1Çfarë do të thotë të jesh një maqedonas tipik, përfaqësues i Maqedonisë biblike. Tërë jetën mendon se je qendra e botës. E në momentin kur shtetasit botërorë do të vinë për të ta konfirmuar se je qendra e botës, ti do t’u thuash: Po si? Ata do të na thonë se kush na qenka qendra e botës.
2Të hënën do të vijë ministri i mbrojtjes i SHBA-ve, Xhejms Matis. Njeriu i tretë i qeverisë amerikane do ta ndezë avionin enkas nga Uashingtoni për Shkup dhe do të kthehet prapë brenda një dite. Kancelarja gjermane Angela Merkel, nga takimi me Makronin në Marsej, rrugës për Berlin, u ndal edhe në Shkup. Në qershor, rrugës nga Sofja për në Londër, në Shkup ateroi edhe kryeministrja britanike Tereza Mej. Federika Mogerini me avionin e vogël ku shkruan Republika e Maqedoniasë erdhi të hante qebapë në Çarshinë e Vjetër të Shkupit. Ves Miçelit tanimë lirisht mund t’i nxjerrim letër njoftim dhe leje për qëndrim, me aq herë sa ka ardhur…
Ndërkohë masa jonë e thjeshtë akoma konsideron liderë ata që i thonë: Këta njerëz vijnë që t’ju zhdukin.
E këta të huajt kanë akoma durimin për të na bindur: “Jo ore, ne jemi seriozë. Përfaqësojmë shtete dhe institucione serioze”. Mogerini thotë se nesër do të jetë vonë për t’u penduar në qoftë se tani nuk e shfrytëzojmë demokracinë. Kurse përfaqësuesi nga Departamenti i shtetit, Ves Miçel e dha detyrën më të vështirë për Maqedonasit. Ta plotësojnë lirinë dhe përgjegjësinë e tyre.
Nga cili popull kërkon përgjegjshmëri? Nga njerëzit që i hedhin mbeturinat para dere, që i lënë qentë të kryejnë nevojën në mes të rrugës e pastaj shkelin në shtëpi, të ndyrë me të? Nga cilët njerëz kërkon të respektohet liria? Nga ata që janë të gatshëm t’i bëjnë qejfin secilit nga pushtetarëve partiakë i cili do t’u premtojë punë në administratë? Nga njerëz që shesin dinjitetin e tyre për një sanduiç? Nga njerëz si ai rrahësi Damjan Mançevski në Parlament më 27 prill, vjet? Kur hyri në Parlament që të vrasë, por në mes të revolucionit ia shiti çadrën për 1.000 denarë Mançevskit. Çadra me të cilin paraprakisht ia kishte përgjakur kokën. Edhe sanduiç edhe para për çadër të re.
Ore, ne nuk dimë se çfarë të bëjmë edhe me këtë liri që e kemi nga 1945 e këtej. Sepse kemi frikë se do të na bëhet jeta më mirë. E pastaj nuk do të kemi se kë të fajësojmë për mossukseset tona.
Ti u flet atyre personave për përgjegjshmëri historike? Jo ore, ata nuk duan të bëjnë histori. Ata duan të gatuajnë ajvar. Të rrinë në shtëpi të fshehur. Sepse u thonë se do t’i fotografojnë nëse do të dalin në referendum. Nëse janë shitur për sanduiçë për 11 vjet, përderisa i kanë tërhequr për veshi që të votonin, sigurisht që tani kanë frikë se mos fotografohen. Epo, zbukurohuni që të dilni më të bukur në fotografi.
3 Debatoni nëse Mickoski ka një qëndrim apo jo. Ai akoma dëshiron të na tallë nëpër televizione me budallallëqet e tij. Jo ore. Mickoski ka një qëndrim të qartë. Ky qëndrim është ndërtuar që më 11 dhjetor 2016. Gruevski dhe shoqëria bandite e VMRO-DPMNE-së duhet të shpëtojnë nga burgu.
Jemi totalisht budallenj. Presim se çfarë do të vendoska trupi më i lartë i partisë në oborrin mbretëror të Gruevskit. Mickoski do ta thënka qëndrimin e tij. Ndërkohë që brenda rrinë njerëz që çdo javë duhet të paraqesin në gjyq se nuk ia kanë mbathur nga shteti. Dhe presin gjykime të rënda për krimet e tyre. Me shpresën se nëse ka një krizë të re në shtet apo nëse bota heq dorë nga ne, ata do të kthehen në pushtet. Ndërkohë ne, mediat, ngaqë i bëjmë të duken kaq të rëndësishëm, ua ngremë akoma më shumë shpresat. Frika e tyre se do të shkojnë në burg bëhet temë më e rëndësishme se sa fakti nëse të gjithë do të shkojmë përpara apo do të kthehemi pas.
Gjithçka që thotë Mickoski është vetëm për të fituar kohë shpëtimi në liri për Gruevskin dhe shoqërinë e tij bandite. Shtyrje e vendosjes së drejtësisë. Njësoj si me hilet e avokatëve, kërkesat për marrje në pyetje të gjykatësve, prokurorëve. Njëherë sëmuret një gjykatës, pastaj një i akuzuar,, më vonë do të jetë i zënë avokati dhe historitë e Mickoskit se ka qenë në NATO dhe BE, por marrëveshja kapitulloi dhe qëndrimin e tyre do ta thotë më 30 shtator.
