PUBLIK I NDRIÇUAR

Administratës publike i erdhi pjesa më e mirë e jetës. Kur LSDM nuk i pushon nga puna, e VMRO-DPMNE nuk i çon me zor në tubime apo të mbajnë kujdestari nëpër shtabe.

PUBLIK I NDRIÇUAR

1Sikur të na linin t’i gëzoheshim jetës të paktën për një javë. Tri ditë gëzim, ditën e katërt-vetëdijësim. Kontakt me realitetin. Para nuk ka.
Mbaruan zgjedhjet. Dhe tani mund të na bëjnë ç’të duan. Si fillim, na lajmëruan se nga Viti i ri dizeli do të jetë më i shtrenjtë për tre denarë. Kemi të bëjmë me një matematikë të thjeshtë. Heqja e tatimit të radiodifuzionit prej 190 denarësh që e paguante çdo familje dhe çdo kompani duhet kompensuar me të ardhura të tjera. Sepse para nuk ka.

Shpjegimi se arsyeja për të cilën do të paguajmë dizel më të shtrenjtë është për të siguruar ajër më i pastër, pi ujë. Si dhe fakti se dizeli ynë është më i liri në të gjithë Evropën. Për më tepër, tërë fushata e zgjedhjeve lokale bazohej te ajri i pastër. Nga diku duhet nisur.

Mirëpo, në lajmërim nuk thanë nëse ato tre denarë që do të mbledhin nga dizeli që ndot ajrin do të shkojnë për ajër më të pastër. A do të investohet vallë, në filtra, burime të energjisë së rinovueshme, në fasada efikase energjetike, në elektromobilë, në pastrimin e tokës dhe ujit të ndotur…Apo, ato tre denarë do të përfundojnë në vrimën e buxhetit e do të përdoren për të mbushur vrima të tjera.

Vetë Qeveria paraqiti një buxhet ku shuma më e madhe do të shkojë për rrogat, gjë që është krejtësisht e merituar për rrogat në ushtri, shëndetësi, shkolla dhe kopshte. Por, ç’bëhet me atë ushtrinë tjetër? Atë me gradat nga nëpunësi më i ri e deri te më i larti, nga bashkëpunuesi i varur deri te ai i pavaruri, që me vite të tëra i kanë futur nëpër të gjitha institucionet dhe ndërmarrjet të mundshme publike? Ata, të cilët në vend të një shërbimi efikas drejt qytetarëve u shndërruan në shërbim drejt partisë qeverisëse. E kështu, në vend që t’u shërbejnë qytetarëve nga të cilët e marrin rrogën e vet, i shërbejnë partisë që ua ka siguruar atë vend pune.

Në këtë histori të jetës më mungon një detaj. Ja ku jemi ne, duke u sakrifikuar. Dhe do t’i japim ato tre denarë më shumë për një litër dizel. Edhe tatimet më të larta, në rast se Zaevi vendos t’i rrisë, do t’i paguajmë. Por, sakrifica e tyre për jetën e re, çfarë do të jetë? Asgjë. Ç’dobie do të kemi ne nga fakti që do të na marrin paratë për t’ua siguruar rrogën? Asnjë.

2Aktivistët civilë të cilët i mobilizuan qytetarët për ndryshimin e pushtetit e panë zhgënjimin e parë. Dhe çfarë ndodh? Pushtetet e reja i drejtojnë këtej-atej për t’u ankuar tek po ato shërbime që i ndihmuan qeverisë së vjetër në mashtrimet dhe vjedhjet e saj. Me sa duket, edhe ata paskan shpëtuar.

Le t’i shohë kryeministri Zoran Zarev dhe ministri i administratës publike Damjan Mançevski të dhënat e parave të paguara nga shteti si dënime për të punuarit e pandershëm në institucionet shtetërore. Në aso lloj institucionesh vazhdon të ketë njerëz, zyrtarë dhe funksionarë. Vallë është dënuar dikush prej tyre? Të jetë pushuar, vallë ndonjëri nga puna? Apo të jetë pezulluar? A i ka kthyer dikush paratë që i ka vjedhur nga buxheti? Të gjithë ata të punësuar kanë shefat e tyre. E shefa mbi shefat. Kanë dhe shërbime inspeksioni. Dhe askush prej tyre nuk është dënuar për faktin se nuk e ka kryer punën e vet. Apo se nuk e ka kryer në mënyrë të duhur. Të dënohet dikush, apo të pushohet ngaqë nuk ka performuar siç duhet në punë, nuk është hakmarrje politike. Apo se ka bërë gabime dhe për këtë gjë neve na është dashur të paguajmë dënime. Apo se në institucionet shtetërore ka bërë punët e firmës së vet private. Apo se nuk ka shkuar fare në punë.

Jeta do të vijë atëherë kur edhe zyrtarët shtetërorë të përgjigjen për gabimet që do të bëjnë, madje në po atë mënyrë siç përgjigjen të punësuarit në firma private. Nëse arsyeja se pse nuk ka para është faji i tyre, ngaqë nuk kanë punuar apo menaxhuar punën siç duhet, le të ketë falimentim edhe për ta. Përderisa në firmat private, nëpunësit dridhen nga frika se mos u falimentojë firma, se mos mbesin pa punë, se mos i dënojnë në rast se nuk përmbushin normën, se në do të vijnë apo jo në kohë në punë, në do të marrin rrogën në kohë, ushtria e nëpunësve shtetërorë është e liruar nga probleme të tilla. Sido që të jetë, rroga e tyre duhet siguruar patjetër.

Akoma i kursejnë. Asgjë nuk u pa nga premtimi që nëpunësit shtetërorë, meqë janë shumë, të punojnë në dy turne, që të na e lehtësojnë jetën.

Stresi i vetëm që kanë është nëse lidhet apo jo ndonjë festë me fundjavën. Kurse shoku më i madh i tyre është që në rastin kur nuk lidhet, si të gjendet një justifikim para shefit që të mos vijnë në punë ato ditë. Apo se a duhet apo jo të hiqet Dita e drurit.

Në të vërtetë, administratës publike i erdhi pjesa më e mirë e jetës. Kur LSDM nuk i pushon nga puna, e VMRO-DPMNE nuk i çon me zor në tubime apo të mbajnë kujdestari nëpër shtabe.

3Le të mos harrojmë. Sepse siç duket, paskemi filluar të harrojmë. Urdhri që të sulmohej Parlamenti më 27 prill u dha nga Nikolla Gruevski në intervistën për TV Sitell, atëherë kur u bëri thirrje njerëzve të tij të rrinin në shpi me papuçe. Ajo ishte kurora e tërë asaj ligësie të cilën ky televizion aq përzemërsisht e mbështeste për 11 vjet. Dhe atë, jo vetëm me anë të lajmeve dhe reklamave të paguara të Qeverisë, por edhe me tituj si “Zaevi e shiti shtetin” që shkonin në kajrone në mes të serive turke. Si dhe me telefonatat e porositura nëpër programet e mëngjesit. I helmonin si njerëzit e vet, ashtu edhe shikuesit e këtij televizioni. Ata nuk qenë mbështetës të regjimit. Ata ishin pjesë e regjimit. Si profesionalisht, ashtu edhe financiarisht.

Edhe LSDM, për më pak se 6 muaj pas sulmit të Parlamentit të porositur në Sitell, vendosi të shpenzojë 125.000 euro në zgjedhjet lokale mu në Sitell. Kush e di, ndoshta pronari i Sitellit ka ilaçin për të shëruar shenjën në ballin e Zaevit.

Pse e kanë bërë këtë gjë?  Gjasme për ta “përndritur publikun e zaptuar nga VMRO-DPMNE”.

Të gjithë dëgjuam në bomba se si Latasi i quante lajmet e veta “lajme kurton”. Tani është LSDM ajo që është e gatshme të paguajë për lajme kurton në një medium kurton.

Edhe pse, po ta mendosh, ka një dallim. VMRO-DPMNE e paguante propagandën në Sitell me paratë e shtetit. Kurse LSDM vendosi të shpenzonte nga paratë e partisë. Sido që të jetë, s’ka të bëjë vetëm me paratë. Çështja është se çfarë vlerash do të mbështesë LSDM.

Kjo do të thotë se nëse VMRO-DPMNE paska paguar për lajme kurton, kjo s’është gjë e mirë. Por kur LSDM paguan për lajme kurton, atëherë ka arsye. A nuk është kjo një tregues i mjaftueshëm i relativizimit të partive, që bën të ditur se të gjitha janë të njëjta?

4Nga e di kryeministri Zaev që dy funksionarë të shtetit janë nën hetim për korrupsion? Në një shtet demokratik normal atë informatë e ka dhe mund ta japë nëse duhet vetëm prokuroria.
Është gjë e bukur që Zaevi dëshiron të lëvdohet se mbështet luftën kundër korrupsionit edhe te funksionarët e vet. Dhe nuk kontestohet fakti se ka apo jo një hetim të tillë. E vetmja gjë e kontestueshme është fakti se kryeministri është në dijeni se po zhvillohet hetim. Sidomos që vetë ka thënë që nëse dëshiron ta marrë në telefon prokurorinë, mund ta bëjë, por nuk do.

Kishim një prokuror. Quhej Marko Zvërlevski. Kishim dhe një kryeministër. Ai quhej Nikolla Gruevski. Si prokurori, ashtu edhe kryeministri janë “të mëparshëm”. Pikërisht ngaqë merrnin në telefon njëri-tjetrin.

Fjala e dhënë mbetet. Kjo е keqe nuk do të përsëritet më kurrë.

Përktheu: Fjolla Zllatku

 

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира