1 Ndërkohë që prisja telefonatën e Ciprasit, që është një tjetër pritje historike nga të shumtat që kam përjetuar në Maqedoni, lexova një tuit, që thoshte se nëse duam ta bindim Qeverinë të mos e ndërtojë gaspërçues nëpër malin Vodno, i cili do ta shkatërrojë gjysmën e malit, është më mirë t’i bindim kafexhinjtë që të ankohen se për shkak të gaspërçuesit do t’u bien të ardhurat. Dhe përnjëherë mu kujtua se emri “erga omnes” më i përshtatshëm do të ishte “Republika e Maqedonisë së Kafeve”. Pse? Pasi kafeneja është institucioni i vetëm i respektuar në këtë shtet.
Ligji i parë reformues që solli qeveria e Zaevit ishte për legalizimin e uzurpimit të trotuareve me tarraca najloni për duhanpirësit. Pse? Sepse kafexhinjtë janë ankuar se kanë pasur rënie të të ardhurave. Qytetarët të cilëve u është kufizuar e drejta e lëvizjeve në trotuar nuk janë institucion.
Kryetari i Shkupit, Petre Shilegov i ndaloi veturat në Vodno, por shumë shpejt u tërhoq. Pse? Sepse kafexhinjtë ishin ankuar se nuk durohet biznesi ashtu.
Kryetari i Ohrit, Jovan Stojanoski, urdhëroi se do të kërkojë më tepër për vendosjen e tavolinave dhe karrigeve në trotuare dhe shesh, por kafexhinjtë u ankuan se nuk kanë të ardhura të mira – dhe kështu kryetari u dorëzua. Jo vetëm që hoqi dorë, por dërgoi menjëherë ekipe ekspertësh për të llogaritur dëmet, pasi dallgët ia kishin shkatërruar tarracat e paligjshme kafexhinjve të Ohrit, ndërsa ata nuk kanë qenë të siguruar, pasi janë ndërtime të paligjshme. Dhe akoma nuk u vijnë mendtë. Banorët e Ohrit po e sfidojnë liqenin. Futen gjithmonë e më thellë me tavolina dhe karrige në ujë.
Kaluan dy muaj që kur Shilegov-i lajmëroi se do të shënojë me lenta se deri ku mund të vendosen tavolinat nëpër hapësirat publike të Shkupit, dhe ja ku është, akoma duke blerë bojë. Kryetari i Qendrës, Sasho Bogdanoviq, çdo javë lajmëron se javën e ardhshme do t’i rrënojë tarracat e paligjshme në trotuare -dhe ja ku është, akoma duke u kërcënuar. Edhe trotuaret po e presin Ciprasin.
Për pak do të mbesnim pa guvernatorët ë Bankës popullore të Maqedonisë, por askush në qeveri nuk u shqetësua për atë institucion sa që u shqetësua për të ardhurat e kafexhinjve.
Institucioni president i shtetit në trajtën dhe veprën e Gjorge Ivanovit, i cili është dëm për veten e vet dhe kush e di se çfarë tjetër do të shpikë deri sot një vit, nuk është shqetësim për qeverinë e Zaevit, aq sa janë shqetësuese të ardhurat e kafexhinjve. Asnjë institucion shtetëror i Maqedonisë nuk duhet të funksionojë në mënyrë të përkryer, por kafenetë duhet patjetër të funksionojnë siç duhet. Pasi pronarët e kafeneve nuk guxojnë të vuajnë për shkak të jetëve të të tjerëve. Dhe për arsye se kafeneja është institucion i një interesi të lartë shtetëror.
Prandaj, të dashur miq – “Republika e Maqedonisë së Kafeve”. Erga omnes. Dhe pa përkthim.
2Dhe tani, kur vmrovcat do të ngrenë krye për ndryshimin e emrit dhe do ta lartësojnë Gjorge Ivanovin, se ai nuk ka pranuar erga omnes, le të kujtohen se kush po i shpëton dy të arratisurit në Greqi të cilët u amnestuan nga po ai Ivanov, të akuzuar për përgjim ilegal të mijëra qytetarëve, që solli deri te kriza më e madhe politike e shtetit nga e cila akoma nuk mund të dalim.
Pa shikoni pak këtë perversitet politik. Vmrovcat po i shpëton gjykata e Greqisë me faktin se ka refuzuar t’i ekstradojë që të gjykohen në Maqedoni. Patriotë të maskuar në bullgarë, pasi me pasaportë bullgare kanë dashur të fluturojnë nga aeroporti “Maqedonia” në Selanik. Kanë problem me minoritete dhe religjione të tjera, kurse njëri ka zgjedhur emër turk. Lideri Hristijan Mickoski akoma kur flet për Greqinë thotë “fqinji jonë i jugut”. Në MTV akoma sipas shprehisë së vjetër thonë “fqinji jonë i jugut”.
Por kur duheshin shpëtuar vmrovcat që të mos u zbuloheshin krimet që i kanë bërë, të përgatitur i referohen vendimit të organeve gjykuese në Athinë. Çfarë fqinji i jugut, bre. Me frikë dhe respekt thonë – Gjykata supreme e Greqisë. Na thonë Gjykata supreme e fqinjit tonë jugor. Na thërrasin Gjykata supreme e fqinjit tonë jugor. Kërkojnë azil për te fqinji jonë i jugut. Kërkojnë azil për Greqi. Këto janë standarde të dyfishta vmroike të patriotizmit.
3 Kjo është historia e njëjtë si me standardet e dyfishta të VMRO-së për prioritet. Pasi në ditën e njëjtë kur Qeveria e Japonisë dhuroi dy makina ambulance në Shtip, me vlerë prej 42 mijë eurove, Qeveria e Maqedonisë publikoi shpallje për servisim të mercedesit që ka dashur Gruevski, i cili do të na kushtojë 27.000 euro në vit. E kur të diskutoni nëse dy vjet burg për kryeministrin e mëparshëm janë pak ose shumë, mbani mend se të gjithë duhet të vazhdojmë të harxhojmë që t’i servisojmë krimet e tyre. Dhe më pas të shesim me çmim, që të mund të kemi ndonjë qar të paktën.
4 Prandaj, derisa lideri i ri i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski nuk thotë se të paktën është i vetëdijshëm për zullumet që i bën Gruevski në emër të partisë me familjen, thërritjen e tij “Maqedonia do të fitojë”, e kuptoj si kërcënim. Kë do ta mundë Maqedonia? Pamë se si fitonte Maqedonia për 11 vjet. Edhe i dëgjuam. Pamë se si fitonte Maqedonia më 27 prill vitin e kaluar. Paramendoni atëherë të kishin pasur sukses me sulmin e Parlamentit. Çfarë alamet fitoreje do të kishte qenë ajo. Do të shkojë Mickovski drejt fitores së Maqedonisë me program të ri. Me emrin: “Dhiata e re”.
Dhiatë e re. Bibël e vjetër.
Përktheu: Fjolla Zllatku