1Nuk është çudi që Todor Petrov, Ministria e Pushtetit Vendor dhe ajo e Drejtësisë iu është kujtuar të paraqesin një nismë në Gjykatën Kushtetuese për të shfuqizuar nenin e ligjit që kufizon mandatin e autoriteteve lokale në katër vjet. Ne këtu ka shumë kohë që nuk çuditemi me asgjë. Sidomos nuk janë për t’u habitur iniciativat për të mbajtur pushtetin me çdo kusht. Kështu që tani na duket e natyrshme që me të njëjtën iniciativë të dalin Todor Petrovi dhe ministrat e BDI-së. Sepse, për të arritur qëllimin e përbashkët për të qëndruar në pushtet ata kanë kapërcyer dallimet fetare që dukeshin të papajtueshme, kur në shkurt të vitit të kaluar, pikërisht njerëzit e BDI-së e rrahën Todor Petrovin për shkak të kryqit që deshi ta vendoste në Butel.
Mua nuk më frikëson fakti se ministrat e BDI-së dhe Todor Petrovi kanë dorëzuar një nismë në Gjykatën Kushtetuese, sikur të ishte një gjykatë e Koresë së Veriut. Kam frikë se Gjykata mund të miratojë këtë nismë. Dhe më së shumti më frikëson fakti se kjo nismë paraqet një nga hapat e fundit të vrasjes së institucioneve në Maqedoni.
Dhe pas kësaj çfarë të presim? Vendim nga Gjykata Kushtetuese me të cilin edhe mandate i presidentit do të jetë i pakufizuar? Nëse kryetarët e komunave mund të qeverisin përgjithmonë sepse VMRO-DPMNE nuk lejon të zgjidhet kryetar i Parlamentit, sepse nuk ka shumicën për të formuar qeverinë, pse të mos vazhdojë mandatin Ivanovi derisa të krijohen kushtet përsëri t’ia jap mandatin Nikolla Gruevskit?
2 Por mandati ka qenë gati, dhe atë së bashku me platformën e Tiranës të pranuar nga VMRO-DPMNE, në fund të janarit kur, sipas Ivanovit, një telefonatë kishte prishur koalicionin mes Nikolla Gruevskit dhe Ali Ahmetit.
Nga e di Ivanovi se një telefonatë kishte prishur marrëveshjen? Vallë vazhdojnë me përgjimet e paligjshme? Ose vallë Zvrlevski ka siguruar nga gjykata urdhrin për përgjuar liderët e partive gjatë periudhës së negocimit të qeverisë dhe pastaj ia ka dhënë informacionet kreut të shtetit: kush ka bërë telefonatën? Rama? Stoltenberg? Soros? Tramp? Putin? Erdogan? Orban?
Në fund të fundit, nuk ka rëndësi kush e ka bërë. Me rëndësi është se Gruevski e ka pranuar platformën nga A në Zh, ndërsa Gjole këtu nuk ka parë rrezik për Maqedoninë. Pra, kur Gruevski nuk arriti të formojë qeveri sepse nuk ka shumicën, tani Ivanov shpik përralla dhe nuk i jep mandatin atij që ka fituar një shumicë parlamentare në zgjedhje.
Nuk ka përralla këtu. Puna është e thjeshtë. Presidenti shkel Kushtetutën. Dhe vazhdon ta shkel pa u ndëshkuar. Dhe nuk ka vend këtu për fjalë e shpjegime.
3 Njësoj si kalon i pandëshkuar edhe gjinekologu i cili me vite ka gënjyer gratë se janë shtatzëna. Le që ka gënjyer gjinekologu. Le që kanë heshtur kolegët e tij. Edhe Dhoma e Mjekëve ka qenë në dijeni por ka heshtur dhe nuk ka ndërmarrë asgjë. Ndërsa njeriu ka ndërruar disa spitale private dhe ka përfunduar në klinikë shtetërore. Të gjithë e kanë ditur se ai ka gënjyer, ndërsa fajin e ka gruaja e cila i ka besuar.
Lexova reagimet në rrjetet sociale, të cilat relativizojnë krimin e mjekut. Tallen me pacienten që i ka besuar, ndërsa ai i ka treguar foto ultrazë të frytit që nuk ekzistonte. Kuptova se këtu nuk flasim më për erozionin moral të sistemit. Kjo është gjendje psikopatologjike e mendjes të shoqërisë në të cilën jetojmë. Jetojmë në një shtet ku pacienti është fajtor sepse ka besim te mjeku, dhe nuk duhet fajësuar mjekun që me vetëdije gënjen pacientin.
