1Deputeti nuk e ka rrahur lopën. Kështu disi duhet të mbarojë edhe historia rreth asaj se çfarë i ndodhi Maqedonisë më 27 prill. Me këtë lloj prokurorie dhe këtë gjyqësi nuk mund të presim të kemi sundim të së drejtës dhe zbulim i asaj se çfarë saktësisht ka ndodhur në Parlament më 27 prill.
Për dy vjet e gjysmë na bindnin se gjërat që i dëgjonim në bombat, nuk i kishim dëgjuar. Tani na përrallosin se edhe atë që e kemi parë në kamerat e sigurisë – nuk e kemi parë.
Deputeti Kërsto Mukoski nuk e ka hapur derën për dhunuesit, por më kot ka shëtitur në holl, në kërkim të ndonjë dere tualeti, se ka pasur nevojë. Deputetja Zahklina Peshevska përqafonte ndonjë familjar të afërm me të cilin ka pasur kohë pa u parë. Aq të madhe e kishte dëshirën që ta shohë, saqë i është dashur ta shtyjë derën e Parlamentit që ai ta takonte.
Deputeti Ljuben Arnaudov, përndryshe një mjek i mirënjohur i Ohrit, ka kërkuar derë që të shpëtojë. Dhe ndërsa mendonte se cilin korridor të marrë për t’u degdisur, i është kujtuar barsoleta për dikë që milte lopën, e ajo vazhdimisht i binte kazanit me qumësht, e kështu i është dashur t’ia lidhë këmbët. Mirëpo, lopa përsëri lëvizte shumë, kështu i është dashur t’ia lidhë bishtin me rripin e pantallonave, E kështu, pantallonat i ranë, gruaja e vet e pa me pantallona të zhveshura pranë lopës, kurse ai u arsyetua: Nuk është ashtu siç duket.
Për zotin, është për të qeshur. Po si duket kur del në dritë fakti se më 27 prill, deputetë të VMRO-DPMNE-së i kanë ndihmuar dhunuesit që të hyjnë në Parlament e të përleshen me deputetët e shumicës parlamentare? Si duket kur në filmimet mund të identifikohen pjesëtarët e MPB, DSK, të zbulimit, të ARM, të cilët i drejtojnë dhunuesit drejt sallës ku “nëse do të kishin dashur të vrisnin Zaevin, do ta kishin vrarë”? Si duket kur të gjithë këtyre pjesëtarëve të shërbimeve shtetërore, të cilët kanë marrë pjesë në rrahjen e deputetëve të shumicës, si një kapak iu paraqitet edhe një spiun serb?
Për me tepër, këto filmime nuk janë as të prera, as të ngjitura, as të montuara. Janë origjinale nga kamerat e sigurimit, të cilat pjesëtarët e DSK janë munduar t’i vjedhin që t’i shkatërrojnë.
Domethënë, le të përsërisim. Në barsoletën e lopës janë përzier edhe deputetë që i ndihmojnë dhunuesit t’i rrahin kolegët e tyre, më pas policë, ushtarë, hetues të shtetit dhe spiunë të huaj. Kurse lideri i VMRO-DPMNE-së në vend të sigurt jashtë shtetit pret që “populli” t’i qetësojë emocionet, që ai të kthehet në shtëpi si një fitimtar, kur filmimet të jenë fshirë nga policia e fshehtë, që të mos zbulohet se cili ka dashur të vrasë cilin.
Në 27 prill ne kemi pasur tentim për grushtet. Por me këtë lloj prokurorie dhe këtë gjyqësi, epilogu mund të shihet në dialogun në vijim mes gjykatëses dhe të akuzuarit për pjesëmarrje në turmë: “Ti pendohesh? Pendohem. A do ta përsërisësh krimin? Jo. Ulu, dënim të kushtëzuar!”
Zoran Zaev dhe Zijadin Sela mund të jenë të qetë. Gjashtë muajt e ardhshëm këta pjesëmarrës në turmë nuk do të tentojnë t’i vrasin. Në Parlament.
2Deputetja e VMRO-DPMNE-së dhe ministrja teknike e kulturës Elizabeta Kançeska-Milevska nuk e kanë lënë ta hapë dyert e Paralmentit sepse ka pasur punë tjetër. Të hapë dyert e Filharmonisë së Maqedonisë. Kështu, kur në hapje e pyetën se a e njeh njeriun me maskë të cilin e përqafoi gjatë sulmit të Parlamentit më 27 prill, ajo u përgjigj: “Hajde, ju lutem, kemi një ngjarje të bukur tani”. Sikur ngjarja e 27 prillit nuk kishte qenë e bukur për të, kur dhunuesit ia puthnin dorën.
Paska ngjarje ajo, të organizuar me paratë tona. Bashkë me liderin e VMRO-DPMNE-së opozitare bënë një festë partiake me hapjen e Filharmonisë. Madje, edhe u fyen se gazetarët me pyetjet e tyre ua prishnin atmosferën.
Ajo Filharmoni është bërë me paratë tona. Me paratë që ia kemi dhënë Gruevskit dhe Kançeska Milevskës për t’i menaxhuar. Dhe ata thanë se me 6 milionë euro do të bëjnë filharmoni. Ndërsa kanë harxhuar 39 milionë euro. E pastaj, ministrja do të na qortojë se pse ia paskemi prishur atmosferën e festës së partisë. Sepse ka harxhuar gjashtë herë më tepër para nga paratë tona. Dhe sepse, përveç parave, kemi pyetur dhe për kredibilitetin e tyre moral. Pasi, në fillim i dëgjuam se çfarë merreshin vesh në telefon, kurse tani pamë edhe në kamerë e si përqafohen me dhunuesit që janë nisur rrugës për të vrarë deputetë.
Ama, siç do të thoshte Gruevski – Ju lutem, ta shijojmë shfaqjen.
3Hajde pra, ta shijojmë shfaqjen. Dhe të mos pyesim. Ta shijojmë përrallën që na e tregon VMRO-DPMNE për atë se lideri na jep diçka. Dhe ne tani, duhet të jemi të lumtur. Kurse ai na jep me paratë tona. E ne e dëgjuam se sa para ka marrë. (“Mos është shumë?”)
Pasi, Gruevski dhe bashkëpunuesit e tij më të afërt e dinë shumë mirë se çfarë mund të presin nga ky publik. Të mos e pyesin. Të mos ndihen rehat. Gjoja të mos bien në nivelin e tij. Ta injorojnë. Dhe ta përqeshin në Fejsbuk dhe Tuiter. Dhe e dinë shumë mirë që askush nuk do të protestojë nëse ai vonohet në koncert, që askush nuk do të pyesë veten ndërkohë që elita e tij partiake do t’i duartrokasë, që askush nuk do t’i fishkëllejë ministeres teknike Knaçeska gjatë fjalimit të saj…
Hajde, ju lutem, ta shijojmë muzikën.
Në fund, Simon Trpçeski dhe muzikantët e filharmonisë e kanë fajin. Edhe Ashkenazi, pasi nuk e di se ku vjen dhe para kujt interpreton. Sepse ne jemi një publik burracak dhe dembel. E kemi më të lehtë të çuditemi e të mbajmë inate, “si, s’u vjen turp”, se sa t’iu kundërvihemi. Do të rrimë ashtu të stolisur sa më s’ka dhe të dyshuar për krime të rënda, e të aktrojmë si të sjellshëm në emër të artit.
Jo. Nuk duhet neve të na vijë rëndë. Atyre duhet t’u vijë rëndë. Ne nuk kemi ndërhyrë në festën e tyre partiake. Ata kanë ndërhyrë në shtëpinë tonë. Sepse Filharmonia është shtëpi e jona. Ne kemi paguar që të ndërtohet.
4PSP me hetimin e ri “Talir”, në lidhje me keqpërdorimin e pothuajse 5 milionë eurove nga udhëheqësia e VMRO-DPMNE-së, ka publikuar se në çdo 12 sekonda janë paguar fletëpagesa të mbushura me të njëjtin shkrim nga emri i anëtarëve të partisë në llogarinë e partisë. Në 2013 dhe 2015 fletëpagesat e anëtarëve të partisë në ditë kanë pasur vlerën e 30.000 eurove. Ata në ditë për partinë kanë ndarë nga 30.000 euro. Kurse ne me 100 denarë, plus TVSH dërgonim mesazhe për mjekimin e fëmijëve të sëmurë rëndë.
Hajde, ju lutem, ta shijojmë shfaqjen.
Përktheu: Fjolla Zllatku