1Alo, zgjohuni! Të gjitha qeveritë e Maqedonisë, nga të gjitha partitë që kanë qenë në qeveri, për 27 vjet me radhë negociojnë për ndryshimin e emrit, jo për mos ndryshimin e emrit. Pasi, të rikujtojmë, Greqia nuk e pranon emrin kushtetues të Republikës së Maqedonisë dhe e bllokon atë në organizatat ndërkombëtare. Meqë mundet. Në fakt, për ndryshimin e emrit negociohet që nga shpallja e pavarësisë.
Dhe tani, pasi për 27 vjet negociatash përfundojmë me marrëveshje për ndryshim të emrit, ne vetëdijësohemi dhe themi: “Hej, do të ndryshoheshka emri!?”
Epo, këto quhen negociata. E në negociata, gjithmonë diçka merret dhe diçka jepet. Qëllimi i pazarit është të kesh qar. Ne, ashtu si grekët, për 27 vjet bëjmë pazar me qëllim që të kemi ndonjë qar. Kemi dhënë “erga omnes” në mënyrë që të mbrojmë identietin. Më saktë, gjuhën dhe kombin maqedonas.
Nuk është mirë që duhet të ndryshojmë emrin. Nuk është gjë e këndshme. Po, nejse. Kur veçmë kemi nisur pazarin, ta shohim çfarë qari kemi nxjerrë.
Për herë të parë pas 27 vjetëve grekët pranojnë një marrëveshje e cila neve na hap një perspektivë të re. T’ju rikujtoj. Këta janë po ata grekë të cilët në vitin 1992 dëshironin të na zhdukin. Millosheviqi dhe Micotakis-i i vjetër, babai i liderit të tanishëm të opozitës, Cipras, donin të na ndanin. Na vendosën embargo. Në kohën kur ishim më të cënueshëm na e bllokuan kufirin për naftë dhe ushqim. Do të vdisnim. Dhe shohim se në Greqi akoma ka fuqi që duan të na zhdukim. E madje, fuqi të mëdha.
Jo se grekët janë shumë të njohur për nga mirësia, por ja, po ajo Greqi, e cila e krijoi problemin dhe e mirëmbajti si të tillë për 27 vjet, me një lidership disi të ndryshuar pranon një zgjidhje me të cilën pranon ekzistencën e gjuhës dhe kombit maqedonas. Dhe ekzistencën e Maqedonisë e cila është ndryshe nga rajoni i Maqedonisë në Greqi. Kanë vendosur ta pranojnë realitetin. Dhe të pranojnë se ekzistojnë. Pasi, deri më tani Greqia asgjë nuk ka pranuar. Aq më pak identitetin.
Nuk është gjë e mirë të ndryshohet emri. Vetë esenca e çështjes është nënshtruese. Por, nuk është as e bukur që për 27 vjet me radhë të jetosh pa perspektivë. 27 vjet nga të cilat, 11 vjet në shtet të robëruar nga VMRO-DPMNE. Gjatë atyre 27 vjetëve, përjetuam tre luftëra. Shkatërrimin e Jugosllavisë në vitet 1990, krizën e emigrantëve nga Kosova në 1999 dhe luftën tonë në 2001. E sa e sa herë ishim në sajë të përballjeve ndëretnike dhe për sa kohë jetonim në një luftë të ftohtë qytetare? Duke nisur nga Reçica e vogël, atentati mbi presidentin, e deri te Liqeni i Smillkovës dhe Lagjja e Trimave.
Ndërsa tani, kur hapet mundësia që më në fund të ndërpritet ëndrra për ndryshimin e identitetit të Maqedonisë, çfarë duhet të bëjmë? T’i lëmë që të ëndërrojnë? Jo. Ëndrra e tyre për ne është makth.
2Fakti që do të ndryshojmë emrin dhe me atë sebep do të hymë në NATO dhe do të fillojmë negociata për BE, me siguri nuk mund të na e përmirësojë jetën brenda natës. Me siguri nuk do të pushojnë brenda natës punësimet partiake apo të vendoset drejtësia në gjykatë, me siguri nuk do të pushojmë se hedhuri mbeturinat ku të na teket apo të parkojmë ku të na vijë më mirë…Me siguri nuk të pushojë numri i foshnjeve të sapolindura dhe grave që lindin e për më tepër me siguri nuk do të pushojë analfabetizmi brenda një nate…Por, kemi shansin që pas 27 vjetëve të hapet perspektiva për përparim. Me anë të Veriores të hymë te Perëndimorja.
Në fund të fundit, ne mund të sabotojmë sa të duam. Por prapë ne do të humbim. Grekët nuk humbin asgjë.
Cila është dilema? Të shkojmë përpara për 27 vjetët e ardhshëm? Ose të jetojmë po njësoj si 27 vjetët e kaluar, mes të cilëve 11 vjetët më të tmerrshëm nën Nikolla Gruevskin dhe familjen. Nuk dua më të kem frikë nga më e keqja. Dua të shpresoj për më të mirën.
Në fakt, nëse nuk vlen të ndryshohet emri për të hyrë në BE dhe NATO, sepse “asgjë nuk do të jetë më mirë”, atëherë pse të gjithë morën pasaporta bullgare?
Shumica që ndryshuan pasaportat dhe tashmë janë në BE dhe NATO tani pyesin veten si do të ndjehen nëse shteti i tyre quhet Maqedonia e Veriut? Epo, le të vinë të jetojnë me pasaportë maqedonase në Maqedoni e le të ndjehen si ta kenë qejfin.
Vallë, si t’ua shpjegoj unë fëmijëve të mi se duhet të qëndrojnë këtu? Nuk kam se çfarë t’u shpjegoj? Fëmijët nuk janë budallenj. Edhe ata meritojnë një jetë si bashkëmoshatarët e tyre në BE dhe NATO. Me çfarë t’i mbajmë fëmijët? Ku do t’i shkollojmë? Ku do t’i mjekojmë? Ore, ne nuk kemi as transport publik normal? E ku do t’i punësojmë? Do të jenë të lumtur nëse punojnë për 350 euro në administratën shtetërore që të mund të shkojnë në pushim para sezonit në Paralia.
Epo ne këtu nuk kemi ajër të pastër. Vallë, është e nevojshme ta vazhdojmë muhabetin edhe më tej?
3Për më tepër që nuk kemi shumë njerëzi. Thjeshtësia dhe analfabetizmi dolën në sipërfaqe në dritën më të keqe dhe drejt grupit më të cënuar të fshatit Timjanik, të Negotinës. Drejt fëmijëve me nevoja të posaçme.
Të protestosh kundër një shtëpie për fëmijë!? E të thuash se ata fëmijë do të zhvishen në rrugë e do ti gjuajnë me gurë fëmijët e tyre!? Sepse ata fëmijë kanë qenë të dënuar nga Zoti!? Dhe fëmijët e tyre nga njerëz të shëndetshëm janë bërë njerëz jo të shëndetshëm!?
Dhe ata njerëz të cilët protestojnë kundër fëmijëve totalisht të pafuqishëm do të thonë “Nuk e japim emrin”. Ndërkohë që ne do të presim nga ta që të shohim perspektivë te gjërat.
4Presidenti Gjorge Ivanov, siç pritej, vazhdon të bëjë pazar për të fituar lirinë. Ai tha se nuk ka qenë i përfshirë në marrëveshjen me Greqinë dhe se nuk do ta nënshkruajë marrëveshjen. Nuk e di se pse Ivanovi pret të jetë i përfshirë në çfarëdo lloj gjëje. Pasi, ai ishte aktivisht i përfshirë në faljen e kriminelëve që e bënë atë president. Me nënshkrimin e tij të “fqinjit armiqësor të jugut” i mban të mbrojtur të akuzuarit për përgjimin masiv jolegal të mijëra qytetarëve. Ivanovi e fali shkeljen masive të të drejtave të njeriut në zemrën e Evropës. Dhe ishte i përfshirë aktivisht në organizatën e sulmit të Parlamentit në 27 prill 2017, që prapë t’i shpëtojë kriminelët.
E nëse Zaevi përpiqet të negociojë për faljen e Ivanovit dhe udhëheqsisë së mëparshme kriminele të VMRO-DPMNE-së, ajo do të jetë vetëvrasja e tij politike. Nuk do të jetë ndryshimi i emrit.
Përktheu: Fjolla Zllatku