1 I dëgjova akuzat për zjarrin në Koçan që pati 62 viktima, mes tyre edhe gjashtë fëmijë. Pothuajse gjithçka që përmendi prokurori i shtetit, Ljupço Kocevski, si pjesë të zinxhirit të mosveprimit të institucioneve, nga niveli lokal deri te ai shtetëror, përputhet me shembujt që lexuesit na i dërgojnë çdo ditë në rubrikën “Raporto korrupsion”. Pas tragjedisë së 16 marsit, kemi marrë dhjetëra denoncime me letra të dërguara tek kryetarët e komunave, shërbimet komunale, inspektorate të ndryshme, ministri të ndryshme, madje edhe te kryeministri Hristijan Mickoski dhe Kabineti i Presidentes, dhe disa prej tyre janë në fazë të procedurës gjyqësore.
Ankesat janë për ndërtime pa leje, ndërtime shtesë, tarraca, uzurpim të hapësirës publike, ventilim të papërshtatshëm, magazina të rrezikshme, përshtatje të improvizuara të hapësirave afariste, mungesë parkingu, pamundësi për qasje të ambulancës dhe zjarrfikësve, muzikë e lartë, rrahje… Klasike… Pothuajse të njëjtat si ato që institucionet i kanë pranuar prej vitesh për diskotekën në Koçan.
Do të ketë gjykim për këtë tragjedi. Besoj se do të ketë edhe të dënuar. Por çfarë ndodh me ankesat që shteti i injoron? Vetëm të mos na thonë që t’ua dorëzojmë që të shohin nëse janë kompetentë për të vepruar. Le të mos i kërkojnë fare, e dimë se do të shpallen jokompetentë. Për më tepër, ato janë kopje – të gjitha ato letra janë tashmë te ata. Të gjitha dokumentet që qytetarët e dëshpëruar i dërgojnë edhe në redaksinë tonë, më parë janë arkivuar sipas rendit në institucione të ndryshme, me datë, me vulë, me nënshkrim të pranuesit… E gjitha, më kot. Qytetarët shkruajnë, por nuk ka kush t’u përgjigjet. Ose, në rastin më të mirë, marrin përgjigje se problemi nuk është në kompetencën e institucionit.
Po kalon edhe muaji i tretë nga tragjiedia. Por duket se shoku zgjati pak. Vetëm shikoni përreth. Dhe për një moment mendoni se ku jeni. Çfarë vini re kur dilni, nga zyra, kur shkoni në një festë? Ore, neve na ndjek Koçani në çdo qoshe.
2 Qeveria mund t’u sigurojë rehabilitim mbi 200 të lënduarve, jo vetëm në qendrën e pushimit Ponikva, por edhe në dy-tre qendra të tjera. Mund të paguajë edhe për hotele. Mund të hapë edhe dy-tre linja telefonike për kontakt me familjarët e viktimave. Por të gjitha këto janë të kota nëse pushteti vazhdon të mos e shohë atë që është qartë dhe që i shqetëson qytetarët. Është e kotë nëse nuk ka vullnet politik për të ndryshuar praktikat e deritanishme të tipit “nuk jam kompetent për këtë”.
Por kam frikë se nuk ka vullnet politik. Sidomos pasi dëgjova kryeministrin Hristijan Mickoski se si u kthye edhe kundër iniciativave qytetare nga Koçani. Në vend që t’i falënderojë për gjithçka që bëjnë për qytetin, ai i diskreditoi. Në përvjetorin e Unionit të Forcave të Rinisë të VMRO-DPMNE në Veles tha: “Aty shohim ngadalë se si një lëvizje qytetare për mbështetje të Koçanit po shndërrohet në lëvizje politike. Nga mbështetja për viktimat e tmerrshme të horrorit në Koçan, flasin për garazhe me kate, ujësjellës, kanalizime, premtime të (pa)mbajtura, dhe kështu me radhë, në frymën e zgjedhjeve lokale”.
Mos vallë, është e ndaluar që qytetarët të flasin për garazhe me kate, ujësjellës, kanalizime dhe premtime të pambajtura? A është kjo temë ekskluzive vetëm për partitë në tubime zgjedhore, ku japin premtime që pastaj nuk i realizojnë? Në fund të fundit, a është e ndaluar që një lëvizje qytetare të shndërrohet në lëvizje politike? A është kundër Kushtetutës, kundër ndonjë ligji? A lejohet ndokush tjetër të flasë për politikë apo është një e drejtë e lindur vetëm e VMRO-DPMNE-së? Dhe ndoshta, ndonjëherë, në raste të jashtëzakonshme, edhe e LSDM-së.
Po qytetarët? Ata janë këtu vetëm për të votuar.
3 Iniciativa “Support Koçani” ka bërë më shumë për njerëzit e Koçanit sesa dhjetë qeveri maqedonase bashkë me këtë të Mickoskit. Dhe është normale që Mickoski të ketë frikë prej tyre, ndaj edhe i diskrediton. Në vend që t’i ndihmojë dhe të lavdërojë suksesin e tyre, madje edhe të bashkohet me ta, ai përpiqet t’i eliminojë. Ashtu siç bën edhe me shoqatat e tjera qytetare dhe iniciativat të cilat, në komunat ku fituan këshilltarë në zgjedhjet e fundit lokale, ua shqetësojnë rehatinë partive.
Nëse VMRO-DPMNE dhe LSDM janë kaq të mëdha dhe të fuqishme, pse merren me lëvizjet qytetare? Pse humbin kohën duke menduar mënyra për t’i eliminuar nga zgjedhjet?
Sërish, pushteti dhe opozita bashkërisht bënë ndryshime në Kodin Zgjedhor, duke rritur pragun e nënshkrimeve të nevojshme për kandidatë të pavarur, megjithëse Gjykata Kushtetuese, duke hequr pragun e mëparshëm prej 1% të votuesve të regjistruar, kishte vendosur se rritja e këtij numri përfaqëson ndërhyrje në të drejtën e votës së qytetarëve.
Prandaj mendoj se është farsë kur Hristijan Mickoski thotë se VMRO-DPMNE nuk ka asgjë kundër që i gjithë territori i shtetit të jetë një njësi zgjedhore. Njësoj siç ishte farsë kur Zoran Zaevi thoshte se LSDM do ta mbështeste idenë për një njësi zgjedhore, por kurrë nuk guxoi ta vendoste në rend dite.
Është më e lehtë të mbledhësh nënshkrime për të regjistruar një parti sesa për të paraqitur kandidat të pavarur në zgjedhje.
Kjo është Maqedonia. Partia është fati im.
4 Ministrja e Arsimit, Vesna Janevska, tha se vitin e kaluar munguan 17 mijë nxënës dhe studentë, që janë shpërngulur në shtatë vitet e fundit. Në një ngjarje që u mbajt një javë pasi u publikua që vetëm në Shtip, në klasë të parë, ishin regjistruar 100 nxënës më pak se vitin e kaluar, ajo deklaroi: “Po shihni, ekonomia tani për tani po ecën mirë dhe nëse vazhdon kështu, besoj se pas pak vitesh një pjesë e tyre do të fillojnë të kthehen.”
Me sa duket se kur je në pushtet, më së shpejti largohet kontakti me realitetin.
5 Ministrja e Financave, Gordana Koçoska-Dimitrieska, e kërcënoi deputetin Fatmir Bytyqi se do ta padisë nëse jashtë Kuvendit i bën pyetje përse disa kompani nuk e marrin kthimin e TVSH-së edhe pas nëntë muajsh, duke dyshuar se paratë u kthehen vetëm të përzgjedhurve partiakë.
Kur ministrja Koçoska-Dimitrieska para disa muajsh e ofendoi deputeten Sllavjanka Petrovska që nuk ka fëmijë, në vend që të përgjigjej për çmimet në markete, menduam se ishte thjesht nervozizëm i momentit. Por tani duket se nuk është vetëm nervozizëm.
Fakti që asaj nuk i pëlqen pyetja nuk ka të bëjë me një keqkuptim të funksionit të ministres. Fatmir Bytyqi është deputet. Deputeti bën pyetje në seancën për pyetje parlamentare. Ai e bën këtë në Kuvendin që zgjedh dhe shkarkon ministrat dhe ku ministrat raportojnë para deputetëve të zgjedhur nga populli.
VMRO-DPMNE le ta dërgojë ministren në ndonjë kurs të vonuar të fondacionit “Konrad Adenauer”. Kurset fillestare për demokracinë në një republikë parlamentare përfunduan në fillim të viteve ’90. Ministrja, me sa duket, i ka humbur ato orë.
6 Komuna e Aerodromit i ka shqiptuar një gjobë Ndërmarrjes Publike Komunale “Higjiena Komunale” të Shkupit në vlerë prej 88.000 eurosh, sepse nuk i mbledh mbeturinat nga kontejnerët.
Nga cilat para do ta paguajë gjobën “Higjiena Komunale”? Nga paratë e qytetarëve të Shkupit që i paguajnë faturat komunale.
Pra, shkupjanët paguajnë një herë që t’ua mbledhur mbeturinat. Herën e dytë sepse nuk ua mbledhin mbeturinat. Humbje e dyfishtë.
Kështu, pra. Qytetarët nuk janë për të bërë politikë, sidomos para zgjedhjeve lokale, e tash duhet të flasin edhe për garazhe, ujësjellës dhe për mbeturinat. Qytetarët janë për të paguar gabimet e politikanëve. Dy herë.