1Ftesëëëëëëëë…Një partiiii…Ja ku erdha pa u lajmëruar…
Kombi po përballet edhe për njëherë me një zgjedhje fati. Të gëzohet për ftesën për NATO dhe afatin për negociata me BE, apo të protestojë për faljen e kriminelëve. Deri tani nuk kemi pasur zgjedhje më të qartë. Nga njëra anë është ftesa për NATO që e kemi pritur për 27 vjet dhe afati për fillim të negociatave me BE, që gjithashtu e kemi pritur për 27 vjet. Nga ana tjetër është një kërkesë e qartë për falje të kriminelëve të gjykuar dhe të dyshuar për sulm të organizuar të Parlamentit.
E kam krejtësisht të qartë se pse linderi i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski thotë se kjo qeveri e ka çuar shtetin në rrugë pa dalje. Sepse për ata që Mickoski do t’i shpëtojë, burgimi është me të vërtetë rrugë pa dalje. Ku futesh dhe pastaj mezi del.
Ata që Mickoski do t’i shpëtojë me marshet protestuese për falje kundrejt festave për NATO-n janë e gjithë udhëheqësia e VMRO-DPMNE-së dhe gjysma e grupit të deputetëve, të cilët ose janë në paraburgim, ose pasaportat i kanë në gjyq. Ndërsa ne kemi ardhur në një derexhe ku kriminelët dhe ata që kërkojnë dhe mbështesin faljen e kriminelëve, zgjedhin për të ardhmen e të gjithëve ne.
Përndryshe, çfarë logjike ka që VMRO-DPMNE, partia konzervative, më antikomuniste, e cila akoma para pavarësisë, nga viti 1990 luftoi që ta integrojë Maqedoninë në NATO dhe BE, tani ta ndërpresë procesin drejt NATO-s dhe BE-së? Çfarë logjike ka që partia, e cila në të gjitha fushatat zgjedhore dhe programet partiake e shpiku dhe ia imponoi referendumin si përgjigje përfundimtare të çdo marrëveshjeje për emrin, tani e frenon referendumin.
Nuk ka logjikë. Por ka dhe prioritete të tjera. Duhet të shpëtojnë nga burgu Gruevski, familja dhe familja më e gjerë. Dhe për shkak të kësaj edhe ne duhet të mbetemi në burg. Zgjedhja është vërtetë e vështirë. Liri për ta, liri për ne. Çfarë do të zgjedhim?
2Zgjedhjen na e tha sekretari gjeneral i NATO-s, Stoltenberg. Për të qindtën herë. Në Bruksel e tha të njëjtën gjë që e tha dhe këtu në Parlament. Por, thotë, ka qenë shumë i ashpër. Ai tha tre gjëra. Në fillim, tha: Doni të futeni në NATO, apo nuk doni? Së dyti tha: “Nëse doni të hyni në NATO do të pranoni të hyni në si Maqedonia Veriore, nëse nuk e doni Maqedoninë Veriore, nuk do të hyni në NATO”. E treta, konstatoi: “Keni një shans historik që vërtetohet një herë në jetë dhe është zgjedhja juaj nëse do ta përdorni”.
Çfarë ka qenë aq e ashpër, e çfarë është dashur Stoltenbergu ta thotë me fjalë më të dashura?
Imagjinoni, u dashka të ndryshojmë emrin. Me të vërtetë? Daaa? Për çfarë gjëje negocionim për 25 vite?
Dhe tani, mediat që do të vazhdojnë t’u shërbejnë kriminelëve do të shpikin fraza si: “ftesë e kushtëzuar”. Nuk ka ftesë të kushtëzuar apo të pakushtëzuar. Është ftesë. Dëshiron ta pranosh, apo nuk dëshiron ta pranosh. Nëse do, nuk do të shkosh në NATO. Askush nuk të çon me zor.
Ke nënshkruar marrëveshje me Greqinë pasi ke negociuar për 25 vjet që ta nënshkruash. Nevojitet ta zbatosh. Nëse nuk ke arritur ta zbatosh, atëherë pse ke negociuar fare për marrëveshje?
Nuk kuptoj se çfarë ka të paqartë këtu.
