DO TË SHPËTOSH SA TË MUNDESH

Uroja Maqedonisë

1 Si do të mund të shpengohemi ndonjëherë që e sollëm këtë njeri kaq të paaftë si Danella Arsovska të bëhet kryetare e Shkupit? Duke i malltretuar qytetarët që të mendojnë se ne i kemi shpëtuar nga Danella.

Pikërisht kjo është sjellja e VMRO-DPMNE-së qeverisëse në Shkup. Kryeqyteti është peng i idesë që të na shpëtojnë nga Danella e tyre. Kjo qasje tallëse ndaj qeverisjes, ndërsa Shkupi mbytet në mbeturina dhe kaos trafiku, është përpjekje që të harrojmë se ishin ata që e vendosën atë si kryetare të qytetit. Dhe që të harrojmë se ata kanë shumicën në Këshillin e Qytetit të Shkupit, në shumicën e komunave të Shkupit, dhe së fundmi, edhe në të gjitha institucionet shtetërore. Zgjidhja është në duart e tyre. A thua brenda natës e kuptuan që Shkupi është në prag të kolapsit? Për dy vjet e gjysmë, VMRO-DPMNE-ja e dinte që kandidatja e tyre ishte e paaftë.

Në vend që Këshilli, ku ata kanë shumicën, të merrte situatën në duart e veta dhe të zbutte pasojat e paaftësisë së saj, ata e lanë atë të fundosej edhe më tej. Vetëm duke thënë që ajo është e paaftë, autobusët nuk do të vijnë vetë, as Shkupi nuk do të pastrohet vetë.

Shikoni sa bukur po fundoset, por ne, nga VMRO-DPMNE, do të vijmë dhe do t’ju shpëtojmë me idetë tona. Ndërkohë, ne qytetarët jemi thjesht dëme anësore në betejën mes koalicionit qeverisës dhe kryetares së Shkupit. Nuk ka nevojë që tani VMRO-DPMNE të përpiqet të na bindë se Danella është e paaftë dhe konfliktuale. Tashmë jemi të bindur për këtë. E kemi ditur prej kohësh.

Sinqerisht, kush me mendje të shëndoshë do të votonte tani për Danellën? E pamë në zgjedhjet parlamentare kur VMRO-DPMNE nuk e mbështeti dhe ajo fitoi vetëm 3,500 vota, nga të cilat në Shkup diçka mbi 1,500. Më shumë numra telefoni kam në  celularin tim. Por, kush do të votonte për dikë që me qëllim sakrifikon qytetarët? VMRO-DPMNE e la atë të shkatërrojë qytetin në dëm të qytetarëve.

2 Zëvendëskryeministri Aleksandar Nikolloski tha se “për fat të keq, shkupjanët do të duhet të presin zgjedhjet lokale për t’u zgjidhur problemi i transportit publik”.

Deri në vjeshtën e ardhshme, çfarë bëjmë? Mos vdis gomar, deri sa të mbijë bar.

Pra, ose tashmë i kanë blerë autobusët dhe menjëherë pas zgjedhjeve lokale do t’i nxjerrin në rrugë, gjë që nuk e besoj, sepse 250 autobusë nuk blihen në supermarket. Ose e dinë si do ta zgjidhin problemin e transportit publik në kryeqytet, por nuk duan të na tregojnë. Do të presin që shkupjanët të votojnë përsëri për kandidatin e tyre dhe pastaj do ta zbulojnë sekretin. Dhe kjo do të vlejë vetëm nëse kryetarja e komunës nuk grindet përsëri me qytetarët. Nëse ndodh kështu, do të presim edhe katër vjet të tjera që të na shpëtojnë sërish. Me paratë tona do të riparojnë dëmet e tyre.

E, tani, meqenëse VMRO-DPMNE janë adhurues të deklaratave noteriale, nuk do të ishte keq që për zgjedhjet e ardhshme të detyrojnë kandidatin apo kandidaten e tyre për kryetar komune, si dhe anëtarët e Këshillit, të nënshkruajnë që nuk do t’i keqtrajtojnë qytetarët. Le t’i detyrojnë edhe partnerët e koalicionit të nënshkruajnë deklarata noteriale, që pastaj të mos justifikohen se nuk kanë shumicën.

Zëvendëskryeministri Nikolloski tha gjithashtu se “transporti publik në Shkup është larg nga ajo që duhet të jetë, por secili duhet të mbajë përgjegjësinë e tij”.

Pra, shkupjanë e shkupjane, mbajeni përgjegjësinë tuaj. Ata që votuan për transport publik falas tani të mos vonohen në punë, të mos ankohen se fëmijët po humbasin orë mësimi, apo se nuk arritën në një termin të caktuar për kontroll mjekësor… Herën tjetër le të vrasin mendjen. Ndoshta, si qytetarë të rritur, deri tani e kanë kuptuar se në jetë asgjë nuk është falas. Le të mendojnë për kë votojnë.

3 Në fakt, po e shohim qartë se sa i intereson partisë për qytetarët. Vetëm i shfrytëzon për të bërë ndonjë përfitim afatshkurtër, siç ndodh zakonisht. Kot që kërkojmë zgjidhje nga politikanët, sepse ata nuk do t’i gjejnë nëse nuk kanë ndonjë interes prej tyre. Politik apo tjetër, pak rëndësi ka.

Prandaj edhe pritshmëritë tona janë gjithnjë e më të ulëta. Prandaj njerëzit tashmë mendojnë vetëm si të largohen nga ky vend. Ndërkohë, përpiqen të zgjidhin problemet e tyre akute – si të arrijnë në kohë në punë, si të mos vdesin duke pritur për një termin për vizitë mjekësore, si të mos sëmuren kronikisht nga ajri i ndotur… Çfarë është kjo, nëse jo – mbijetesë e pastër? Kalon një ditë, e pastaj tjetra, deri në gënjeshtrën e radhës në zgjedhje. Thjesht, tashmë nuk kemi as forcë për të artikuluar një protestë, një revoltë apo një sfidë. Sepse e dimë që politikanët nuk do të gjejnë zgjidhje. Qytetarët nuk janë as në fund të mendje së tyre. Prandaj i shohim ata si një fatkeqësi natyrore. Kush të mundet, le të shpëtojë veten.

4 Një dëshmi se në pushtet nuk jka politikanë me ndjenjë për interes publik, por aparate partiakë, është shembulli banal me urimet për zgjedhjen e Radmilla Sheqerinskës si zëvendëssekretare e përgjithshme e NATO-s.

Ambasadorja amerikane Anxhela Ageler, përmes rrjeteve sociale, e uroi kryeministrin Hristijan Mickoski dhe Qeverinë për angazhimin e tyre për kandidaturën e saj, ndërsa Mickoski i kishte telefonuar personalisht Sheqerinskës për ta uruar.

Nuk po flasim për një telefonatë personale. Po flasim për një urim zyrtar nga Qeveria, i cili nuk u shpërnda për publikun. Po flasim për një shënim publik që nuk është regjistruar në arkiva. Edhe kryetarja Gordana Siljanovska-Davkova, komandantja supreme e Ushtrisë që është pjesë e NATO-s, i kishte telefonuar personalisht Sheqerinskës për ta uruar. Por edhe ajo nuk la asnjë shënim publik. Si të ishte një ngjarje private, e urimi bëhet privatisht.

Privatisht, mund të mos dëshirojnë as t’ia shohin fytyrën Sheqerinskës. Kryeministri tha se pavarësisht sfidave, ata nuk kanë pasur asnjë dilemë për ta mbështetur, çka do të thotë kjo. Nuk është se na pëlqen, tha ai, por është budallallëk të jesh kundër një njeriu që është yni. Dhe, kur tashmë nuk kanë pasur dilema se duhej ta mbështesnin dhe mendojnë se kanë bërë një hap të mirë me këtë, atëherë mund të kishin përgatitur një urim publik dhe jo të heshtnin, ndërkohë që po vinin urime nga jashtë, duke pritur pyetje nga gazetarët, ndoshta edhe të porositura, për të thënë se edhe ata personalisht e kishin uruar.

Në fund të fundit, mos e shiko këtë si një sukses të Radmilla Sheqerinskës. Shikoje si një sukses të Maqedonisë, një prej anëtareve më të reja dhe më të vogla të NATO-s, që ka një pozitë të lartë në Aleancë. Mos e uro Sheqerinskën. Uroje Maqedoninë.

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира