1Ja tani ku kemi një problem të ri. Çfarë do të bëjmë në rast se kryeministrit Zoran Zaev i nevojitet këshillë e menjëhershme nga këshilli i fushës së sigurisë së brendshme dhe luftës kundër radikalizmit, ndërsa këshilltari ka dhënë dorëheqje? Jo shumë kohë më parë, këshilltari i emëruar i kryeministrit Xhezair Sheqiri, komandanti i mëparshëm i UÇK-së, Hoxha, tha se dëshiron që Maqedonia të tregohet e duruar në rrugën drejt BE-së dhe NATO-s për shkak se mediat kanë bërë bujë të madhe rreth emërimit të dhjetëra komandantëve të cilët tashmë me vite të tëra rinë në qeveri si ministra, drejtorë dhe kryetarë komunash. Ndërsa Talat Xhaferi është kryetar i Parlamentit. Edhe kjo histori ka mbaruar që me nënshkrimin e marrëveshjes kornizë të Ohrit para 17 vjetësh.
Kështu që, erdhi koha për t’u risocializuar edhe komandanti Hoxha. As mediat nuk morën hov kaq shumë për emërimin e një ish komandanti të UÇK-së, këshilltar të Zaevit. Por morën hov për shkak të deklaratës së kryeministrit. Ai tha se, përveç faktit se Hoxha mund të ndihmojë nëse në Tanushevcë paraqiten grupe ekstremiste terroriste, sepse aty jeton dhe e njeh mirë terrenin, ai e ka parasysh edhe faktorin social dhe me anë të punësimit të Hoxhës i mundëson atij “të nxjerrë ndërshmërisht bukën për familjen e tij me shumë fëmijë”.
Nuk e di nëse kryeministri Zaev ka këshilltar të veçantë për kreativitet i cili shpik emra për funksione këshilltarësh. Apo ai vetë është kaq kreativ, që ka shpikur 56 emra të tillë? Ose ndoshta i ndihmojnë ata 40 vetë të angazhuar për transparencë.
Në fund të fundit, nuk janë të rëndësishme emrat e detyrimeve, e as të themi të drejtën, emrat e këshilltarëve të zgjedhur. E rëndësishme është se pse Zaevi zgjedh këshilltarë? A thua i duhen me të vërtetë? Apo i zgjedh për t’i strehuar në punë të shtetit? Dhe me paratë e tatimpaguesve të blejë paqen partiake dhe të koalicionit?
2Sipas mënyrës se si Zaevi i arsyeton vendimet në lidhje me kuadrot, dalim në përfundim se motivi kryesor nuk është nevoja për këshillë, por blerja e paqes.
Ai kishte përgjigje kreative edhe për punësimin e motrës së Prokurores speciale publike Katica Janevs, në Komisionin për letra me vlerë. Tha se këtu nuk ka konflikte interesash, pasi ajo është “familje e veçantë”.
Zaevi, kur bëhet fjalë për pronën e tij dhe për biznesin familjar, thotë se ata janë biznese të përbashkëta me vëllezërit. Që do të thotë se vëllezërit janë të një familjeje. Kurse motrat jo. Se pasi janë martuar kanë shkuar në familjen e ndonjë vëllau.
3E kuptoj se është sfidë e madhe për dikë që ka punuar në firmë private të kalojë në rrogë shteti me arsyetimin se do të ndihmojë në përmirësimin e shtetit. Me shumë siguri kështu është puna edhe me motrën e Katica Janevës, apo dhe me vetë kryeministrin e Zaevit dhe zëvendës kryeministrin Koço Angjushev.
Besoj se edhe fëmijët e Talat Xhaferit, Mirosllav Gërçev dhe Ljubomir Fërçkovski kanë qenë studentë të shkëlqyer dhe duan që me rrogën e shtetit t’i ndihmojnë shtetit duke punuar në firma shtetërore.
Mirëpo, ka qindra studentë të tjerë të shkëlqyer të cilët kanë motivimin dhe dëshirën e njëjtë, nëse jo, ndoshta dhe më të madhe, për t’i ndihmuar shtetit, por baballarët dhe nënat nuk i kanë këshilltarë të kryeministrit, as funksionarë shteti. Ku qëndron dallimi mes njërës dhe palës tjetër të studentëve të shkëlqyer? Fakti se njëra ka pasur privilegjin të mbeten në shtëpi, ndërsa të tjerët jo. Kështu, kanë vendosur të largohen. Të përparojnë në shtete të tjera.
4Kë mund të detektoni në këtë përshkrim:
“Kryeministri dhe karteli kriminal, të cilin ai e udhëheq, e kanë grabitur shtetin dhe në vend që të punojnë për shtetin, punojnë për interesin personal dhe partiak. Modeli i biznesit i kryeministrit është përtej resurseve shtetërore që të rritet “pasuria familjare”.
Kjo është komunikatë nga VMRO-DPMNE-ja opozitare.
VMRO-DPMNE në krye me Hristijan Mickoskin, nga nënvetëdija e nxori modelin sipas të cilit qeveriste VMRO-DPMNE në krye me Nikolla Gruevskin dhe familjen. Dhe tani, VMRO-DPMNE-ja opozitare është shqetësuar se LSDM-ja qeverisëse ka filluar të sundojë sipas modelit të VMRO-DPMNE-së me familjen.
Pa tallje, të isha unë në vendin e Zaevit, këtë paraqitje të nënvetëdijes së anëtarëve të VMRO-së do ta kisha marrë shumë seriozisht. Mjaft na ka sakatuar familje. Nuk dua të ndodhë prapë me një tjetër.
Vetë Zaevi, nga fillimi i publikimit të bombave thoshte: “Kjo ligësi të mos përsëritet asnjëherë”. Dhe meqë është në qeveri, ai mban përgjegjësi historike në mënyrë që një ligësi e tillë kurrë të mos përsëritet. Atij personalisht, por as partisë së tij.
E nëse vazhdon me praktikat e Gruevskit, siç janë shpikja e vendeve të këshilltarëve dhe dhënia e privilegjit bizneseve familjare, do të bëhet vështirë për shtetin të përparojë. Dhe vështirë edhe për ne, që nuk kemi familje në pushtet.
Përktheu: Fjolla Zllatku