Pra, nuk duhet fajësuar presidentin i cili qëllimisht shkelë Kushtetutën, por ne të cilët e dimë se e shkelë. Nuk janë fajtorë politikanët të cilët me vetëdije na kanë vjedhur me vite, por ne që kërkojmë që të shkojnë në burg dhe të na i kthejnë paratë që na i kanë vjedhur. Nuk kanë faj ata që kanë urdhëruar përgjimin dhe na kanë dëgjuar bisedat me vite, por ne që i kemi dëgjuar bisedat.
Dhuna, thjeshtësia dhe mosndëshkimi janë bërë masat e jetës sonë.
4 Dhe si kapak i gjithë kësaj psikopatologjie do të vijë Ali Ahmeti dhe do të thotë se ai ka bërë çdo gjë që ka mundur dhe tani zgjidhja është te partitë maqedonase. Sikur Ali Ahmeti të mos jetë pjesë e problemit. Dhe sikur problemi të mos i prekë votuesit shqiptarë dhe partitë shqiptare në Maqedoni.
Kush e krijoi problemin me platformën? Kush ka qenë në pushtet për 13 vjet? Dhe pse Ali Ahmeti mendon se ajo që janë dakorduar dy partitë maqedonase nuk i prek edhe maqedonasit, shqiptarët dhe të gjithë qytetarët e tjerë që jetojnë në Maqedoni?
Demek, ja ku jam unë, ndërsa ju merruni vesh, dhe më thirrni për të më treguar me kë do vazhdojë të jem në pushtet. Pra, Ahmetit nuk i bëhet vonë fare se kë do ta ketë partner. Nuk i bëhet vonë nëse duhet të bëjë koalicion me njerëz të korruptuar dhe që janë pengesë për reformat. Nuk i bëhet vonë se në çfarë qeveri do të marrë pjesë. Për sa kohë që ai është në qeveri.
Por, pikërisht për shkak të këtij qëndrimi, votuesit e BDI-së treguan se çfarë mendojnë. Mos harroni se BDI është humbësi më i madh në zgjedhje. Humbën dhjetë deputetë. Dhe i duhej që pas 13 vitesh në pushtet të shpikë platformë për të qëndruar në pushtet. Pra, Ahmeti bashkë me Ivanovin ka punuar për Gruevskin. Nuk iu bëhet fare vonë për Maqedoninë.
5 Në Maqedoninë e Presidentit i cili nuk e jep mandatin për formimin e qeverisë, 76 për qind e të punësuarve marrin rrogë nën mesataren, e cila është pak më shumë se 350 euro. Sipas Institutit të Kërkimeve Ekonomike Finance Think, në këtë Maqedoni, 28.4 për qind e qytetarëve nuk kanë para të mjaftueshme për ushqim dhe fatura. Ndërsa 41.6 për qind janë të përjashtuar nga shoqëria, sepse ata nuk kanë të holla për një libër, kafe, teatër, koncert, ndeshje sportive, shoqërim …
Nuk flasim për luks. Flasim për diçka që do të thotë jetë dhe jo mbijetesë. Ndërsa në Maqedoninë e Presidentit që nuk e jep mandatin për qeverinë, gjysma e popullsisë mbijeton. Nuk jeton.
6jevgjelia do të dale në referendum kundër hapjes të një miniere ari 5 km larg qytetit. Për të organizuar referendum janë të gatshëm edhe Vallandova, Strumica dhe Kavadari.
Për sa koncesione të minierave do të mësojnë që janë dhënë gjatë kohës së “qeverisë në largim”?
Pasi kemi marrë lajmin se VMRO-DPMNE ka ftuar anëtarët e saj mos të dalin në referendumin e Gjevgjelisë që ai të dështojë, nga partia u shprehën se ata nuk kanë vepruar kundër referendumit, por shpjeguan se “ne nuk jemi kundër investimeve në miniera dhe investimet që janë në përputhje me standardet më të larta mjedisore dhe të tjera dhe nuk rrezikojnë jetën e qytetarëve “.
Ja që tani e kam më të lehtë. Pala që siguron koncesione për minierat për të huajt dhe na ofron si fuqi pune të lirë për po ato koncesionarë, kujdeset për jetët e qytetarëve.
Dhe çfarë nëse hapet miniera dhe investitori nuk respekton standardet më të larta mjedisore? Kush do ta ndëshkojë? Një gjykatë në Norvegji? Apo në Zvicër? Ose gjykata në Maqedoni që nuk ka ndëshkuar mjekët të cilët gënjejnë pacientët e tyre dhe politikanët të cilët vjedhin qytetarët e tyre? Ose e njëjta gjykatë, që unë besoj se është në gjendje të miratojë mandatin e përhershëm të kryetarëve të komunave dhe të presidentit? E gjithë kjo vetëm me qëllim që VMRO-DPMNE të qëndrojë në pushtet.
Përktheu: Fjolla Zllatku