Për më tepër, VMRO-DPMNE ka blerë kohë për vete që kur dolën bombat e para në shkurt 2015. Me shpresën se dikush do t’i shpëtojë nga burgu. Fillimisht e tërhiqnin si çamçakëz sjelljen e ligjit për PSP. E institucionet nuk i jepnin dokumente Katica Janevës me muaj të tërë. E më pas Gjorge Ivanovi falte. E më pas e gjithë bota i kërcënohej për t’i tërhequr faljet. E më pas as ai e as VMRO-DPMNE nuk e jepnin mandatin pas zgjedhjeve. Trajko Veljanoski me zor ulej në vendin e kryetarit të Parlamentit për katër muaj. E Ivanovi shpiku garancione të shkruara nga Zaevi dhe priste, priste…E deputetët e VMRO-DPMNE nuk e jepnin Zvërlevskin me javë. Eh ore, ata edhe luftë do të bënin më 27 prill 2017 për të shpëtuar.
Nga ata njerëz prisni qëndrim për referendumin? Nga njerëz të cilët tremben nga vetë mbështetësit e tyre se do t’i fotografojnë në vendet e votimet më 30 shtator? Dhe, çfarë do të bëjnë me fotografitë? Do t’ia japin Gruevskit që të bëjë albume e të mos mërzitet në Idrizovë?
4Ndërkohë që i gënjejnë se në rastin që referendumi do të kishte sukses, maqedonasit do të zhdukeshin. Pse? Prandaj para emrit Maqedonia do të vendosim një mbiemër, përcaktues gjeografik, vetëm që të mund të nisim përpara. Me një gjuhë dhe kombësi të pranuar maqedonase. Kurse ata i gënjejnë se jemi maqedonas të veriut. I gënjejnë se edhe gjuha është maqedonishte e veriut. Dhe ata u besojnë.
Eh mër njerëz, të gjithë këta përfaqësues të shteteve të fuqishme na thonë se nuk është vetëm interesi ynë që të futemi në NATO dhe të fillojmë negociatat për të hyrë në BE. Por është edhe interesi i tyre që ne të hymë në NATO. Dhe nëse ata kanë vendosur ta zgjerojnë NATO-n, a do ta lënë që zgjerimi të varet nga Mickoski?
Mund edhe të varet. Por, nëse ne shfaqim qëndrimin tonë kundër interesit të tyre, atëherë ne jemi armiqtë e tyre. Shumë e thjeshtë.
Mirë këta që mendojnë se Gruevski do t’ua kthejë – me sa duket ata nuk mendojë dot me kokën e tyre. Por njerëzit që brendohen si intelektualë dhe fshihen pas hijeve që të mos marrin përgjegjësi për krimet që kanë bërë? Si mund të mos jenë të vetëdijshëm se ky referendum nuk është momenti që të na thonë se si duhet të jemi dhe çfarë duhet të bëjmë që të jemi të denjë për BE. Nuk pashë ndonjërin nga ata të kishte ndonjë sugjerim se çfarë do të bëjmë më 1 tetor në rast se referendumi nuk ka sukses.
Me pak fjalë, të gjithë që deshën të na bëjnë pjesë të shoqërisë së tyre, nëse ne vazhdojmë të jemi kategorikë se nuk duam me ta, më 1 tetor nuk do të na ngrenë as telefonin. Do të na vënë një ignore. Dhe ky nuk është një kërcënim, siç tha Merkeli. Është një realitet. Realitet të cilin ata e shohin. E ne për ndonjë arsye nuk duam ta shohim. Thjesht, nuk u plas për ne. Plaçi aty ku jeni nga inati juaj. Le t’u drejtojnë kriminelë, se nuk keni merituar më shumë. Vazhdoni të gërmoni rrënjët për t’u ushqyer.
Çfarë mund të bësh kur je para vendimit që të vazhdosh të ekzistosh apo jo? Nëse nuk do të votosh – nuk do të jesh më. Dhe nuk e di se di do të mund të të duket vetja i denjë për BE dhe NATO nëse nuk del për të votuar.
Ashtu siç përforcohet e djathta ekstreme nëpër Evropë, nuk është çudi nëse ndonjë ministër i ndritur i punëve të brendshme kërkon të na kthehen edhe vizat. Do të çoni inat me ne? Epo, edhe ne me ju atëherë. E pastaj le të udhëtojnë gjyshet dhe tezet nga Vinçenza në Struminçencë me letra garancie nga fëmijët, për t’i parë nipërit. Dhe të gjithë që punojnë në të zezë, pas tre muajsh në Evropë të duhet të kthehen për të pritur në radhë para ambasadave. Nëse duan punë dhe shkollim në BE, le të nxjerrin pasaporta bullgare. E kur të mos ketë më bullgarë nga maqedonasit në këtë territor, ndarja do të vijë natyrshëm. Këtej shqiptarët, andej bullgarët… Mjaft e kishit, o maqedonas, mjaft e kishit. Kishit shtetin tuaj nga 1945 e deri më tani, gëzoheshit, por nuk bëkeni për këtë punë, jo. E pastaj, bojkotoni dhe thoni urtësitë e botës sa të keni qejf. Dhe kënaquni në iluzionin se bota rrotullohet rreth jush kur bota juve do t’ju harrojë.
Përktheu: Fjolla Zllatku