Tridhjetë vjet po flasim për BE dhe NATO-n. Dhe nuk mundëm të futemi sepse Greqia kundërvihej. Nuk ka pasur arsye të tjera. Vetoja greke ishte arsyeja e vetme. Dhe tani, kur edhe Greqia, nënshkroi marrëveshje me të cilin emri do të jetë Republika e Maqedonisë Veriore dhe për herë të parë në histori është pranuar gjuha dhe kombi maqedonas dhe ka rënë dakord që të mos e bllokojë hyrjen në BE dhe NATO, ne vetë do të bëhemi pengesë. Pasi duhet të shpëtohen kriminelët të cilët për 11 vjet e mbanin shtetin në robëri.
Vallë, me të vërtetë e urrejmë veten tonë kaq shumë?
3Me të drejtë kryeministri i fton vmro-vcat që të gëzohen pasi edhe ata kanë merituar ftesën për NATO. Dhe atë e kanë merituar mirë. Të mos ishin deputetët e VMRO-së që i hapën dyert e Parlamentit më 27 prill e të mos kishe telefonuar bodigardi i Gruevskit nga Vjena, ftesa e NATO-s ndoshta do të ishte me të vërtetë e kushtëzuar.
4Maqedonia, me argëtim, e marshe protestuese, me Gjorge Ivanovin si komandant kryesor, apo me ndonjë tjetër, një ditë me një sebep do të futet në NATO. Sepse, ata janë shtet i veçantë. Territor i ri me standarde të veta.
Qeveria e hoqi me vetë kërkesën e tij, drejtorin e burgut në Strugë, Armend Shaqiri, i cili është nën hetim për drogë në burg. Një ditë më vonë, kryetari i Strugës, Ramiz Merko, u vendos si drejtor i ndërmarrjes sapo të formuar të Parkovi i Zelenilo. Sepse nuk kanë pasur kuadër më adekuat. Ndërsa, ish ministri i drejtësisë, Bilen Salilia para disa ditëve u bë zëvendës drejtor gjeneral i MEPSO. Para se të bëhet ministër, ka qenë dy herë drejtor. Në inspektoratin shtetëror të pyjtarisë dhe gjahut. Ndërsa para kësaj në ndërmarrjen komunale në Vrapçishtë.
Në BDI nuk a tërt-mërt. Ose je ose nuk je drejtor. Ose, nëse je drejtor nuk duhet të shkosh në punë, por duhet të marrësh rrogë. E më pas zëvendës kryeministri Hazbi Lika, me muaj nuk ka shkuar në punë në Qeveri, ndërkohë ne këtu mërzitemi për punësimet kornizë. Gjithçka sipas standardeve të NATO-s.
5Nëse keni pyetur veten se pse pikërisht Holanda, një shtet i mirë e mike e Maqedonisë që jep shumë ndihmë për Maqeddoninë, e besa edhe shumë turistë vinë që atje, ka pasur disa rezerva ndaj përhapjes së BE-së me ne, përgjigja ka ardhur nga gjimnazistët e Roterdamit që kanë ardhur në Shkup për të na i pikturuar muret e Klinikës së fëmijëve. Mirë ama, kanë parë se në Qendrën klinike ka shumë plehra të hedhur këtej atej, e kështu me vetëiniciativë kanë filluar t’i largojnë mbeturinat rreth klinikës për fëmijë.
Fëmijët janë bërë konfuzë. Është dashur t’u thonë, vizatoni ju brenda nëpër spital, e lini këtë jashtë. Ju krijoni art brenda, por jashtë mos prekni. Këto nuk janë mbeturina. Ky është një intalacion artistik. Do të vijë artisti pastaj që ta mbledhë. E jo ata, holandezët pedantë, që e kanë shkatërruar instalimin. E do të shkojnë në shtëpi me trauma të përjetshme
Me kujtime nga Maqedonia. Një shtet i bukur, në të cilin popullit nuk i pengon që nuk ka as ajër për të marrë frymë, e aq më pak do të shqetësohet për plehrat rreth spitaleve.
Hajde të kthehemi tani te tema e mbrojtjes së identitetit. Dhe te dilema nga fillimi i tekstit. Liri për kriminelët apo burg për qytetarët?
Përktheu: Fjolla Zllatku