1 Është e pashpresë kur dëgjon se si një gjykatës i lartë dhe anëtar i Këshillit të prokurorëve publikë kanë marrë ryshfet prej 15.000 euro nga një i gjykuar për ta kurdisur rastin gjyqësor. E akoma më e pashpresë është që kur i kanë kapur, kolegët e tyre u kanë dhënë dënimin më të vogël të mundshëm për shkak se të dy kanë pranuar fajin.
Gjykatësi i lartë Naqe Georgiev, në vend të dënimit maksimal në burg prej 10 vjetësh, mori 3 vjet, ndërsa anëtari i Këshillit të prokurorëve publikë Ixhet Memeti, mori dënim të kushtëzuar prej një viti nëse tre vjetët e ardhshme nuk bën vepër penale. Tre vjet nuk guxojnë të marrin ryshfet.
Naqe Georgiev është gjykatës i lartë. Suprem. Kështu e thotë vetë emri i tij. Ai vendos në bazë të ankesave për të gjitha aktgjykimet në gjykatat më të ulëta. Ixhet Memeti është anëtar i Këshillit të prokurorëve publikë. Ai i përzgjedh dhe i shkarkon prokurorët. Para kësaj, në dy mandate, 16 vjet ishte Avokat i popullit. E ka mbrojtur të drejtën e qytetarëve. Në dy qeveri, në atë të Ljupço Georgievskit dhe të Hari Kostovit, ishte ministër i drejtësisë.
Që do të thotë se që të dy nuk janë funksionarë të zakonshëm që janë kapur për ryshfet. Ata kanë qenë duke e rrënuar sistemin e drejtësisë. Janë betuar, vallë, para gjykatës se kjo është hera e parë që marrin ryshfet? I kanë pyetur, vallë, kolegët e tyre, prokurorët publikë dhe gjykatësit, nëse për ta kjo është hera e parë? Dhe përfundimisht, çfarë mesazhi dërgon kjo gjë drejt praktikës gjyqësore-prokuroriale për gjykatësit e tjerë, prokurorët dhe funksionarët – Vidhni ju, nëse ju kapin, pranoni fjalin dhe do të shpëtoni nga një dënim i majmë.
2 Mesa duket kryministri Hristijan Mickoski vazhdon me terapinë për amnezi. E për skandalet e fundit në gjyqësi, deklaron se “disa defterë në të kaluarën janë zëvendësuar me të tjerët në Strumicë, Bihaçka dhe Reçicë të Vogël”. Nga cila e kaluar?
Nga ndonjë e kaluar e largët e 1903? Apo nga e kaluara nga 2006 deri në 2017 kur defterët bëheshin në Shkup, në pallatin e bardhë dhe Reçica e Vogël në Qeverinë e Nikolla Gruevskit, kur Mickoski poashtu kishte funksion të lartë?
Nga cili nivel i nënvetëdijes iu shfaqën defterët Mickoskit? Po si frazë, defterët u bënë miq të fjalorit politik, po edhe në memorien kolektive, kur i dëgjonim në bisedat e përgjuara të kohës së VMRO-DPMNE-së në krye me Gruevskin. Dëgjonim se si i zgjedhin dhe caktojnë gjykatësit, e dëgjonim presidenten e atëhershme të Këshillit gjyqësor, se si ia dikton emrat e kandidatëve të gjykatësve sekretareshës së kryeministrit dhe se si ministrja për punë të brendshme e bënte “check” defterin.
Mickoski ka të drejtë kur thotë se duhet të reformohet sistemi gjyqësor. Dhe fare nuk më bëhet vonë nëse do ta shpërbëjë Këshillin ekzistues gjyqësor dhe Këshillin e prokurorëve publikë. Por, përkrah gjithë optimizmit, që unë nuk e kam dhe përkrah distancës kohore prej shtatë vjetësh, akoma i mbaj mend praktikat gjyqësore nga qeverisja 11vjeçare e VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së. Sinqerisht, kam frikë se kjo shpërbërje e Këshillit që e propozon Mickoski nuk është ndryshim i sistemit. Por zëvendësim i njerëzve. Këta njerëz janë gjykatësit dhe prokurorët, e dimë se si janë vendosur edhe në kohën e tyre, nuk kanë rënë nga qielli. Banda jonë të vijë në vendin e bandës tuaj. Jo vetëm për gjykatës dhe prokurorë. Por gjthçka që ndodhet në listën e Buxhetit.
Pasi te ne, pas ndryshimit të qeverisë nuk ka vullnet politik që të ndryshohet sistemi. Vetëm zëvendësohen pozicionet shtetërore me emra të rinj. Defterë-mefterë…
3 E si ta besosh se nuk do të ketë vetëm zëvendësim të defterëve kur ministri i shëndetësisë Arben Taravari në Fejsbukun e tij, në fillim shkroi se “punojnë që ta lirojnë” Blerim Ramadanin nga Kosova, i cili ishte arrestuar dhe në paraburgim ekstradimi sepse ishte në listën e Interpolit pas kërkesës së Serbisë si një i dyshuar për krimet si ushtar i UÇK-së. E pastaj, pasi u lirua nga paraburigmi dhe u dërgua në parabugim shtëpiak te familjarët e tij, Taravari shkroi: “E përshëndes çlirimin e ushtarit të UÇK-së Blerim Ramadain” Çlirmi i tij ishte një mision të cilin e përmbushëm dhe liria e tij na bën të gjithëve të lumtur!”
Edhe Ramadani, në frymën e urtisë popullore “Çdo mysafiri i mjaftojnë tri ditë”, u largua nga “paraburgimi si mysafir” në shtëpi, në Kosovë.
Vendimi që të lëshohet Ramadani ishte i gjykatësit të Gjyqit penal në Shkup Pajazit Pajaziti.
Po ai gjykatës Pajazit Pajaziti vendosi ta pranojë marrëveshjen e Prokurorisë me Ixhet Memetin, që ai të fitojë edhe një dënim të kushtëzuar me burg për rregullimin e pranimit të ryshfetit.
Po ky gjykatës Pajazit Pajaziti nuk e pranoi propozimin e Prokurorisë që t’i përcaktojë paraburgim shefit të degës së Çairit të BDI-së Bekim Neziri dhe shtatë dhunuesve të tjerë, të cilët më 4 janar të këtij viti sulmuan Kullën e kontrollit të Aeroportit të Shkupit dhe rrahën kontrollorin e fluturimit, sepse ish solidarizuar me kolegët e Sindikatës kundët punësimeve partiake.
Çfarë nuk është e qartë këtu?
4 Edhe emri i zyrtares bankare Afrona Vervizoli, të cilën Qeveria e vuri si revizore kryesore e fondeve IPA për ndihmë nga BE, doli nga ndonjë defter partiak. Pasi u zbulua se Vervizoli nuk i posedon kualifikimet e nevojshme për të qenë revizore kryesore për atë se si harxhohen paratë e BE-së, Qeveria pas tri-katër ditësh e shpërbëu dhe e emëronte kuadër të ri, për zëvendës drejtor.
Nuk ishte fyes fakti që Qeveria në pozitë kyç ka vendosur kuadër partiak që është i pakualifikuar dhe i paaftë për funksion. Verzivoli nuk është as e para dhe as e fundit që është vënë në atë mënyrë. Por, është fyes fakti së Koalicioni “Vlen”, nga defteri i të cilëve u shfaq emri i saj, ka komunikuar se “ajo është përkohësisht e zëvendësuar me një tjetër kuadër të radhëve tona”. Pa pikë turpi. Në ndarjen e tokës, ai vend jemi marrë vesh të jetë “yni”. Mundeshka, s’mundeshka, do ta presim Verzivolin ta marrë zanatin që ai vend të jetë “yni”.
Epo, hajde ta ndryshojmë Kushtetutën. Në Kushtetutë të shkruhet se nëse dëshiron të përparosh në karrierë në shërbim shtetëror, duhet të kesh librezë partiake, pa marrë parasysh arsimin, profesionalizmin dhe aftësitë. Le të mos mbahen me rrena qytetarët e tjerë që nuk duan të lidhen partiakisht. Kështu, marrja e pozitave shtetërore nga idiotë të paaftë të defterëve partiakë do të bëhet e drejta e tyre e garantuar kushtetuese. Kështu-ashtu, vetëm këtë gjë kanë të rëndësishme partitë.
5 Kuvendi e miratoi rebalansin e Buxhetit. Edhe pse për diskutimin e Buxhetit janë parashikuar tre ditë, votimi ndodhi shpejt që kur nga LSDM-ja opozitare në foltore u paraqit vetëm ish kryeministri dhe ish lideri i partisë Dimitar Kovaçevski. Ai tha se nuk do të votojnë për Buxhetin, por dhe se nuk do ta shtyjnë diskutimin.
Bravo, bravo. Cila qeveri nuk do të donte një opozitë të këtillë. Të kesh tre ditë për të folur sa të duash, të debatosh edhe për Buxhet, edhe për çfarë të do zemra dhe të heqësh dorë nga debati.
Tre ditë që të kesh mikrofon të hapur dhe foltore dhe të mos kesh ç’të thuash. Po, në 2012, kur ishte në pushtet VMRO-DPMNE-ja, fiks atëherë kur sillej buxheti, me shqelma i largoi të gjithë deputetët e LSDM-së nga Kuvendi.
Nga tetëmbëdhejtë deputetët e LSDM-së, askush nuk kishte ç’të thoshte për rebalancin?
Nga Levica me gjashtë deputetë, pesë dolën në foltore. Të nervozoheshin të paktën prej diçkaje nga sektorët e tyre. Deri në këtë pikë vallë nuk kishte asnjë vërejtje nga Buxheti kryeministri i derimëparshëm i ekonomisë Fatmir Bytyqi? Drejtoresha e derimëparshme e DAP-it Sanja Llukarevska? Jovanska Trençovska që ishte ministre për punë dhe politikë sociale?
Bisera Kostadinova-Stojçevska? Po Venko Filipçe?
Ta shihni, të paktën, në foltore liderin e ri të LSDM-së.
Apo akoma janë të ofenduar se i kanë humbur zgjedhjet e thonë me vete: Përse ta lexojmë rebalansin e Buxhetit, kur kështu-ashtu atë do ta votojnë? Për cilin popull po e lexojmë? Për ata që na dënuan në zgjedhje? Le të shohim tani se si është me VMRO-në.
Kjo zemërngushtësi është shumë ngushëlluese edhe për ata pak votues që u mbetën besnikë. Kurse për të gjithë të tjetët – edhe me LSDM-në edhe pa të, do të mbijetohet.