NJËSH NË DHJETËSHE

Më intereson modeli i biznesit për shtëpinë për persona pa kujdestari. Dhe se si ai investitor do të kontribuojë për rritje ekonomike lokale.

NJËSH NË DHJETËSHE

1PSP lajmëroi se ka hapur rast të ri – Shërbime të huaja, me të cilin mbase do të na qartësohet fakti se si lindi historia për furgonat e verdhë aq të famshëm, për të cilët na fliste Nikolla Gruevski, si kryeministër në 30 janar 2015. Mu disa ditë para se të shpërthente afera e përgjimeve. Atëherë kur na tregonte se nga gjërat që do të dëgjonim “diçka është e vërtetë, diçka gënjeshtër e diçka gjysmë e vërtetë”.

Sipas rastit të PSP, historia shkon kështu: Gruevski dhe DSK në krye me Sasho Mijallkovin me vite të tëra e kanë përgjuar të gjithë shtetin. Kur Zaevi, në vitin 2014 shkon te Gruevski për t’i thënë se ka dijeni mbi përgjimin, Gruevski shpik skenare të ndryshme, në mënyrë që të mos zbulohet fakti se ka qenë ai që ka përgjuar. Dhe në këtë mënyrë i shpiku shërbimet e huaja. Mirë ama, që skenari të ishte sa më bindës, porositi elaborate nga një shërbim i huaj, që t’i thoshte atij se e kanë përgjuar shërbime të huaja. Në mënyrë të që mund të shpërndahej ai informacion me partnerët e koalicionit. E në mënyrë që historia me shërbimet e huaja të jetë edhe më bindëse. Gruevski me paratë tona blen pajisje të reja për përndjekjen e përgjuesve, të cilët vetë i shpiku. Më saktë, të shërbimeve të huaja. Mirëpo, që kur u krijua PSP me qëllim që të zbulonte përgjuesin e vërtetë, Gruevski me njerëzit e tij i shkatërruan pajisjet e veta të përgjimit në DSK.

E kur Gruevski dhe njerëzit e tij mundën të shpikin një histori të tillë, vallë me të vërtetë mendoni se para kongresit të VMRO-DPMNE-së, ku duhet të zgjidhet Hristijan Mickovki si lider të ri,  të ketë rebelim brenda partisë? Apo se rebelimi është shpikur si shërbimet e huaja.

2Dyshimi se rebelimi brenda VMRO-DPMNE mund të jetë gjë e shpikur më lindi në momentin kur e dëgjova Ilija Dimovskin, të cilin ndryshe e thërrasin Illçe Gebellçe, pasi ka qenë drejtor për shumë vite i Qendrës famëkeqe të komunikimeve të VMRO-DPMNE-së, e cila funksiononte në bazë të parimit të një Qendre për gënjeshtra dhe propagandë. Ky është deputeti Ilija Dimovski, i cili kërcënohej nga foltorja me fjalët: “Do të të bëj lajm kryesor”. Dhe kërcënimet i realizonte. Sepse i kontrollonte të gjitha mediat e Maqedonisë. Mu atë e dëgjuam në një prej bombave, gjatë një bisede të ministreshës së brendshme të asaj kohe, Gordana Jankulloskës, ku dëgjuam se si merren vesh se ndonjë person duhet të burgoset dhe këtë t’ia thonë Zvërlevskit.

Për faktin se nuk ka demokraci në parti ankohet edhe Antonio Milloshoski, të cilin e dëgjuam se si porosiste lustrim të një personi që nuk ka bindjet e tij politike. Ankohet edhe Trajko Veljanoski, i cili mbi temën e demokracisë ka të paktën dy doktorate nga koha e tij si kryetar i Parlamentit në 24 dhjetor 2012. Dhe si kryesues gjatë kohës së sulmit të organizuar në 27 prill të këtij viti.

3Urdhëri “VMRO i javës” kësaj here i shkon ministrit për punë të brendshme, Oliver Spasovski. Për organizimin e ngjarjes “Hapje e stacionit policor në komunën e Shkupit, Gjorçe Petrov”. Si duket, këta të LSDM-së paskan qenë aq të mahnitur nga Gruevski, që me sukses po i kopjojnë hapat e tij më populistë. Ne mendonim se ata ishin opozitë pasive për 11 vjet. Ndërsa ata me kujdes kanë regjistruar gjithçka që mund të hajë populli, në mënyrë që ta shfrytëzojnë kur të marrin pushtetin.

E kështu u mblodhën të gjithë në një vend, ministri Spasovski dhe kryetarët e Shkupit dhe të Gjorçe Petrovit, Petre Shilegov dhe Aleksandar Naumovski të presin bashkë shiritin. Ndërsa prapa tyre, sigurisht – një prift. Sepse jemi shtet laik me qeveri socialdemokratike. Kurse pranë priftit, zëvendës ministri i MPB, Agim Nuhiu. Sepse hoxhë nuk kishte. BDI ka vërtetuar liberalizmin e vet.

Të flasim drejt, janë më kursimtarë se këta të VMRO-së. Kursyen për hostesa. Në vend të tyre i gjetën policet më të bukura, që ta mbanin shiritin nga të dyja anët. Që të kishin ministri dhe kryetarët se ç’të prisnin. E kështu, fituam tre në një – priftin, damën dhe xhandarin. Ndërsa njëshin në dhjetëshe e mbushën kryetarët Shilegov dhe Aleksandar Naumovski.

Kjo është edhe një episod nga seriali “Maqedonia – Bëj parodi në mundsh”.

4Atë tokë shtetërore që VMRO-DPMNE nuk arriti ta shiste, tani po përgatitet ta shesë LSDM. Pasi, Qeveria ka sjellë vendim që të shitet toka shtetërore në 58 komuna për 70 metra katrorë. Toka është për ndërtimin e konvikteve për nxënës, studentë, të azileve për njerëz të moshuar, institucioneve për persona të vetmuar, shtëpive për fëmijë pa prindër dhe për persona pa kujdestari.

Ministri i transportit dhe lidhjeve, Goran Sugareski thotë: “Besojmë se me këtë masë do ta stimulojmë sektorin privat, do të tërheqim investitorë të rinj në këto zona të Republikës së Maqedonisë dhe do të kontribuojmë drejt një zhvillimi ekonomik dhe të barabartë në shtet”.

Për shembull, në Konçe me 3.500 banorë do të tërhiqen investitorë të rinj me shtëpi për fëmijë pa prindër. Logjikë e pastër ekonomike. Ndërkohë Çashka me 8.000 banorë do të përjetojë një bum ekonomik me institucionin për personat e vetmuar. Kurse Zërnovci me 3.000 banorë do të përjetojë rininë e harruar me shtëpinë e studentëve. Në Rankovcë nga 4.000 banorë, ku madje u është ndërprerë edhe numri i Zjarrëfikësit, për shkak se komuna ka borxh prej 250.000 eurove, investitori privat do të bëjë profit me shtëpinë për persona pa kujdestari. Shumë më intereson modeli i biznesit për shtëpinë për persona pa kujdestari. Dhe se si ai investitor do të kontribuojë për rritje ekonomike lokale.

Kujt iu kujtua kjo gjë, vallë? Miles? Kush garanton se madje edhe gjatë ndërtimit nuk mund të bëhet ndryshimi i qëllimit për përdorimin e objektit? Dhe çfarë do të ndodhë nëse toka shtetërore privatizohet për shumë pak para, e ndërkohë nuk ndërtohen këto objekte, apo nuk shfrytëzohen për qëllimin e planifikuar? Kush do të jetë i gatshëm të shkojë në burg atëherë?

Sepse Miles, ngaqë i kujtoheshin shumë gjëra, tani numëron plot 16 akuza nga PSP.

5I fortë truku i Gruevskit që nget një “punto” të vjetër në krye të konvojit ku një numër i vogël i vmrovcave protestojmë për paraburgimin e pjesëmarrësve me sulmin e organizuar të Parlamentit në 27 prill. “Punto” ka qenë prej para 20 vjetëve.

Kujt ia shet përrallat me makinën e vjetër, ai që kur ishte kryeministër bleu “Mercedes” prej 600.000 eurove? Me të cilin nuk kishte mundësi të shkonte nëpër ngjarje ku kishte gazetarë. Por shpikte manevra të ndryshe – se deri në çfarë pike do të ngiste të vjetrin, e pastaj do të transferohej te “mercedesi” i ri. Ndërsa tani para gazetarëve nget “punto” të vjetër”.  Atë punto, që nuk dihet as e kujt është. Pasi si funksionar, nuk e kishte paraqitur në dokumentet e pronësisë. Ndoshta edhe puntoja është e nënës së tij. Bashkë me banesat. Pasi Gruevski është njeri modest dhe i popullit.

Për hir të së vërtetës, edhe ajo “punto” e vjetër flet shumë. Që Greuvski për 20 vjet nuk ka pasur as nevojën që të blejë veturë të vet. Tërë kohës ka përdorur veturë shtetërore. Ndërkohë që ne merrnim kredi, lizing, hynim në borxhe me vetura të vjetra të importuara nga Bullgaria,të sjella  nga Gjermania, ai ka qenë duke shfletuar katalogje dhe duke e marrë në telefon Gordana Jankulloskën me porositë e tij. Pasi patjetër duhej që njerëzit e tij t’i shëtiste me atë që fillon me shkronjën “M.”

 

Përktheu: Fjolla Zllatku

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира