100 DITË E 90 MINUTA

Nuk përkulemi dhe nuk lëpijmë këpucët e të huajve, por marrim pasaporta bullgare.

1 Le të kalojë kjo fundjavë, e pastaj, me atë sebep, ndoshta do të përfundojë ky pompozitet e “100 ditëve të Qeverisë”. Pra, të jemi shëndoshë e gjallë, nga e hëna VMRO-DPMNE dhe “Vlen” do të ndalojnë së foluri për atë që nuk e kanë bërë LSDM dhe BDI dhe çfarë “do” të bëjë koalicioni, në vend të kësaj, do të fillojnë të bëjnë diçka.

Programi zgjedhor i VMRO-DPMNE-së ishte i gjerë. Nga aq shumë premtime, nga e hëna do të duhet të fillojnë të bëjnë “check” gjërat e listës: e shkruar, e bërë. Në program nuk është shkruar askund se do të ankohen për atë që kanë lënë paraardhësit.

100 ditë lavdërime, 100 ditë ankesa.

Gjërat e vetme konkrete që i premtuan dhe e dinin se do t’i realizonin janë borxhi prej 500 milionë eurosh në Hungari dhe rritja lineare e pensioneve prej 2,500 denarë, të cilat u dhanë po atë muaj kur ishte koha për rritjen e rregullt të pensioneve me përshtatjen e shpenzimeve të jetesës. Po kësaj here, ndryshe nga herët e tjera, të gjithë pensionistët morën të njëjtën shumë. Konservativët, që sipas definicionit duhet të nxisin fitime sa më të larta, u dërguan kompanive dhe sipërmarrësve mesazhin më të lirë populist – nuk keni nevojë të paguani kontribute të mëdha ndërsa punoni, në fund të gjithë do të merrni të njëjtën gjë.

Ah, po. Për pak harrova edhe një masë tjetër që e realizuan, edhe pse nuk e kishin premtuar. E rikthyen edhe gardhin metalik rreth Qeverisë.

Mjaft më u ankuan se gjetën një shtet të shkatërruar. Në fund të fundit, nëse flasim për një shtet të shkatërruar, nuk kishte shtet më të shkatërruar se ai që e la VMRO-DPMNE në vitin 2017 pas 11 viteve qeverisje. LSDM me paaftësinë dhe lakminë e tyre vetëm sa ndërtuan mbi atë terren të shtruar me vjedhje dhe gënjeshtra.

2 I magjepsur nga lëvdatat për 100 ditët, kryeministri Hristijan Mickoski u vonua 90 minuta në pritjen e ambasadës gjermane me rastin e Ditës së bashkimit gjerman, më 3 tetor. Të gjithë mysafirët kishin mbërritur, përfshirë edhe presidenten Gordana Siljanovska-Davkova. Ambasadorja, bashkë me të gjithë stafin, e priste te dera deri në ora 20:10. Ishte paralajmëruar se do të vinte, sepse në fjalimin e saj ishte paraparë ta përshëndeste veçanërisht, e pamë këtë të shkruar në murin e videos. Ai arriti në ora 20:30, humbi himnet dhe fjalimin e ambasadores, ndërsa mysafirët filluan të largoheshin.

Ku janë njerëzit nga Kabineti i kryeministrit? Ndoshta dikush i menaxhon orarin. Nuk është e nevojshme që vetë kryeministri të dijë orarin e tij ditor, ai ka një shtet për të udhëhequr. Ku është protokolli? A kanë harruar se kryeministri ka ftesë dhe se e ka pranuar atë? Sigurisht që gjermanët nuk i janë drejtuar rastësisht – hajde kaloni sonte, do të festojmë diçka.

Thanë se në të njëjtën kohë kishte një intervistë në televizion. Thua se ka filluar lufta, e kryeministri është dashur të anulojë të gjitha detyrimet dhe të flasë urgjentisht me kombin. Dhe çfarë tha? Se LSDM nuk ishte askund dhe se Bashkimi Evropian nuk është i drejtë. Sepse, kjo është diçka që nuk e dinim deri tani.

Nëse vonesa prej 90 minutash nuk është gabim i dikujt nga kabineti, gjë për të cilën dikush do të duhej të pushohej nga puna, nëse kjo është megjithatë zgjedhje personale e kryeministrit, atëherë ose Mickoski dëshiron të jetë Nikolla Gruevski, i njohur për vonesat e tij, ose u dërgon një mesazh diplomatik gjermanëve për t’u treguar se si duket në praktikë ajo që vazhdimisht e përsërit në fjalimet e tij: “Ne nuk përkulemi dhe nuk lëpijmë këpucët e të huajve.”

3 Nuk përkulemi dhe nuk lëpijmë këpucët e të huajve, por marrim pasaporta bullgare. Për arsye ekonomike. Siç e konfirmoi ministrja e energjetikës, Sanja Bozhinovska, në podcastin e kolegut Misho Ivanov. Vitin e kaluar ajo filloi procedurën për heqjen e shtetësisë bullgare, dhe Ivanovit i tha: “Në një periudhë të jetëssime, për arsye ekonomike, si shumë maqedonas, kam pasur pasaportë bullgare.”

Dikush, për arsye ekonomike, merr pasaportë bullgare për të qenë bojaxhi në Gjermani, dikush për të mos paguar shkollim në Holandë, dhe dikush për të blerë apartamente në Spanjë dhe Portugali, siç ka deklaruar ministrja Bozhinovska në listën e saj të anketës.

Bozhinovska tani është ministre dhe nuk ka më arsye ekonomike për të pasur pasaportë bullgare.

Pse arsyet ekonomike për të marrë pasaportë bullgare janë më të ligjshme se arsyet patriotike? Pse dikush që ndihet bullgar të mos marrë pasaportë bullgare? Ministrja Bozhinovska, pa dyshim, atëherë është ndjerë kështu. Kur kërkon shtetësi bullgare, nuk të pyesin për gjendjen tënde ekonomike. Të pyesin nëse je bullgar. Atëherë ajo ishte pak bullgare, tani që është përforcuar ekonomikisht, nuk është më.

Nëse nuk është problem që në qeveri të kemi ministre që është deklaruar si bullgare për arsye ekonomike, atëherë nuk duhet të kemi problem të ndryshojmë Kushtetutën për të filluar negociatat me BE-në. T’i fusim bullgarët në Kushtetutë. Për arsye ekonomike.

4 Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, thotë se ka përshtypjen që 60 deri në 70 për qind e qytetarëve janë të kënaqur me mjekët që punojnë në shëndetësinë publike, “por për fat të keq, gazetarët nuk ndjekin ato lajme.” Pyetja e vërtetë nuk është nëse njerëzit janë të kënaqur me mjekët, por nëse janë të kënaqur me sistemin e shëndetësisë publike që drejton Taravari. Nuk është puna e ministrit të merret nëse mjekët janë të mirë, por të krijojë kushte për mjekët që të bëjnë punën e tyre.

Gazetarët nuk janë fajtorë pse shkruajnë keq për shëndetësinë publike. Nuk shkruajmë lajme të këqija vetëm nga tregimet e pacientëve të pakënaqur dhe nga thirrjet në numrin e kontaktit të ministrit. Edhe ne jemi pacientë. Dhe e dimë mirë si kalojmë nëpër sistemin e shëndetësisë publike.

Ne nuk kemi problem me mjekët. Përkundrazi. Pikërisht për shkak të atyre mjekëve dhe atij personeli mjekësor jemi të gatshëm të durojmë edhe tualetet që kundërmojnë, korridoret e palara për dekada, ashensorët e prishur dhe ushqimin që e sjellim nga shtëpia.

Ne kemi problem me sistemin dhe organizimin. Dhe me llogaridhënien se si shpenzohen paratë tona që çdo muaj paguajmë për sigurimin shëndetësor. Kemi problem që nuk mund të marrësh një termin për kontroll ose operacion, që nuk ka materiale për operacion, që pajisjet për diagnostikë nuk punojnë, që sistemi bie, që nuk ka higjienë, që Ndihma e Shpejtë funksionon si shërbim taksi që sillet si miza pa kokë nga spitali në spital sepse nuk ka koordinim se ku punon apo jo ndonjë pajisje dhe ku ka një shtrat të lirë, kemi problem që e dimë që në administratë janë futur kushërinj analfabetë sipas vijës partiake dhe etnike, ndërsa nuk ka kush të plotësojë të dhënat në Qendrën e Urgjencës dhe të të çojë në rentgen, që para syve tanë shohim se si shtetas të huaj trajtohen me dokumente personale të identifikimit të shtetasve maqedonas…

Taravari, që edhe vetë është mjek, harron se është ministër. Mjekët janë për të kuruar. Për sistemin është përgjegjës ministri. Ai personalisht dhe drejtorët që ai i emëron nga listat që ia dorëzojnë shtabet e partive në pushtet.

5 Zjarfikësit arritën në kohë për të shuar zjarrin në ndërtesën e lartë banesore në Çair të Shkupit, por për gjysmë ore nuk mundën të afrohen sepse po prisnin shërbimin e merimangës që të hiqte makinat e parkuara. Fatmirësisht, kësaj here nuk pati të vdekur. Ka 43 banorë të plagosur dhe të hospitalizuar. Ndërtesa në Çair është një nga rreth njëzet ndërtesat në komunë që nuk kishin leje ndërtimi, por më vonë u legalizuan. Gjithçka është sipas ligjit, shef, por ndonjëherë nuk është.

Nuk ka nevojë për ndonjë analizë të veçantë. Nuk dua të jem fatalist, por thjesht hidhni një sy nga dritarja ku jetoni ose punoni dhe imagjinoni: Çfarë do të ndodhte nëse Zjarrfikësit ose Ndihma e Shpejtë do të duhej të vinin për t’ju shpëtuar? Larg qoftë. Por me ndërtime të paligjshme dhe të ligjshme, Shkupi është një vend krejtësisht i pasigurt. Dhe me këtë ndërtim të çmendur dhe përdhunim të qytetit ku vetëm lakmia është kriter, ai do të bëhet gjithnjë e më shumë një rrezik për jetën.

 

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира