do të ketë veto të re bullgare. Kjo do ta zbresë LSDM-në nga pushteti. VMRO-DPMNE-ja dhe Levica do të garojnë me populizëm dhe me atë se kush do të propagandojë me nacionalizëm më të fortë, ndërsa BDI-ja dhe partitë e tjera të shqiptarëve do t’i kthehen retorikës së luftës nga 2001.
BE-ja do të ketë Maqedoni jostabile me ndikim të fuqizuar prorus. Vallë, kjo i duhet BE-së?
4 mars
Në Maqedoni nuk ka euroskepticizëm. Ka eurorealizëm përballë eurooportunizmit. Ky eurorealizëm vjen nga zhgënjimi si nga BE-ja ashtu dhe nga shteti ynë. Zhgënjimi vjen fillimisht nga imponimi bullgar i ëndrrave sanstefanike në axhendën e zgjerimit të BE-së, pastaj lidhet me heshtjen e 26 shteteve të tjera anëtare, dhe kalon në dëshpërim dhe pamundësi zgjidhjeje për shkak të paaftësisë së elitave politike maqedonase që e fshehin korrupsionin pas integrimeve të BE-së e nuk i zbatojnë vlerat evropiane në praktikë. Tërë kohën flasin për BE-në, jo se iu interesojnë vlerat evropiane, por ngaqë do të marrin fonde evropiane. E rrëmbyen historinë e eurointegrimeve, që të rrëmbejnë provizione më të mëdha.
Arsyeja se pse ne jetojmë keq nuk është ngaqë nuk jemi në BE. Jetojmë keq sepse korrupsioni dhe krimi kanë zënë vend në elitat partiake, ndërsa qytetarët janë kaq të zhgënjyer, saqë lejojnë që të plaçkiten nga vetë ata të cilëve iu kanë dhënë votën në zgjedhje. Partitë vjedhin si të mos ekzistonte e nesërmja, vjedhin vertikalisht e horizontalisht. As nuk fshihen e as nuk iu vjen turp.
Të gjithë jemi të lodhur. Edhe nga Bullgaria, edhe nga premtimet e papërmbushura evropiane e më së shumti nga shteti i robëruar dhe i plaçkitur nga partitë. Vetëm hajdutët nuk u lodhën. Na kapën hapin në maratonën drejt BE-së.
31 mars
Do ta fusim shtetin në borxh që ta servisojmë trupin e sigurt votues. Po kush do t’i kthejë kreditë? Vallë, funksionarët do t’i kthejnë paratë nga rrogat e rritura?
Vallë, administrata, që e blejnë për vota para çdo zgjedhje, do t’i kthejë kreditë?
Përsëri do të jetë sektori privat ai që i kthen tatimet e shtetit. Po ai sektor privat të cilin Qeveria e kamxhikon në çdo hap.
Mirëpo do të vijë dita kur nuk do të ketë më para për t’u dhënë. E përveçse nuk do ketë kush të paguajë, nuk do ketë as se kush të votojë. Do t’i mbetet vetëm administratës e do të duhet të fillojnë edhe nga ajo.
Te ne nuk ka greva në firmat private. Greva mbante vetëm administrata. Vetëm atyre iu mungon diçka, vetëm ata e kanë të vogël rrogën, vetëm ata janë të palumtur dhe të pakënaqur për diçka dhe vetëm ata gjejnë mënyrë se si ta bëjnë qeverinë t’ua rrisë rrogat. Sepse ata nuk janë në tregun e punës. Janë në tregun e partisë.
7 prill
Si kapak i gjithë këtij regresi, shënojmë iniciativën për kthimin e përmendores së Andon Llazov Janev-Qoses, të cilën qeveria lokale e Shkupit në krye me Petar Shilegovin e hoqi nga lokacioni para gjyqit. E kërkon kryetarja e komunës Danella Arsovska. Por duke qenë se komuna Qendër nuk i lejoi që ta kthejë në vendin e vjetër dhe e udhëzoi që të kërkonte leje nga Kuvendi, u paraqit Levica nga komuna Aerodrom dhe sëbashku me VMRO-DPMNE-në votuan iniciativën për vendosjen e Qoses në Aerodrom. Tani kjo iniciativë do të shkojë në Kuvend.
Qeveria e LSDM-së, arriti të heqë vetëm një përmendore nga të njëqindtat që porositi Gruevski, por as atë nuk kishte guximin ta shkrijë dhe ta zhdukë. Të mos ekzistojë që të mos i kujtohet askujt ta kërkojë. Ishim optimistë se do ta rrëzojnë të paktën atë përbindësh që Gruevski bashkë me Subrata Roj e promovonin si përmendore të Nënë Terezës, që e bllokon daljen nga Sheshi Maqedonia, ndërtim i pasigurt dhe ndërtimi më dukshëm i paligjshëm, e ata nuk arritën ta heqin as edhe njërën prej anijeve.
A thua se jemi prapë në 2013. Të paktën tani do ta kërkojmë Qesen, siç atëherë i kërkonim përmendoret që brenda natës i shpërndanë nëpër qendrën e Shkupit. Gjurmonim se nga i sillnin, në çfarë deposh i fshihnin, ku bëhen. Dhjet vjet kaluan nga ajo çmenduri. Ku ishim, ku erdhëm. Nga Qosja te Qosja.
Me rëndësi është që do të mbajmë tribuna dhe do të shesim mend se si të kthehen maqedonasit që studiojnë në Slloveni. E pse të kthehen? Që të gëzohen për Qosen? Për Qosen të kthehen?
14 prill
Qeveria na thotë: Mos na pyesni për para. Ne shohim drejt së ardhmes. Ore, ju shikoni vetëm xhepat tuaj dhe shikoni që para se të rrëzoheni nga qeveria, të mblidhni sa më tepër.
Ne tashmë nuk kemi asnjë dilemë rreth asaj se çfarë e ardhme na pret me këtë qeveri LSDM dhe BDI. Ndodhemi në tunel. Por, ajo dritë që e shohim në fund të tunelit, nuk është dalje. Është drita e trenit VMROLEVICA që vjen nga drejtimi i kundërt i korsisë së njëjtë dhe që do të na bllokojë në tunelin e njëjtë. Ekziston edhe një korsi tjetër, paralele, e cila, gjoja se shkon drejt BE-së, por edhe ajo dritë nuk është drita e ndezur e të ardhmes evropiane, por është drita e trenit që vjen nga Bullgaria me një fuqi aq të madhe, sa dëshiron të na shkelë.
Cilëndo rrugë që të marrim, kemi ngecur në tunel. Ndërsa drita gjithnjë e më tepër afrohet.
19 maj
Në fakt, kam përshtypjen se kushdo që të vijë nga BE-ja dhe çfarëdo që të thotë – është më kot. Nga liderët evropianë, ne u besojmë vetëm fjalëve të Radevit. Gjithçka që ai tha, u realizua.
23 qershor
Problemi më i vogël është vendosja e Merkos në listën e zezë të SHBA-së. Problemi më i madh është që të gjithë ne jemi në listën e zezë në vetë shtetin tonë. Na kanë vënë aty politikanët që i zgjedhim në zgjedhje, partitë që na i marrin mendtë me premtimet e tyre për luftë kundër korrupsionit, gjykatësit dhe prokurorët të cilët i paguajmë që të na sigurojnë drejtësi, policia nga e cila presim të na mbrojë nga kriminelët dhe dhunuesit.
Në listën e zezë janë jetët tona.
7 korrik
Nuk dua t’i dëgjoj më as Kovaçevskin, as Osmanin, as Mariçiqin se sa bukur do ta kemi kur ta ndryshojmë Kushtetutën. Mickoski nga ana tjetër, që për shtatë vjet nuk mblodhi guximin as të kërkojë falje për të keqen që e bëri partia e tij, çfarëdo që të thotë do të jetë e pavlerë. Edhe me këtë Kushtetutë, askush nuk i ndalon politikanët që të na sigurojnë jetë më të mirë. As pushtetit qendror të LSDM-së dhe BDI-së e as pushteteve lokale të VMRO-DPMNE-së. Përkundrazi. Këtë e prisnim prej tyre. Ne i zgjedhim dhe i paguajmë për këtë. Kush i ndalon tani që të na bëjnë jetën më të mirë?
18 gusht
Nuk është se nuk ka alternativë. Ka alternativë, por që nuk e ofron askush. Kjo alternativë quhet qeverisje e drejtë. E jo, tani, kur është ngushtuar puna, të na frikësojnë me izolim dhe të na thonë se është moment historik dhe se tani është koha për të përdorur shansin e fundit.
Le ta mbyllim këtu temën – në ka ose nuk ka alternativë.
8 shtator
Nuk është dhe aq i tmerrshëm fakti që me ndryshimet në Ligjin penal, Kuvendi votoi dënime më të vogla për funksionarët që do të vjedhin para nga buxheti. Shikojeni këtë në mënyrë proevropiane. Do ta rregullojmë statistikën për luftë të suksesshme kundër korrupsionit. Qoftë kapitull, qoftë klaster – është mbyllur me sukses. Edhe atë, para se të fillojnë negociatat me BE-në.
Me këtë zgjidhje inventive, të votuar me shpejtësi, me një flamur evropian, për të kapur korsinë e shpejtë për BE, në vend që kriminelët të përshaten me ligjet, ne i përshtatim ligjet me kriminelët. Në vend që të dënohen gjyqtarët e korruptuar që ishin mjeshtra në zvarritjen e proceseve gjyqësore kundër politikanëve sipas ligjit të vjetër, ne ua përshtatëm ligjet e reja që t’ua lehtësojmë vjetërimin e veprave të të akuzuarve.
Te ne më lehtë ndryshohet ligji sesa hyn në fuqi një aktgjykim kundër një politikani. Edhe Kushtetutën do ta ndryshojmë para se funksionarët që kanë vjedhur paratë tona të shkojnë në burg.
Ju pengon mosdënimi? Epo ja, nga tani mosdënimi do të jetë me ligj. Më në fund edhe ne do të mund të ofrojmë një zgjidhje unike për BE-në, me çka do të kontribuojmë drejt një perceptimi të qeverisjes së ndershme. Nuk ka gjykim, nuk ka krim. Nuk ka politikanë të dënuar, nuk ka korrupsion.
13 tetor
Domethënë, këtë herë është me të vërtetë koha për kryengritje. Me laps, sigurisht. Por me një bojë cilësore. Jo me atë të Zaevit, e cila filloi të zbehet sapo LSDM dhe BDI e morën pushtetin. E as me bojën e VMRO-DPMNE-së, sepse edhe pas shtetë vjetësh jetojme me mjerimin e institucioneve që na i la qeverisja e tij. E ndërkohë Levica, përveç sharjeve, nuk ka as bojë për të ofruar.
27 tetor
Pas 30 vjetësh lodhje dhe zhgënjim, tashmë nuk na intereson se çfarë do të na sjellë BE-ja në ndonjë të ardhme të largët. Për ne ka rëndësi se çfarë do të na sjellë Qeveria tani. – Asgjë. Çfarë po na sjellin qeveritë lokale tani? Asgjë. Jo vetëm që nuk na sjellin n gjë, por edhe po na marrin.
Ne e morën drejtësinë dhe ligjshmërinë.
Po na marrin hapësirën jetësore, trotoaret, rrugët, parqet, pyjet, malet…
Po na i marrin ujin dhe ajrin e pastër.
Po na e marrin cilësinë e jetës me ndryshimin korruptiv të planeve urbanistike, pa infrastrukturë që do ta mbështetë ndërtimin e paarsyeshëm.
Na e marrin qetësinë sepse kafenetë janë shumë më të rëndësishme se qytetarët të cilëve u pengon zhurma.
Na e morën shëndetin publik, na e morën shkollimin…
Sikur na e morën edhe shpresën edhe besimin se mund të jetë më mirë. Nuk duhet të flasim për standarde evropiane. Këtu nuk respektohet asnjë lloj vlere. Këtu jeta nuk ka vlerë.
E nëse ua thua gjithë këtë, menjëherë do të të akuzojnë për euroskepticizëm.
Jo bre njerëz! Nuk jemi ne euroskeptikë. Ne vetëm nuk lejojmë të na e përbuzin inteligjencën.
24 nëntor
A gabuam që mbetëm? Apo po gabojmë që nuk kërkojmë rrugëdalje për fëmijët, që të marrin rrugën me kohë?
8 dhjetor
Mosdënimi bëhet endemik. Nga një parkim i gabuar deri te reketimi. Nga dy-tri shuplaka ndaj një kundërshtari politik deri te rrëmbimi i një fëmije. Nga “lëre budallanë, e dimë të gjithë, është i yni”, deri te vrasja e një fëmije.
Nëse e kemi kaq të vështirë të kuptojmë se sa e rrezikshme është për të gjithë ne ky mosdënim që ditë pas dite na e vret shoqërinë, atëherë vazhdimisht duhet të kujtojmë fotografinë e vajzës 14 vjeçare që e kanë futur në thes, pastaj në bagazh, dhe e kanë gjuajtur me armë. Pse e kanë vrarë? Sepse kanë mundur. Sepse e kanë ndjerë veten të fuqishëm. Sepse njerëzit kanë frikë prej tyre. Sepse kanë marrë fuqi nga pëlqimet në rrjetet sociale. Sepse janë ndjerë të mbrojtur. Sepse nuk kanë qenë të dënuar, por të paprekshëm.
Mosdënimi nuk është një koncept abstrakt, as një frazë boshe. Mosdënimi është vrasja e një fëmije. Mosdënimi në Maqedoni mori fytyrë dhe emër. Quhet Vanja. Kur të flasim për mosdënim, le të na shfaqet përpara fotografia e Vanjës. E nëse mund të vazhdojmë të jetojmë me këtë dijeni pa na penguar, atëherë për ne me të vërtet nuk ka shpëtim.