THIKA TË GJATA

A mund të paramendoni se ku do të ishte Maqedonia dhe të gjithë ne tani, nëse Gjorge Ivanovit dhe njerëzve të tij do t’u kishte dalë me sukses plani i 27 prillit?

THIKA TË GJATA

1 Ky vit po mbaron bashkë me mbarimin e Nikolla Gruevskit. Besa, na ka malltretuar shumë. Kishte qenë i mundimshëm largimi i tij. Të paktën tre vjet kemi pritur që të shohim fotografinë, e cila mbase do të shënjojë fundin e një epoke. Fotografia në të cilën Gruevski largohet nga Kongresi i VMRO-DPMNE-së në Vallandovë. Me thikat e vogla pas kurrizit, siç e qau hallin nga foltorja. Madje, nga vetë njerëzit e tij. Kurse deri vjet në këtë kohë, ai ishte ende i fuqishëm që të mund t’i kërcënonte njerëzit me netët e thikave të gjata.

Mirëpo, lidershipi i ri i VMRO-DPMNE-së bën të qartë se Gruevski u largua, por ata aktivisht po punojnë që gruevizmi të vazhdojë. Opozita kërkon nga Qeveria që të ndikojë mbi gjykatën, për t’i çliruar nga paraburgimi 36 të akuzuarit për sulmin e organizuar të Parlamentit, të dyshuar për shkeljen terroriste të rendit kushtetues. Si në kohën e gruevizmit. Dhe sipas defterëve të Gocës. Deputetët e VMRO-DPMNE-së kërkojnë nga Zoran Zaevi t’i çlirojë ata që ishin nisur ta vrasin. Por edhe më e tmerrshme është që nga kryeministri Zoran Zaev kërkojnë ta urdhërojë gjykatën që t’i çlirojë të gjithë ata që nisën ta shkatërrojnë rendin kushtetues.

Domethënë, VMRO-DPMNE insiston që Zaevi të vazhdojë me gruevizmin, përndryshe deputetët nuk kthehen në Parlament. Dhe përpiqet që këtë gjë të na e shesë si konstruktivitet.

2Mbi vazhdimin e gruevizmit insiston edhe presidenti Gjorge Ivanov. Po ai Ivanov që është një nga gjeneratorët e gruevizmit. Ai president, i cili në fillim i falte të dyshuarit për krim të rëndë, e më pas refuzonte t’ia japë mandatin Zaevit, për shkak se Gruevski nuk mund të mblidhte shumicën në Parlament, e i mbështeste ata që bënin thashetheme e në fund e kryen sulmin e Parlamentit. Edhe në fjalimin vjetor në Parlament ai vazhdon ta mbrojë gruevizmin. Me insistimin se nëse gjykohen ata që e sulmuan Parlementin, ajo gjë do të ishte revanshizëm politik. Pasi ata kanë qenë patriotë të zotëruar nga emocionet.

Ivanovi vazhdimisht flet për pajtim. Por pajtimi që ai ofron është – ose gruevizëm ose shkatërrim i shtetit.

3Nuk bëhet fjalë për revanshizëm. Revanshizëm do të ketë nëse Ivanovi dhe partia e tij arrijnë ta shesin përrallën se në 27 prill nuk ka ndodhur asnjë e tmerrshme. Dhe nëse askush nga ata nuk e merr dënimin që meriton për sulmin e organizuar të Parlamentit.

E pastaj, vallë mund të mund të paramendoni se ku do të ishte Maqedonia dhe të gjithë ne tani, nëse Gjorge Ivanovit dhe njerëzve të tij do t’u kishte dalë me sukses plani i 27 prillit? Pa të shohim, debatoni pak mbi këtë temë.

4 Njohja “ VMRO i javës” kësaj here i shkon ministrit të kulturës Robert Allagjizovski, i cili gjen justifikime qesharake se pse nuk ka bërë diçka, të cilën ka premtuar se do ta bëjë.
Ndaj pyetjes së deputetëve mbi mundësinë për t’i hequr përmendoret e “Shkupi 2014”, Allagjozovski, mes tjerash tha se “sjellja e çështjes për heqjen e përmendoreve vë në rrezik aspektet e sigurisë dhe mundësinë për një intervenim të tillë”. Dhe shpjegoi se “në një situatë ku i gjithë qyteti mbytet nga ndotja e tepërt e ajrit, nuk do të ishte gjë e mençur, sidomos për faktin se do të liroheshin grimca të dëmshme.

Pra, grimcat PM e shpëtuan Qosen nga zhvendosja.

Me sa duket, konkurrenti i radhës për “VMRO i javës” do të jetë ministri i financave Dragan Tevdovski, i cili do të duhet të përgjigjet për çështjen: “Ku është numëratorja që duhet të numërojë se kur do të kthehen paratë e vjedhura në buxhet? Me sa duket, po ec shumë ngadalë. Po vjen Viti i Ri, le t’i gëzohemi pak asaj numëratoreje. Apo, ajo lëviz, e ne nuk arrijmë ta shohim nga grimcat PM?

Jeta erdhi. Ama, pa para nuk jetohet.

Të dashurit e mi,

Lërjani të këqijat vitit 2017. Qofshim shëndoshë e mirë e me gaz pasi edhe 2018 shpejtë do të kalojë. Vetëm edhe një fjalim i Ivanovit dhe ja ku erdhi 2019.

Përktheu: Fjolla Zllatku

 

Симнете ја мобилната апликација

©SDK.MK Крадењето авторски текстови е казниво со закон. Преземањето на авторски содржини (текстови) од оваа страница е дозволено само делумно и со ставање хиперлинк до содржината што се цитира