1 Është e dhimbshme kur sheh se edhe kjo tragjedi e fundit, përplasja e një vajze 22-vjeçare në një nga bulevardet më të frekuentuara të Shkupit, po përdoret për politikë. Kemi parë shumë tragjedi që nga pavarësia e deri më sot. Frosina është vetëm viktima e fundit në një seri përplasjesh në kalimet e këmbësorëve, në dritën e gjelbër të semaforit. Na kanë djegur pacientë në spitale, na kanë vdekur pasagjerë në autobusë, kemi pasur aksidente ajrore, kanë humbur jetën ushtarë dhe policë në rrëzime helikopterësh, një president ka vdekur në një aksident ajror, një tjetër ka mbijetuar një atentat… Dhe pas çdo tragjedie të tillë, kemi qenë dëshmitarë se reagimi i parë i partive ishte të kapnin fatkeqësinë dhe ta shfrytëzonin për poena politike.
Dhe çfarë turpi për këto poena politike.
Çdo qeveri deri tani ka përjetuar tragjedi, dhe për fat të keq, reagimi i tyre është i njëjtë. Prandaj, tragjeditë na përsëriten.
Një qeveri e përgjegjshme, jo vetëm kjo e tanishmja, por edhe të gjitha të mëparshmet, jo vetëm për këtë tragjedi, por edhe për të gjitha të mëparshmet, do të kishte ndërmarrë gjithçka të mundshme për të shmangur fatkeqësitë dhe për të përmirësuar cilësinë tonë të jetës. Nëse asgjë tjetër, të paktën të kishin mësuar mësimet nga çdo fatkeqësi e mëparshme.
Sa mizore është kjo shfrytëzim brutal i tragjedisë personale të familjes së vajzës së vrarë, tregon fakti që si partia në pushtet VMRO-DPMNE ashtu edhe opozita LSDM po dëshmonin në konferenca për shtyp dhe deklarata se cilit krah politik i përkiste gjykatësja që nuk e kishte dënuar vrasësin e Frosinës me burg, edhe pse më parë ai ishte dënuar për shpërndarje droge. As nuk u munduan të aktrojnë korrektësi politike. Me pafytyrësi deklaruan se kanë lista me emra të njerëzve të emëruar nga partitë. Dhe se kështu i përzgjedhin kuadrot. Kjo nuk është as sekret publik më. Është krejt normale, s’ka pse të fshihet.
Nuk ka rëndësi nëse dikush është gjykatës i mirë apo i keq, njësoj siç nuk ka rëndësi nëse dikush është doktor i mirë apo i keq, mësues, aktor, valltar… Nuk flasim më për atë nëse dikush është profesionist apo diletant, i ndershëm apo mashtrues, por – nga cila listë emrash është. Dhe kështu ua shkatërrojnë integritetin personal edhe më të mirëve që ndoshta i kanë në ato lista.
2 Nuk e di pse ka kaq shumë gëzim për faktin që Trump ndërpreu ndihmën amerikane për vendet e huaja? Sidomos në një vend ku me miliarda – euro, dollarë, korona suedeze, franga zvicerane, paund britanikë, yena japonezë, lira turke – janë ndërtuar ujësjellës, kanalizime, janë rinovuar çerdhe, shkolla, spitale, janë blerë autoambulanca dhe makina zjarrfikëse, janë pastruar lumenj, liqene dhe male, si dhe është mbrojtur trashëgimia kulturore nga lashtësia deri te lufta antifashiste. Nga niveli lokal deri në atë shtetëror. Dhe tani disa njerëz po festojnë për ndërprerjen e ndihmës amerikane, të njëjtët që kanë pasur nevojë për ambasadorë të huaj që t’u pastrojnë edhe plehrat para shtëpive të tyre.
Por mirë. Siç thotë kryeministri Mickoski: “Çdo mbështetje në drejtim të përmirësimit të kapaciteteve demokratike të një shteti është e mirëseardhur. Por kjo gjithashtu duhet të na zgjojë dhe të na bëjë të kuptojmë se në të ardhmen do të duhet të kujdesemi për veten, të ndërtojmë një shoqëri që do të jetë e jona, pavarësisht nga dallimet tona politike, etnike, fetare…”
Herën e fundit kur u kujdesën për ne, siguruan për veten e tyre 5-6 miliardë euro në Belize dhe parajsa të tjera fiskale.
3 Po ne, çfarë po bëjmë me BE-në dhe çfarë po bën BE-ja me Ballkanin Perëndimor në rendin e ri botëror që po krijon Trump?
Nuk do të ishte hera e parë që BE merr një vendim politik për të pranuar me nxitim disa vende të reja. Që Evropa më në fund të bëhet vërtet e bashkuar. Por duket se ende nuk i ka ardhur rradha. Ndërkohë që ata negociojnë nëse duhet të jetë “në” apo “mbi” në pikën 5, alinean 7 të klasterit 9, i cili do të diskutohet pas zgjedhjeve, ne mbetemi pak vetë në këtë hapësirë të zbrazët të hapur ndaj çdo ndikimi të mundshëm. Jo vetëm rus, kinez, turk apo saudit… por edhe disa ndikime evropiane që promovojnë vlera për të cilat në fillim nuk e dinim se ishin evropiane.
4 Shumë nga ne tashmë janë shpërngulur në BE. Popullsia jonë po plaket. Siç do të thoshte Trump, së shpejti këtu do të jetë bosh, sepse njerëzit janë shpërngulur – disa në Gjermani, disa në Suedi, disa në Itali e Zvicër. Për ata kuadrot partiakë që kanë mbetur në administratën publike, do të dërgojmë Elon Musk-un t’u fiki kompjuterët ku luajnë solitaire.
Kanë disa male, disa liqene. Kanë edhe disa burime minerale që mund t’i shfrytëzojmë. Do t’u ndërtojmë teleferikë, pista skish dhe hotele. Do të jetë shumë bukur. Një vend i bukur dhe i madh për një biznes të bukur dhe të madh. Kolorado e Ballkanit Perëndimor. Fantastike.
Ja, për shembull, banorët e Ohrit duhet të fillojnë të dërgojnë letra në Shtëpinë e Bardhë. Të luten që Trump të ndalojë financimin e UNESCO-s. Të mos vijnë më inspektorë për të mbrojtur trashëgiminë natyrore dhe kulturore botërore. Sepse, banorët e Ohrit janë të bindur se turistët vijnë për të fjetur në dhoma të vogla në ndërtesa banimi dhe për të ngrënë në kafene me tarraca plastike. Sepse ata që vijnë këtu, nuk kanë parë as ndërtesa, as kafene të tilla, e as plazhe. Dhe të themi të drejtën, një skarë si ajo e Ohrit nuk e gjen as në Leskovac. Ndërsa një mikpritje të tillë… e pamundur të gjesh diku tjetër.
Vetëm Trampi mund ta shpëtojë Ohrin nga UNESCO.
5 Qeveria po rishikon përbërjen e shportës konsumatore. Po vijnë propozime që shpenzimet për ngjarje kulturore, pushime dhe restorante të hiqen prej saj. Pra, shporta duhet të përfshijë vetëm të nevojshmen për mbijetesë: ushqim, gjumë dhe riprodhim.
Po mirë. Ç’të duhen, për shembull, teatrot? Njerëzit le të shikojnë kanalin parlamentar. Ja ku e kanë teatrin.
Për socializim nuk u duhen restorante apo udhëtime fundjave. Do të shoqërohen në selitë partiake. Në vend të udhëtimeve, do t’u sigurohen autobusë për mitingje. Dhe atje ndonjëherë ka edhe lëngje dhe sanduiçë. Dhe muzikë. E nëse u mbetet ndonjë denar për baste… atëherë jeta në Maqedoninë e Artë do të jetë vërtet një këngë.