1I dëgjoj vmro-vcat se si e kritikojnë qeverinë e re, se ajo e paska sajuar mercedesin që e ka blerë lideri i tyre, Nikolla Gruevski, mercedes 600.000 eurosh prej parave tona, që të shkojë nëpër ngjarje ku nuk ka gazetarë. Më kujtohet njëra prej deklaratave të famshme të Gjorge Ivanovit se “Demokracia e Maqedonisë është si kosmodisku – në dukjе pak tollovi, por funksionon”.
Epo, sigurisht që do të duket i tollovitur kur VMRO-DPMNE e kritikon LSDM-në se nuk mban llogari për të mirën e popullit, pasi e ka shfaqur të ndyrë nga laraskat e të gërvishtur nga macet mercedesin të cilin MVRO ia la MPB-së. Domethënë, LSDM e ka fajin që nuk e ka larë veturën unike në të gjithë Evropën Juglindore që të mundet populli ta shohë me tërë shkëlqimin e saj. Në këtë mënyrë nuk ngjasonte si ndonjë veturë dhe aq e shtrenjtë. Me të vërtetë, kjo është një sjellje e papërgjegjshme e LSDM-së. VMRO-DPMNE u këput së shpenzuari për luks, kurse ne akoma nuk mund të bëjmë vlerësim objektiv se ku na kanë shkuar paratë.
Duket gjë e tollovitur, kur VMRO-DPMNE e zhgënjyer lajmëron se Maqedonia akoma nuk është anëtare e BE-së dhe e NATO-s. Dhe pret nga LSDM që menjëherë ta shpjerë shtetin në BE dhe NATO. Pasi, po të kishte shanse VMRO-DPMNE të ishte në qeveri, Maqedonia tashmë do të ishte anëtare e BE-së dhe NATO-s.
Duket e tollovitur edhe atëherë kur VMRO-DPMNE e akuzon LSDM-në se në shtëpitë e studentëve është ndërprerë rryma. Kurse, nëse do të ishte VMRO-DPMNE në pushtet, tashmë do t’ua kishte paguar borxhin shtëpive të studentëve të shkaktuar nga qeveria e kaluar. Jo më kot Gruevski bënte këqyrje në lavatriçet e “Goce Dellçevit” para vetëm dy muaj e gjysmë, ndërkohë që VMRO-DPMNE nuk ishte në qeveri.
Duket tollovi edhe atëherë kur VMRO-DPMNE e akuzon LSDM-në se për dy javë nuk ka arritur të ndërtojë as edhe një kilometër nga rrugët e premtuara.
Kjo quhet propagandë kosmodisku. Tingëllon e koklavitur, ama funksionon. Pasi VMRO-DPMNE me anë të kësaj propagande i drejtohet vetëm trupit të tij votues. Dhe mediave të cilat bëjnë sikur mbajnë baraspeshë. Përndryshe, si do të shpërndahej aq lehtë termi “SDS” pa “M”, në qoftë se mediat kryesore, pa asnjë lloj shpjegimi dhe as një lloj përgjegjësie nuk do ta transmetonin atë? Me demek, ashtu paskan thënë në VMRO-DPMNE. E madje, i vënë edhe në faqen e parë. Më e thjeshtë nga të gjitha. Vër dy pika. Dhe cito. Këndojmë popullorçe, këndojmë për t’u argëtuar. Të balancuar.
Epo nesër, edhe ata ligushë që pranuan të aktronin “popull” që t’iu bëhen alibi dhunuesve më 27 prill, do t’i prezantojnë si viktima të revanshizmit. Me gjithë ushtrinë e paguar të ish ministreshës së kulturës Beti, ushtri kjo e angazhuar me paratë tona në shfaqjen “Tvërdokorni për Maqedoninë e bashkuar”. Për më tepër, neve do të duhet të na vijë keq. Në mënyrë të balancuar.
Ai është qëllimi i propagandës së kosmodiskut. Sado e koklavitur dhe qesharake të tingëllojë – të funksionojë.
Nuk mundet SDS pa M për vetëm dy javë të rregullojë gjithçka që LSDM ka shkatërruar 11 vjetët e fundit ndërsa ka qenë në pushtet.
2 Kërsto Mukoski dhe Johan Tarçulloski ia hapën derën Maqedonisë për hyrje në BE dhe NATO. Ata i bie të jenë diçka si avangardë e integrimeve euroatlantike. Tingëllon e koklavitur? Por, ndoshta do të funksionojë.
Pasi, të mos e kish hapur Mukoski derën e Parlamentit më 27 prill, ndoshta BE-së dhe NATO-s akoma do t’iu duhej kohë të kuptojnë se me kë kanë punë në Maqedoni.
Dhe prandaj, dera është tashmë aq e hapur saqë akoma edhe nga Brukseli dhe Uashingtoni u pa se kush qëndronte pas sulmit të Parlamentit më 27 prill. Ka ardhur koha që BE të mos i lejojë më Greqisë të vazhdojë me çështjen e emrit. Nëse nuk hyjmë në NATO dhe nëse nuk fillojmë negociata me BE, rreziku që gruevizmi do të na përsëritet është shumë i afërt. A do të ketë fytyrën e Nikolla Gruevskit apo atë të Zoran Zaevit, apo fytyrën e një tjetri, totalisht të parëndësishëm. Pastaj, kur në vitin 2008 në Samitin e NATO-s në Bukuresht, Gruevski mori vesh që për BE-në nuk janë të rëndësishme reformat, as që i bëhej vonë për raportet e Komisionit Evropian mbi përparimin e Maqedonisë drejt BE-së.
Nëse BE dhe NATO dëshirojnë që në Ballkan çdo dhjet vjet të ketë përleshje, atëherë le ta lënë Greqinë t’ia mbajë derën hapur Rusisë
3 Pjesë e asaj propagande kosmodisku të VMRO-DPMNE është edhe fakti që pas 11 vjetësh përnjëherë, të gjithë ish ministrat e tyre dalin nëpër debate televizive. Njëmbëdhjetë vjet nuk u përgjigjeshin as pyetjeve të paporositura, le më të dalin në debate me ata që mendojnë ndryshe.
Dhe nuk është e tmerrshme që tani dalin në debate, a nuk luftuam për këtë. Mirëpo, është e tmerrshme që qeveria e re nuk ka kuadër për t’i zhveshur gënjeshtrat për realizimet e tyre, të cilat ministrat e VMRO-së vazhdojnë t’i përsërisin brutalisht. Tani edhe në debate. Dhe nuk është aspak e tmerrshme nëse ministri i ri Robert Alagjozoski akoma i drejtohet Beti Kançeska Mileskës me “ministerke”. Edhe unë shokohem sa herë që dëgjoj shprehjen “kryeministri Zaev”. Pas njëmbëdhjetë vjetësh, është gjë normale.
Por nuk është normale që pas dy vjet e gjysmë protestimi në rrugë dhe luftë për liri, kur vjen mundësia për përballje, të mos jesh i gatshëm me po të njëjtin intenzitet e njëjtë t’ua zhveshësh gënjeshtrat të cilat ata i përsërisin..
E shikoj se janë mjaft të nxehta thirrjet se kush ka qenë luftëtar, kush në rrugë, kush ka heshtur, kur ka nxjerrë fjalë…
Alo…Nuk është koha për pensione të luftëtarëve. Është koha të fitohet hapësira që VMRO-DPMNE akoma mban nën kontrollin e vet dhe e përdor me sukses. Gruevski akoma kontrollon mijëra vende drejtorësh. Kurse këta fitimtarë tashmë kanë filluar të përgatiten për pension.
Përktheu: Fjolla Zllatku