KUFIJ TË HAPUR

Shengen ballkanik për elitën ballkanike.

1 A ka ndonjë vend me një përbërje më të profilizuar të njerëzve në listën e zezë të SHBA-ve sesa vendi ynë? Ndër ata të shënuar nga Departamenti i Shtetit për korrupsion të lartë janë dy ish-kryeministra: Ljubço Georgievski dhe Nikola Gruevski, dy zëvendëskryeministra: Koço Angjushev dhe Artan Grubi, dy kryetarë komunash: Ramiz Merko dhe Stevço Jakimovski, dhe si qershia mbi tortë, edhe një ish-drejtor i shërbimeve sekrete, Sasho Mijalkov. Krem dë la krem.

A nuk jemi ne liderë në rajon, madje edhe më gjerë. Ku mund të shkojmë më larg se kaq? Dhe, çfarë thotë kjo për ne? Që kemi kritere të larta për përzgjedhjen e liderëve.

2 Ish-zëvendëskryeministrin Artan Grubi, për të cilin është lëshuar një fletarrest ndërkombëtar sepse gjykata i ka caktuar arrest shtëpie si i dyshuar për krim me Llotarinë shtetërore, rastësisht, policia nuk e ka gjetur në shtëpi. Rastësisht, kur ishte i dyshuar, ai kishte pasur punë urgjente në Kosovë. Rastësisht, kur kalonte kufirin në “Bllacë” kamerat e policisë që kontrollojnë pasaportat nuk kishin funksionuar. Rastësisht, pikërisht atëherë ishin harxhuar bateritë. Rastësisht, Grubi u dërgua nga konsulli i nderit në Kosovë, sepse ai, edhe kur ishte zëvendëskryeministër, nuk kishte makinë dhe ia huazonin fqinjët. Dhe rastësisht, pikërisht kur Grubi u shfaq në kalimin kufitar, polici nuk kishte kontrolluar kompjuterin për të parë se ka një urdhër për ta ndaluar.

Kështu ndodhi edhe në nëntor të vitit 2018, kur Nikola Gruevski na telefonoi nga Budapesti. Rastësisht, policia nuk e gjeti në shtëpi. Rastësisht, policët që ishin të ngarkuar me mbikëqyrjen e tij nuk e kishin parë kur ai kishte dalë nga apartamenti. Rastësisht, policia kontrolloi garazhin pranë VMRO-DPMNE-së për të parë nëse kishte fjetur atje. Rastësisht, e ka vozitur një diplomat i ambasadës hungareze. Rastësisht, filmimet nga kamerat e kalimit kufitar në Shqipëri ishin fshirë. Rastësisht, nuk ka regjistrime se si kaloi nga Shqipëria në Mal të Zi, pastaj në Serbi, për të hyrë në Hungari. Dhe rastësisht, nuk ka përfundim të hetimeve për arratisjen e tij. Kush e di nëse ka hetime fare.

Kosova ende nuk është anëtare e Ballkanit të hapur, por po i shfrytëzon përfitimet nga kufijtë e hapur. Qytetarët ende presin në kolona për të kaluar kufijtë, kamionët presin në doganë, por përfitimet nga Ballkani i hapur i ndjejnë më së miri funksionarët e lartë që janë nën hetim ose të dënuar për korrupsion të lartë. Shengen ballkanik për elitën ballkanike.

3 BDI njoftoi se ka qenë gjithmonë e përkushtuar ndaj llogaridhënies dhe transparencës, dhe pikërisht për këtë arsye, kur ishte në Qeveri me LSDM, propozoi një ligj që do të parandalonte ata që janë në listën e zezë të SHBA-së të mund të marrin pjesë në zgjedhje dhe procese të tenderëve publikë. Por, deputetët e VMRO-DPMNE-së dhe “Vlen” e bllokuan miratimin e këtij ligji, prandaj tani BDI i akuzon ata si “dyfytyrësh” që pretendojnë se kanë superioritet moral.

Kjo tashmë nuk dihet në cilin kategori të mund të vendoset. BDI flet për dyfytyrësi dhe moral, kur ata vetë kishin kryetarin e Strugës, Ramiz Merko, në listën e zezë të SHBA-ve, por nuk e larguan. Dhe tani VMRO-DPMNE dhe “Vlen” janë fajtorët që Artan Grubi u arratis nga drejtësia.

VMRO-DPMNE, LSDM dhe BDI do të sulmohen, do të ofendohen, do të akuzohen, do të jenë armiqtë më të mëdhenj. Por, ata janë triniteti i vetem që funksionon në shtet që nga konflikti i vitit 2001. Nuk mund të bien dakord për çështje të interesit të lartë shtetëror. Por, kur duhet të shpëtohet ndonjë funksionar i lartë i dënuar ose nën hetim, atëherë do të gjejnë mënyra për të krijuar rastësi, pavarësisht se kush është në pushtet.

4 Kryeministri Hristijan Mickoski u kthye mjaft i kënaqur nga Brukseli. Në një intervistë për MRT që dha në Bruksel, ai tregoi çfarë i tha “një kryeministër” dhe çfarë i tha “një kryeministër tjetër” dhe për herë të njëzetë e theksoi se “në BE fillon të dëgjohet një mendim tjetër nga ai nënshtrues dhe tërheqës i qeverive gjatë 7 viteve të kaluara”.

Cila është ideja të shkosh si kryeministër në Bruksel për një takim me BE-në dhe nga atje të japësh një intervistë për shërbimin publik MRTV, ekipin e të cilit e sillni nga Shkupi? Për të treguar publikut të vendit çfarë u thatë atyre në Bruksel. Dhe të mos dëgjojmë asgjë nga ajo që Brukseli ju tha ju si kryeministër i një vendi që ka një mosmarrëveshje me një vend tjetër të BE-së për të cilën kërkoni zgjidhje. Po, nëse kryeministri ka kaq shumë për të thënë, pse nuk u mundua të jepte një intervistë për televizionet belge, franceze, gjermane, holandeze, italiane, apo edhe bullgare, dhe ta dëgjonte opinioni atje qëndrimin e pushtetit maqedonas dhe sa shumë kemi vuajtur padrejtësi në rrugën drejt BE-së? E jo të na e përsërisë këtë për herë të njëzetë, sikur nuk e dimë, dhe sikur është para zgjedhjeve. Ne e dimë qëndrimin e Qeverisë. Po ashtu, e dimë edhe qëndrimin e BE-së. I vendosur në kuadër të çadrës negociuese, sipas të cilës, që të fillojnë negociatat me BE-në, këtu duhet të përfshihen bullgarët në Kushtetutë. Asgjë të re nuk dëgjuam.

“Kishte shumë gjëra të bukura, diskutohej haptazi dhe ajo që po e mbaj si emocion, si ndjenjë është se në të vërtetë edhe vetë shtetet anëtare janë lodhur duke shpjeguar pse ky proces nuk duhet të bilateralizohet, por duhet të europianizohet”, tha Mickoski.

Publiku maqedonas nuk e mori vesh se cilat janë ato “gjëra të bukura” që ishin thënë. Dhe nuk jam i sigurt se me emocione dhe ndjenja mund të ndryshohet çadra negociuese. Dhe edhe ajo që thotë Mickoski që procesi nuk duhet të bilateralizohet, por të europianizohet, është thelbi i problemit. Sepse, në momentin që miratohet çadra negociuese, procesi nuk është më bilateral. Por – europianizohet.

Kjo nuk më pëlqen fare, por, për fat të keq, kështu është. Prandaj, po humbas gjithnjë e më shumë optimizmin që përhap kryeministri Mickoski në lidhje me BE-në. Dy shtetet më të rëndësishme, motorët që e lëvizin Bashkimin, Franca dhe Gjermania, janë të angazhuara me vetveten. Makron mezi e mban Qeverinë, ndërsa Scholz ka humbur besimin dhe Gjermania do të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
Epo, po mendoj se të dy po mendojnë intensivisht si të gjejnë një zgjidhje kreative për ne. Kur nuk mund të gjejnë një për veten e tyre.

 

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира