GJUAJTJE NË ERË

Për trajtime psikiatrike për të trajtuar frustrimet, nuk japim para.

1 Si ia bëri kryeministri Hristijan Mickoski Ursulla fon der Llajenit gjatë drekës në Bruksel! I mbrojti interest kombëtarë pa e ndrydhur kurrizin dhe pa lëpirë këpucët. Me të goditur tavolinën, tha: Nëse doni të na pranoni në BE, do të gjeni mënyrë që të na pranoni. Dhe shkoi në Shtip të rendisë pllaka në rrugën ku po promovohej pastërmajlia gjigande prej dy metrash.
Kryeministri, para se të nisej për në Bruksel tha se aty do t’i transmetojë “frustrimet që i kanë qytetarët maqedonas, sepse më tepër se një dekadë e gjysëm nuk kemi mundësi të fillojmë negociatat me BE-në sepse ka pengesa artificiale, që nuk i ka pasur asnjë shtet tjetër”.

A thua se kjo është tema e bisedës. Mund të imagjinoj se si janë çuditur nikoqirët: Ore, ne jemi të gatshëm të japim qindra miliona euro, ndërsa ky ka ardhur të na flasë për frustrime.

Bashkimi Evropian vjeshtën e kaluar vendosi të ndajë 6 miliardë euro për zhvillimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Secila prej këtyre 6 vendeve që i përkasin vrimës së zezë në mes të Evropës duhet të përgatisë projekte për të marrë paratë. Kështu që, nga Mickoski prisja që në Bruksel t’u thoshte si do t’i shpenzonte paratë që ata vendosën të na i japin.

Besoj se edhe atij i kanë thënë, siç i thoshin me qindra here qeverisë së kaluar, dhe në Kuvend vinin dhe na mbanin fjalime: Ne kemi mirëkuptim për frustrimet tuaja. Megjithatë, a keni ju një plan se si do t’i shpenzoni paratë që ne, megjithatë, si një lloj ngushëllimi për mospranimin tuaj, kemi vendosur t’jua japim? Për trajtime psikiatrike për të trajtuar frustrimet, nuk japim para. A keni ndonjë kërkesë tjetër? A keni ndonjë projekt të përfunduar për financim, që e tejkalon rritjen lineare të pensioneve dhe ndërtimin e shkollave dhe kopshteve? Një projekt që do të ishte aq i rëndësishëm sa të afronte shtetin me BE-në?

Ata gjithsesi kanë vendosur që paratë t’i ndajnë mes nesh, kështu që nëse nuk i marrim ne, do t’ua shpërndajnë Serbisë, Kosovës, Shqipërisë, Malit të Zi ose Bosnjës dhe Hercegovinës. Do t’ua gjejnë zgjidhjen, nëse ne nuk jemi të aftë t’i shpenzojmë. Në fund të fundit, nëse Mickoski është i zoti për të qeverisur, me ose pa ato para, le të na e sjellë BE-në në shtëpi. Pastaj le të frustrohet sa të dojë. Me një sebep, edhe frustrimi do t’i kalojë. Po edhe neve gjithashtu.

Çdo gjë tjetër është shkuarje nëpër dreka dhe gjuajtje ne erë.

2 Jo se Mickoski nuk ka të drejtë kur thotë se nëse shtetet e BE-së do të donin të na pranojnë, deri më tani do të gjenin mënyrë për të na pranuar. Bullgaria nuk është problem, Bullgaria është justifikimi i tyre. Për më tepër, jam i bindur se, kur mundën të pranojnë Bullgarinë, sigurisht që mund të na pranojnë edhe ne. Jemi më të vegjël se një lagje periferike e një metropoli evropian, që besuan në BE dhe qëndruan këtu duke pritur BE-në, në vend që të emigronin atje. Por, hajde, të mos frustrohemi më shumë me këto biseda, më mundojnë dhe jam lodhur prej tyre.

Ndërkohë, qeveritë në BE kanë ndryshuar, edhe qeveria këtu ka ndryshuar, kështu që ndoshta u ka kaluar dëshira për zgjerim. Ose ndoshta jo. E kam fjalën, nuk bëhet fjalë për dashuri apo urrejtje. Çështja është: nëse bëjmë pazare, të paktën të përfitojmë. Ky ka qenë diskutimi që nga shpallja e pavarësisë, por ne e kuptuam vonë, sepse humbëm 20 vjet duke mos dashur ta pranojmë faktin që po negocionim me Greqinë për emrin.

Mbi politikën e zgjerimit të BE-së nuk mund të ndikosh. Akoma më pak mund t’ua ndryshosh parimin e konsensusit. Ne tashmë pesë vjet jetojmë me veton e Bullgarisë. A nuk janë të mjaftueshme? Dhe besoj se do të jetojmë edhe më gjatë me këtë. Çështja është: Bëhu praktik. Bëj diçka konkrete. Dhe nëse tashmë po bën pazar me BE-në, sigurohu që të përfitosh. Vetëm kështu edhe ne do të kemi ndonjë dobi nga drekat në Bruksel.

3 Ashtu siç përfituam nga dreka e presidentes Gordana Siljanovska-Davkova në Sofje. Dhe ja, në frymën e fatit të trishtë të popullit maqedonas, përsëri ne jemi viktima, sepse presidenti Rumen Radev e vendosi presidenten maqedonase të fotografohet vetëm para flamurit bullgar.

Po, ne nuk kemi as një protokoll të rregullt, as një vizitë të thjeshtë të diplomacisë kulturore që t’ia organizojmë presidentes 200 kilometra larg Shkupit. Ata që dinin nga koha e ish-shtetit shkuan në pension, erdhën kuadrot e paafta partiake që mendojnë se dinë gjithçka, por nuk mësojnë asgjë. E megjithatë, mburremi se me diplomacinë tonë dhe me përbërjen e njerëzve në ministritë e kabineteve kyçe do të lobojmë në 27 vende të BE-së që të ndryshojnë politikën e tyre të zgjerimit.

Radev me të vërtetë është dashakeq. Por tanët vetë e kanë sjellë veten në atë situatë. Bullgarët thonë se nuk kishte nevojë për flamur maqedonas sepse presidentja nuk ishte as në vizitë zyrtare, as në vizitë pune. Historia doli kështu: Unë nisa për në opera, dhe thashë me vete, po i bie një telefon Radevit të pyes nëse është aty, që të kaloj për një kafe. Dhe ai thotë, zonjë, jo vetëm kafe. Do të të jap edhe drekë. Por nuk jam vetëm, kam me vete edhe dy fëmijë, ministrat e jashtëm dhe të kulturës. Epo mirë, të gjithë do të hamë drekë, do të ftoj edhe nënkryetaren Jotova që hapi klubin bullgar “Vanço Mihajllov” në Manastir, do të bëjmë muhabet për Kriteret e Kopenhagës, dhe pastaj shkoni ju në teatër.

Flamur maqedonas nuk kishte as gjatë takimit të ministrit të Kulturës, Zoran Ljutkov, dhe ministri i jashtëm, Timço Mucunski, nuk u takua fare me homologun e tij nga qeveria bullgare. Ai thjesht hëngri drekë. Të paktën të kishin publikuar foto nga dreka, të shihnim çfarë kishin ngrënë.

Kështu-ashtu, bullgarët na dërguan foto nga Kabineti i Presidentit. Tanët ishin ata që me shumë bujë dhe krenari vetë i publikuan fotot, si me presidenten ashtu edhe me ministrin Ljutkov, pa flamurin shtetëror maqedonas. E pastaj, bullgarët nuk qenkan në rregull, demarsh, pastaj ambasadori i tyre nuk e pranon demarshin, pastaj ambasadorja jonë do ta çonte, ndoshta do ta lërë në arkivë te sporteli, dhe Bojko Borisov nga Bullgaria do ta zëvendësonte zëvendëskryeministrin maqedonas Aleksandar Nikolloski sepse ai kishte thënë se ishin nikoqirë të pacivilizuar dhe do të ndërpriste të gjitha bisedimet me Maqedoninë. Pastaj Nikolloski ishte çmendur nga nervozizmi dhe nga Budapesti shpërtheu me një video me disa pllaka në sfond, sikur po fshihej në tualet gjatë xhirimit… diplomaci kulturore, apo jo? Fatmirësisht, ende nuk ka shpërthyer Lufta e Tretë Botërore.

Kryeministri Mickoski pas këtij skandali diplomatik tha se për të ishte më e rëndësishme që “Evropa dhe bota mund të shihnin në një skenë të hapur, dhe këtë e prisnim, se cilat janë vërtetë qëllimet e udhëheqjes në Sofje.”

Of, of! Evropa 26 vjet i pa qëllimet e vërteta të Greqisë, e nuk iu dridh as qerpiku. Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg 17 vjet radhazi e dënon Bullgarinë për shkelje të të drejtave të njeriut sepse nuk njeh një pakicë maqedonase. Dhe ja, ata janë brenda, ne jemi jashtë. Ne e fituam edhe një vendim nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë në favorin tonë në mosmarrëveshjen me Greqinë, por askush nuk u shqetësua, e tani Evropa dhe bota do të shqetësohen për një flamur?

Eh, i dimë mirë Bullgarët, nuk janë nga dje. Një qytetar i zakonshëm shkon të skijojë, e kur kalon në Deva Bair, është gati për provokacione, hap dy sytë, dëgjon me katër veshë, numëron deri në tre çfarë do të thotë. E ne e lejuam presidenten të tërhiqet nga gazetarët në rrugë, pa radhë, me mikrofonat dhe kamerat në fytyrë. Dhe ajo, akoma, po u recitonte poezi në mes të Sofjes, shumë i pëlqen të flasë si profesore.

Historia na ka mësuar se nga Bullgaria mund të presësh vetëm telashe. Nuk e kërkon vetë.

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира